Degradimi kulturor si aspekt i kalbëzimit moral të shoqërisë.

Çdo degjenerim individual ose kombëtar dallohet menjëherë nga degradimi i drejtpërdrejtë përpjesëtimor në gjuhë”/ Xhozef de Mestre**

Periudha 26 vjeçare e pasndërrimit të sistemeve politike në Shqipëri ka njohur ecje në dy drejtime të kundërta zhvillimi. Nga pikëpamja materiale, pavarësisht faktorëve të ligjshëm apo jo, të moralshëm apo të pamoralshëm, ka pasur ndryshime mjaft të dukshme dhe disa arritje të lavdërueshme. Ndërsa nga pikëpamja kulturore dhe morale shoqëria shqiptare ka bërë hapa mbrapa në disa aspekte të rëndësishëm.

Është e vërtetë se liria e shprehjes dhe vënies në jetë të mendimeve ka krijuar kushte dhe mundësi për shtimin e institucioneve të përpunimit dhe zhvillimit kulturor, por është po kaq e vërtetë se rendja kryesisht vetëm pas fitimeve materiale ka çuar në tregtimin e kulturës dhe humbjen e atyre vlerave bazë që duhen kumtuar nga njëri brez tek tjetri.

Fjala kulturë, në thelbin e saj, do të thotë punim, përpunim, kultivim, pra ngritje në një shkallë gjithnjë e më të lartë të të gjitha vlerave etike dhe estetike të mendimit dhe sjelljes njerëzore dhe, rrjedhimisht, edhe të dobisë shoqërore që sjell ky përparim. Është e pranuar se bazën e zhvillimeve kulturore e përbën shkolla dhe gjithë sistemi i edukimit dhe përpunimit të mendimit njerëzor. Në themel të këtij edukimi qëndron gjuha si element përbashkues dhe instrument komunikimi i çdo bashkësie njerëzish që formojnë kombin.

Është e vajtueshme që pikërisht arsimimit në përgjithësi dhe gjuhës në veçanti iu dha një goditje e rëndë gjatë këtij çerekshekulli. Kthimi i analfabetizmit në zonat e thella malore; mungesa e mësuesve në periferitë e qyteteve dhe zëvendësimi i tyre me persona të padiplomuar për fushën përkatëse; përhapja kudo e ryshfetit në marrëdhëniet mësues-nxënës apo mësues-institucion arsimor; ngritja e shkollave private në të gjithë nivelet, të konceptuara si qendra biznesi dhe jo mësimdhënieje; shndërrimi i procesit të përgatitjes, miratimit dhe shitjes së teksteve shkollore në një proces të mirëfilltë marketingu; degradimi i paimagjinueshëm i disiplinës në shkollë dhe i marrëdhënieve mësues-nxënës janë vetëm disa prej shkaqeve dëmsjellëse që kanë mundësuar atë që nuk duhej të ndodhte, uljen e prekshme të nivelit të zotërimit të dijeve edhe nga shumica e të diplomuarve.

Siç kanë njoftuar herë pas here shtypi dhe TV-ja, gjuha e përdorur dhe përmbajtja e disa teksteve shkollore kanë qenë të një niveli të mjerë, aq sa të krijojnë përshtypjen se janë përgatitur nga gjysmanalfabetë të marrë nga rruga, të miratuar për të kryer atë punë nga sivëllezër të tyre në zyrat e institucioneve shtetërore përkatëse. Përveç shmangieve gjuhësore, është arritur deri aty sa t’iu mësohet nxënësve të shkollës fillore se si të gënjejnë për të mos shkuar në shkollë e të tjera thagma. Po kështu, edhe në disa libra shqip apo libra të autorëve të huaj të përkthyer në shqip vihen re gabime dhe shtrembërime flagrante të gjuhës shqipe. Madje, jo pak libra botohen pa kaluar asfare procesin e korrigjimit letrar dhe drejtshkrimor, thjesht dhe vetëm se disa shtëpi botuese kërkojnë të ulin kostot e botimit në kurriz të cilësisë dhe vlerave të librit.

Figura të shquara të gjuhës dhe letërsisë, si Prof. Gjovalin Shkurtaj, Xhevat Lloshi etj. e kanë ngritur shumë herë zërin në mbrojtje të gjuhës dhe përdorimit korrekt të saj në të folur dhe në të shkruar. Por kaq s’ka qenë e mjaftueshme. Janë disa keqpërdorime të cilat jo vetëm janë të papranueshme, por edhe të përditshme. Keqpërdorime të tilla, të bëra nga figura publike si politikanë, drejtues emisionesh televizive, gazetarë apo edhe njerëz të artit janë me ndikim të madh negativ, çedukues. Këta individë, ligjërimet apo shkrimet e të cilëve ndiqen nga shumica e popullsisë, po luajnë rolin e një mësuesi gjuhëvrasës për popullin që i dëgjon thuajse çdo ditë.

Thuajse çdo ditë dëgjon apo lexon të thuhet “erdha tek ty” në vend të thuhet “tek ti”;  ” kush janë arsyet ” në vend të ” cilat janë arsyet “;  ” nëse ke dyshime tek mua ” në vend të ” tek unë “etj. etj. Çdo ditë dëgjon përdorimin e panevojshëm dhe shpesh të gabuar të fjalëve të huaja, si: “limit, limituar” në vend të “kufi,  kufizuar”; draft në vend të projekt, madje në një gazetë shkruhej “draft-projekti i…” që do të thotë projekt-projekti; “veting” në vend të kontroll etj. etj.

Përdorimet e fjalëve të huaja në emërtimin e kanaleve televizive, radiove, emisioneve televizive, rrugëve dhe shesheve; veçanërisht përdorimi i fjalëve të huaja nga paraqitësit e festivaleve dhe emisioneve të rëndësishëm televizivë janë bërë të padurueshëm për veshin, por, mbi të gjitha, për dëmin që i sjellin gjuhës. Në një festival kënge thuhej ” top five singers ” në vend të ” pesë këngëtarët më të mirë “. Marrja e përvojës nga vendet më të zhvilluara është një gjë e mirë, por imitimi në formë dhe në përmbajtje i çdo gjëje të huaj nga gjithfarë snobësh dhe karagjozësh mediatikë, të etur për t’u dukur dhe lavdëruar nga ushtria e kokëzbrazurve nuk tregon vlera, as arritje, as aftësi por thjesht dhe vetëm majmunizëm që flet për një prirje për të qenë “të korruptueshëm ndaj ndikimeve të huaja”, siç na cilësonte Konrad von Hotzendorf, Shef i Shtabit të Ushtrisë Austro-Hungareze gjatë Luftës së Parë Botërore.

Nuk besoj të ketë tjetër vend në botë ku shumica e stacioneve radio-televizive dhe e programeve të tyre të kenë emra të huaj apo ku paraqitësit e programeve të tyre nuk kuptohen nga shumica e popullsisë.

Rendja pas fitimeve materiale ka bërë që edhe shumë programe televizive të karakterizohen nga niveli i mjerë artistik dhe nga gjuha vulgare që i shkon për shtat pjesës më të prapambetur të shoqërisë. Duke mos qenë të aftë të krijojnë vlera estetike brenda kufijve etik dhe duke mos mundur apo mosdashur të shpenzojnë vlera monetare për të paguar krijimtarinë e vërtetë artistike, televizionet më të rëndësishëm kombëtarë na sjellin në skenë dhe ekran vulgaritetin. E thënë më shkoqur, sjellin në ekranet e familjeve shqiptare  “kulturën” e rrugës të shprehur me një fjalor banal dhe të palejueshëm, shoqëruar shpesh me lakuriqësinë e femrave të paditura. Prirja për të plotësuar mungesën e vlerave artistike dhe kulturore me banalitetin dhe lakuriqësinë është dëshmi e pakundërshtueshme e moralit që përshkon luftën për fitime materiale. Dhe jo vetëm kaq, por jo pak drejtues emisionesh televizive, me një mendjelehtësi të madhe, ” harrojnë ” se janë, për mirë ose për keq, kontribues të formimit të opinionit shoqëror dhe shprehin mendime të papeshuar dhe dëmsjellës siç ishte rasti i një halabaku, i cili drejton një emision të mëngjesit dhe iu thoshte shikuesve në formë postulati se ” Meqënëse të jetuarit në Shqipëri tashmë është i pamundur…”.

Asnjë shoqëri njerëzore nuk është zvetënuar moralisht me ndonjë dekret të veçantë. Kapitali, lufta për fitime materiale ka bërë që “ideologët” e lirisë së paparimtë të shpikin dhe mbrojnë edhe pornografinë, edhe prostitucionin, edhe lakuriqësinë, edhe përhapjen e armëve, të drogës etj. Individi mund të jetë i lirë, deri në një farë shkalle, të veprojë si të dojë në shtëpinë apo pasurinë e vet por, qysh nga momenti që vihet në kontakt me publikun, ai është i detyruar t’iu nënshtrohet rregullave të etikës si dhe ligjeve që rregullojnë jetën e bashkësisë ku bën pjesë. Dalja në skenën e festivalit të 55-të në RTV e një prezantueseje bythëjashtë është një fyerje e inteligjencës dhe moralit të shumicës së shqiptarëve që paguajnë edhe taksë për mbajtjen e këtij institucioni kulturor dhe artistik. Festivali i këngës duhet të na përcillte me seriozitetin e duhur arritjet kulturore në fushën e krijimtarisë dhe interpretimit muzikor. Por ajo që pamë ishte një përpjekje për të mbushur gropën e varfërisë artistike me ekspozime gjysmëpornografike, duke na dëshmuar mungesën e vlerave intelektuale dhe profesionale të drejtuesve të festivalit, ashtu edhe të drejtuesve të RTVSH-së. Shumica e taksapaguesve shqiptarë janë njerëz që e duan të mirën dhe të bukurën, por që besojnë se këto vlera nuk përqendrohen në prapanicat apo gjokset e femrave mendjelehta, por në punën me pasion të kokave të mbushura me dije dhe me dinjitet vetjak. Shumica e taksapaguesve dhe shikuesve të RTVSH-së janë njerëz që vlerësojnë familjen, etikën dhe profesionalizmin dhe që nuk dëshirojnë që t’i keqmësojnë pasardhësit e tyre me idenë e arritjeve përmes rrugëve më të lehta, por të pavlefshme dhe të dëmshme. Ata individë që dëshirojnë dhe besojnë se jetesa duhet fituar lehtësisht dhe nëpërmjet lakuriqësisë mund të zgjedhin të punojnë nëpër klube striptize ku shkojnë spektatorët dhe maniakët e pashërueshëm të këtyre joshjeve false, por jo të bëjnë sikur po na përcjellin kulturë dhe art nëpërmjet zhveshjeve të tyre në skena gjithëshqiptare.

Është thënë dhe përsëritet papushim se media është pushteti i katërt. Nëse është vërtetë kështu atëhere, si çdo pushtet tjetër, edhe media mund të përdoret në shërbim të popullit ose kundër interesave të tij, kundër të sotmes dhe të ardhmes së brezave.

Ato çfarë mund dhe duhet të bëjë shteti dhe shoqëria në përmirësimin e arritjeve kulturore të vendit janë të shumta. Mesa di unë ekziston një kod etike për median, por ai duhet mbikëqyrur dhe zbatuar. Nga ana tjetër, duhet hartuar e miratuar ligji për zbatimin e normave të gjuhës standarde, sidomos asaj të shkruar, nga institucionet shtetërore, institucionet artistike, kulturore dhe masmedia. Të zgjedhurit nga populli në parlamentin shqiptar duhet të detyrohen me rregullore që të heqin dorë nga fjalimet vulgare dhe fjalët e shprehjet e papranueshme nga morali dhe kultura e qytetëruar. Duhen kontrolluar dhe nuk duhen lejuar assesi organet e drejtësisë, noterët, avokatët etj. të përpilojnë dokumente zyrtare as jashtë normave dhe kërkesave juridike, as jashtë normave të drejtshkrimit. Kur lexon këto dokumente, një pjesë e tyre të lënë pa mend për nivelin e ulët gjuhësor dhe papërgjegjshmërinë e madhe të hartuesve të tyre. Kritikat plot shqetësim të profesorëve të përmendur etj. dhe satirizimi i emisionit “Fiks Fare” duhen mbështetur nga të tjerë, por edhe me nisma ligjore. Institucionet si dhe subjektet private duhen detyruar me ligj që edhe shkrimet fundore (titrat) në ekranet televizivë, përkthimet e filmave apo emisioneve historikë etj., si dhe shkrimet e reklamave që na shfaqen anës rrugëve dhe në TV të shkruhen sipas rregullave drejtshkrimorë. Duhet ditur se shtetasit shqiptarë dhe, veçanërisht, moshat e reja, ndikohen më shumë nga këto shkrime sesa nga mësimet që marrin në shkolla për gjuhën shqipe. Përsëritjet (steriotipat) e pandalshme gjuhësore dhe shprehimore me të cilat përballemi në rrugë, shtyp dhe TV mbeten në kujtesën dhe formimin tonë për gjithë jetën.

Nga ana tjetër, pjesa më e kulturuar dhe më e shëndoshë moralisht e shoqërisë shqiptare duhet t’iu kthejë shpinën emisioneve apo shfaqjeve banale dhe pa vlera të mirëfillta artistike. Këto shfaqje, veçanërisht të dëmshme për fëmijët dhe të rinjtë, duhen braktisur jo vetëm në TV, por edhe nëpër salla teatrore megjithëse mund t’iu paraprihet me reklama marramendëse, gjë që ndodh rëndom kur mallrat pa vlerë duhen shitur medoemos.

Ka jo pak njerëz që janë kundër kufizimeve dhe mbikëqyrjeve të zbatimit të disa normave etike dhe gjuhësore në fushat e kulturës dhe informacionit se kinse kufizohet liria, si e drejtë kryesore e njeriut. Por, siç thoshte Niçe, “Njeriu tërësisht i lirë është i privuar nga morali”. Në të gjithë botën perëndimore ka standarde të shumta ligjore lidhur me prodhimin dhe shitjen e produkteve materiale në mënyrë që të mbrohet njeriu fizikisht. Atëherë, për çfarë arsyesh njeriu nuk duhet mbrojtur shpirtërisht dhe moralisht? Përse në fusha kaq të rëndësishme nuk duhet të ketë norma (standarde) me  kërkesa dhe kufizime? Gjithë çështja është: t’i kemi këto norma dhe të mbikëqyrim zbatimin e tyre.

Autor: Viktor Malaj

**Joseph de Maistre – Filozof, shkrimtar dhe diplomat francez i shek. 19-të.

Shperndaje ne
Updated: 2 Janar, 2017 — 19:23

The Author

Viktor Malaj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.