FJALËT FLUTUROJNË, E SHKRUARA MBETET

1.-Vizita e delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në shtetin Grek

E kuptoj se në diplomaci flitet me terma që janë të lexueshme dhe toleruese mes palëve. Dakort se të gjithë kështu veprojnë për probleme të nxehta dhe me kujdes u shmangen përplasjeve me vështirësitë që hasin kur përballen me probleme që nuk arrijnë ti kalojnë. Në këtë këndvështrim mirë veprojnë. Kështu ndodh gjithëmonë në takimet mes palëve. Edhe me përfaqësuesit e shtetit fqinj gjithëmonë janë mbajtur qendrime korrekte edhe në rastet kur kërkohet trajtim për “Çështjen Çame”. Ky qendrim u vrejt në takimet me rastin e vizitës së delegacionit tonë në Greqi, ku pala jonë deklaroi:

“Me frymën konstruktive të zgjidhim të gjitha problemet e së kaluarës. Nuk ka asgjë që nuk mund ta diskutojmë si fqinjë të mirë”.

Nga ky qendrim, si lexues, kuptoj, se me këtë frymë duhet të zgjidhet edhe “Çështja Çame”. Dakort!. Gjithashtu qendrime të tilla, shprehen qartë se kjo çështje ekziston dhe njihet. Por çfarë qendrimi ka pala greke për këtë problem?. Përgjigjen e palës greke po e shpreh sipas deklarimit të “Z. Kotzias, i cili ka thënë se nuk ekziston”Çështja Çame”. Ai i ka shkruar një letër Komisionerit Hahn, duke i kujtuar edhe atij se nuk ekziston “çështja Çame”. Me qendrime të skajshme mes palëve, nuk arrihet të kuptohet dhe të realizohet “fryma konstruktive për zgjidhjen e të gjitha problemeve të së kaluarës”, kuptohet edhe çështja çame, bile më e rëndësishmja dhe më shqetësuesja për palën greke?.

Mendoj se këtu ka diçka që nuk është as e qartë, as e sinqertë, prandaj kërkohet që palët të jenë më të kuptushëm. Do ishte më e pëlqyeshme dhe më e pranueshme, sipas mendimit tim, që trajtimi i “Çështjes Çame”, të merret seriozisht, të krijohen grupe ekspertësh të fushave përkatëse, nga të dy qeveritë, ku të paraqiten argumentat e pafajsisë së palës së dëmtuar dhe kundër argumentet e palës akuzuese. Nëse për këtë çështje do të vazhdohet të flitet sa herë bëhen takime mes përfaqësuesve të qeverive tona, nuk bëhet gjë tjetër veçse mbahet pezull për qëllime të caktuara, duke vazhduar të rrihet ujë në havan, thotë “urtësia” popullore.

 Megjithatë falendrojmë delegacionin tonë që është shprehur për “Çështjen Çame” dhe urojmë që edhe pala greke, të çlirohet nga ngarkesat irrituese dhe me urtësi e çiltërsi të ulet në tryezën e bisedimeve, doemos edhe me prezencën ndërkombëtare. Qendrimet narciste duke përsëritur dhe bëlbëzuar vazhdimisht vetëm për inekzistencë të “Çështjes Çame”, nuk kanë kuptim për epokën që po kalojmë dhe mbi të gjitha gjenocidi grek ndaj çamëve, duam nuk duam krijon “ngërç” në marrëdhëniet mes popijve tanë.

2.-Disa qendrime të më pasme !

Një grup deputetësh nga Kuvendi i Shqipërisë, në mbështetje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neni 77 dhe Regullores së Kuvendit, neni 24;  i kanë kërkuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të mundësojë: “Ngritjen e Komisionit të Posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë për evidentimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive sipas të drejtës së brendshme greke, dhe asaj ndërkombëtare për shpërnguljen me dhunë dhe masakrën mbi shqiptarët e Çamërisë të vitit 1944”. Objekti i punës së komisionit të posaçëm, sipas kërkesës së PDIU-së parashikon evidentimin dhe zbardhjen e plotë të ngjarjeve dhe përgjegjësive të individëve, ideatorëve, ekzekutorëve, ndihmësve dhe bashkëpunuesve që me veprimet apo mosveprimet e tyre kontribuan, lejuan dhe ndihmuan në spastrimin etnik të shqiptarëve të Çamërisë. Zbardhja e së vërtetës e asaj  tragjedie, duhet bërë për të vendosur drejtësinë për të gjitha viktimat dhe familjarët e tyre, në përputhje të plotë me konventat e tjera ndërkombëtare.

Në konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare për marrjen në shqyrtim të kërkesës së mësipërme të PDIU-së, sipas gazetës “Koha Jonë”, e datës 16 Janar 2017 lexohet: Komision për Çamët? PS-LSI kundër PDIU: Mos dëgjoni Mesilën! Duke vazhduar leximin e shkrimit të botuar në këtë gazetë, habitemi me qendrimet e disa prej anëtarëve të komisionit, të cilat po i citojmë: “PS dhe LSI i kanë dalë kundër PDIU-së për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për Çështjen Çame. Në këtë konferencë është zhvilluar një debat i fortë mes Gramoz Ruçit, Arta Dades dhe Spartak Brahos me Shpëtim Idrizin, paraditen e së hënës (16.01.2017). Sipas PS-së ky komision është pakuptim dhe po kërkohet thjeshtë për kapital politik para zgjedhjeve. Ndërsa Spartak Braho i LSI-së ka këshilluar kryetarin e PDIU-së Shpëtim Idrizi të konsultohet me juristë e jo me Mesila Dodën.“Nuk mund të jetë komision i posaçëm se nuk ka një çështje emergjente apo madhore. Maksimumi mund të jetë komision hetimor për gjëra të karakterit teknik. Mos ia le Mesilës t’i bëjë këto po jepja juristëve”. Ndërsa Arta Dade ka qenë më e prerë “Ç’kuptim ka kjo? Kohë nuk ka fare për këtë punë pasi parlamenti është në të mbaruar. Bëhet më tepër për të fituar kapital politik të ndonjë force a ndonjë tjetër”.

Këto qendrime, jo korrekte, të paarësyeshme dhe të papërgjegjshme, pavarësisht se mbahen nga personalitete të larta politike e shtetërore, nuk mund të çvlerësojnë detyrimet kushtetuese, as nuk ulin rolin emergjent apo madhor të një çështje të ndjeshme kombëtare dhe që ka cënuar rëndë shkeljen e të dretjtave ndërkombëtare të njeriut, si dhe çvlerëson vendimmarrjet e arësyeshme të institucioneve të zgjedhura ndërshtetërore prej një shteti të krijuar teknikisht për interesa të caktuara në një kohë të caktuar.

Nëse edhe ajo pjesë e politikës që përfaqëson ruajtjen dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta të shoqërisë dhe shtetit, nuk arrin të diferencojë dhe të dallojë të veçantat dhe të përbashkëtat mes politikës për interesa shtetërore e kombëtare me politikat e interesave partiake, atëhere politika është mbërthyer nga kriza mendore, ka rënë në prehërin e mediokritetit, është solidarizuar me fenomenet e korrupsionit, duke e integruar shoqërinë drejt shkatërrimit, kalbëzimit partiak, imoral, aspak etik, apo politiko-ekonomik.

Nëse politika degradon në këto pellgje, atëhere politika në atë vend është një mort për shoqërinë, për popullin. Politika në përgjithësi duhet të jetë një sistem vlerash, një instrument, ose të përbëhet nga instrumente social-ekonomike për të administruar një grup shoqëror dhe për të integruar shoqërinë e një shteti drejt prosperiteteve, drejt vlerave më të vyera, më të mira të arrira nga mbarë shoqëria njerëzore,

Nëse të trajtuarit e “gjenocidit grek ndaj çamëve” merr trajtat për përfitim kapitali politik të njërës apo tjetrës forcë politike (partiake), atëhere është mëse e qartë se situata politike aktuale, është larg seriozitetit dhe vëmëndjes kushtetuese ndaj problemeve mbarëkombëtare.Të trajtohet kërkesa për bërjen të njohur të një gjenocidi të kryer nga një shtet tjerër ndaj një komuniteti me etni të një shteti tjetër si kapital politik, apo për fushata zgjedhjesh, në arësyetimin dhe llogjikën time, është as më shumë dhe as më pak injorancë, mungesë serioziteti pse jo dhe përqeshje për diçka sikur të jetë e huaja, e një të treti të pavlerë. Shkurt: Turp!. Pavetëdije kombëtare!.

Të ruhemi nga të shfaqurit e politikës në praktikë si mjeshtëri mashtrimi apo dhe demagogji cinike, mos besuese. Dihet që politikat irracionale, të paarësyeshme dhe demagogjike, nuk bëjnë gjë tjetër veçse ushqejnë shpresa të kota duke i drejtuar vendet dhe shoqëritë-popujt drejt kasaphanave apo drejt autokracive, diktaturave

              3.-A ka të vërteta në akuzat greke ndaj çamëve myslimanë të Thesprotisë?

Nga studimi me tepër vëmëndje i “Ditarëve të luftës të oficerëve gjermanë”, duke i kushtuar kujdes të veçantë operacioneve luftarake dhe lëvizjeve të forcave ushatarake gjermane, kryesisht në rajonin e Çamërisë, rezulton se:

  • Forcat gjermane kanë hyrë në Greqi me datë 23 qershor 1943. Ndërsa me datën 5 Tetor të 1943, Komanda Gjermane në Epir i propozoi Zervës një armëpushim me njësitë Gjermane. Armëpushimi vazhdoi deri me datë 05 korrik 1944 dhe pas një ndërprerjeje, rifilloi me datë 27 korrik 1944, deri në tërheqjen e trupave gjermane me datë 10 tetor 1944.

Nga sa sipër, rezulton se për 12 muaj e 5 ditë, që forcat gjermane ishin në rajonin e Çamërisë, mes EDES-it dhe pushtuesit kishte marrëveshje mossulmimi dhe armëpushimi,

  • Gjatë periudhës së ndërpretjes së armëpushimit, prej datës 05 korrik 1944 deri më 27 korrik 1944, kur gjenerali nacionalist grek Napoleon Zerva, i sulmoi papritmas forcat gjermane (nën diktatin e Aleatëve) më 05.07.1944 (rreth 22 ditë), konfliktet u zhvilluan në linjën Prevezë-Agrinio, territor në jug të Prevezës, jashtë kufijve të Çamërisë.
  • Në periudhën 23 qershorit 1943 deri më 05 tetor 1943 (3 muaj e 12 ditë), forcat gjermane ndodheshin në verilindje të rajonit të Çamërisë (Janinë e rrethinat e saj), në ndjekje të forcave partizane të drejtuara nga ELLAS-i. Në materialet e shkruara nga autorët me origjinë greke, thuhet se vrasja e 49 personave në shtator 1943 nga gjermanët, ndodhi sepse ishin partizanë që kishin vrarë disa gjermanë. Forcat gjermane kryenin operacione antipartizane me forcat e saj të koduara “Augustos”dhe rezulton se forcat gjermane vranë 600 grekë, 50 shqiptarë dhe shkatërruan disa fshatra në veri të Paramëthisë si: Elefterohor, Seliani, Semelika, Agios Nikolao.

Përfundimisht konkludohet se gjatë periudhës prej 16 muaj të prezencës së forcave gjermane me EDES-in, 12 muaj e 5 ditë ishin në marrëveshje për mossulmim mes tyre dhe sëbashku luftonin partizanët e ELLAS-it. Gjatë 22 ditëve të ndërprerjes së marrëveshjes, konfliktet mes tyre u zhvilluan jashtë rajonin të Çamërisë; ndërsa 3 muaj e 12 ditët e fillimit të prezencës gjermane në afërsi të territorit të Çamërisë (në  rajonin e Janines), ndiqnin forcat partizane të ELLAS-it, ku vranë e dogjën disa fshatra në verilindje të Paramëthisë.

Ky realitet, i pasqyruar mbi bazën e “Ditarëve të luftës”, të shkruara nga vetë dora e oficerëve gjermanë në momentet e kryerjes së operacioneve, tregon të vërtetat se forcat gjermane me nacionalistët e Zervës (EDES-in) nuk ishin në konflikte mes tyre, por ishin në marrëveshje mossulmimi dhe sëbahku ishin kundër partizanëve-komunistëve grekë, ku bënin pjesë dhe mbi 700 djem e vajza të Çamërisë.

Në këto kushte, si mund të akuzohet që çamët myslimanë, të të gjitha moshave, gjinive pa përjashtim, paskan bashkëpunuar me gjermanët kundër EDES-it, kur ata ishin “shokë” dhe luftonin kundër forcave partiazane të ELLAS-it?. Sigurisht, kjo ndodh kur mashtrohet, shpifet, manipulohet dhe si efekt i urrejtjes ndaj pakicave etnike dhe fetare, lëshohen të tërbuar burgaxhinjtë athinas e kretezë, andartët dhe “spahinjtë turko-grekë” me përdhunime, vrasje, rrëmbime dhe dëbime masive nga vendi autokton ndaj çamëve myslimanë të pafajshëm dhe aspak bashkëpunues me armiqtë e sajuar.   

Këto janë dokumente kryesorë që na japin argumentin zyrtar dhe shkencor që vërtetojnë mos bashkëpunimin e çamëve myslimanë me forcat gjermane dhe se EDES-i ishte bashkëpunëtor me forcat gjermane kundër forcave partizane greke të ELLAS-it dhe çamëve myslimanë.                                                  

4.-A duhet trajtuar “gjenocidi grek ndaj shqiptarëve të Çamërsë” në Kuvend?                                          

Të gjithë pushtetarëve, politikanëve, ushtarakëve u janë regjur mendjet duke ëndërruar për të qenë mbizotërues ndaj shumicës, të nënështrojnë mundësisht gjithë njerëzimin, duke përdorur mjetet vrasëse, krijesa apo çpikje të njerëzve superinteligjentë. Ata përdorin të gjitha mjetet e mundshme, mashtrimet, shpifjet, propagandat, demagogjitë dhe ndarjet e kufijve territorial, duan ti zëvëndësojnë me zgjerime në favor të shteteve të tyre. Ne, shqiptarëve nuk na shërbejnë ndarjet apo bashkimet e kufijve, as shpërbërjet e tyre, sepse respektojmë autoktoninë e çdo etnie. Neve na kanë shqetësuar dhe shkatërruar ndarjet e besimeve fetare, të cilat janë krijuar për të sjellë fatkeqësi të rënda mes shoqërive njerëzore, deri në kufijtë e çdukjes si krijesa etnike të veçanta, të dallueshme nga të tjerët.

Dallon theksueshëm nga besimet e tjera ortodoksia greke, e cila historikisht në gadishullin tonë ka sjellë egërsi, deri në vrasje dhe shuarje të etnive me besime fetare ndryshe. Mbijetesa është privilegj, dhunti natyrore e disa racave të zgjedhura dhe ruhet nga ligjësitë universale. Këto dallime mes nesh dhe fqinjëve të ndryshëm nga ne, kanë tërbuar, tërbojnë dhe do ti tërbojnë ata.

Personalisht nuk shpresoj në ndonjë zgjidhje prej kujtdo që nuk gjykon seriozisht, me përgjegjshmëri, apo që nuk e ka përvojën e vuajtjave të tejskajshme që shkakton  egërsia shtetërore ndaj individit, komuniteteve apo shoqërisë, pasi sipas Emanuel Kantit: “Nuk mësohet noti pa u futur në ujë”, po ashtu ai na kujton se: “Njohja është e mundur vetëm me anë të “bashkëpunimit” të shqisave dhe të mendjes apo të arësyes”. Sipas Kantit, njohja fillon me shqisat dhe përvojën, por formën e saj përfundimtare e jep mendja, e cila  e formëson materialin kaotik të shqisave, vendos një ligjshmëri të caktuar, prandaj Kanti përfundon duke konstatuar se “mendja është ligjëdhënëse e natyrës“. Kur nuk arrihet bashkëpunimi i shqisave dhe i mendjes apo arësyes, nuk mund të sigurohet njohje, por të paktën të mos vazhdohet duke na hedhur baltë, se boll baltë na është hedhur gjatë një shekulli, si nga ortodoksia greke dhe komunizmi shqiptar.

            Realizimi i një seance të posaçme nga Kuvendi i Shqipërisë për “Gjenocidin grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë” është një detyrim Kushtetues, rrit vlerat kombëtare të parlamentit shqiptar dhe ndërgjegjëson opinionin rajonal dhe më gjërë, nëpërmjet informimit të saktë, të pavaruar, me fakte, dokumente, dëshmira të natyrave drithëruese të cilat bëhen të mundëshme me ngritjen e një komisioni të Posaçëm parlamentar.

Në këtë këndvështrim. nuk ka vend për shpërthim nervash, apo emocione frikëshe dhe as përulje poshtëruese prej askujt, që Kuvendi i Shqipërisë të njihet ligjërisht me “Gjenocidin grek ndaj çamëve”, si fazë e fillimit të rrugës për vendosjen e drejtësisë së munguar, në përputhje me të gjitha aktet ligjore ndërkombëtare. Emergjenca më e parë, më e rëndësishme dhe mbi të gjitha është kërkesa për të përcaktuar drejtësinë në gjithçka dhe vendsoja de fakto e saj.

Por gjithsesi, spastrimi etnik i çamëve myslimanë, mbështetet në fakte të prekshme, realitete fatale, me argumente historike, shkencore dhe juridike, pra janë të “shkruara e zeza në të bardhë”. Prandaj “gjenocidi grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë” për të mos mbetur vetëm me fjalë, pasi fjalët fluturojnë, ose i merr era (“verba volant”), kërkohet që të shkruhen, sepse e shkruara mbetet “scripta manet”, pavarësisht nga mendimet e disa individëve, qofshin dhe vendimmarrës, të cilët ndofta nuk arrijnë të kuptojnë apo të konceptojnë se si ka arritur shteti që mbahet si “mit” për demokracinë, të ketë kryer masakra duke përfunduar në gjenocid.

Përfundimisht sido që ti vërtisim qendrimet, i saktë, i drejtë dhe tepër emergjent është qendrimi për trajtimin me përkushtim, me përgjegjësi të madhe të “Gjenocidit grek ndaj shqiptarëve autoktonë të Çamërisë” në Kuvendin e Shqipërisë”

Janar 2017    Fahri Dahri

 

Shperndaje ne
Updated: 22 Janar, 2017 — 13:40

The Author

Fahri Dahri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.