Iliro-albanizmat në gjuhët sllave , I


Nga libri “Strategjia e shqiptarëvet” të Gjokë Dabaj-t

E përzgjodhi Prof. Zymer Mehani

Ne nuk do t’u hyjmë këtu argumentimevet të hollësishëm.Bëmë vetëm një parashtrim fare të shkurtër të historisë sonë që nga ardhja e sllavëvet e këndej. Duam vetëm të vëmë në dukje që kultura e lashtë e ilirëvet, tashmë iliro-arbërore, filluar prej shek. VII e këndej, deri e pakta në sh XII, ka ndikuar shumë fuqishëm në krejt kulturën sllave, jo vetëm ndër sllavët e Jugut, por edhe te ata të Lindjes.
Në ilustrim të kësaj që thamë, po sjellim me këtë rast vetëm një pjesë të vogël iliro-albanizmash, që i gjejmë sot në gjuhët sllave dhe që sllavistika e derisotme, fatkeqësisht, as që i ka vënë re. Por, para se t’i rendisim dëshmitë e gjuhës, duam të vëmë në spikamë nja 2 a 3 pika, të cilat ballkanologjia e veçanërisht albanologjia dhe sllavistika (përfshirë aty edhe
sllavistikën jashtëballkanike), do të duhet t’i mbajnë parasysh për t’i korrigjuar në të ardhshmen.
1. Kontaktet midis parashqiptarëvet (protoshqiptarëvet) dhe sllavëvet nuk kanë ndodhur vetëm në trevat ku sot jetojnë shqiptarët, ose në një periferi të ngushtë përrreth këtyre trevave, por kanë ndodhur në një hapësirë gjeografike shumë më të gjërë, e cila fillonte në rrjedhat e epërme të lumit Sava dhe shtrihej deri në Selanik e në Konstantinopol. Në Konstantinopol, sepse atje ish kryeqyteti i shtetit të tyre dhe njerëzit shkonin atje më shumë se kudo gjetkë. Kjo ishte hapësira ku parashqiptarët jetonin në ata shekuj. Por sllavët kishin kontakte të përditshëm me pjesëtarë të kësaj popullate edhe jashtë këtyre hapësirave, atje ku sot jetojnë rusët, ukrainasit, bjellorusët, çekët, sllovakët. Parashqiptarët, në kuadër të shtetit të Bizantit, lëviznin në ato hapësira slave në radhë të parë si tregtarë, por edhe si zejtarë, muratorë, drupunues, artistë, si lundërtarë, si nëpunës a përfaqësues të shtetit dhe sidomos e në numër të konsiderueshem, si misionarë të krishtërimit. Shkonin atje bashkë dhe krahas me pjesëtarë të tjerë të Perandorisë Romake Lindore, me grekë, me dakë, me armenë, me thrakas, me sllavë të Jugut, dhe përhapnin në ata vise kulturën e Perendimit. Gjuha ruse, kjo që është sot, i ka themelet e pasurimit të vet pikërisht në gjuhët që vinin prej Gadishullit të Ilirikut. Më saktë, gjuha ruse i ka themelet e pasurimit të vet: në latinishten, në ilirishten dhe në greqishten.
Kur themi THEMELET E PASURIMIT, kemi parasysh, midis tjerash, FONDIN THEMELOR të fjalorit rus: COЛHЦE, ЛУHA, MOPE, CMËPT, ЖИЗHЬ… Fondi themelor i fjalorit rus është i mbushur së pari me fjalë latine. Mirëpo, dihet nga rrethanat historike që atë lëndë latine nuk ua kanë çuar rusëvet latinët. Atëherë, kush ua ka transmetuar rusëvet leksikun latin? Doemos popujt e lashtë të Gadishullit të Ilirikut, midis të cilëvet më të shumtët në numër, po edhe ndër më të familjarizuarit me gjuhën latine, ishin parashqiptarët. Kjo është një tezë, e cila detyrimisht duhet të zërë vend në studimet e ardhshëm dhe, ose të argumentohet me sa më shumë mbështetje faktike, ose të hidhet poshtë për mungesë argumentesh.
2.Teza që parashqiptarët ishin “një popull blegtoral”, ndërsa sllavët e ardhur ishin “një popull bujqësor”, kjo përrallë entuziastësh të ekzaltuar, njëkohësisht edhe cinikë, nuk i qëndron kritikës shkencore. Ajo duhet të zëvendësohet me pohimin që parashqiptarët, si një popull i lashtë i këtij vendi, kanë qenë bartës dhe transmetues të gjithanshëm të qytetërimit ndër sllavët e ardhur. Sllavët e ardhur morën prej parashqiptarëvet:
Edhe mënyrën se si bëhej bujqësia, edhe mënyrën si mbaheshin e shtoheshin bagëtitë, edhe mënyrën si ndërtoheshin qytetet, që prej bërjes së një shtëpie deri te muret e kështjellavet, edhe mënyrën si bëhej tregtia, edhe mënyrën si lundrohej në detra e liqene, edhe mënyrën si nxireshin e përpunoheshin mineralet, mënyrën si administrohej shteti dhe, më në fund, edhe mënyrën se si duhej t’i luteshin Zotit. Të gjitha këto, sllavët e ardhur, I kanë marrë, si prej ilirëvet, në kontaktet e tyre të përditshëm rreth e rrotull enklavavet të tyre të quajtura skllavini, ashtu edhe prej popujvet të tjerë të këtushëm lashtovendës. Duhet theksuar se, në një formë të veçantë, sllavët morën kulturë e qytetërim edhe prej grekëvet, kryesisht për 2 arsye: së pari, grekët, në ata shekuj (shekujt VII, VIII dhe IX) kishin në duart e veta pushtetin qendror të Perandorisë Romake Lindore dhe së dyti, grekët u dhanë sllavëvet shkrimin, gjë që sllavët i shndërroi në etni të vetëjetueshme. Që të bëhesh etni e vetëjetueshme, në radhë të parë duhet që të kesh shkrimin tend, me të cilin të shkruash gjuhën tënde.
3.Teza e Shtadtmyllerit mbi formimin ose formësimin e kombit arbëror në hapësirat e Matit të sotëm, Mirditës, Krujës e Librazhdit, nuk ka të bëjë fare me ekzistencën madhore të etnisë parashqiptare në Gadishullin e Ilirikut. Ajo ka të bëjë thjeshtë me emrin ARBËNË, që e kish zanafillën pikërisht në këta vise, si dhe me faktin që, për shkak të qëndresës epokale që i patën bërë këta vise sllavizimit, si dhe helenizimit, këtë emër e bënë të vetin edhe ata ish-“fise” të tjerë iliro-epiroto-maqedonas, të cilët nuk ishin sllavizuar apo helenizuar deri atëherë. Vetëm kështu mund të pranohet teza e Shtadtmyllerit. Përndryshe, nëse pretendon që ARBËRIT “u shpërndanë” prej Matit e prej Fanit dhe zaptuan fizikisht veriun, veriperendimin, lindjen, juglindjen deri në Thesaloniqi dhe jugun deri në Ambraki, ajo tezë vetëvetiu bie poshtë njëherepërgjithmonë.
4.Gjuha kishtare starosllave, e quajtur ndryshe gjuha slave e vjetër kishtare, e cila përmendet shumë në sllavistikë e, lidhur me të, edhe në albanologji, është një gjuhë tepër e re në krahasim me gjuhën e parashqiptarëvet. Ajo ka zënë fill të dokumentohet jo më parë se në sh IX. Duke qenë kështu një gjuhë shumë e re, ajo nuk mund të merret si gjuhë dhënëse, në raport me parashqipen, të paktën deri në sh X, kur shkrimi sllav, i formuluar prej Cirilit e Metodit, kish filluar ta shndërrojë gjuhën sllave në gjuhë kulture. Pra, deri në sh X gjuha shqipe duhet të ketë shumë pak huazime prej sllavishtes. Përkundrazi, deri në shek. X është parashqipja, krahas me gjuhët e tjera lashtovendëse, ajo që u ka dhënë lëndë jetësore, jo vetëm gjuhëvet sllavojugore, por të gjitha gjuhëvet sllave.
Këto ishin 4 tezat tona të cilat do të duhet të trajtohen në të ardhshmen në thellësinë dhe në gjërësinë që u takon. Po sjellim tash këtu një numër të vogël, nga numri mjaft I madh i toponimevet dhe i hidronimevet që sllavojugorët i kanë trashëguar prej parashqiptarëvet anembanë ish-Gadishullit të Ilirikut: Dikur ARBA, sot RAB, ishull në Dalmaci.
Dikur AUTARIATAE, “fis” në Prebalitanë, sot TARA, lumë në shtetin Mali i Zi. HADRIATICUM, sot JADRANSKO MORE, Deti Adriatik. Dikur BOSANIOS, sot BOSNA, lumë në shtetin Bosnjë e Hercegovinë. Edhe vetë makrotoponimi BOSNJË është i trashëguar prej parashqiptarëvet. Dikur BRATTIA, sot BRAČ (Braç), ishull në Dalmaci. Dikur DRAVUS, sot DRAVA, lumë në shtetin Kroaci. Dikur DRINUS, sot DRINA, lumë-kufi midis shtetevet Bosnjë e Hercegovinë dhe Sërbi. Dikur DALMATAE, sot DALMACIJA, trevë bregdetare në shtetin Kroaci. Dikur DECADARON, sot KOTOR, qytet në shtetin Mali i Zi. Dikur PHARUS, sot HVAR, ishull në Dalmaci. Dikur HISTRI, “fis”ilir, sot ISTRA, gadishull në shtetin Kroaci. Dikur ISSA, sot VIS, ishull në Dalmaci. Dikur IADER, sot ZADAR (Zarë), qytet në Dalmaci. Dikur CORKYRA NIGRA, sot KORČULA (Korçulla), ishull në Dalmaci. Dikur CURICTAE, sot KRK (Kërk), ishull në Dalmaci. Dikur LABEAT, sot BLATO (Bllato), emërtim malazias për Liqenin (e Shkodrës). Dikur MELITE,sot MLJET, ishull në Dalmaci. Dikur METEON, sot MEDUN, vendbanim në shtetin Mali i Zi. Dikur MARGUS, sot MORAVA, lumë ne shtetin Sërbi. Dikur NARONA, sot NERETVA, lumë në shtetet Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci. Dikur NAISSUS, sot NIŠ (Nish), qytet në shtetin Sërbi. Dikur OENEUS, sot UNA, lumë në shtetin Kroaci. Dikur PANNONIA, provincë, sot PANONSKA RAVNICA (Fusha e Panonisë), në shtetin Kroaci. Dikur RISINIUM, sot RISAN, qytet në shtetin Mali i Zi. Dikur SISCIA, sot SISAK, qytet në shtetin Kroaci. Dikur SAVUS, sot SAVA, lumë në shtetet Kroaci dhe Sërbi. Dikur SIRMIUM, qytet, sot SREM, krahinë në shtetin Sërbi. Dikur SALONE, sot SOLIN, qytet në shtetin Kroaci. Dikur TERGESTE, sot emërtimi sllav: TRST (Tërst) për Trieste, qytet në Itali. Dikur TRAGURIUM, sot TROGIR, qytet në Dalmaci.
Kur themi trashëguar, nënkuptojmë që, kur kanë ardhur sllavët, në krejt këta vise ka banuar dikush. Ndryshe s’kishin si trashëgoheshin këta emra vendesh, lumenjsh etj. etj. Këtij konstatimi të pakundërshtueshëm ne i shtojmë edhe këtë: Në të gjithë këta vise, popullsia lashtovendëse ka jetuar, në fqinjësi me kolonitë e imigrantëvet, për një kohë shumë të gjatë, të paktën 3 shekuj, pa u asimiluar. Gjatë gjithë kësaj kohe ajo nuk ka reshtur së dhëni popullatës së ardhur, jo vetëm elementë të gjuhës e të kulturës shpirtërore, por elementë të rëndësishëm të të gjitha fushave të jetës e të jetesës. Sllavët gjithashtu nuk kanë reshtur së absorbuari prej vendësvet gjithçka që atyre u duhej.
Dëshmi, që sllavët nuk kanë reshtur së absorbuari culture iliro-arbërore, janë edhe njësitë onomastike të mëposhtme. Dhe kjo ka ndodhur, siç e kemi thënë tashmë disa herë, jo veç në vendet ku jetojnë edhe sot shqiptarët, por në krejt hapësirat ku dikur kanë jetuar të parët e shqiptarëvet. BALTOVO, vend në Sllavoni, Kroacia veriore, shpjegohet me fjalën shqipe baltë…
(Me qenë se qëllimi i këtij libri nuk janë analizat etimologjike, ne do të mjaftohemi këtu vetëm me një renditje të thjeshtë, pa u ndalur në shpjegime. Kërkojmë ndjesë për ata toponime të cilët mund të mos rezultojnë vërtet të burimit iliroarbëror, sepse dihet që etimologjia është shkenca më e pasigurtë dhe më e pabesë në Botë.) BOSANSKE LIGATICE, në Bosnjë, nga ligatë. BREZOVICA, në Mal të Zi, nga i bardhë (*badhëzë). BERI, në Mal të Zi, nga bari, ruajtës bagëtish. BRIĐE (Brigje), trevë në Mal të Zi, banorët: BRIĐAŠI (brigjashi), nga breg. BRIĐEZA (Brigjeza), gjithkështu në Mal të Zi nga breg. BUKUMIRI, në Mal të Zi, nga bukë dhe mirë. BULLGARI, vend i bullgarëvet, nga bulgër. (Vo! Duhet parë dhe mundësia e kundërt.) BURRMAZI, në Hercegovinë, nga burë i madh. CETINJE (në dokumente: Zentina), në Mal të Zi, nga me zanë (*zantinë). CUCE, në Mal të Zi, nga sutë (*tësutëzë). CUCIĆI (Cuciqi),në Mal të Zi, nga sutë (*të sutë). DRETELJ, në Hercegovinë, nga dredhël. DINARA, në Dalmaci, nga dhi. OMBLA, në Dalmaci, nga i âmbël. FOČANSKE LIGATICE (Foçanske Ligatice), në Bosnjë, nga ligatë. FRUSHKA GORA, në Vojvodinë, nga me fry. FIRZA, në Mal të Zi, nga fier. ĐENOVIĆI (Gjenoviqi), në Hercegovinë, nga gji (deti). ĐEČ (Gjeç), në Bosnjë, nga Gjekë. ĐINOVO BRDO (Gjinovo Bërdo), në Mal të Zi, nga Gjin. MIHALJANE, në Mal të Zi, nga mbi halënë. KRAJINA, në Bosnjë, nga krah (anë). UKRAINA, vend i ukrainasvet, nga krah (anë). KRUSI, në Mal të Zi, nga krueth. KRIMALJ, në Mal të Zi, nga krye mal. LEKIĆI (Lekiqi), në Mal të Zi, nga Lekë. LJEŠANKA NAHIJA (Leshanska Nahija), në Mal të Zi, nga Llesh ose Lesh. LEŠKOVI DO (Leshkovi Do), në Mal të Zi, nga Leshko. LIGATI, në Bosnjë, nga ligatë. LOVĆEN (Llovqen), në Mal të Zi, nga lak (leqe). LJIG, në Sërbi,nga i lig. LUGOMIR, në Sërbi, nga lug i mirë. MAJEVICA, në Bosnjë, nga majë. MALONŠIĆI (Malonshiqi), në Mal të Zi,nga mal. MIRAS, në Mal të Zi, nga i mirë. MORAČA (Moraça),në Mal të Zi, nga me ra (*mëratësha). NIKŠIĆ (Nikshiq), në Mal të Zi, nga Nikë. NJEGUŠI, në Mal të Zi, nga mjegull (dikur: niegull). OKLJAJ, në Kroaci, nga me qa (dikur: me kla). PERAST, në Mal të Zi, nga rrasë (*mbë rrasëtë). PEŠTAN (Peshtan), në Sërbi, nga *poshtënë. RAČA (Raça), në Sërbi, nga me ra (*ratësha). RAS, në Sërbi, nga rrasë. RIPANJ, në Sërbi, nga me rjepë. ROGAME, në Mal të Zi, nga rogë. SENJ, në Kroaci, nga thinjë. SINJAJEVINA, në Mal të Zi, nga thinjë. SPUŽ (Spuzh, në dokumente: Spëllzh), në Mal të Zi, nga s dhe *pyllëzë. SORE, në Mal të Zi, nga sorrë (?). SUKA, në Mal të Zi, nga sukë. SUKEZA, në Mal të Zi, nga sukëz. SUTJESKA, në Mal të Zi, nga sutë. ŠALJEZA, në Mal të Zi, nga shalë. ŠEKULARE (Shekullare), në Mal të Zi, nga me (u) shkulë.ŠINĐON (Shingjon), në Mal të Zi, nga Shën Gjon. ŠTEK (Shtek), në Mal të Zi, nga shteg. UGNJE, në Mal të Zi, nga ujë (*ujna). UB, në Sërbi, nga ujë (*ujbë, krs. ubël). VERIGE, në Mal të Zi, nga varg. ZALAZI (Zallazi), në Mal të Zi, nga zallëzë. ZAŠTEK (Zashtek), në Mal të Zi, nga shteg. ZETA (dikur Zenta), në Mal të Zi, nga me zanë (*zenëtë).
Do të renditim tash një varg tjetër albanizmash në gjuhët sllave. Janë patronimet, llagapet apo emrat e familjevet, të cilët në mënyrë fare konkrete dëshmojnë për procesin e sllavizimit të shumë banorëve parashqiptarë në të gjitha ato hapësira. Kjo na dëshmon që ne nuk u kemi dhënë sllavëvet vetëm kulturë, por edhe përmbajtje të konsiderueshme gjenetike. Vëmë në dukje që të gjithë këta patronime janë vërtetuar jashtë Shqipërisë. Jo jashtë Republikës së Shqipërisë, por jashtë Shqipërisë! Pra, përtej kufijvet të Atdheut tonë, në hapësira të gjëra ku banojnë sllavët. BALJAŠEVIĆ (Balasheviq), nga balash; BALJEVIĆ (Baleviq), nga balë; BALJOŠEVIĆ (Balosheviq), nga balosh;BULATOVIĆ (Bullatoviq), nga baltë; BRIĐANIN (Brigjanin),nga breg; BURIĆ (Buriq), nga burrë; BURMAZOVIĆ (Burmazoviq), nga burrë i madh; CUCKIĆ (Cuckiq), nga sutë (*tësutësë); ČALOVIĆ (Çalloviq), nga i çalë; DEDIĆ, nga Dedë; DREKALOVIĆ (Drekalloviq), nga Ndrekë; GAŠIĆ (Gashiq), nga Gashi; ĐOKIĆ (Gjokiq), nga Gjokë; ĐOLOVIĆ (Gjolloviq), nga gjolle; ĐONOVIĆ (Gjonoviq), nga Gjon; ĐEKANOVIĆ (Gjekanoviq), nga Gjekan; EGRIĆ (Egriq), nga I egër; ГУPEBИЧ (Gureviç), Rusi, nga gur; KALJEVIĆ (Kaleviq), nga kalë; KALEZIĆ (Kaleziq), nga kalëzë; KILIBARDA, nga kalë i bardhë; KLJAJEVIĆ (Klajeviq), nga me qa (dikur: me kla); KLJAJIĆ (Klajiq), nga me qa (me kla); KRCUNOVIĆ (Kërcunoviq), nga kërcu(n); KRIJEVIĆ (Krijeviq), nga krye; LALEVIĆ (Llaleviq), nga lalë; LALIĆ (Llaliq), nga lalë; LEKIĆ (Lekiq), nga Lekë; LEKOVIĆ (Lekoviq), nga Leko; LEŠEVIĆ (Lesheviq), nga Llesh; LEŠIĆ (Leshiq), nga Llesh ose Lesh; LEŠKOVIĆ (Leshkoviq), nga Leshko; LEŠOVIĆ (Leshoviq), nga Llesh; LJOPIČIĆ (Lopiçiq), nga lopë; LJUMEZIĆ (lumeziq), nga lumëz; MALEŠOVIĆ (Maleshoviq), nga një rasë
e vjetër e arbërishtes: *ënë malëshi(t); NIKEZIĆ (Nikeziq), nga Nikëzë; NILOVIĆ (Nilloviq), nga Nilë; NUŠIĆ (Nushiq), nga Nush; PLJAKIĆ (Plakiq), nga plak; PRENTIĆ (Prentiq), nga Prend; PRENTOVIĆ (Prentoviq), nga Prend; ŠALJIĆ (Shaliq), nga shalë; ŠEŠELJ (Sheshel), nga sheshël; ŠEŠLIJA (Sheshlija), nga shesh; ŠKULETIĆ (Shkuletiq), nga me shkulë; ŠKUNDIĆ (Shkundiq), nga me shkundë; ŠOĆ (Shoq), nga shok; ŠOŠKIĆ (Shoshkiq), nga shoshkë; ŠTEKOVIĆ (Shtekoviq), nga shteg; ŠTILJANOVIĆ (Shtilanoviq), nga me shti (shtijë); VEŠOVIĆ
(Veshoviq), nga vesh (Vesho); VUKŠALIĆ (Vukshaliq), nga Vukë dhe shalë; ZEMIROVIĆ (Zemiroviq), nga zâ (i) mirë; ZOGOVIĆ (Zogoviq), nga zog; ZOTOVIĆ, nga Zoto.

Vazhdon pjesa II-të 

Shperndaje ne
Updated: 10 Dhjetor, 2016 — 06:42

The Author

GJOKË DABAJ

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.