Kultura Kombëtare: KADARE KA THËNË……

 

KADARE KA THËNË……

REALIZIMI SOCIALIST-ARTI I MADH I REVOLUCIONIT

(E PËRZGJODHI PROF. ZYMER MEHANI)

                                                            Ismail KADARE
Zeri i Popullit, 13 janar 1974

Midis profecive të shumta tepër të zymta që bëhen sot në botën borgjeze dhe revizioniste nga fallxhorët e klasave sunduese, një pjesë u përkasin letërsisë dhe arteve. A do të vazhdojnë të ekzistojnë letërsia dhe artet në të ardhmen? Kjo pyetje, herë në mënyrë të drejtpërdrejtë, herë në mënyrë të tërthortë, vërtitet në të gjitha propagandat e tyre. Përgjegjësia e saj përbëhet nga një radhë parashikimesh sa fataliste aq edhe absurde: pritet vdekja e romanit, vdekja e poezisë, vdekja e letërsisë dhe e gjithë arteve në përgjithësi. Cili është shkaku i këtij “de profundis” që tellallët e borgjezisë e përsërisin pa pushim prej kohësh? Përgjigja është e thjeshtë: ashtu si një pjesë e profecive edhe kjo nuk është tjetër veçse një dëshirë e vjetër e klasave sunduese, e trashëguar brez pas brezi prej tyre bashkë me etjen për pushtet dhe shfrytëzim.
Dihet se qysh nga kohët më të lashta, strukturat e mëdha burokratike e militariste, pra shtetet e mëdha agresive si psh; Perandoria Romake, duke përkrahur letërsinë zyrtare kanë rënë shpesh herë në konflikte të hapura me letërsinë dhe artin përparimtar. Kjo ka qënë e natyrshme, sepse ky art në përgjithësi nuk mund të pajtohej me frymën agresive, me dëshirën për hegjemoni dhe sundim të botës e cila ishte promotori i gjithë propagandave të këtyre shteteve. E njëjta ndodh sot me superfuqitë e kohës sonë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Sovjetik. Letërsitë dhe artet e këtyre vendeve prej kohësh janë përpara një alternative; ose të deformohen plotësisht sipas interesave antipopullore të këtyre regjimeve, ose të zhduken. Pra profecitë për vdekjen e tyre në fund të fundit, nuk janë tjetër vecse kërcënime të tërthorta që u bëhen letërsisë dhe artit në qoftëse ato nuk konformohen plotësisht me qëllimet hegjemoniste agresive të këtyre superfuqive.
Për sa u përket popujve që luftojnë për liri dhe pavarësi, historia ka treguar dhe vazhdon të tregojë se tek letërsia dhe artet ata kanë gjetur gjithmonë një mbështetje të sigurtë në luftën dhe në aspiratat e tyre. Historia e vendit tonë e rikonfirmon me forcë të vecantë këtë. Shoku Enver ka thënë se ‘populli ynë nuk e ka ndarë kurrë dyfekun me gjalmë, nga libri, shpatën nga pena, trimërinë nga dituria…’ Dhe kjo është një e vërtetë e madhe. Populli ynë që e ka pasur gjithmonë në qendër të kujtesës së tij kombëtare Skënderbeun, nuk e ka nxjerrë kurrë në periferi të saj Naim Frashërin. Popullin tonë i është dashur shumë herë të ngrihet i vetëm kundër rrezikut të zhdukjes nga faqja e dheut. Por as agresioni, që vdekjet, as uria, as rrebeshet e historisë nuk ja kanë humbur atij asnjëherë bukurinë e fjalës, të gdhendjes të titullit. Përkundrazi, ky fat i vështirë ja ka prefeksionuar ato gjerë në virtuozitet. Ç’art i mrekullueshëm duhet të jetë ai për të cilin populli ka nevojë në ditë të mira dhe të këqia. Ç’provë e madhe është për letërsinë dhe artet kjo dashuri e popullit për të në momentet kyçe të historisë dhe sa qesharakë duken ata estetë pozamëdhenjë që me sofizma të pafund në kabinetet e tyre belbëzojnë nëse duhet ose nuk duhet të ekzistojnë letërsia dhe arti.
Fakti i madh që populli, midis varfërisë së tij të thellë, i pa ngrënë dhe i paveshur, midis halleve, këto male të dyta të vendit, e deshi gjithmonë artin, tregon se ai ka pasur arsye të thella për këtë. Populli gjithmonë ka arësye të mëdha për të bërë një gjë. Arësye të mëdha për të dashuruar, arësye të mëdha për të urryer. Ai e ka dashur poezinë shqipe, letërsinë dhe artet e tjera sepse ato kanë qënë të lidhura me fatet e tij. Kjo lidhje me fatet e popullit dhe të kombit është tipari kryesor me i rëndësishmi dhe më i pavdekshmi i letërisë dhe i arteve tona. Të gjitha vlerat e tjera të këtij arti shekullor do të asgjesoheshin pa këtë vlerë thelbësore të tij. Kjo lidhje ka qënë fati më i madh i kësaj letërsie, ashtu si do të ishte fatkeqësia më e madhe e saj ndarja prej popullit. Letërsia jonë e realizmit socialist e trashëgoi si thesarin më të shtrenjtë këtë lidhje, duke pasuruar e ngritur në një shkallë më të lartë atë me idetë e revolucionit dhe të komunizmit. Partishmëria proletare e letërsisë sonë të realizmit socialist është shprehja më e lartë e lidhjes së plotë të saj, si asnjëherë tjetër, me fatet e popullit.
Të gjithë ne shkrimtarët e realizmit socialist kemi një përgjegjësi të madhe për ta ruajtur të paprekur këtë thesar shpirtëror të pacmuar.
Në të tridhjetë vjetët e moshës së saj, letërsia jonë e re e realizmit socialist ka njohur suksese dhe gëzime të mëdha. E vënë pa asnjë rezervë në shërbim të revolucionit, komuniste dhe kombëtare njëkohësisht, ajo i ka larë njëherë e përgjithmonë llogaritë me gjithë ndryshkun shekullor të artit feudal – borgjez, me misticizmin, irealimzin, sentimentalizmin, bulevardizmin, me historitë iluzive të vajzave të të varfërve me ‘princët e kaltërt’, me një fjalë gjithë trillimet e kuzhinave shekullore të botës së vjetër. Ajo ka vazhduar të bëj një luftë të sukesshme kur këto trillime, pasi i ka dëbuar nga dera, janë përpjekur të hynë nga dritarja të veshura me petkun modern. Detyra e ruajtjes së pastërtisë së artit tonë është sa e vështirë aq edhe madhështore, sidomos në kohën e sotme plot furtuna revolucionesh e kundërrevolucionesh. E vërteta është se megjithë sukseset që janë arritur, megjithse trungun kryesor të letërsisë dhe të arteve e kemi ruajtur të pastër, nuk mund të themi se i kemi mbrojtur siduhet të gjitha degët e tij. E përplasur mbi to, vala e ndërshkimeve ka bërë dëme, disa herë thyerje, dhe për këtë përgjegjësia na takon ne të gjithëve. Por letërisa dhe artet tona kanë një lidhje të tillë të thellë me revolucionin dhe me kombin, sa që për një kohë të shkurtër janë në gjendje të rigjenerojnë plotësisht degët e dëmtuara. Por kjo nuk duhet të na verë në gjumë. Në të ardhmen nuk pritet asnjë dobësi; përkundrazi do të ketë gjithmonë dëndësime të këtyre valëve goditëse. Agresioni është po aq i vjetër sa edhe shoqëria me klasa (Homeri, shkrimtari i parë i planetit tonë, nuk shkroi vecse për një agresion). Por në asnjë shekull ai nuk ka qënë aq global, tinzar dhe i shumëfytyrshëm sa në kohën tonë. Dhe kjo është e kuptueshme, përderisa kjo është epokë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Agresioni nuk tregon forcën e agresorëve, por përkundrazi, frikën, panikun e tyre përpara historisë. Gjysma e dytë e shekullit tonë po bëhet dëshmitare e një intensifikimi të pashembull të agresionit. Nuk është më agresioni i vjetër klasik, prania e të cilit ndihej vetëm kur shkelte cizmja e të huajt mbi tokën tënde. Tani armikun mund ta kesh mijëra kilometra larg, me të mund të mos shkëmbesh asnjë pushkë e, megjithatë, pa e kuptuar, mund të fillosh të biesh viktimë e agresionit të tij. Agresioni kultural, agresioni i fjalës, i titullit, i ngjyrave nuk është më pak i rrezikshëm se agresioni i cizmes së ushtarit.
Një nga dëshirat e drejtuesve të superfuqive është që bota të jetë memece, në mënyrë që ajo të mos i gjykojë dot krimet e tyre. Mirëpo njerëzit kanë lindur me gjuhë. Atëherë, arësyetojnë, ata, nëqoftëse njerëzit nuk i detyron dot të mos flasin, përpiqen që ata të belbëzojnë në mënyrë sa më të pakuptueshme, si të marrët. Dhe kështu vazhdon gara e ethëshme për të krijuar libra sa më të degraduara, poezi hermetike, prozë të coroditur, tinguj kafëshorë, kompozime abstrakte. I gjithë ky belbëzim, që shpesh u ngjan belbëzimeve të të sëmurëve psikik, është një shërbim i madh që i bëhet borgjezisë së sotme, shërbim të cilin ajo e cmon së tepërmi. Historia e dekadentizmit, ashtu si ajo e gjithë artit, është shekullore, por në asnjë shekull ai nuk ka pasur një shpërthim të tillë si sot. Kjo ndodh sepse në asnjë shekull klasat sunduese nuk janë gjendur ndonjëherë kaq pranë humnerës si në këtë shekull. Në një gjendje të dëshpëruar, ato ndodhen vazhdimisht në një aktivitet të ethshëm në të gjitha fushat – ekonomike, ushtarake, politike, morale, ideologjike, artistike, në mënyrë që ti shmangen katastrofës. Në terrenin e letërsisë dhe të arteve duke kuptuar se lidhja e letërsisë dhe e arteve me fatin e popullit është fatkeqësia më e madhe për ta, shpejtojnë ta shkallmojnë me të gjitha mënyrat këtë lidhja. Në qoftëse do të kërkonim të gjenim dy fjalë që të përmblidhnin sa më qartë esencën e gjithë asaj morie izmash të asaj flore të sotme të helmatisur borgjeze e revizioniste, këto fjalë do të ishin ‘ndajra nga populli’. Kjo ngjarje është synimi i përbashkët i gjithë propagandave të sotme reaksionare.
Mirëpo borgjezia dhe revizionistët, duke e kuptuar se thirrja për ndarjen e artit nga populli, ka në vetvete rrezikun e diskreditimit, kërkojnë rrugë më të stërholluara e të maskuara për të realizuar këtë ndarje. Ata e fillojnë rrethimin shumë larg. Për të humbur gjurmët, ata nuk bëjnë thirrje për ndarje nga populli, por për ndarje nga njeriu në përgjithësi. Kështu shpjegohet ai pasion për dehumanizimin e artit, për mënjanimin e njeriut dhe për zëvendësimin e tij me fetishe e maska. Superioriteti im është se unë s’kam zemër, ka thënë një poet dekadent. Kështu shpjegohet për primitivizmin, për mendimin paralogjik, i cili, sipas tyre, është më i thellë, sepse vjen që nga larg, nga barbaria. Lidhur me këto janë përpjekjet për shthurjen e kohës në veprën letrare, për shkatërrimin e ligjeve të kompozicionit, të sintaksës dhe më në fund të gjuhës. (Një nga kryedekadentët, Xhojsi, është përpjekur, për shembull, të krijojë një vepër të tij – gjuhën e ujit dhe të erës).
Edhe në rastet kur dekadentët e pranojnë njeriun në veprat e tyre, ky nuk është njeri në kuptimin normal të kësaj fjale. Më tepër se një njeri, ai është një surrogate i tij, një qënie biologjike, jashtë kohës, hapësirës dhe shoqërisë. Pikërisht një njeri të tillë, dekadentizmi përpiqet ta bëjë hero tipik të kohës. ‘Njeriu pa cilësi’, është titulli i romanit voluminoz të Myzilit, një nga katekizmat e dekadentizmit modern. Dihet se njeriu që nuk i përket asnjë shoqërie, humbet identitetin e vet dhe kthehet kështu në një maskë. Për të tilla maska ka shumë nevojë sot reaksioni botëror. Kështu arti borgjez përpiqet sot të krijojë një model të ri antiheroi, një autsajdër (ai që është jashtë), sic e kanë pagëzuar në Perëndim. Ky autsajdër, i cili mbush librat, skenat dhe filmat e botës borgjeze e revizioniste, mishëron ikjen nga bota jonë, dezertimin e turpshëm nga koha. Ai nuk është ndonjë shpikje e re; përkundrazi, rrënjët e tij duhet t’i kërkojmë thellë tek Bibla dhe Kurani, këto puse të pashtershme ideshë reaksionare. S’është e rastit që një nga ideologët e sotëm borgjezë ka shkruar: “individi e nis këtë udhë të gjatë si autsajdër dhe do ta mbarojë, ndoshta, si një shenjt”. Hipitë e sotëm, autsajderët, antiherojtë e Kamysit ose të Beketit, nuk janë tjetër vecse modifikime të shenjtorëve mjekërgjatë që bridhnin qysh para 2000 vjetëve e më pas nëpër shkretëtirat e Sinait, heremitët, pelegrinët jezuitë dhe musulmanët që niseshin për haxhillëk në Mekë. Gjithë ky arsenal errësire dhe myku është trashëguar nga arti i sotëm borgjez e revisionist. Duke e trashëguar atë, ky art i degraduar, megjithse pretendon të jetë i kohës e modern, në të vërtetë tregon se është i vjetër e dogmatic sa s’ka ku të vejë më.
Në pleniumin e 4-të të Komitetit Qendror të Partisë shoku Enver, në një mënyrë thellësisht marksiste, zbërtheu esencën e vërtetë konservatore të borgjezisë dhe të revizionistit të sotëm. “Karakter konservator – thotë shoku Enver, – kanë jo vetëm ideologjitë e vjetra që vinë nga thellësitë e shekujve, por edhe ideologjia e kultura e sotme e degjeneruar borgjeze e revizioniste, i gjithë liberalizmi e modernizmi i tyre”. Duke zbatuar tezën e shokut Enver në terrenin e letërsisë dhe të arteve, nuk është vështirë të dallojmë në kohën tonë aleancën e shenjtë të konservatorizmit më të tërbuar me modernizmin më të shthurur. Le të kujtojmë disa fakte nga historia e letërsisë sonë. Cili ka qënë konservatori më i madh i letrave shqipe dhe jo vetëm i letrave, por i gjithë kulturës sonë? Përgjigja është e qartë për të gjithë: ky konservator ka qënë Gjergj Fishta. Fanatik i tërbuar, idealizues i çdo gjëje patriarkale, apologjet i fesë, i institucioneve mesjetare, hymnizues i primitivizmit, armik i egër i çdo përparimi – ky është portreti i këtij letrari prift. Mirëpo, nga ana tjetër po të bëjmë pyetje se cili ka qënë liberali më i madh i letërsisë sonë, përgjigja është po ajo: përsëri Gjergj Fishta. Filoitalian i papërmbajtshëm, agjent i Vatikanit, emisar i pushtimit fashist, partizan i çkombëtarizimit dhe i romanizimit të kulturës sonë. Pra, nga një anë kryekonservator fanatik, nga ana tjetër kryeliberal. Shovinist i tërbuar dhe njëkohësisht kozmopolit i tërbuar. Kur ishte fjala për idetë e reja shoqërore, përparimin, për revolucionin, ai ishte konservatori më fanatik. Kur ishte fjala për fatet e atdheut, për lirinë, për kufijtë ai ishte liberali më i madh.
Të njëjtin shembull na e jep figura e letrarit fashist Ernest Koliqi. Konservatorizmi i tij ekstrem nuk e pengoi të shfrytëzonte në veprën e tij reaksionare, një teori aq të shtrenjtë për modernizmin e sotëm, frojdizmin. Kështu në tregimet e tij, ai herë na paraqitet si një namuslli turkoshak, herë si një gagarelë evropjan.
Dhe në përgjithsi është vështirë të gjendet një teori tjetër që t’u ketë shërbyer me aq zell si konservatorizmit ashtu edhe liberalizmit, sa frojdizmi. Esenca e tij konservatore – thirrje për kthim drejt barbarisë, nuk e pengon aspak, përkundrazi i ndjell akoma më shumë drejt tij dekadentët e të gjitha ngjyrave.
Kjo aleancë e shenjtë midis konservatorizmit dhe liberalizmit është plotësisht e shpjegueshme po ta shikojmë problemin nga pikpamja marksiste. Në fund të fundit qëllimi i të dy palëve, konservatore dhe liberale është një; kthimi në botën e përmbysur, rifitimi i ‘parajsës së humbur’.
Ndërsa sulen me tërbim për të shkallmuar spirancën që e lidh njeriun dhe artin e tij me shoqërinë dhe komunitetin njerzor, dekadentët nuk harrojnë për asnjë cast të sulmojnë spirancën tjetër, atë që e mban njeriun dhe artin e tij të lidhur me popullin e vet, me kombin dhe karakterin kombëtar. Ata godasin me tërbim këto dy spiranca, sepse e dinë që me shkallmimin e tyre vlerat shpirtërore do të mbeten në mëshirën e errësirës dhe dallgëve të tërbuara të reaksionit botëror.
Nuk është e rastit që pseudoshkrimtari dhe armiku i partisë Fadil Paçrami i linte të mbushura pseudodramat e tij me hije dhe jo me njerëz. Nuk është e rastit që ai bashkë me Todi Lubonjën ishin kundërshtarë të tërbuar të karakterit kombëtar në artet tona. Në poezi, F. Paçrami urrente figurën e baballarëve, në skulpturë figurën e nënës, në prozë përbuzte plakat shamizeza. Ai tmerrohej nga figura e Skëndërbeut me keq se një pasha turk. Pra, ai nuk duronte dot asgjë që kishte lidhje me themelet e popullit dhe të kombit. Nga kjo pikpamje ai të kujtonte ata pseudodijetarë të Ishullit të Laputëve, për të cilët Suifti tregon se kërkonin të shpiknin një metodë për të filluar ndërtimin e shtëpive nga catia. Djathtizmi i T. Lubonjës e F. Paçramit, kozmopolitizmi, urrejtja për folklorin dhe antishqiptarizmi i tyre, treguan dhe një herë se lufta e klasave në terrenin e letërsisë dhe të arteve është e gjallë dhe do të jetë e tillë për një kohë shumë të gjatë.
Si pjesë përbërëse e mekanizmit të revolucionit, realizmi socialist ka pasur, ka dhe do të ketë po ata armiq që ka revolucioni. Tërbimi i tyre, rrufetë që ata lëshojnë mbi të, nuk tregojnë gjë tjetër vecse fuqinë dhe rrezikshmërinë e tij për klasat sunduese. Akuzat për gjoja ngushtësinë e tij, për pamundësitë e tij, për rregullat kufizuese që i shkurtojnë jetë, koha i ka hedhur do i hedhë poshtë njerën pas tjetrës. Realizmi socialist është art i së ardhmes. Asnjë art i gjertanishëm nuk mund të jetë i krahasueshëm më të për nga mundësitë, epiciteti, thellësia, dramaciteti dhe niveli i lartë ideoartistik. Këtë omnipotencë ja jep atij revolucioni komunist. Liria që zbërthen revolucioni është më e madhja liri që është parë ndonjë herë mbi këtë rruzul, sepse ajo është liri e milionave. Përpara kësaj lirie zbehen si qirinj, liritë e tjera të kënduara apo të pakënduara në odetet e poetëve. Realizmi socialist si pjellë e revolucionit gëzon po atë liri të revolucionit. Ai nuk u bindet kanoneve, rregullave dhe dogmave, sic pretendojnë armiqtë e tij të hapur, ose miqtë e tij të rremë. Ai u bindet vetëm ligjeve të revolucionit, i njeh dhe i respekton ato ligje, dhe pikërisht në këtë qëndron jo dobësia dhe jetëshkurtësia e tij, por përkundrazi forca dhe pavdeksia e tij. Nganjëherë vetë ne shkrimtarët dhe artistët e realizmit socialist, nuk i njohim, ose nuk i përdorim dot mundësitë e pakufishme të këtij arti. Marksizmi na mëson që shpesh herë qëllon që shija e parë e klasës së fitimtarëve mbart me vete elementë të shijes së fundit të klasës së të mundurve. Shkëputja nga kjo shije është një detyrë e vazhdueshme e të gjithëve, dhe veanërisht e ne krijuesve.
Duke hedhur poshtë rrënjësisht toerinë e ‘realizmit pa cak’ të revizionistit frëng Rozhe Garodi, i cili ka përqëllim integrimin e një pjese të dekadentizmit në realizmin socialist, ne jemi gjithashtu kundër kufizimeve artificiale të fushës së veprimit të artit të ri të klasës punëtore. Realizmi socialist ka një forcë të tillë të brendshme sa që është në gjendje të shtjellojë në gjirin e tij të gjitha temat, duke filluar nga revolucioni proletar e gjer në legjendat më të thella të shekujve. Ai është në gjendje ta rishikojë dhe ta rishpjegojë artistikisht gjithë botën, që nga rrethimi i Trojës e gjer në rrethimin imperialisto – revisionist. Këtë aftësi të re ndricuese ja jep atij vetë revolucioni. Dhe pikërisht këtu qëndron esenca e novatorizmit të tij të madh. Kufizimi në kohë dhe në hapësirë i sferës vepruesme të realizmit socialist, nuk bën gjë tjetër vecse nga njëra anë, i shkëput rrënjët e këtij arti nga themelet kombëtare dhe nga ana tjetër i njeh sundimin e plotë, mbi 5 mijë vjet të historisë së popujve, tiranisë, kulturave të të gjitha superstrukturave të vjetra.
Epoka e kapitalizmit është në perëndim, dhe tonin e artit botëror, kulmet e tij po i jep e do ti jap akoma më shumë në vitet e ardhshme jo borgjezia, por klasa punëtore. Realizmi socialist është ende në dekadat e tija të para. Në vitet e ardhshme ai do të ngushtojë gjithmonë e më tepër perandorinë kulturale borgjeze – revizioniste, gjersa më në fund ta rrethojë atë. Letërsia jonë e re shqipe, për vetë pozitën pararojë të partisë dhe të vendit tonë në luftë kundër botës së vjetër në kuadrin e artit botëror komunist, ka sot një pozitë të privilegjuar dhe mundësi të pakufishme për vepra të mëdha.

Shperndaje ne
Updated: 14 Dhjetor, 2016 — 00:18

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.