Letërsi kombëtare: SA GJAK DUHET PËR NJË SHQIPËRI? (Poezi)

Eci si një hije nëpër vite e shekuj
eci nëpër hartën tonë të vjetër,
gjurmoj thellë në trojet e mija
aty ku me gjak është shkruar historia!

Aty ku ndër shekuj u fol gjuha shqipe!
Aty ku shqiponjat ndërtuan fole!
Aty ku në djep u masakruan fëmija
aty ku u pagua shumë shtrenjtë Liria!

Eci nëpër shekujt e larë me gjak!
Aty ku gjyshja u bë nuse me duvak,
nga Molla e Kuqe e deri në Çamëri
gjeta të masakruar pleq e fëmijë!

Shkova dalëngadalë andej nga Ilirida
me dhembje në zemër andej unë shetita,
u ndala të pushoj aty buzë Vardarit
uji i tij ma kujtoi gjakun e Tivarit!

Shëtita gjithandej nëpër trojet tona,
ku trimat tanë luftuan si shqiponja!
Shqipëria ngjante në një lule kurorë,
rreze drite merrte nga secili dëshmorë!

Shumë plagë gjeta nëpër trojet tona!
Aty ku me krenari sot fluturon shqiponja!
Sa i pastër është trolli ynë shqiptarë,
ndër shekuj me gjak ajo tokë është larë!

E përgjysmuar është për ne Liria!
Sërish është e ndarë e jona Shqipëria!
Vallë edhe sa gjak duhet në këtë jetë?
Ta bashkojmë Atdheun vetëm në një shtet!

Shperndaje ne
Updated: 31 Dhjetor, 2016 — 18:31

The Author

Maki Canolli

Makfire Maqedonci – Canolli lindi në Prishtinë. Fëmijërinë dhe rininë e hershme i kaloi në vendlindje. Është shkolluar në fushën e pedagogjisë, që e ka bërë më të ndjeshme e më njerëzore edhe në poezi. Me këtë art të vështirë ka filluar të merret që kur ishte nxënëse e klasës së dytë fillore. ”Gjeli im plak” ka titullin vjersha e saj e parë. E ka botuar 30 vjet e sa më parë në shtojcën për fëmijë të gazetës ”Rilindja” (1978/79), e cila botohej çdo të martë, në kohën e artë të kësaj të së përdishmeje të shuar shqiptare në Kosovën e pushtimit serb. Makfire M Canolli i përket brezit të rinisë ”së padisiplinuar”, e cila sfidonte pushtetin antipopullor të asaj kohe. Ky pushtet të rinjtë shqiptarë i quante ”irredentistë” e ”seperatistë” dhe me nofka të tjera më poshtëruese, vetëm e vetëm pse deshi të mbante gjallë gjuhën, traditën e kulturën shqiptare, të qenit shqiptar të shqiptarëve në vendin e tyre. Makfires, si motër e vëllezërve ”irredentistë”, iu mohua çdo e drejtë: të regjistrohej në fakultet, të punojë me nxënës, si dhe e drejta për të botuar. E ka vragë të pashlyeshme në zemër këtë kohë, aq më parë, pasi krijimet e saj të hershme ia konfiskuan punëtorët e shërbimit sekret serb, gjatë një bastisjeje në shtëpinë e saj. Në vitet e ‘80-ta, kur ajo ishte vetëm 11 vjeçe si shumë familje shqiptare, edhe familja e Makfires ishte në shënjestër të UDB-së famëkeqe serbe, e cila në vitin 1982 ia burgosi të tre vëllezërit. Ishte kjo koha kur shpirti i saj sa fëmijërorë aq poetik po këndonte nga brenda, pa u shfaqur për lexues. Në vitet e ‘90-ta emigron në Gjermani, ku qëndroi deri më 1998. Kthehet në Kosovë bashkë me familjen e saj dhe më pas, më 1999, kalon oqeanin për të vazhduar jetën në New York. Aty jeton ende.Zëri i saj dëgjohet çdo të premte në valët e Radio – Diasporës, ku si moderator e udhëheq rubrikën “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”. Poezitë e saj janë prezantuar nëpër disa faqe të internetit, të cilat botojnë krijime artistike, si “Teutat shqiptare nëpër botë”, “Agjencioni Floart-Press”, “Tribuna shqiptare”, “Bota e re”, “Stërkala”, si dhe “Qeparoi”.Gjer tani ka botuar përmbledhjen poetike për të rritur “Gjurmë nëpër flakë” (2010) dhe një tjetër për fëmijë “I shes diellit akullore” (2010). Po ashtu është pjesë e disa antologjive si dhe në librin e përbashkët me teutat shqiptare nëpër botë me titull "Në sytë e nënave". Në një të ardhme të afërt lexuesit do të kenë ne duart e tyre shkrimet tjera qe presin botimin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.