SA JEMI DUKE E RUAJTUR KRENARINË E TË QENURIT SHQIPTARË?

            A JEMI DUKE KONTRIBUAR PËR TU BASHKUAR APO PËR T’U SHKATËRRUAR?
Përderisa anë e kënd botës është bërë temë e diskutimeve dhe një lloj ankthi çështja e terrorizmit te ne shqiptarët nuk len edhe aq përshtypje, për vetë faktin se ne tashmë jemi bërë imun ndaj tij! Bota po ndihet e kërcënuar dhe e frikësuar nga terrorizmi qe e ka përfshirë pak më shumë se një dekadë, por bota nuk qau hallin e as nuk e lodhi kokën fare për terrorizmin qe na u bë ne shqiptarëve shekuj me radhë sa nga Turqia plot 5 shekuj, e sa nga Serbia përmbi 1 shekull, pa i harruar tmerret e grekeve, maqedoneve e malazezeve qe i terrorizuan e i tmerruan edhe foshnjet në barkun e nënave shqiptare, duke i mbushur burgjet sllave me shqiptarë, duke i vrarë e masakruar e duke i dëbuar nga trojet e tyre stërgjyshërore! Bile ca edhe u ndihmuan në copëtimin e Atdheut tonë e duke i ndarë trojet tona s’i mallin “në bahçen e babës”! Por dha Zoti e u zgjua ndërgjegja e tyre më në fund dhe treguan zemërgjerësi e na e zgjatën dorën për ta fituar Lirinë e Pavarësinë, qe s’po e dimë nga kush sepse shkiet akoma jo qe i kemi në trojet tona por po duan më shumë hise dhe çka po don Serbia po ben qevria e krejt vlerën po e humb Pavarësia!!!
Pra, na nuk e kemi sot hallin qe e ka bota, ngase siq thashë jemi skalitur nga tmerri i terrorizmit serbosllav sa që tashmë edhe imun jemi bër qe as syri nuk na bën tërr as fërr! Bile tani u harruan e kaluan ato vuajtje, trishtime e tmerre qe i kaloi populli ynë se siq thonë plakat: “Të shkuara e të harruara”!
Po ne e kemi një tjetër hall se si t’ia kalojmë botës me ca gjëra qe gjer më tani nuk i kemi pasur apo po na duket se jemi vonuar dhe nëse në krejt botën popujt tjerë janë duke ecur një hap me kohën ne shqiptarët po i bëjmë nga dy hapa para, se duhet me ua kaluar de!
Neve të gjorëve aq shumë na pat terrorizuar shkau sa qe nuk na binte ndërmend me shiqu se çka po bën vëllau se lëre më bota. E tani sa e hoqëm shkaun nga koka kemi kohë të shiqojmë çka po bën vëllau, kojshia e pse jo edhe bota?!
Bile jo qe po i kopjojmë por edhe po jau kalojmë!
Po ja bota nuk qau kokën kurrë të kopjojë nga ne sado qe kemi qenë të dalluar me shumë virtyte si popull i lashtë dhe i qytetëruar me një traditë shembullore. Gjithmonë jemi dalluar si popull dhe Komb me mikëpritje, bujari, fisnikëri,trimëri, burrëri, atdhetari, dashuri, humanizëm, modest, njerëz të fjalës dhe besës e shumë e shumë virtyte tjera njerëzore qe na kanë bër të ndihemi krenarë si shqiptarë. Por ja, me përfundimin e luftës sikur përfundoi çdo gjë dhe të gjitha këto virtyte dalëngadalë na u zbehën dhe mund t’i hasim akoma tek tuk diku diku qe jan duke u ruajtur me fanatizëm nga ata qe akoma duan të ndihen krenarë si shqiptarë breza me radhë!
Ne ishim “varfanjak” nga shumë gjëra tjera qe bota i kishte por ja ne nuk i adhuronim ato sepse nuk na linte krenaria të bëhemi si bota, por besa nuk na linte as shkau e terrori i tij qe edhe diellin na e pat nxi! Para disa vitesh kur isha në vendlindjen time në Prishtinë, dola të pi kafe me një mikeshë timen e cila është edhe avokate e zonja dhe e njohur sidomos në Prishtinë S.M dhe në bisedë e sipër më pyeti se si po ndjehem në vendlindje? I thash mirë po ndjehem në aspektin psiqik ngase po më pushon koka nga stresi i mërgimit por thellë në shpirtë po ndjehem e boshatisur ngase po më mungojnë shumë gjëra! Ajo buzëqeshi por në fakt edhe më keqkuptoi dhe me buzëqeshje më tha: “Oh ju mërgimtarëve e di ju mungon lluksi”! Unë qesha dhe i thashë: Jo, jo nuk ka të bëj me lluksin se edhe neve të gjorëve nuk kemi pas fat të na presin me lluks në dhenat e huaja por nëse kemi krijuar pak lluks të jeshë e bindur se jemi dërmuar me punë dhe ndoshta fiton para e një jetë më të mirë në kurbet por e paguan me shëndet! Më keqkuptove i thash me dashamirësi mikja ime, po më mungojn ca gjëra tjera, ca virtyte qe ne i kemi pasur si popull dhe na kanë bër gjithmonë të ndihemi krenarë e të cilat virtyte te popujt tjerë nuk i kam parë, ndoshta disa por jo të gjitha!
Dhe ajo vazhdoi duke qeshur tha dhe cilat janë ato qe ty po të mungojnë tani? Po ja i thash në vazhdim, p.sh. ka qenë kënaqësi të shkosh e ta vizitosh dike apo të vie ndokush në vizitë, ka qen turp ta gënjesh dikend, ta vjedhësh, ka pas më shumë mirësi,dashuri të sinqert e jo me interes,sinqeritet, bujari, mikëpritje etj, dhe ato tani nuk po i gjej apo për të mos thënë fare hiq jan prezente shumë pak në vend të tyre gjeta urrejtje, xhelozi, pabesi, tradhëti, pafytyrësi e çka jo?
Mikja në bisedë e sipër më shiqoi me keqardhje dhe më vuri dorën e saj mbi supe si të isha bija e saj sepse me moshë ësht disa vite më e madhe dhe më tha: Maki mikja ime e dashur, po e shoh në sytë e tu lotin e mallit sa për njerëz aq për këtë tokë, por një gjë duhet ta dishë se këtu secilit po i duket se është vonuar dhe me çdo kusht secili po përpiqet të pasurohetThash qysh edhe me marre, edhe me fajde, edhe me gënjeshtra e dollovere e gjëra të pista qe ne nuk i kishim dikur apo ndoshta ishin prezente tek tuk po ishin në gishtërinjë për t’u numëruar personat e tillë? Tha po sepse na humbi marrja, na humbi mëshira, na humbi dashuria qe e kishim për njëri tjetrin, humbi respekti, fjala, besa e shumë të tjera! Dhe ata qe s’kan guxuar të qesin plumb mbi shka sot po qesin mbi vëlla vetëm e vetëm për t’ia marrur tokë e hise e të pasurohet për veti!
Më therri shpirti nga ato qe dëgjoja por edhe nga ato qe vet i shiqoja gjatë atyre ditëve e i shiqoj e më bien në sy sa herë qe jam atje.Bile sikur të mos mjaftonin këto dukuri por më binin në sy lloj lloj mjekrroshi, lloj lloj veshje turko-arabe qe jam lindur dhe rritur në Prishtinë dhe nuk mbaj mend se kam parë ndonjëherë aq shumë aso veshje. Më vinte të qaja ngase nuk e njihja vendlindjen time sepse ishin bërë ca vite pa qenë aty dhe si këpurdhat pas shiut ishin mbirë ndërtesat vend e pa vend, pluhur, mbeturina, ish katunarizuar Prishtina e sa e sa te tjera më ranë në sy aty nëpër “qarshi”! Dhe ajo qe akoma më hutoi ishte kur u ndala te një shitore argjentari dhe dera kishte qenë e mbyllur. Një djalë qe ishte aty afër më tha: Eja pas një ore sa kan shkuar me fal xhuman! Si, si po thua? E pyeta unë e hutuar ngase të gjitha ato shitore aty për rreth kishin qenë të mbyllura. Eja pas 1 ore se nuk jan këtu, kan shkuar për ta falur xhuman! Wua i thashë unë pse ku jam në Stamboll, Ankara, Kairo??? Ai qeshi e më tha: “Kështu e ke këtu te ne”! Po pse i thash, keni ju aq shumë pare qe nuk e keni gajle të lini edhe punën e shkoni për tu falur? U largova nga aty në heshtje dhe e hutuar dhe thashë me vete ne ose do t’ua kalojmë gjithë botës ose nuk do të mundohemi! Ne duam të bëhemi më mysliman se myslimanët se më katolik se Papa jemi bërë bukur moti!!! Pas disa dite u takova edhe me një tjetër mike K.B dhe bashkëshortin e saj F.B një njeri atdhetarë, publicist, shkrimtarë, poet dhe nëse e lexon këtë shkrim ajo do ta gjejë vetën me fjalët e veta të cilat edhe ajo m’i tha në bisedë e sipër kur ishim duke diskutuar rreth çështjes së promovimit të librave të mija qe do të bëhej ato ditë dhe në bisedë e sipër dolëm pikërisht rrethë këtij ndryshimi tek populli ynë. Ajo me dashamirësi e pa djallëzi më pyeti: “Maki më fal qe po të pyes sa vjeç ishe kur u largove nga Kosova drejt mërgimit”? Ditëlindjen e 21-të e kam festuar në mërgim i thashë”! Ua moj zemër m’u k’thye ajo, të lutem më fal nuk dua të të ofendoj por t’i paske mbetur akoma “fëmi”! Unë qesha dhe i thashë jo për besë fëmi kam qenë kur më ran shumë vuajtje e halle mbi supe e në kokë sa qe më duket vetja nganjëherë se 100 vite i kam sepse edhe në mërgim na pritën vuajtje e halle. Kështu qe jeta më poqi para kohe! Jo, jo vazhdoi mikja mos më keqkupto zemër, por të thashë paske mbetur “fëmi” sepse vetëm tek fëmijët e gjejmë akoma sinqeritetin! Ndëgjo e dashur, vazhdoi ajo, ju qe keni dalur në mërgim para lufte ju i morrët me vete të gjitha dhe kam bindjen se i ruani me shumë fanatizëm të gjitha ato virtyte dhe tradita, ndërsa këtu moj zemër ikën e u tretën të gjitha pak e nga pak. Humbi marrja, humbi dashuri, respekti, mëshira e mirësia e shumë tjera dhe në vend të tyre na ka përfshi xhelozia, inati, urrejtja e shumë të këqija qe nuk dua të t’i përmendi se po e shoh lotin në sytë e tu e nuk dua më shumë me të lëndu!
Kështu pra i humbëm virtytet tona me vlera dhe i zëvendësuam me plehra! E humbëm moralin dhe e zëvendësuam me prostitucionin, e humbëm mirësinë dhe e harruam dorën t’ia shtrijmë vëllaut e mikut kur e ka hallin dhe e zëvendësuam me fajden, e haruam qe nuk guxonim t’i thonim as një fjalë shkaut e sot pa iu dridhur dora e çerpiku ja japin plumbin vëllaut! Përpiqemi me çdo kush t’ia humbim mundin dhe meritat atyre qe dhanë dhe po japin kontribut në çdo aspekt në të mirën tonë kombëtar, t’ua ulim vlerën dhe i ngritim e i lartësojmë ata pameritorët apo thjesht edhe kemi dëshirë të mburremi në krah të tjetër kujt. Na ka mbuluar varfëria, korrupsioni, droga, prostitucioni e tana faqet e zeza na jan grumbulluar. Eh, sa e sa shumë gjëra i harruam e sa të mira i braktisëm sepse siq thash ne duhet t’ia kalojmë botës me të gjitha! Dhe shpesh të krijohet përshtypja se disa paskan qenë në zor me u çliruar moralisht e jo kombëtarisht dhe mezi paskan pritur qe trimat dhe dëshmorët me ua hjek shkaun qe këta ma leht ta mbysin vëllaun pavarësisht se si me fajde, me drog, duke e mbytyr në shtëpinë e vet gjatë plaçkitjes, duke e vrarë për mal e megja, kryesorja ta kenë sallomadi siq thuhet e të bëjnë faqe të zeza gjithandej duke i sjellur akoma brenga e halle popullit të shumëvuajtur i cili nuk u mësua kurrë të sheh dritë ca nga barbarët e ca nga hajdutat, tradhëtarët e zuzarët e vetë!
Pra, shkurt e shqip ne po dalim mbi vetë djallin e po e përfitojmë mallin, me turp e marre, me fajde, me gjakmarrje po hapim varre e po e zbehim krenarinë kombëtare duke u mveshur me shumë të këqija e duke i braktisur besë, fjalë burrëri, trimëri e atdhetari! Dhe shtrohet pyetja vallë a na ka mbetur akoma krenari të themi oh sa mirë me qenë shqiptarë?
Falë disa njerëzve qe i kemi në mesin tonë qoftë atje në trojet tona qoftë nëpër botën mbarë qe akoma po i ruajnë traditat tona me vlera dhe akoma kemi njerëz të fjalës e besës, të pushkës, trima e atdhetarë, akoma kemi njerëz mikpritësa e bujar, akoma kemi njerëz patriota, human, njerêz të artit ,kulturës, shkencës, njerëz qe u flet zemra shqip e u këndon shpirti shqip dhe na bënë të ndihemi krenarë e t’i themi me mburrje botës jemi shqiptarë! Uroj qe të vetëdijesohemi e mos të lëmë hapësirë qe djalli të manipulon me shpirtat dhe mendjet tona t’i hudhim plehrat aty ku e kanë vendin e t’i marrim prapë vlerat tona, t’i themi shporru xhelozisë e t’i hapim vend në zemrat tona dashurisë dhe ta duam, ta mirëpresim, ta ndihmojmë e ta përkrahim njëri tjetrin sepse ato të kqija qe i përmenda më lart ato jan përhap edhe në mërgim si virus sa qe u ka rënë në sy edhe amerikanëve këndej oqeanit dhe kam bindjen se kudo në botë ku ka shqiptarë kështu vërehet gjithandej!
Po e përfundoj me një satirë me shpresën dhe dëshirën se do të bëhemi prap ashtu siq kemi qenë dikur: TË MIRË!
Të jemi ashtu siq ishim dikur të fjalës e të besës, trima e atdhetarë, të ndershëm e me moral, t’i ruajmë traditat dhe virtytet e vlerat tona të lashta, ta ruajmë nderin familjarë dhe atë kombëtarë, t’ia ngritim moralin lart popullit tonë e mos ta lëmë varfanjak edhe në anën financiare edhe atë kombëtare dhe të jemi krenarë para botës mbarë qe jemi shqiptarë!

O SA MIRË ME QENË SHQIPTARË
(Satirike) 

Ditë të mira po na vinë
lum bënë populli për qeverinë,
në mes vete bëjnë përleshje
me armiqtë lidhin marrëveshje!

Në parlament bëhet shamata
ju mungojnë vetem do sopata,
prishet qetësi e prishet rend
karrikën e pleqnarit kush po e zen?!

E japin tokën e japin detin
me ua bë armiqve qefin,
qeveritë sa herë i ndërrojna
na kushton me miliona.

E kemi bërë Kosovën shtet
po nuk e ka forcën e vet,
pak polic me i lënë te kufiri
i zen shkau e i lidhë zingjiri.

Lum për lirinë që e kemi pritur
gjysma e popullit me stomak të uritur,
pushtetarët për cdo ditë
n’makina të reja duke shetitë.

I bëjmë dasmat me kallasha
jemi bërë si mafiasha,
ne nuk dimë as me u gëzuar
plagë e dhimbje pa shkaktuar.

Jemi ilira e jemi teuta
jemi rritur nëpër luftra,
nuk na hahet ne as buka
pa e n’di qe krisi pushka.

Kur përlahemi në mes veti
del revojla edhe snaiperi,
me ardh puna me armiq
i madhë e i vogël kemi me ik.

O sa mirë me qenë shqiptarë
bartë revole në klasë të parë,
jemi trima si Mic Sokola
sikur ne nuk ka kund bota!

Askund në botë si ne nuk ka
nuk flet sot vëllau me vella,
Kush thotë punët i kemi keq?
Interesin e kemi biznes.

Ju këta rreshta që i lexoni
lutem mos më keq kuptoni,
nuk i shkruajta sepse deshta
po kjo miq është e vërteta.

Kështu e ka miq kjo jetë
herë është mirë e herë keq,
mal pa therra nuk kemi parë
o sa mirë me qenë shqiptarë!

Shperndaje ne
Updated: 5 Janar, 2017 — 21:18

The Author

Maki Canolli

Makfire Maqedonci – Canolli lindi në Prishtinë. Fëmijërinë dhe rininë e hershme i kaloi në vendlindje. Është shkolluar në fushën e pedagogjisë, që e ka bërë më të ndjeshme e më njerëzore edhe në poezi. Me këtë art të vështirë ka filluar të merret që kur ishte nxënëse e klasës së dytë fillore. ”Gjeli im plak” ka titullin vjersha e saj e parë. E ka botuar 30 vjet e sa më parë në shtojcën për fëmijë të gazetës ”Rilindja” (1978/79), e cila botohej çdo të martë, në kohën e artë të kësaj të së përdishmeje të shuar shqiptare në Kosovën e pushtimit serb. Makfire M Canolli i përket brezit të rinisë ”së padisiplinuar”, e cila sfidonte pushtetin antipopullor të asaj kohe. Ky pushtet të rinjtë shqiptarë i quante ”irredentistë” e ”seperatistë” dhe me nofka të tjera më poshtëruese, vetëm e vetëm pse deshi të mbante gjallë gjuhën, traditën e kulturën shqiptare, të qenit shqiptar të shqiptarëve në vendin e tyre. Makfires, si motër e vëllezërve ”irredentistë”, iu mohua çdo e drejtë: të regjistrohej në fakultet, të punojë me nxënës, si dhe e drejta për të botuar. E ka vragë të pashlyeshme në zemër këtë kohë, aq më parë, pasi krijimet e saj të hershme ia konfiskuan punëtorët e shërbimit sekret serb, gjatë një bastisjeje në shtëpinë e saj. Në vitet e ‘80-ta, kur ajo ishte vetëm 11 vjeçe si shumë familje shqiptare, edhe familja e Makfires ishte në shënjestër të UDB-së famëkeqe serbe, e cila në vitin 1982 ia burgosi të tre vëllezërit. Ishte kjo koha kur shpirti i saj sa fëmijërorë aq poetik po këndonte nga brenda, pa u shfaqur për lexues. Në vitet e ‘90-ta emigron në Gjermani, ku qëndroi deri më 1998. Kthehet në Kosovë bashkë me familjen e saj dhe më pas, më 1999, kalon oqeanin për të vazhduar jetën në New York. Aty jeton ende.Zëri i saj dëgjohet çdo të premte në valët e Radio – Diasporës, ku si moderator e udhëheq rubrikën “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”. Poezitë e saj janë prezantuar nëpër disa faqe të internetit, të cilat botojnë krijime artistike, si “Teutat shqiptare nëpër botë”, “Agjencioni Floart-Press”, “Tribuna shqiptare”, “Bota e re”, “Stërkala”, si dhe “Qeparoi”.Gjer tani ka botuar përmbledhjen poetike për të rritur “Gjurmë nëpër flakë” (2010) dhe një tjetër për fëmijë “I shes diellit akullore” (2010). Po ashtu është pjesë e disa antologjive si dhe në librin e përbashkët me teutat shqiptare nëpër botë me titull "Në sytë e nënave". Në një të ardhme të afërt lexuesit do të kenë ne duart e tyre shkrimet tjera qe presin botimin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.