Letërsi Kombëtare: KUSHTRIMI I LIRISË (Poezi)

(Adem Jashari, komandat legjendar)

Më 28 Nëntor, Ditën e Pavarësisë
në shtetin më të ri në botë,
mu në zemër të Drenicës,
lindi një nip i Azem Galicës.

Si të dilte nga thellësi e tokës,
nëna i dha emrin e lashtë Adem
e të lidhej tok me dheun
miti tjetër si Anteu.

Kur e mori nëna në duar.
e mbuloi me Flamur,
dhe e bekoi me dashuri:
Luftofsh, bir për shqiptari!

Djali u rrit e u bë burrë,
u betua në Flamur,
se i gjallë nën shka s’jetoj,
dhëmbë për dhëmbë me të luftoj.

Pushka e tij e dha kushtrimin:
nën shka s’e duroj roberinë.
U trimërua edhe fëmija,
nuk kish frikë nga Serbia!

Si rrufeja kur i bie një lisi,
me Serbinë luftën e nisi,
u shkund fort e tërë Evropa,
si të kishte tërmet gjithë toka.

Këndon pushka në kullë prej gurit,
predha, gjyle pret Ademi.
Edhe fëmija në dritare,
i hedhin armikut fishekzjarre.

U vra trimi duke kënduar,
e në Zot duke u betuar,
nuk e lëshoj kullën e babës plak,
pa u mbuluar të gjithë me gjak.

Brez pas brezi do të nderohet,
e do ta kujtojë historia,
se me Adem Jasharin,
bën luftë edhe fëmija.

Pushka e tij dha kushtrimin,
që Serbisë t’ia qesim tymin,
e të marrë vesh për jetë e mot,
se kjo tokë shqiptarin ka zot.

Mos e mësyj më, shka, Kosovën!
Kij kujdes, more karpat!
Adem Jashari nuk vdes kurrë,
edhe në varr të lan me gjak.

Pjesë nga libri im

Gjurmë nëpër flakë

 

Shperndaje ne
Updated: 4 Janar, 2017 — 06:19

The Author

Maki Canolli

Makfire Maqedonci – Canolli lindi në Prishtinë. Fëmijërinë dhe rininë e hershme i kaloi në vendlindje. Është shkolluar në fushën e pedagogjisë, që e ka bërë më të ndjeshme e më njerëzore edhe në poezi. Me këtë art të vështirë ka filluar të merret që kur ishte nxënëse e klasës së dytë fillore. ”Gjeli im plak” ka titullin vjersha e saj e parë. E ka botuar 30 vjet e sa më parë në shtojcën për fëmijë të gazetës ”Rilindja” (1978/79), e cila botohej çdo të martë, në kohën e artë të kësaj të së përdishmeje të shuar shqiptare në Kosovën e pushtimit serb. Makfire M Canolli i përket brezit të rinisë ”së padisiplinuar”, e cila sfidonte pushtetin antipopullor të asaj kohe. Ky pushtet të rinjtë shqiptarë i quante ”irredentistë” e ”seperatistë” dhe me nofka të tjera më poshtëruese, vetëm e vetëm pse deshi të mbante gjallë gjuhën, traditën e kulturën shqiptare, të qenit shqiptar të shqiptarëve në vendin e tyre. Makfires, si motër e vëllezërve ”irredentistë”, iu mohua çdo e drejtë: të regjistrohej në fakultet, të punojë me nxënës, si dhe e drejta për të botuar. E ka vragë të pashlyeshme në zemër këtë kohë, aq më parë, pasi krijimet e saj të hershme ia konfiskuan punëtorët e shërbimit sekret serb, gjatë një bastisjeje në shtëpinë e saj. Në vitet e ‘80-ta, kur ajo ishte vetëm 11 vjeçe si shumë familje shqiptare, edhe familja e Makfires ishte në shënjestër të UDB-së famëkeqe serbe, e cila në vitin 1982 ia burgosi të tre vëllezërit. Ishte kjo koha kur shpirti i saj sa fëmijërorë aq poetik po këndonte nga brenda, pa u shfaqur për lexues. Në vitet e ‘90-ta emigron në Gjermani, ku qëndroi deri më 1998. Kthehet në Kosovë bashkë me familjen e saj dhe më pas, më 1999, kalon oqeanin për të vazhduar jetën në New York. Aty jeton ende.Zëri i saj dëgjohet çdo të premte në valët e Radio – Diasporës, ku si moderator e udhëheq rubrikën “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”. Poezitë e saj janë prezantuar nëpër disa faqe të internetit, të cilat botojnë krijime artistike, si “Teutat shqiptare nëpër botë”, “Agjencioni Floart-Press”, “Tribuna shqiptare”, “Bota e re”, “Stërkala”, si dhe “Qeparoi”.Gjer tani ka botuar përmbledhjen poetike për të rritur “Gjurmë nëpër flakë” (2010) dhe një tjetër për fëmijë “I shes diellit akullore” (2010). Po ashtu është pjesë e disa antologjive si dhe në librin e përbashkët me teutat shqiptare nëpër botë me titull "Në sytë e nënave". Në një të ardhme të afërt lexuesit do të kenë ne duart e tyre shkrimet tjera qe presin botimin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.