Etnikum: Brenda Shqipërisë janë disa vatra të infektuara


Nga libri “Strategjia e shqiptarëvet” të Gjokë Dabaj-t

E përzgjodhi Prof. Zymer Mehani

Ne na duket që kjo, që ne po e quajmë “servilizëm specifik”ose “kameleonizëm”, është njëra nga cilësitë që jo vetëm e merr më qafë në shumë aspekte Kombin tonë, por edhe e pakëson këtë numerisht, si dhe e tkurr territorisht. Brenda Shqipërisë janë disa vatra të infektuara keq sidomos me një lloj servilizmi, të cilin mund ta specifikojmë mirëfilli si një nacionalservilizëm.
Këto vatra janë:
1. Në Çamëri, ortodoksët çamë, përfshirë bashkë me ta edhe ortodoksët shqiptarë të Janinës, Konicës, Kosturit, Follorinës etj. Njerëz të mençur, njerëz me një mençuri tradicionale, dhe përsëri: Servilë ndaj Grekut ! Pse dreqin kështu ?!
2.Në Rekë të Dibrës, ortodoksët e asaj treve, bashkë me ortodoksë të tjerë shqiptarë, përhapur andej e këndej në shtetin maqedon dhe përzier me sllavomaqedonët. Ruajtur vetëveten në 6 shekuj të sundimit otoman, tani shkojnë e shkrihen me Sllavin ! Pse dreqin kështu ?!
3.Një pjesë e himariotëvet, një pjesë e dropullitëvet (historikisht jo grekë), e tani së fundi aty-këtu edhe në ndonjë mjedis tjetër brenda Republikës së Shqipërisë, hapur, për fëmijët shqiptarë, psh në Korçë, shkollë greke !
4.Treva e Tivarit, ku strumbullari i këtij nacionalservilizmi janë katolikët e Shestanit, influenca e të cilëvet dalëngadalë po shtrihet edhe në ndonjë fshat të Ulqinit. Edhe këta, ruajtur 4 shekuj prej sundimit otoman, shkojnë e shkrihen me malazezët, madje duke e ditur që Malazezi nuk i do.
5.Treva myslimane e Plavës, bashkë me pjesë të tjera myslimane shqiptare në Rozhajë e në Sanxhak, po edhe në Tivar e Podgoricë. Janë bërë dikur muhamedanë, tani bëhen, për nga gjuha, sllavë, dhe s’dinë si ta quajnë veten: Turq, malazezë, boshnjakë, apo thjeshtë myslimanë, (duke e konsideruar veten më farefis me arabët se me shqiptarët).
6.Në Prizren, në Tetovë dhe në ndonjë qytet tjetër tonin, ka pasur ose edhe ka grupe banorësh që ende e quajnë veten turq (servilizëm i trashëguar). Këta, kur Sllavomaqedoni kërkon të ngrejë shtatoren e Aleksandrit të Madh në Shkup, për të qenë të “barabartë” me Sllavomaqedonin, i thonë: Duam të ngrejmë edhe ne një xhami në sheshin e Shkupit.
7.Në të gjithë skajet e Shqipërisë: Mijëra tabela hotelesh, dyqanesh e lokalesh në gjuhët perendimore ! S’të vjen të hysh në qytetet tanë! Të neveritet Atdheu, mbuluar puçrrash e dregëzash të servilizmit pa nevojë!
Në diasporë, numri më i madh i shqiptarëvet të infektuar me këtë lloj servilizmi specifik, ndodhet në shtetin turk.
Aty, sipas disa të dhënave të publikuara, ka shumë milionë shqiptarë, të cilët regjistrohen si turq, shkollohen në shkollat turke, nuk kërkojnë shkolla shqipe dhe gradualisht vijnë duke u shkrirë me turqit. E njëjta sëmundje e servilizmit, e kameleonizmit, është tashmë e përhapur në të gjithë diasporën tonë anembanë Globit, aq sa në mjaft raste krijohen edhe skena tragjoko-komike:
Kushërinj të parë apo të dytë, njëri flet greqisht, tjetri italisht, i treti anglisht, i katërti gjermanisht. Asnjëri nuk di shqip, sepse prindët e tyre, jo vetëm kanë qenë miopë, injorantë, dinakë dhe të trashë mendërisht, por edhe servilë nga më konformuesit, kameleonë të mirëfilltë. Kameleoni është kafsha më servile ndaj natyrës. Ai i përshtatet çdo lloj ambienti, por kurrë nuk mund të
quhet kafshë e bukur.
Pikënisjet e këtij lloj nacionalservilizmi ndër shqiptarët (sepse atë e kanë në shkallë të ndryshme edhe kombe të tjerë), janë disa llojesh: E para pikënisje është përkatësia fetare.
Myslimani shqiptar e ka ndjerë veten fetarisht të njëjtë me turkun dhe e ka quajtur “të nevojshme” të barazohet me të edhe nacionalisht. (Pa e “ditur” që arabosauditi është mysliman, por nuk është turk.) Në krahun tjetër, myslimani shqiptar e ka ndjerë veten fetarisht të njëjtë me boshnjakun sllav dhe e ka quajtur edhe ai “të nevojshme” për t’u sllavizuar. Ortodoksi i Çamërisë, duke qenë i së njëjtës fe me grekët, e ka ndjerë veten “më të afërt” me grekët se sa me bashkëkombësin e tij mysliman. (Pa e “ditur” që edhe bullgari është ortodoks, por nuk është grek.) Në periudha të zeza të historisë sonë, ky dallim fetar, ka arritur të shndërrohet edhe në tragjedi, të cilat për “dekor” kanë pasur dhe kanë pellgje gjaku që nuk thahen kurrë. Ortodoksi i Rekës është i së njëjtës fe me Sllavin e Maqedonisë. Duke mos pasur kishë autoqefale me liturgji në gjuhën shqipe, siç nuk i kanë as ortodoksët tanë të Jugut, në Çamëri, Janinë e gjetkë, ashtu edhe ata në shtetin maqedon, por edhe ortodoksët e krahut të Kuçit, sipër Podgoricës, apo dy-tre fshatra të Shestanit, u janë mbështetur në mënyrë servile fqinjëvet të tyre joshqiptarë.
Ulqinaku i fesë myslimane edhe sot, kur rastis që e fejon vajzën me një sllav të Sarajevës, shkëlqen prej gëzimit dhe mburret përpara të gjithë fqinjëvet: E fejova vajzën në Sarajevë!
Ndërsa në rastistë që vajza t’i dashurohet me ndonjë djalë vendi, por të fesë katolike, asaj familjeje i nxin fytyra dhe bën çmos për ta prishur atë dashuri. Katoliku i Shestanit ka mbetur si peshku në zall dhe nuk di nga t’ia mbajë, sepse me pjesën myslimane nuk bën dot krushqi. Në anë tjetër, malazeztë, përveçse kanë pushtetin, janë edhe të krishterë.
E njëta “filozofi” po e udhëheq edhe sot atë pjesë të himariotëvet që po duan ta quajnë veten grekë. “Himara është kriqi!” bërtiste mu përpara kamerës njëri nga ata himariotë, miopë edhe servilë, njëkohësisht edhe i trashë mendërisht.
Fjalët që thuhen se në Shqipëri ka harmoni fetare, janë vetëm pjesërisht të vërteta. Ato janë prodhim fatlum i mendjevet të ndritura të rilindësvet tanë, një modus vivendi i pazëvendësueshëm, por, në vazhdoftë Greku të na prishë varret, në vazhdoftë Islami të na përdorë si “avanpost” për të “islamizuar” Evropën, në vazhdofë Evropa të na ngjyrosë me “ngjyrë jeshile”, ne, o duhet të kemi mendjen dhe guximin antiservil, antikameleon, të Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe të Rilindësvet, o do të pësojmë disfatën më të madhe në histori, këtë herë të pariparueshme.

Pikënisja e dytë e servilizmit tonë nacional është përkatësja shtetërore. U pushtua, siç dihet, pjesa më e madhe e Shqipërisë prej shtetevet fqinjë. Shqiptarët që mbetën të pushtuar, në një pjesë të madhe, pandehën se kështu do të mbeten përgjithmonë. Ashtu siç ndodhi edhe në kohën e Turkut, kur pjesa më e madhe e arbërvet pandehën se Turqia do të jetë “e përjetshme” dhe thanë: O burra të bëhemi myslimanë !, ashtu ndodhi edhe me këta që, në vitin 1913, mbetën jashtë shtetit shqiptar: O burra të bëhemi grekë ! O burra të bëhemi malazezë ! Kush të na vijë këtu, ne bëhemi si ai !.. Njohim bashkëkrahinas tanë, të cilëvet malazezët ua kanë vrarë të afërmit ose ua kanë djegur shtëpitë, e këta jo vetëm që janë regjistruar “malazezë”, por mundohen të mburren se janë “malazezë”. Mirëpo, të tjetërsohesh në pikëpamje nacionale, mund të të duket punë e lehtë në fillim dhe mund të të duket një punë e levërdisshme. Por më vonë, një i tillë servilizëm aq naiv, do të të shpërblehet me situate jashtzakonisht të papëlqyeshme. Në mos te vetë ti që e ke bërë “kthesën”, doemos te pasardhësit e tu. Pasardhësit e atyre që, duke gjykuar tepër cekët, e kanë filluar denacionalizimin (duke mos u shkolluar në gjuhën amëtare, duke ndryshuar formën e mbiemrit e të emrit, duke u regjistruar tjetër për tjetër etj), do të ndodhen në pozita tepër të vështira, sepse, nga njëra anë, do ta shohin që pala thithëse nuk i pranon si pjesë të vetën, e nga ana tjetër, duke mos zotëruar gjuhën e të parëvet të vet, e kanë shumë të vështirë të rikthehen te vetëvetja. Jo vetëm kaq, por vetë ata, duke qenë tash brez më i ndërgjegjshëm e duke mos qenë servile e kameleonë si paraardhësit, gjithsesi e ndiejnë veten keq dhe kërkojnë të rikthehen në origjinë. Piktori i madh Abedin Dino, ndonëse ishte shqiptar, nuk dinte të fliste shqip.
Dinte turqisht, dinte frëngjisht, dinte rusisht, por shqip nuk dinte. Ai donte të vinte e të hapte ekspozitë në Shqipëri, donte edhe t’i ndihmonte materialisht piktorët shqiptarë, por s’i bëri dot as njërën, as tjetrën. Në Turqi i ka 3 monumente, në Shqipëri asnjë.
Ka, në anë tjetër, edhe të atillë që, duke e ditur që nuk janë çfarë deklarohen, mundohen në çdo rast të ekspozohen si të tillë.
Në kohën e Romës kish ilirë të atillë që shiteshin më remake se vetë romakët. Në kohën e Mesjetës një shumicë arbërish, ose tregoheshin më grekë se grekët, ose, kur i sundonin sllavët, më sllavë se vetë sllavët. Në kohën e turkut pat arnautë “turq”, më të thekur se vetë turqit. Ata bënin kërdinë mbi arbërit, mbi kombin e vet, për t’iu rrëfyer bashkëvendësvet si më i fuqishmi i të fuqishmëvet: Ja kush jam unë! Historia është e mbushur plot me mizori të arbërvet të turqizuar mbi pjesën tjetër të arbërvet që nuk i nënshtroheshin pushtuesit. Kur erdhën prapë sllavët edhe grekët, dolën përsëri bastardë me shumicë prej Kombit tonë.
O burra, kush bëhet më sërb se sërbi! O burra, kush bëhet më grek se greku!
Pikënisja e tretë e natyrës servile të shumë shqiptarëve na shfaqet te pushtetarët. Pushtetarët tanë, sapo arrijnë të zënë ndonjë post (Jo të gjithë, natyrisht, se do të na kish marrë lumi me kohë) shtyhen kush e kush të tregohet sa më “i përzemërt” dhe sa më “i sinqertë” me të huajtë. More, le të jetë ai i huaji një zorrë! Ky dëshiron t’ia shprehë mikpritjen në shkallën më të lartë të mundshme. E ka me gjithë mend. Se, ta ketë për diplomaci, gjysma e së keqes. Ai i huaji, vetëkuptohet që do të përpiqet të përfitojë sa më shumë prej “përzemsisë” së këtij lloj shqiptari.
Pikërisht këtu shfaqet edhe ana më fatale e një të këtillë vetie!
“I përzemërti” shqiptar nuk mund t’u bëjë ballë kërkesavet të të huajit dhe ndodh ashtu falja, dhurimi për hiç gjë i interesavet të Atdheut dhe i pasurivet të Kombit! Mjafton t’i japë ai i huaji, për të cilin dihet se nuk është budalla, pushtetarit tonë, si person, privatisht, një dhuratë të majme dhe: Iku koncesioni! E mori koncesionin i huaji më me levërdi se në cilindo vend tjetër!
Servilizmi i katërt, karakteristik për ne shqiptarët, është servilizmi gjuhësor. Servilizëm skandaloz! Po japim 2 shembuj për të ilustruar këtë që thamë:
1.Një malaziase 54-vjeçare, lindur, rritur dhe gati plakur në Ulqin, nuk di fare të flasë shqip. Pse kështu? E pyesim ne.
Sepse, thotë ajo, nuk jam interesuar që ta mësoj. Shqiptarët, me të cilët kam pasur kontakt qysh fëmijë dhe më vonë si nëpunëse, kanë folur gjithmonë me mua në gjuhën time, prandaj dhe, me thënë të drejtën, nuk e kam ndier nevojën për ta mësuar gjuhën e vendësvet.
2.Një shqiptare, me prejardhje nga Shestani, lindur e rritur në Tivar, është martuar në një familje shqiptare në afërsi të Ulqinit.
Familja ku është martuar ajo, flet rregullisht shqip. Në fshatin ku është martuar ajo, nuk ka asnjë familje sllave. Kanë kaluar 6 vjet nga ardhja e saj në këtë familje dhe në këtë fshat, dhe nuk ka “mësuar” ende të flasë shqip. Nuk pranon të flasë shqip as me të shoqin, as me vjehrrën, as me bashkëfshatarët. Ka 2 fëmijë dhe nuk u flet shqip, por sllavisht. Për të mos ia prishur qejfin nuses, edhe plaku e plaka u flasin 2 nipërve sllavisht. E pra, gjyshja dhe nëna e asaj nuseje, para se të zbrisnin në Tivar, nuk kanë ditur as edhe një fjalë sllavisht. Krejt familja e saj, ku ajo ka lindur, është një familje thjeshtë shqiptare. Ajo familje e ka futur në përdorim gjuhën sllave thjeshtë për servilizëm, për konformizëm, nga sëmundja jonë (s’dua të them: e pashërueshme) e kameleonizmit.
Ndërkaq kjo, bija e asaj familjeje, vazhdon me zell të madh ta kultivojë gjuhën e huaj edhe te fëmijët e vet, duke përbuzur në mënyrë skandaloze gjuhën e të parëvet të vet. Ç’të thuash tjetër për servilizmin tonë në fushë të gjuhës?!
Ilirët, edhe para se të na ketë pushtuar Roma, e kanë pasur fjalën pulë. Nuk ka mundësi të mos e kenë pasur fjalën pulë, sepse pulat janë mbajtur ndër ne edhe para Romës. Por të parëvet tanë u ka pëqyer më shumë fjala e huaj dhe e kanë harruar fjalën e vet. Skandal! Edhe fjalën qiell e kanë pasur. Edhe fjalën kale e kanë pasur. Pse i ndërruan?! Pse nuk e dimë ne si u kanë thënë të parët tanë pulës, qiellit edhe kalit? Erdhën turqit dhe duhej pa tjetër t’u serviloseshim edhe atyre, duke folur si ata.
Tani ne, pasardhësit e arbërvet, nuk dimë si ta shprehim ndryshe gëzimin, veçse në gjuhën arabo-turke: Shyqyr! Edhe kur na pëlqen diçka, jemi të detyruar prapë të shprehemi arabo-turqisht:
Mashallah! Sidomos, kur dalim nëpër Tiranë a nëpër Prishtinë dhe kur shikojmë morinë e tabelavet të dizajnuara aq bukur në gjuhën angleze, nuk mund të mos themi “gjithë entuziazëm”:
Mashallah na qoftë!
Sapo i kthyem sytë nga Evropa e nga Perendimi, puna e pare e jona ishte: Të prishim gjuhën shqipe! Për këtë nuk mund të themi se është servilizëm, sepse askujt nuk po i shkon mendja t’i shikojë e trajtojë ndryshe ata shqiptarë që nuk flasin shqip e ndryshe ata që e ruajnë gjuhën e vet. Ky është më shumë budallalëk se sa servilizëm. Madje duhet të dimë që të huajtë, kur vijnë në Tiranë, në Shkup apo në Prishtinë, më shumë do të donin të shihnin tabela shqip se sa në gjuhët e tyre. Pra, Nuk është kjo puna e prishjes së gjuhës shqipe as budallallëk. Është hajvanllëk.
Servilizmi, kameleonizmi, injoranca, budallallëku, hajvanllëku, janë shkrirë në Kombin tonë tragjikisht më një.
Si do të mund të dalim këndej?!

Shperndaje ne
Updated: 30 Dhjetor, 2016 — 12:32

The Author

GJOKË DABAJ

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.