Etnikum: ANTIKOZMETIKË


Nga libri “Strategjia e shqiptarëvet” të Gjokë Dabaj-t

“Po sot, Shqypni, pa m’thuej si je?!”

Prapë, edhe sot, mbas 130 vjetësh: “Posi njaj lisi i rrxuem përdhe!”
Në vend që të lumturohemi se jemi me 2 shtete, mbushemi përditë me trishtim e me keqardhje.
Njëri shtet 100-vjeçar, i cili ende s’ka mësuar si bëhen një palë zgjedhje. Detyrohen të vijnë nga 20 herë në vit të dërguar të Botës, për të na treguar si duhet të sillemi njëri me tjetrin.
Paguan Bota njerëz për të “monitoruar” shqiptarët, pale a po dinë të shkojnë te kutia e votimit apo po marrin brinjat duke gjuajtur shoshoqin me gurë.
Tjetri shtet, aty-aty, sa edhe Sllovenia, por i cili, ndryshe nga Sllovenia, ka nevojë ta mbajnë për dore, si dadoja kalamanin.
Herë një UNMIK e herë një EULEKS. Paguan edhe aty Bota “vëzhgues”, a po votojnë, burri për vete e gruaja për vete, apo po e merr kryefamiljari tufën e fletëvet e po e rras në kuti në emër të krejt collëvet.
A e shihni çfarë buzëqeshjesh kanë ata njerëz që vijnë për të na mbikqyrur?! Kanë buzëqeshjen e atij që hyn në një kopsht zoologjik dhe shikon atje: sorkadhe, ketra, mjellma, fazanë, çakej, arinj, ujqër. Shikojini me vëmendje buzëqeshjet e tyre, kur dalin në television!
Tragetet i marrim me qëra, avionët e udhëtarëvet i marrim me qëra, ndërsa hekurudhat e trenat tanë, janë modeli më I shëmtuar i shkatërrueshmërisë. I shpirtit tonë?! I edukatës sonë?! Apo çfarë tjetër mund të themi?! Ç’epitet mund t’i vëmë vetes, kur shohim një të tillë katandisje?!
E mbushëm Botën me punëkërkues! E mbushëm Botën me rregullashkelës! Me djem të rinj që kalben burgjevet, me prostituta, me lypësa, me trafikantë nga më të “kualifikuarit”!
I mbushëm varrezat me varre 20 e 30-vjeçarësh! S’na vjen të hapim televizorin, se s’ka ditë që nuk hyn në dhe një djalë i ri, një vajzë, një nënë e re, një fëmijë, copëtuar nga përplasjet e çmendura.
Shtete pa ushtri. Pa aviacion, pa tanke, pa flotë lufte, pa artileri. Madje, njëri prej këtyre shteteve, pa të drejtë për të pasur ushtri, siç i ka gjithë Bota. Sërbisë, ushtria e së cilës i vuri flakën ballkanit dhe e mbushi Ballkanin me varre masive civilësh, nuk ia hoqën ushtrinë, ne na e çarmatosën UÇK-në, sapo u vulos “Kumanova”. Republika e Shqipërisë e kish ushtrinë dhe iu asgjësua. 2 pyetje të mëdha që shtrojmë ne, janë këto: Pse u la pa forcë mbrojtëse Republika e Shqipërisë, pikërisht në kohën kur pushtetin e kishin marrë antikomunistët? Pse iu hoq e drejta për të pasur një forcë mbrojtëse Kosovës, në kohën kur ajo forcë e vogël çlirimtare ishte 100% aleate e NATO-s? Sado i painformuar konkretisht të jetë njeriu, përgjigjia e vetme është kjo: Ekzistojnë ende tentakula të fshehta për ricopëtimin e Shqipërisë! Traktati i fshehtë i Londrës nuk është fshirë përfundimisht nga agjenda e pazarllëqevet në lidhje me këto hapësira ku jetojnë shqiptarët. Sa kohë që shqiptarët të jenë të tredhur nacionalisht, ai traktat do të mbetet në fuqi.
Shtete, ku nuk gjen dot qoftë edhe 1 kompani ekonomike me,ta zëmë, 3000 punëtorë e nëpunës të punësuar. Edhe Gjermania Lindore ka qenë vend komunist, po shihni si e ka ekonominë! Shtete me toka të braktisura dhe me pyje që, në mos idjegshim, i presim e, në mos i prefshim, i djegim.
Me politikanët, që zanatin kryesor e kanë: të shajnë e të shpifin kundër njëri-tjetrit, pa pikë burrërie. Si pashallrët në kohën e Turqisë dhe si më të këqinjtë mbretër të Ilirisë. I vetmi profesion i tyre, i nivelit real të doktoraturës, si t’ia vjedhin votat kundërshtarit.
Një komb që i ka me dhjetëra deputetët në parlamentet grek e turk, dhe s’e di që i ka. S’e di që i ka, sepse ata nuk deklarohen shqiptarë. S’e di që i ka, sepse atyre as që u shkon ndërmend të kërkojnë të drejta naconale për zgjedhësit e vet. Janë me dhjetëra kryetarët e bashkivet, shqiptarë, në Turqi e në Greqi, të cilët profesion kryesor kanë, të nivelevet të doktoraturës, të fshehurit, të kamufluarit, si joshqiptarë. Si grekë, si turq, si çfarë të duash
tjetër, veç shqiptarë jo. Ata dridhen nga frika se mos rrotull tyre po përhapet ndonjë opinion që nuk janë grekë e që nuk janë turq.
Një komb që ka frikë nga regjistrimi i vetëvetes! A ka në Botë ndonjë komb tjetër, ku pjesa pozitive e tij të jetë e detyruar të dalë nëpër rrugë me flamur, me flamurin kombëtar, dhe të bërtasë: Mos na regjistroni !? Vetëm një komb i tredhur nacionalisht mund të ketë frikë nga regjistrimi.
Ç’mund të themi tjetër, mbas krejt kësaj që thamë për veten tonë, përveç:
“Po sot, Shqypni, pa m’thuej si je?”
“Posi njaj lisi i rrxuem përdhe!”
Krejt natyrshëm, do të mund të flisnim edhe ndryshe, sepse ekziston ndër ne edhe ajo e vërtetë që mund të quhet entuziaste.
Por, a do t’ia vlente tash të mereshim me kozmetikë nusesh?!

E përzgjodhi Prof. Zymer Mehani

Shperndaje ne
Updated: 17 Dhjetor, 2016 — 20:55

The Author

GJOKË DABAJ

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.