NJËSIMI I SHQIPES U BË NË KONSULTËN E PRISHTINËS (1968)

Autor: Prof. Zymer Mehani

HYRJE
Në jetën kulturore dhe shoqërore të popujve ka ngjarje të veçanta, që në dukje të parë janë të rëndomta, madje edhe me emërtime të thjeshta, por që kanë rëndësi dhe shënojnë kthesa të vërteta afatgjate për ardhmërinë e atyre popujve. E këtillë është Konsulta Gjuhësore e Prishtinës e vitit 1968 , që si një këshillim i rëndomtë i gjuhëtarëve, i mësimdhënësve dhe i intelektualëve të tjerë, përfaqësues të institucioneve shkencore, mësimore, botuese, pastaj të revistave e gazetave, mori vendime me ndikime afatgjate për interesin e përgjithshëm kulturor të një pjese të kombit tonë. Këto vendime ishin të qarta dhe të drejtpërdrejta, sepse synonin që në Kosovë të zbatohen rregullat gjuhësore dhe drejtshkrimore të gjuhës shqipe të parapara në Projektin që e kishte hartuar Komisioni Profesional i Gjuhëtarëve në Tiranë. Në këtë mënyrë Kosova po bënte një hap vendimtar drejt forcimit të integritetit të saj kombëtar dhe po hapte rrugën e sigurt të zhvillimit në planin e përgjithshëm arsimor e kulturor brenda identitetit të saj të pandashëm të etnisë shqiptare. Ky vendim ishte një përcaktues i kahershëm në rrugën e zhvillimit dhe të bashkimit kombëtar të popullit tonë.
‘’Bazë diskutimi e këtij tubimi të gjerë qe Projekti i Ortografisë së re të shqipes letrare, hartuar nga komisioni i përbërë nga Androkli Kostallari, Eqrem Çabej dhe Mahir Domi’’.
Kosova kishte ecur në vazhdimësi në këtë rrugë, sepse i kishte përcjellë rregullisht ecuritë e veçanta të përpjekjeve gjithëkombëtare për njësimin e gjuhës dhe zhvillimin e traditës kulturore unike të popullit tonë.
Të gjitha këshillimet gjuhësore që janë mbajtur në Prishtinë, duke filluar nga ai i vitit 1952 e deri te Konsulta Gjuhësore e vitit 1968, e kanë pasur paraprijës tubimin identik në Tiranë.

I. PËRPJEKJET PËR PËRAFRIM TË DY DIALEKTEVE
Që në vitin 1952, në Konsultën e Parë Gjuhësore në Prishtinë ishte e pranishme tendenca përafruese ndërmjet dy dialekteve kryesore të shqipes për gjuhën e përbashkët të shqiptarëve, e cila iu kishte kundërvënë me argumente të arsyeshme ideve kufizuese të të ashtuquajturës pangegënishte, të përfaqësuar atëherë nga gjuhëtari Selman Riza.
Pra, intelektualët e Kosovës që nga fillimi e kanë vijuar rrugën unfikuese të gjuhës e cila është ndjekur institucionalisht në Shqipëri. Kështu ka ndodhur që në Tiranë të mbahet Këshillimi për Gjuhën në vitin 1956, kurse fill pas tij, në Prishtinë, më 30 dhe 31 maj 1957, është mbajtur mbledhja e gjuhëtarëve, në të cilën ka ecur përpara gjithashtu procesi i përcaktimit të disa parimeve për njëjtësimin e drejtëshkrimit të shqipes. Në këtë drejtim shqiptarët në Maqedoni kishin bërë një hap edhe më përpara, sepse në gazetën e tyre “ Flaka e vëllaznimit” kishte filluar të zbatohej drejtshkrimi identik me atë të shqipes që përdorej në Tiranë. Vlen të theksohet në këtë rast se përgjegjësit e kësaj gazete bënin propagandë që edhe në Kosovë të veprohej në këtë mënyrë.
Konsulta vijuese gjuhësore, e treta me radhë në vazhdimësi të kësaj periudhe, e njohur si mbledhje e “lëvruesve të gjuhës shqipe, e arsimtarëve dhe e intelektualëve të tjerë” , e mbajtur në Prishtinë më 14, 15 dhe 16 janar 1963, vjen fill pas nji aktiviteti të ngjashëm që ishte bërë një vit më parë në Tiranë. Edhe kjo mbledhje kishte synime të qarta për afrimin e dy kryedialekteve brenda gjuhës letrare shqipe, mbase edhe për njësimin e plotë të drejtshkrimit, por ndërhyrja e faktorit politik i zmbrapsi për pak kohë tendencat e këtilla që të përvetësohet drejtshkrimi i shqipes që zbatohej në ato kohë në Tiranë. Megjithatë, edhe ky këshillim për gjuhën shqipe kishte ecur në drejtimin e duhur. Këtë e dëshmon edhe botimi “Rregullat e Drejtëshkrimit të Shqipes”, të cilin e hartoi një komision i zgjedhur në këtë Konsultë, që është botuar në Prishtinë më 1964.
II. KONSULTA GJUHËSORE E PRISHTINËS (1968)


‘’Një komb- një gjuhë”- motoja e Konsultës Gjuhësore të Prishtinës (1968).
Konsulta gjuhësore e Prishtinës e vitit 1968 që u mbajt një vit pas hartimit të “Projektit të Rregullave të Drejtshkrimit të Shqipes”, e realizoi synimin për njësimin e drejtshkrimit të gjuhës sonë, duke miratuar unanimisht këtë projekt të rëndësishëm në fushën e zhvillimit të përgjithshëm kulturor dhe shoqëror të mbarë popullit shqiptar.
Duke i pasur parasysh rrethanat e përgjithshme kulturore dhe shoqërore në zhvillimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare jashtë Shqipërisë shtetërore, mund të pohohet me të drejtë se për shqiptarët e Kosovës Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, pati vetëm karakter promovues ceremonial, sepse puna e njësimit të shqipes ishte bërë në Prishtinë më 22 dhe 23 prill 1968.
Akademik Rexhep Qosja me të drejtë konstaton se ‘’Konsulta Gjuhësore e Prishtinës ishte një ngjarje e rëndësishme kombëtare. Ajo ishte ngjarje e rëndësishme shkencore, kulturore, por edhe politike’’.
Konsulta Gjuhësore e Prishtinës nuk ishte vetëm një ngjarje me peshë për gjuhësinë shqiptare, por ‘’ajo ishte më shumë se kaq, ngase në vijim u bë një referencë për të kërkuar afrimin gjithnjë e më të madh të një kombi padrejtësisht të ndarë’’.
Fjalën kryesore e mbajti Prof. Idriz Ajeti i cili, pasi e dha një historik të shkurtër të përpjekjeve të përfaqësuesve të Rilindjes kombëtare, propozi njësimin e gjuhës letrare. Ky diskutim shkencor më vonë do të njihej si Konsulta Gjuhësore e Prishtinës. ‘’Konsulta, me gjithë përpjekjet e ndonjë diskutuesi që, kosovarishtja të pranohej si gjuhë letare, doli me pikëpamje të qarta se shqipja duhej të njësohej’’.
Vendimet e Konsultës Gjuhësore të Prishtinës ushtruan ndikim pozitiv në punimet e Kongresit të Drejtshkrimit, në të cilin do të njësohej përfundimisht shqipja letrare.
Konsulta Gjuhësore e Prishtinës është ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë gjuhësore e kulturore, sepse i vuri pikë rrugës veçuese jo vetëm gjuhësore, nëpër të cilën po ecnin shqiptarët. Ajo hapi kështu rrugën e njësimit tonë gjuhësor dhe bëri që Kongresi i Drejtshkrimit që do të mbahet katër vjet më vonë të quhet kongres mbarëkombëtar.
Konsulta Gjuhësore e Prishtinës e vitit 1968 është mbledhja e katërt gjuhësore e organizuar në Prishtinë përgjatë 16 vjetëve. Pra, me Konsultën Gjuhësore të Prishtinës nuk fillon planifikimi gjuhësor për shqiptarët që jetonin jashtë shtetit amë, në disa ndarje administrative në ish- Jugosllavi. Para saj janë mbajtur edhe tri mbledhje gjuhësore që do të shënojnë përpjekjet standardizuese për shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e viseve të tjera shqiptare në ish- Jugosllavi.
Të kujtojmë se gjatë viteve ’50 e ’60 edhe në Tiranë janë zhvilluar veprimtari, diskutime e debate për çështje të gjuhës, të drejtshkrimit, po edhe të planifikimit gjuhësor.
Siç na është e njohur, më 1967, rihapet Instituti Albanologjik dhe po në këtë vit në Prishtinë do të arrijë “Projekti i Rregullave të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe”, i hartuar nga studiuesit e shquar të Tiranës, i cili do të nxiste nismën e Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe të Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë të Fakultetit Filozofik të Prishtinës që më 22 e 23 prill 1968 të organizojnë Konsultën Gjuhësore, të njohur me emrin “Konsulta e Prishtinës”. ‘’Në Konsultë po merrnin pjesë 150 intelektualë e shkencëtarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e viset e tjera shqiptare’’ Fjalën e hyrjes e paraqiti Fehmi Agani, asokohe drejtor i Institutit Albanologjik, i cili duke e konsideruar mbajtjen e Konsultës punën më të rëndësishme të Institutit Albanologjik qe nga rithemelimi i tij, midis të tjerash, do të theksojë: “Detyra që kemi asht e madhe, misioni ynë asht i randësishëm”. Më pas prof. Idriz Ajeti, protagonisti kryesor i gjuhësisë shqiptare në Kosovë, prandaj edhe i tri mbledhjeve të mëparshme gjuhësore, do të mbajë referatin kryesor me titullin “Rruga e njësimit të gjuhës letrare shqipe dhe ortografisë së re.” Në dy ditët e Konsultës u zhvilluan diskutime të shumta nga pjesëmarrësit në mbështetje të Projektit të Rregullave të Drejtshkrimit. U shtruan çështje praktike, u bënë vërejtje parimore, u dhanë sugjerime të shumta. Numri i diskutuesve ishte i madh. “… Tubimi pranon unanimisht gjuhën letrare dhe ortografinë e sotme të shtetit amë.” Ky përfundim në të vërtetë është njëra ndër ‘’nëntë Konkluzat e miratuara në Konsultë.’’ Konkluzat u hartuan nga Komisioni i përbërë prej Hilmi Aganit dhe Besim Bokshit. Pika 7 është propozuar dhe hartuar nga Fehmi Agani. Në konkluza theksohet, pos të tjerash, rëndësia e tri mbledhjeve gjuhësore që i kanë paraprirë Konsultës, rëndësia e njësimit gjuhësor, zbatimi i menjëhershëm i projekt-ortografisë. Në konkluzën nr.8 autorizohet Instituti Albanologjik dhe Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë që ta njoftojnë USH të Tiranës me konkluzat e Tubimit dhe me vërejtjet lidhur me Projektin e Ortografisë. Ndërkaq, në konkluzën e fundit këto dy institucione “autorizohen që t’u rekomandojnë institucioneve e enteve arsimore e pedagogjike, gazetare e botuese, shkencore e kulturore që të krijojnë mundësitë e zbatimit sa më të shpejtë të konkluzave të Konsultës.”. Dhe ashtu u bë. Zbatimi i Projekt-ortografisë filloi menjëherë. Edhe vetë Konkluzat e Konsultës Gjuhësore do të botohen në gjuhën letrare. Ç’është e vërteta botimi i letërsisë në letrarishte në Kosovë kishte filluar më herët.
Konsulta Gjuhësore u mbajt më 1968 në Prishtinë. Pse më 1968 dhe pse në Prishtinë? Sepse më 1968 tashmë kishin filluar ndryshime qe kishin rrokur kontekstin politik e shoqëror për shqiptarët, rrjedhojë e Plenumit të Brioneve (1966) në të cilin do të dënohej ashpër shtypja dhe represioni shtetëror ndaj shqiptarëve për një periudhë afro njezetvjeçare, dhe në Prishtinë, sepse ishte qendra konvergjuese për të gjithë shqiptarët që jetonin në ish- Jugosllavi – qendra administrative, arsimore e kulturore, sidomos e tillë do të bëhet nga fundi i viteve ‘6o kur për shqiptarët e Kosovës do të fillojë një periudhë e re zhvillimi sidomos e arsimit dhe e kulturës dhe një bashkëpunim që do të zgjerohet çdo herë e më shumë me Shqipërinë. Konsulta Gjuhësore e Prishtinës është e nxitur drejtpërdrejt nga këto ndryshime dhe do të shprehë qartë synimet dhe dëshirat për artikulimin identitar dhe për shprehjen përkatësore.
III. ROLI I FAKTORIT JASHTËGJUHËSOR PËR STANDARDIZIMIN
E SHQIPES
Te kujtojmë, po kështu, se në veprimtaritë gjuhësore standardizuese në Tiranë e në Prishtinë, roli i faktorëve jashtëgjuhësorë ishte i madh dhe kjo është e kuptueshme, jo vetëm për rrethanat politike në të cilat gjendej populli shqiptar andej e këtej kufirit, por edhe për arsyen se faktorët jashtëgjuhësorë kudo e kurdo kanë peshën e vet në përcaktimin dhe krijimin e politikave gjuhësore, shtetërore e kombëtare. Edhe në kohën e mbajtjes së Konsultës, por edhe të mbledhjeve të tjera gjuhësore në Tiranë e Prishtinë, përgjatë afro gjysmë shekulli, ndikimi i faktorëve politikë e shoqerorë ka qenë i madh dhe i përligjur.
Duke pranuar bashkimin gjuhësor me të gjithë shqiptarët kudo që janë, duke pranuar si normë Projektin e Rregullave të Drejtshkrimit të Tiranës të vitit 1967, duke hequr dorë nga rregullat e drejtshkrimit të vitit 1964 të gegërishtes standarde, shqiptarët e Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi i dhanë fund rrugës ndarëse gjuhësore nëpër të cilën kishin ecur në historinë e tyre të gjatë gjuhësore dhe hapi rrugën e bashkimit gjuhësor. Klasa intelektuale shqiptare, populli, por edhe klasa politike shqiptare, që i dha shtysë e dorë këtij procesi, ishin të vetëdijshëm se një veprim i tillë nuk ishte aspak i lehtë dhe ishte një veprim jo pak sakrifikues, duke pasur parasysh shumë rrethana e momente teë zhvillimit të tyre politik, shoqëror e ekonomik, po sidomos arsimor e kulturor, në të vërtetë ata ishin të vetëdijshëm se rruga e përvetësimit dhe e zbatimit të atyre rregullave nuk do të ishte punë e lehtë, sepse në Kosovë ende po luftohej analfabetizmi dhe shkalla e tij ishte shumë e lartë. Megjithatë, dëshira e entuziazmi dhe sidomos, vetëdija e lartë për rëndësinë e këtij veprimi, bënë që, me gjithë vështirësitë, përvetësimi dhe zbatimi në formën e shkruar të shënonte suksese. Zbatimi i rregullave të Projektit të Drejtshkrimit filloi të realizohej menjëherë në gazetat, në emisionet e radios, në shkolla, sidomos në mësimin e gjuhës amtare, po pak a shumë edhe në mësimin e lëndëve të tjera, më pas në botimet shkollore, botimet letrare e të tjera dhe në institucionet shtetërore, aty ku kishte hapësirë për shqipen. Mund të thuhet se shumë shpejt shqipja letrare fitoi autoritetin e pakontestueshëm. Rezultatet në përdorimin praktik të saj ishin më se modeste për arsyet e ditura, megjithatë pranimi i gjerë dhe gatishmëria që të mësohej e të përdorej, hapën mundësitë që rrjedha e këtij procesi të kishte të ardhme të mirë. Dhe kjo ndodhi. Me gjithë vështirësitë objektive të fillimit, vitet ’70 ishin vendimtaret që gjuha standarde në këto hapësira të shënonte suksese edhe përtej parashikimeve. Rruga e filluar mirë, fatkeqësisht do të ketë vështirësi pas ngjarjeve të vitit ’81 për t’u intensifikuar sidomos gjatë viteve ’90 për arsyet e njohura. Kriza politike, shoqërore, ekonomike, solli krizën e madhe arsimore dhe rrjedhimisht edhe gjuhësore, në të vërtetë solli vështirësi në rrugën e zhvillimeve të filluara mirë. Pësoi rënie sidomos shkolla shqipe, dhe kjo pati reflektim sidomos në mësimin e gjuhës. Rënia e disiplinës gjuhësore do të sjellë pasoja jo të vogla për kulturën gjuhësore. Megjithatë, asnjëherë nuk u lëkund mendimi e qëndrimi për drejtësinë e vendimit të vitit 1968.
Duhet të theksojmë se në Kosovë është arritur shkallë e dëshirueshme e zotërimit të gjuhës standarde kur të kihen parasysh vështirësitë që kanë shoqëruar rrugën standardizuese të shqipes sidomos në këto dy dekadat e fundit. Se do të ketë vështirësi në mësimin e përvetësimin është paralajmëruar edhe në Kongresin e Drejtshkrimit. Profesor Emil Lafe në një shkrim të tij për këto probleme shkruan: “Edhe kur u formua gjuha letrare është theksuar se e sotmja nuk do t’i takojë plotësisht gjuhës standarde.” Ky mendim i shprehur asokohe, në mënyrë objektive e ka çmuar problemin, sepse gjuha standarde po krijohej për hapësirën shqiptare të copëtuar e me kontekste të ndryshme politike, shoqërore, ekonomike e kulturore. Më tej Lafe shton se lajmi i Konsultës së Prishtinës dhe i vendimit kryesor të saj, që ajo njohu njëzëri gjuhën letrare të vendit amë si gjuhë letrare të gjithë shqiptarëve të përfaqësuar atje, erdhi si i papritur te ne (në Shqipëri).
Në veprimtaritë standardizuese të shqipes, në hartimin e teksteve normëzuese kanë marrë pjesë, siç dihet, studiuesit tanë të njohur, njohësit e mirë të shqipes. Hartues të Projektortografisë së vitit 1967 dhe të Rregullave të Drejtshkrimit kanë qenë Çabej, Domi, Kostallari dhe Lafe, personalitete këto me kompetenca jo vetëm në fushën e studimeve thjeshtë gjuhësore, por edhe në fushën e planifikimit gjuhësor. Këta emra do t’i gjejmë si autorë të gramatikave, hartues të fjalorit të shqipes dhe të fjalorëve të tjerë terminologjikë. ‘’Autorët e përmendur, studiuesit e njohur të gjuhës shqipe e të shqipes standarde kanë shfrytëzuar erudicionin e tyre, kompetencën e tyre dhe parimet e tyre moralo-shkencore në punën rreth krijimit të gjuhës standarde.’’ Puna dhe perpjekja e tyre në këtë drejtim kërkon vlerësimin dhe nderimin e pasardhësve, kërkon vlerësimin dhe nderimin tonë për ta. Një punë e tillë sot është vështirë e realizueshme, për të mos thënë e parealizueshme, për arsyet që i dimë mirëfilli të gjithë.
VI. PËRFUNDIMI
Prej asaj që na ofrohet në këtë histori të gjuhës letrare del se gjuhëtarët janë pajtuar që standardi i përzgjedhur përmbush kriteret themelore që shtrohen para një forme të tillë të gjuhës: se baza e përzgjedhur dialektore ka paraqitur shkallë të lartë normëzimi, se gjuha e krijuar standarde del e përpunuar në të gjitha nënsistemet, se shpreh mundësi të gjera për pasurim nga shumë anë: nga shqipja e shkruar që prej fillimeve e përkëtej, nga të folmet të ndryshme të shqipes, rrjedhimisht edhe nga të folmet e gegërishtes në vijë të gjerë horizontale dhe nga gjuhët e huaja, natyrisht duke i përshtatur ato brenda sistemit fonologjik e gramatikor të standardit. Puna në tekstet standardizuese duke filluar nga rregullat e drejtshkrimit deri te fjalori i drejtshkrimit dhe tekstet e tjera pasuese, dëshmon se autorët e lartpërmendur janë përpjekur për rregulla sa më të sakta dhe me sa më pak përjashtime në të gjitha nënsistemet, janë përpjekur për një drejtshkrim të qëndrueshëm duke pasur për bazë kryesisht parimin fonetik, po edhe parimet e tjera, si morfologjik, semantik, etimologjik, me përpjekjen që të ketë sa më pak dublete dhe sa më pak përjashtime nga rregullat e përcaktuara.
Me vendimin që morën këtu e 45 vjet më parë në Konsultën Gjuhësore të Prishtinës, shqiptarët e Kosovës dhe ata që jetonin në trojet e tyre në ish-Jugosllavi, me vendimin që morën në Kongresin e Drejtshkrimit (1972) të gjithë shqiptarët kudo që janë, bënë hapin e madh historik: nga kombi klasik, u bënë komb modern. Dhe sot duhet te sillen si komb modern.
LITERATURA:
IAP, Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (1968), Prishtinë, 2008;
Dr. Qemal Murati, Standardi gjuhësor dhe kultura e shprehjes, IAP, Prishtinë, 2004;
Qemal Murati, Për shqipen standarde, IAP, Prishtinë, 2009
Hasan Mujaj, Favorizimi i antivlerave, Faik Konica, Prishtinë, 2005
Revista Përparimi, Prishtinë,1957/6
Gazeta Rilindja, (numrat e prillit),1968

Shperndaje ne
Updated: 25 Dhjetor, 2016 — 14:50

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.