Histori kombëtare: KUPTIMI I EMËRTIMIT TË PRISHTINËS DHE PRIZRENIT

Dite tregu në Prizren (1898)

Të dy këto venbanime të banuara që herët nga shqiptarë, janë të emërtuara nga vetë shqiptarët, por me atë stad zhvillimi që ka patur gjuha shqipe në atë periudhë. Një fakt i tillë na detyron që ta njohim lexuesin e këtij materiali me disa nga tiparet kryesore të shqipes së lashtë. Gjuha e lashtë shqipe (pellazgjishtja) i ka patur të gjitha fjalët e saj njërrokëshe. Këto fjalë njërrokëshe kanë patur vetëm një trajtë të vetme të ngurtësuar, me anën e së cilës shprehnin të gjitha kuptimet gramatikore që mund të marrë një fjalë. Një ngurtësi e tillë e fjalëve ka ardhur nga fakti se gjuha e lashtë shqipe nuk ka patur fare mjete gjuhësore si parashtesa, prapashtesa, mbaresa, nyje.

MUHARREM ABAZAJ
Tiranë, 07. 10. 2016

Një veçori tjetër e shqipes së lashtë është mundësia që një fjalë mund të merrej me më shumë se një kuptim. Kështu fjala di ka patur kuptimin e foljes di, të mbiemrit i ditur, të numërorit dy, të emrit dhi etj. Për shkak të kësaj varfërie mjetesh gjuhësore gjuha shqipe emërtimet e ndryshme i ka bërë me anën e përngjitjes së dy ose më shumë fjalëve njërrokëshe. Po përmendim këtu vetëm një emërtim të njohur. Emri Dimal, një venbanim i lashtë ilir, është formuar nga përngjitja e dy fjalëve njërrokëshe: di ( dy) dhe mal, dhe ka kuptimin “Dy male”.

Qendra e qytetit – Prishtina e Vjetër dikurë – Komuna e Prishtinës

Emërtimit Prishtinë duhet t’i veçojmë prapashtesën -inë, e cila nuk ka qenë pjesë e formulimit fillestar të tij dhe kemi trajtën Prist. Emërtimi Prist është formuar nga përngjitja e dy fjalëve njërrokëshe: pri – ist. Duke i përdorur për një kohë të gjatë të dy këto fjalë pranë njëra- tjetrës, pa u ndryshuar asnjëherë rendin (vendosjen) e tyre, ato arrijnë të shqiptohen si një fjalë e vetme. Ky shqiptim si një fjalë e vetme, bën që zanoria /i/ e parë, duke mbetur jashtë theksit, dëgjohet gjithnjë e më dobër dhe bie, reduktohet dhe mbetet trajta Prist.

Të shohim tani kuptimin që ka patur secila fjalë njërrokëshe. 

Fjala e parë -pri në shqipen e lashtë ka patur dy kuptime: pri = udhëheq, prin dhe pri = pritë. Fjala pritë ka kuptimin e ngritjes, formimit të një pengese me mjete të forta natyrore ose dhe njerëzore për të penguar ose neutralizuar kundërshtarin, për t’u mbrojtur nga sulmet e tij.

Fjala -ist ka patur kuptimin e fjalës -ishte në shqipen e sotme. Evoluimi i kësaj fjale ka qenë: ist > ishte, evoluim që përputhet me ligjet fonetike të shqipes; s > sh. Kuptimi emërtimit varet nga kuptimi i fjalës pri. Nëse fjala -pri ka patur kuptimin udhëheq, prin kuptimi i emërtimit del: “Prijës ishte”. Ndërsa po qe se fjala -pri është marrë me kuptimin e fjalës pritë, atëhere kuptimi del: “Pritë ishte”.

Për rastin e parë “Prijës ishte” edhe pse duket shumë simbolik, nuk arrijmë të bëjmë shpjegime të mëtejshme. Kurse për kuptim e dytë. “Pritë ishte” mund të japim disa shpjegime. Në territorin e ngushtë të qytetit të Prishtinës nuk është arritur të zbulohen gjurmë të ndonjë kalaje apo prite të lashtë, por në juglindje të Prishtinës, jo shumë larg saj, dallohen qartë mbetjet e një kalaje të lashtë ilire, të kalasë së Artanës ose si e kanë quajtur më vonë kalaja Novobrdo. Kjo duhet të jetë ndërtuar në një periudhë mjaft të lashtë, pasi përmendet edhe nga Straboni që në shek.I p.e.s. Fakti që kjo kala ndodhet disi larg Prishtinës ngjall dyshime për lidhjen e emrit të Prishtinës me këtë kala. Megjithatë duhet të përpiqemi për ta analizuar më tej mundësinë e lidhjes së emrit të Prishtinës me këtë kala – pritë. Lidhjen e emrave të venbanimeve me kala apo prita i kemi vënë re në shumë raste. Do të shohim disa prej tyre.

Të shohim emërin e qytetit të Prizrenit.

Duke i veçuar prapashtesën /ren/ që nuk ka qenë pjesë e emërtimit fillestar, del se ky emër në zanafillë ka patur trajtën -Pris, Bashktingëllorja /s/ në gjuhën shqipe alternohet me bashktingëlloren /z/.’ bres / brez. Vëmë re se emri i lashtë i Prizrenit është formuar nga përngjitja e dy fjalëve njërrokëshe pri – is. Dallim nga fjalët që kanë formuar emrin e Prishtinës me ato të Prizrenit kemi tek fjala -is në rastin e Prizrenit dhe -ist tek Prishtina. Pavarësisht këtij ndryshimi këto dy fjalë kanë të njëjtin kuptim, pasi janë e njëjta fjalë por në stade të ndryshme zhvillimi. Trajta më e herëshme ka qenë -is, më pas është bërë -ist dhe më pas -isht. Ky fakt gjuhësor provon se venbanimi i Prizrenit është më i vjetër se ai i Prishtinës.

Shohim se edhe emërtimi i Prizrenit lidhet me një pritë. Këtu e kemi më të lehtë ta pranojmë lidhjen e emrit të qytetit të Prizrenit me pritën (kalanë), pasi ai e ka atë mbi krye si kurorë. Të shohim edhe një rast tjetër.

Një fshat në jug – perëndim të Skraparit në Shqipëri, mban emrin Prishtë. Ai ndodhet në krahun e majtë të një lugine të ngushtë që lidh Skraparin me Përmetin. Nuk po e analizojmë nga ana gjuhësore, pasi në zanafillë ai ka qënë identik me emërtimet që analizuam më lart, Prishtinën dhe Prizrenin. Por do të shohim lidhjen e këtij emri me ndonjë pritë. Në territorin e këtij fshati askush nuk ka patur dijeni për ndonjë pritë apo kala. Mirpo para disa vitesh arkeologët zbuluan në një kodër në formën e një piramide, disa kilometra larg fshatit të Prishtës, në kahun e kundërt të luginës ku ndodhet fshati, disa km. larg tij, një kala ilire. Kuptohet se emri i këtij fshati është i lidhur me ekzistencën e kësaj kalaje, kësaj prite.

Po kështu në verilindje të Tiranës ndodhet fshati i Priskës, pranë të cilit ndodhen rrënojat e një kalaje të vjetër. Këto raste, por edhe shumë të tjera si këto, ku shohim lidhje të emërtimeve të venbanimeve me ekzistencën e kalave apo pritave të herëshme, na shtyjnë të mendojmë se emri i Prishtinës, nëse nuk ka ekzistuar ndonjë kala tjetër, lidhet me kalanë e lashtë të Artanës.

Shperndaje ne

The Author

Muharrem Abazaj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.