Etnikum: INSTITUCIONI I PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE

Nga libri “Strategjia e shqiptarëvet” të Gjokë Dabaj-t

E përzgjodhi Prof. Zymer Mehani

Shqetësimi alarmues
Krejt çka kemi parashtruar deri tani, na çon në disa konkluzione tepër të rëndësishëm. Tepër të rëndësishëm, por
edhe tepër shqetësues njëkohësisht.

1.Kombi shqiptar, në të kaluarën, ka qenë disa herë i rrëzikuar për t’u zhdukur. Filluar që nga kohët para se të merrte këtë emër e deri më sot, ky komb, kjo etni, ka ardhur në ngushtim të vazhdueshëm, në një ngushtim vërtet alarmues, shoqëruar jo me muzikë dasmash, por me funerale copërash toke dhe turmash njerëzish. Mbështetur në krejt ato që na kanë ndodhur dhe duke i analizuar shkaqet pse na kanë ndodhur, ne arrijmë në konluzionin
se edhe në të ardhshmen, nëse nuk merren masa shumë serioze, ne prapë do të shkojmë drejt ngushtimit, drejt pakësimit, drejt asimilimit dhe përfundimisht në një fshirje krejt të palavdishme.

2.Faktorët që na kanë çuar në një të këtillë përfundim alarmues, janë disa: a.Shtetet dhe kombet fqinjë me ne, janë jomiqësorë dhe jodashamirës ndaj nesh (Shprehje këto shumë të buta, por që ne nuk po duam t’i themi ndryshe) b.Të gjithë shtetet e mëdhenj, të cilët kanë mundësi të na përkrahin dhe do të duhej të na përkrahnin më fuqishëm, duket se kanë më shumë interesa të lidhen me fqinjët tanë se sa me ne. Ose të paktën ashtu u duket atyre. c.Vetë ne nuk po tregohemi as të vëmendshëm, as energjikë, as të rregullt dhe as të denjë për të merituar përkrahjen e të tjerëvet. Madje strukturat tona të të gjithë niveleve, nuk po janë në gjendje të sigurojnë simpati reale as prej popullit të vet.

3.Atdheu i shqiptarëvet vazhdon të jetë i ndarë në 6 shtete dhe asnjëri prej këtyre shteteve nuk është në gjendje, nuk i ka potencialet as politikë, as ekonomikë, as kulturorë e as ushtarakë, për t’u përkujdesur efektivisht për 5 pjesët e tjera. As të 2 së bashku, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, nuk i kanë ata kapacitete.

4.Kombi ynë është i ndarë në 3 fe të ndryshme dhe asnjëra prej këtyre feve nuk i ka prerogativat për të marrë përsipër përkujdesjen shpirtërore ndaj krejt Kombit tonë. Bashkësia Islame nuk mund të përkujdeset për ortodoksët e për katolikët, Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare nuk mund të përkujdeset për myslimanët e për katolikët, madje ajo aktualisht po punon edhe kundër besimtarëvet të vet. Kisha Katolike Shqiptare gjithashtu nuk i ka ato mundësi. Në këtë mënyrë, roli i fevet në Kombin tonë mbetet vetëm ai i shkuarjes mirë njëra me tjetrën.
Por kjo nuk është e mjaftueshme dhe, për më keq, shkuarja mirë midis tyre mund të mos jetë e përjetshme.

5.Kombi Shqiptar, edhe mbasi të jetë inkuadruar në Bashkimin Evropian, duke mos qenë i njësuar as shtetërisht
as fetarisht (dhe duke manifestuar gjithë këto të meta të të gjithë llojevet), do të mbetet përsëri i rrëzikuar.
Si dëshmi për këtë le të marrim vetëm gjendjen e ortodoksëvet shqiptarë dhe të arvanitëvet në shtetin grek. Megjithëse shteti grek ka vite që është anëtar i Bashkimit Evropian, as ortodoksët shqiptarë të atij shteti, çamët etj, as arvanitët, që gjithashtu janë ortodoksë, nuk i kanë as 3 elementët më të domosdoshëm që duhet t’i gëzojë çdo etnitet në një bashkësi demokratike: Regjistrimin si shqiptarë ose si arvanitë, shkollimin në gjuhën amëtare dhe liturgjinë në gjuhën amëtare. Të mos flasim pastaj për parti nacionale, për pëfaqësimin komunitar në parlament, për shtypin në gjuhën amëtare apo për median elektronike në gjuhën amëtare. Ata s’kanë asgjë. U rruat që janë në BE! 6.Rrjedhimisht, brezi i sotëm i shqiptarëvet është i detyruar të bëjë diçka. Ai është detyruar të gjejë rrugë shpëtimi e konsolidimi, në mënyrë që në të ardhshmen të mos na ndodhin tragjedira siç na kanë ndodhur në të kaluarën. I shqetësuar në këtë mënyrë, autori i këtij parashtrimi është i mendimit që ne duhet sa më parë të krijojmë një institucion tonin gjithshqiptar, i cili të veprojë sipas një strategjie, jo më të lidhur me 1 shtet të vetëm, as me 2 shtete, jo më të lidhur me 1a 2 territore, jo më të lidhur me 1 apo 2 parti dhe jo më të lidhur me njërën prej fevet, por të lidhur me krejt Kombin tonë kudo që ai jeton.

Ky institucion duhet të jetë institucioni i përkujdesjes së gjithanshme shpirtërore, edukative, arsimore, ekonomike,
juridike, artistike, sportive, të mbrojtjes etj.etj, mbi të gjitha: propagandistike, politike e diplomatike, për secilin shqiptar a grup shqiptarësh, të cilëvet mund t’u paraqitet nevoja për një të tillë përkujdesje dhe për secilën pjesë të vendit të tyre.

Synimet strategjikë

1.Të përmirësojmë individin shqiptar. Kombi përbëhet prej individësh. Pa individ të përparuar nuk ka Komb të përparuar. Një Komb i mirë përbëhet prej individësh të mirë.

2.Të përmirësojmë, zbukurojmë e ruajmë mjedisin ku jetojmë. Atdheu përbëhet prej pjesësh. Sa më shumë pjesë të tija të jenë të bukura, ekonomike dhe të këndshme për të jetuar aty, aq më i bukur, ekonomikisht i levërdisshëm dhe i kënshëm për të jetuar aty, është Atdheu.

3.Të përkujdesemi njëkohësisht, si për pjesët, ashtu edhe për tërësinë tonë. Kur një pjesë e Kombit dhe e Atdheut nuk është mirë, krejt Kombi e Atdheu nuk janë mirë. Me fjalë tjera, kjo thuhet kështu: Të mbrojmë të drejtat dhe dinjitetin e secilit shqiptar dhe të secilës pjesë të Shqipërisë. Nëse sot guxon dikush të shkelë të drejtat dhe dinjitetin qoftë edhe të një shqiptari të vetëm apo të një pjese të Shqipërisë, e pjesët e tjera nuk ndjehen, nesër vjen radha e individëvet të tjerë dhe e pjesëvet të tjera.

4.Të shkojmë mirë njëri me tjetrin. Të punojmë për të zgjidhur me drejtësi çdo mosmarrëveshje para se të ndodhin
tragjeditë. Të krijojmë osmozën e mirëkuptimit e të harmonisë gjithshqiptare.

5.Të shkojmë mirë me kombet që na rrethojnë dhe me të gjithë kombet e tjerë të Botës. (Natyrisht, nëse edhe ata duan). Të punojmë për të zgjidhur me drejtësi çdo mosmarrëveshje me kombet që na rrethojnë dhe me të gjithë të tjerët.

6.Të ngrejmë autoritetin dhe dinjitetin e Kombit e të Atdheut tonë në shkallën më të mundshme të barabartësisë me të tjerët. Nuk duhet të ketë arsye që të jemi poshtë kombevet të tjerë në asnjë aspekt.

7.Të mos lejojmë që Kombi ynë të zvogëlohet edhe më tej dhe të mos lejojmë që Atdheu ynë të ngushtohet edhe më shumë. Të bëjmë kujdes që edhe në rethana “paqësore” e “superdemokratike”, të mos përvidhen në Atdheun tonë etnitete të huaj. Se mjaft toka në janë marrë deri tash, dhunisht, por edhe “paqësisht” .

Kjo do të thotë: Jo vetëm të parandalojmë luftërat, të cilat në vendin tonë, në të gjitha kohët janë shoqëruar me masakra rrënqethëse, por edhe t’u bëjmë ballë përditshmërisht mijëra veprimevet të përditshëm dhe fjalëvet të pëditshme, që në të katër anët kryhen e thuhen kundër nesh. Kryhen e thuhen, mjerisht, edhe prej vetë nesh.
– – – – – – – – – – – – – – –
E gjithë kjo punë, që nga pika 1 deri në pikën 7, është aq e vështirë, sa shqiptarëvet të sotëm do t’u duhen e pakta 100000 heronj vetëprivues e ndonjëherë edhe vetëmohues, për ta vënë në vijë këtë punë.
– – – – – – – – – – – – – – –

Shperndaje ne
Updated: 25 Janar, 2017 — 13:39

The Author

GJOKË DABAJ

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.