Gjenocidi Serbomadh dhe Qëndresa Shqiptare

ZHDUKJA FIZIKE E KOMBIT TONË-STRATEGJI E VJETËR DHE PRIMITIVE SERBE
(1844-1900)

PAS LETARGJISË SËRISH ZGJOHET FANTAZMA
(1844-1875)

1.PËRBALLË PANSERBIZMIT

Shovenizmi serbomadh është një nga ato tipare me bazë racore dhe klasore që fatkeqësisht, nga koha në kohë, është shfaqur në trupin dhe në trurin e kombit serb. Ai, i ushqyer me qëllime antishqiptare, i verbuar nga mitet sllavomëdha e serbomëdha të ngjyrave më dehëse mesjetare, u kthye në devizë edhe të vetë shkencës të shkenctarëve serbë, në synim për të mohuar dhe për të shfarosur kombin shqiptar. Shovenizmi, si nacionalizëm borgjez i trajtës më reaksionare dhe më të shfrenuar, i shprehur në urrejtjen, në armiqësinë dhe në përbuzjen ndaj popujve joserbë, i ngritur në politikë zyrtare, i injektuar nga qeveritë dhe partitë politike serbe, gjithnjë e ka rënduar ndërgjegjën e kombit serb në dëm të kombeve fqinje, kryesisht në dëm të kombit shqiptar.
Hegjemonizmi serbomadh apo ndjenja dhe psikologjia e epërsisë serbe mbi popujt fqinjë e mbarëballkanikë përbën tiparin tjetër të qeverisjes serbe. Ai përshkohet nga ideja e mbinjeriut, e njeriut serb mbi çdo njeri tjetër në gadishull si i lindur dhe si i përcaktuar për të sunduar mbi të tjerët: mbi shqiptarët, grekët, bullgarët, malazezët, boshnjakët, kroatët, sllovenët, hungarezët, rumunët, turqit etj. Sipas një mendësie të tillë Serbia është “çlirimtarja” e ballkanasve. Sipas saj vetëm politikani “i shkëlqyer” i shekullit të kaluar, ministri i mbrendshëm serb, Ilia Garashanin, “ishte i pari që mendoi të çliroheshin të gjithë të krishterët e siujdhesës ballkanike” e që “përgaditi një plan të gjërë për veprimtarinë dhe për lirinë e të gjithë popujve të krishterë në Ballkan” (lit. AIH,A.IV279,Dr.Dragoslav Stranjakoviç,”Shqipëria dhe Serbia në shekullinXIX”,f.1). Kjo tregon se hegjemonizmi serbomadh mohonte rolin e popujve të tjerë në gadishull duke trajtuar veten si “dhurues” të lirisë.

Mania shtetomadhe serbe përbën tiparin tjetër të përhershëm të politikës së Beogradit, kristalizues në mbretërinë jetëshkurtër por mjaft të shtrirë të car Stefan Dushanit. Kjo u jep atyre të ashtuquajturën “të drejtë historike” për t’i hapur rrugën oreksit të madh të Serbisë së vogël, që të zbresë deri në ultësirat e ngrohta të Adriatikut, të Jonit, Egjeut dhe Detit të Zi. Trajtat dhe emërtesat e një mbretërimi të tillë përshtatëshin në varësi me kohërat: Mbretëri Serbe, Mretëri Serbo-Kroato-Sllovene, Mbretëri Jugosllave, Federatë Ballkanike etj., ku promotori ishte Serbia. Këto tipare së bashku, i shkonin delirit për pushtim, sebizim e shfarosje të popullit shqiptar dhe deri diku edhe të popujve të tjerë fqinjë të Serbisë, gjë që vërehen gjerësisht në shekullin XIX në politikën antishqiptare të qarqeve sunduese serbe. Rrezikshmëria e tyre ishte në rritje gjatë shekullit të kaluar. Por panserbizmi, si gjithnjë, gjatë tërë atij shekulli hasi në dy faktorë objektivë të pathyeshëm: në faktorët lashtësi shqiptare dhe qëndresë shqiptare.
Osmanizimit dhe turqizimit, ashtu si dhe romanizimit e serbizimit, populli shqiptar i kundërvihej me çdo kusht e me çdo mjet. As nëpërmjet katolicizmit, as nëpërmjet ortodoksizmit sllav dhe as nëpërmjet myslimanizimit pushtuesit nuk mundën të shuanin individualitetin dhe kombësinë e popullit të lashtë shqiptar. Në shekullin e kaluar të huajt shpeshherë vinin në dukje këtë fakt. Anglezi Xh.K Hobhauz (J.K Hobhause), i cili vizitoi Shqipërinë më 1809, theksonte se shqiptarët e tri besimeve nuk e quanin veten, siç ndodh me popullsitë e tjera të perandorisë, as „myslimanë“, as të „krishterë“, por në radhë të parë me emrin e tyre etnik: „shqiptar“ (lit. „Historia e Shqipërisë“, Tiranë, 1984, f.36). Populli shqiptar kishte hapsirën e vet territoriale, ku mbijetonte përballë robërisë osmane dhe rreziqeve që e kërcnonin nga fqinjët gllabërues. Kombi shqiptar, siç shkruante gazeta e Napolit „La liberta“, që prej kohësh shumë të lashta shtrihet në territorin e tij „nga Ulqini deri në gjiun e Ambrakisë dhe pastaj, nëpër Pind e nëpër Kaldiki, arrin deri afër maleve të Rodopit“; ai u bë pikësynim i aspiratave të fqinjëve, të cilët do të shpifnin „pranë Oborreve të Evropës me qëllim që të krijohet shteti i lashtë i Dushanit, por Lidhja Shqiptare do të jetë shkëmbi, në këmbët e të cilit do të coptohen valët sllave…“ (lit. „Akte të Rilindjes Kombëtare, 1878-1912, Tiranë“, 1978,f.49). Personalitetet e larta të Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare të Stambollit bashkë me personalitete të tjera, kur i kërkonin Kongresit të Berlinit respektimin e terësisë territoriale, përcaktonin shtrirjen e trojeve tona nga Tivari, Shkodra me të gjitha malet e banuara nga katolikët, nga Peja, Kurshumlia, Prishtina, Leskovci, Vranja, Shkupi, Përlepi, Manastiri, Follorina, Kosturi, Gre-benaja, Pindi, Kalarita dhe Narta e deri në gjirin e Ambrakisë. (lit.“Akte të Rilindjes Kombëtare, 1878-1912, Tiranë“, 1978,f.49). Në „Historinë e Shqipërisë“ thuhet: „Shqiptarët banonin në ato troje ku kishin jetuar gjatë gjithë historisë së tyre, në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Në mes të shekullit XIX vendbanimet e tyre mbulonin një sipërfaqe prej 75.000 kilometrash katrore. Ato shtriheshin në veri deri në Tivar, Rozhanjë dhe Jenipazar, në verilindje deri në Nish, Leskovc dhe Vranjë, në lindje deri në Kumanovë, Shkup dhe Manastir, në jug deri në Kosnicë, Janinë dhe Prevezë. (lit.“Historia e Shqipërisë“,II,Tiranë, 1984,f.37). Sami Frashëri thoshte se sipërfaqja e vendit është afro 80 mijë kilometra katrore. Kështu, “me gjithë ngushtimin që kishte pësuar gjatë shekujve të mesjetës, trungu etnik në mesin e shekullit XIX përfshinte viset e Gegërisë, Kosovës dhe Toskërisë së bashku me Çamërinë… Një burim polak, hapsirën shqiptare e llogariste në 91.400 kilometra katrore.(lit.Wlodzimiers Trmezynski-Vlaxhimiesh Tromçinski, “Shqipëria dhe Maqedonia”,Varshavë 1903,f,102). Në një memorandum të vitit 1879 drejtuar opinionit publik thuhej: “Llogaritet që banorët e Shqipërisë të jenë 2.500.000 banorë. Vaso Pasha llogariste 3 milionë. Një burim i huaj vë në dukje se në Pax Romana jetonin 4.000.000 banorë.(lit.George Fred Williams,”Shqiptarët”,Tiranë,1934,f.14). Burimi i mësipërm polak thekson se Shqipëria kishte dy milion e gjysmë banorë. Lidhur me numrin e popullsisë është me interes të sjellim edhe faktin se Shqipëria arrinte të nxirrte 300.000 njerëz të armatosur, (lit.Shemsi Ajvazi”gjurm.Alb.seria shkecë”,hist.VII-1977,Prishtinë,f.192), siç shkruante gazeta ruse “San-Peterburg” me 1879, e nisur nga një petecion i përfaqësuesve shqiptarë drejtuar kabineteve të Evropës.Këto të dhëna duket se plotësojnë njëra tjetrën.
Në këto aspekte po u referohemi pjesërisht edhe vilajeteve. Më 1853 F.Engelsi theksonte se bregdeti shqiptar shtrihej nga Tivari deri në Artë.(lit.Karl Marks,Frederik Engels,”Mbi çështjen lindore”,Tiranë 1976,f.16). Milan Shuflai shënonte se shqiptarët nga Shkodra deri në Himarë në fund të shekullit XVI mund të jepnin 40.000 luftëtarë.(lit.sadullah Brestovci,”marrëdh.shqip-serbe 1830-1878”,Tiranë 1982,f.188). Jovan M. Jovanoviq shënon se në vilajetin e Kosovës ka 1.200.00 banorë, nga të cilët në Sanxhak të Jenipazarit, në Kosovë e në Dukagjin, deri në malet e Sharrit ka patur 472.000 serbë. (lit. Dr.Emin Pllana,”Kosova dhe reformat në Turqi”,1839-1912,Prishtinë,1978,f.31). Ndërkohë sipas burimeve arkivore të Vjenës, Kosova si vilajet, kishte 28.000 kilometra katrore. Shifra e banorëve serbë, nisur nga qëllime të caktuara, duket se është e zmadhuar. Një burim bullgar vinte në dukje se “në Kosovë e Maqedoni nuk flitej gjuha serbe, përveç një pakice të vogël që janë djergur prej Serbie e se banuesit e Kosovës më se tre të katërtat janë shqiptarë, të cilët janë elementë vendas, mandej vijnë bullgarët, kucovllehët e turqit, shumica e të cilëve nuk e kalon një të katërten. (lit.Revista”Agimi”nr 5 shtatuer 1920, Elbasan, f.66).
“Tabu defteri” turk i vitit 1536 i Krushevcit i përmend shqiptarët dhe lagjet e tyre në Pllanë, në Kopaonik (Kreshtabardhë) dhe përgjithësisht në sanxhakun e Krushevcit. Dhe në gjysmën e dytë të atij shekulli shqiptarët përmenden si banorë të Jenipazarit, të Kryshevcit, të Përkupës, Vidinit, të Nishit e madje ehe të Qyprovicit të Bullgarisë. (lit.Sadullah Brestovci,”Marrdh.shqip.-serbe-malazeze 1830-1878”,Prishtinë,v.1982,f.22). Elementi serbo-sllav edhe në shekullin XIV dhe në gjysmën e parë të shekullit XV, sipas të gjitha gjasave ishte element ardhacakë nga Serbia në territorin e sotëm të Kosovës, ku siç duket këta ardhacakë paraqitnin një llojë kolonizmi të jashtëm në këtë trevë. (lit.Muhamet Tërnova,”Kosova”,nr 5, Prishtinë,1967,f.293-294). Ardhacakët në viset shqiptare vinin nga Serbia, ndërsa nga vilajetet tjera shqiptare në Kosovë deri në gjysmën e dytë të shekullit XVI nuk ka ardhje. Misionari Apostol shënonte në vitin 1623 se Prizreni kishte 12.000 banorë myslimanë, gati të gjithë shqiptarë, katolikë shqiptarë 200 dhe serbë 600 frymë. (lit.Hivzi Islami,”Gjurm.Alb.” ser. Shkenc.hist. I-1971, Prishtinë 1972,f.155).
Sjenica si qendër kishte treqind shtëpi myslimane dhe vetëm katër të krishtera, shumë nga të cilët e kishin harruar shqipen. Popullsia në fushën e Sjenicës ishte e ndarë gjysmë përgjysmë në shqiptarë mysliman dhe në ortodoksë. Banorët e Sjenicës vishnin kostume popullore shqiptare si në veri. Rreth Soçanit (Janipazarit) jetonin mysliman shqiptarë të vrazhdë, ndërsa të krishterë kishte fare pak, siç raportonte me 22 janar 1838 nëpunësi konsullor i konsullatës perandorake aust-hung. J. Mulleri.
Në Sanxhakun e Nishit kishte vise të tëra qa banoheshin nga popullshija shqiptare. Treva të populluara tërësisht ose pjesërisht me shqiptarë kanë qenë Topica, Pustareka, Jabllanica, Veternica, Gërdelica, Polanica, Masurica, Fushëgropa e Pçinjës së Vranjës, treva eLeskovcit dhe ajo e Nishit. Banorë shqiptarë kishte edhe në Krushevc, në Qupri, në Aleksinc, në Karanovc, në Beograd, në Vidin, në Klladovë, në Smederevë etj… Qendrat e sanxhakut të Nishit, ku ishte përqendruar një pjesë relativisht e madhe e shqiptarëve qenë: Prokupla, Kurshumlia, Leskovci, Vranja, Nishi, Piroti, si dhe Bellapallanka, kurse numri i fshatrave e kalonte shifren 500. Po të vështrojmë këtu edhe trevat e Kosovës dhe trevat e Bujanovcit (Llap, Gollak dhe katundet e Malësisë së Vranjës (Hashanllëk) del se shtrirja e familjeve shqiptare në trevat e Toplicës e në trevat e cekura më lartë kanë qenë vetëm si shtrirje natyrore e pandarë e mëtutjeshme. (lit.Sabit Uka,”Kryengritjet shqiptare të sanxhakut të Nishit…1776-1797”. Shqiptarë kishte në Masuricë, në shpatijet veriore të Karadakut (Mesamalit) në kalim nga Karadaku i Bullgarisë, në Malin Rujan, nga shpatijet veriore të Karadakut në grykën e Moravës bulgare përmbi Vranjë e nën Gjilan. Shqiptarët popullonin pothuajse vetëm viset në jug dhe në perëndim të Përkupës në malin Pasjan, si dhe në luginën e Toplicës dhe të Banjës e gjer në Igrishtë. Viset ndërmjet Toplicës e Llapit po ashtu ishin të banuara nga shqiptarë. (lit.”Studime Historike,nr.1,Tiranë 1990,f.175). Është fjala për vitet 60-ta të shekullit të kaluar.
Toma Kovaçeviç shënon se në nahijen e Leskovcit kishte 320 fshatra nga të cilat 180 ishin shqiptare, në nahijen e Përkupës kishte 120 fshatra shqiptare dhe 70 serbe, në pjesën e Aleksinicit 7.000 turq dhe 38.000 serbë të aftë për luftë, ndërsa në Pirot 1.300 turq e 1.200 serbë për luftë. Para vitit 1876 në qarkun e Toplicës gjendeshin 246 fshatra të pastra shqiptare dhe vetëm në nagijen e Leskovcit e të Përkupës ishin 300 fshatra shqiptare pa përfshirë këtu fshatrat e përziera. Jovan Haxhi-Vasiljeviç në « Arnautska Liga » shënonte se në Prokupë me rrethinë ka pasur 2.505 shtëpi shqiptare, 2.031 shtëpi serbe dhe 27 shtëpi turke, ndërsa në Kurshumli ka patur 1956 shtëpi shqiptare, 638 shtëpi serbe dhe 60 shtëpi rome.
Burimet austro-hungareze, angleze, gjermane, franceze etj., dëshmojnë në atë kohë se në kazanë e Leskovcit ka pasur 24.000 shqiptarë dhe 22.500 serbë, në kazanë e Kurshumlisë 19.00 shqiptarë e 500 serbë, në kazanë e Përkupës 15.000 shqiptarë e 15.000 serbë, në kazanë e Vranjës 25.000 shqiptarë e 6.500 serbë. Kështu, vetëm në këto katër rrethe kishte 83.000 shqiptarë, pa përfshirë rrethet e tjera në sanxhakun e Nishit.
Burimet dokumentare japin të dhëna të shumta edhe për vilajetet tjera. Kjo tregon se populli shqiptar ishte një ndër popujt më të mëdhenj e më kompaktë në Ballkan. Prandaj fanatizma serbe, pas një letargjije dimërore nën Perandorinë Osmane, përgaditej të jepte goditjet vdekjepruese për të dobësuar e pastaj për të zhdukur fizikisht, siç ëndërronte, viktimën e vet të fuqishme. Nga ana tjetër, populli shqiptar kompaktësonte forcat për t’i hyrë një beteje të gjatë, ku armiku nuk zgjedh mjetet as format për t’ia arritur qëllimit.

Nxjerr nga libri: “Gjenocidi Serbomadh dhe Qëndresa Shqiptare”  Autor: Shaban Braha 

E përzgjodhi: Ismet Bozhdaraj 

Shperndaje ne
Updated: 7 Shkurt, 2017 — 14:00

The Author

Shaban Braha

1 Comment

Add a Comment
  1. PANSERBIZMI DHE PANSLLAVIZIMI-DY KOKA TË KUÇEDRËS ANTISHQIPTARE
    Panserbizimi në fillim të shekullit XIX nis të kristalizohet e të përhapet si variant i ideologjisë dhe praktikës së pansllavizmit.
    Si ideologji panserbizmi apo ndërserbizmi u kultivua nga elementi serb me bazë shoqërore borgjeze. Kjo klasë e sapolindur synonte të konsolidohej nëpërmjet shtypjes dhe shfrytëzimit të punëtorit e fshatarit serb, por edhe duke zaptuar hapësira tokësore e detare në kurriz të popujve të tjerë. Të nisur nga « premisa » racore e « së drejtës historike » dhe e « të drejtës së trashë-gimisë », të asaj që dikur ke pushtuar, si dhe e epërsisë biologjike e psikologjike, serbët u mbiquajtën komb me aftësi e tradita shtetformuese. Ndërsa shqiptarët u konsideruan bashkësi fisesh me prirje kriminale të pakulturuar e pa traditë shtetformuese. Kjo mënyrë të menduari e të vepruari e krerëve spekulonte ne ndjenjat kombëtare të masave serbe që aspironin për liri dhe luftonin për autonomi dhe pavarësi, kundër robërisë osmane. Përhapej ideja reaksionare e panserbizmit, e cila kultivonte epërsinë serbosllave mbi popujt e tjerë, pra edhe ndaj popullit shqiptar, si popull jo serb e josllav.
    Panserbizmi po shprehej në dy format e veta të njohura:
    a) Në trajtën e ringjalljes së shpirtave të vdekur të kohës së car Stefan Dushanit, të varrosura nga historia. Mitit të Serbisë së madhe ia kishte vënë themelet i biri i Stefanit, uroshi i Madh (1243-1276), pasi vuri në fronin e Bullgarisë kushëririn e tij Konstandinin (1258-1277). Kështu, ideja dhe ëndrra për epërsinë e racës serbe ndaj fqinjëve, përbënte bazën dhe synimin e politikës panballkanike serbe. “Këto aspirata i shprehu në mënyrën më të plotë më i njohuri nga sundimtarët feudalë serbë – Stefan Dushani.” (lit.AIH,A.II.dr.J.V.Gotiç,”Formimi i shtetit serb…”,f.8). Edhe në vetë idetë socialiste serbe kishte infiltruar ideja panserbe e pansllave. Mihaillo Polit-Desançiç, njëri nga bashkëpuntorët kryesorë të gazetës “Ost und East”, që filloi të botohej më 1861 në Vjenë, ishte i pari që dha idenë e federatës për sllavët e jugut, sipas modelit të konfederatës Zvicerane republikane. Në një shkrim të tij të vitit 1862 ai parashtroi projektin mbi formimin e federatës jugosllave dhe të konfederatës ballkanike, ku thuhej se “sllavët e jugut nga ana e tyre lypset të bashkohen edhe në një shtet federativ” e më tej e zgjeronte konceptin duke shkruar se “do të ishte më së miri që sllavët e jugut, rumunët dhe grekët të formojnë vetëm lidhjen e shteteve”. Ndërkohë Vladimir Jovanoviçi, në veprën e vet “Srpski Narod i Istočna Pitanja”, botuar në Novi Sad me 1863, “pretendonte Serbinë e Madhe, që do të shtrihej që nga Sent-Andrea deri në Shkodër, Selanik dhe Erdene”. Por duhet thënë se pati edhe kundërshtarë të moderuar të asaj ideje e të asaj platforme. Kështu, Svetozar Markoviçi, i cili vdiç më 1875, “kritikon idenë e Serbisë së Madhe nga se: 1) një shtet i tillë nuk i nevojitet popullit serb, po interesave të të tjerëve; 2) shteti i madh serb i krujuar me aneksimin e Bosnjes dhe të Hrcegovinës, të Malit të Zi dhe të “Serbisë së Vjetër” do të gjindej midis dy shteteve armike, Turqisë e Austrisë dhe pa asnjë aleat. Kësodore, Serbia e Madhe deomos do të bëhëj një shtet ushtarako-policor, pra do të derdhë të gjithë fuqinë e saj për mbrojtjen nga armiqtë e jashtëm. Ideologu serb Mihajlo Polit-Desançiç arrinte të predikonte se sllavët, rumunët e grekët ishin shtetformues, kurse shqiptarët nuk mund të arrinin më tepër sesa të krijonin një rreth, i cili do të varej nga shtetet ballkanike, ndërsa zhvillimi i mëtejshëm patjetër do të çonte kah kalimi i pushtetit mysliman në atë të krishterë e Serbia dhe Greqia do të merreshim vesh rreth ndarjes së territoreve të banuara me disa popuj tjerë”. Po ky shprehej se “shqiptarët dhe osmanllinjtë ishin element konstituiv i konfederacionit ballkanik, me që ishin komb në formim e sipër dhe se vështirë do të mund të shkombëtarizoheshin”
    b) Trajta tjetër serbosllave apo panserbe ishte ajo e pansllavizmit jugor; bërthama e tij ishte ndërserbizmi e më tej kurora e tij. Bazën e vet e kishte te pansllavizmi me epiqendër Rusinë.
    Zëdhënësi i panserbizmit dhe pansllavizmit në Geograd ishte bërë Klubi Demokratik Pansllavist më 1848. Më parë, qysh më 1820, në Rusi ishte krijuar “Shoqata e sllavëve të unjisuar”, e cila rusët, polakët, çekët, serbët, kroatët, bullgarët dhe sllovenët i konsideronte si një komb, ndërsa Detin e Ngritë në Veri, Detin e Zi në lindje, Detin Mesdhe në jug dhe Detin Adriatik në perëmdim, si dete sllave. Më 1841 pansllavisztët rusë u tubuan rreth parullës së tyre: “Vdekja e Evropës Perëndimore dhe lindja e perandorisë së madhe sllave është e afërt… Kjo perandori sllave Austrinë do ta rrëzojë , Gjermaninë dhe Italinë do t’i gjunjëzojë, kurse mbi Turqinë do të ulet”.
    Karl Marksi, më 5 maj 1855 në gazetën “New York Daily Tribune”, shkruante: Po atë ditë kur do të bëhet Austria bashkuese e Perëndimit, vetë Aleksandri II do të kalojë në krye të lëvizjes së pansllavizmit dhe veten do ta quajë “car të të gjithë sllavëve”, në vend të “car të të gjithë rusëve”… “Pansllavizmi nuk lufton për pamvarësinë kombëtare(…) qëllimi i tij është që t’i shlyej nga harta Hungarinë, Turqinë dhe Gjermaninë”.
    “Shoqata e ndihmës sllave, e krijuar në Moskë më 1875 dhe departamenti aziatik i Ministrisë së Punëve të Jashtme frymëzonin dhe ushqenin lëvizjen pansllave në Ballkan. Veçanerisht në vitin 1871, në librin “Rusia dhe Evropa” u dha platforma më e plotë pansllave, që Rusia të ishte në krye të piramidës pansllave dhe që në mbretërinë e vet të përfshinte edhe Galicinë e Austrisë, Bukovinës veriore dhe Ukrainën e Karpateve të Hungarisë, mbretërinë e Bohe-misë, Moravës dhe Sllovakisë, mbretërinë e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, e cila të përfshinte territoret që do të merreshin nga Perandoria Osmane, Bosnjën e Hercegovinën, Malin e zi, Shqipërinë Veriore, si dhe territoret nga Hungaria, si Vojvodinën e Banatën; territoret nga Austria, si Dalmacinë, Istrën, Trieshtën, Gradishkën, mbretërinë e Bullgarisë, që do të përforcohej me pjesën më të madhe të Maqedonisë; mbretërinë e Rumanisë, e cila do të përfshinte Bukovinën e Austrisë dhe Transilvaninë e Hungarisë; mbretërinë e Greqisë, e cila do përfshinte Thesalinë, Epirin, Maqedoninë jugperëndimore, Kretën, Rodosin, Qipron dhe brigjet e Anadollit të Egjeut; mbretërinë e Hungarisë, e cila do të përbëhej nga territoret e mbetura të Hungarisë, dhe më në fund Stambollin dhe fortesën e tij”.
    Një platformë e tillë i shërbente edhe kushtrimi i perandorit rus. “Në vitin 1711 Pjetri i Madh thirri në ndihmë shtetet sllave, të Serbisë, Sllovenisë, Maqedonisë, Bosnjës, Hercegovinës, Kroacisë dhe Malit të Zi për t’u bashkuar me të në një luftë fetare e race për të liruar kristianët ortodoksë dhe të gjithë popujt që flasin gjuhën sllave, nga zgjedha otomane. Që prej asaj kohe Rusia dhe Turqia kanë qenë në një konflikt të përhershëm dhe Rusia është bërë mbrojtësja dhe aleatja e shteteve sllave”. Dhe “Nga frika e kësaj fantazme të një perandorie sllave, fuqitë e Evropës kanë ndenjur të bashkuara për të mos i lënë Rusinë as aleatët e saj sllavë të zënë vend ose të krijojnë ndonjë kalim për në detin Mesdhe. Në këtë kuadër edhe faktori i jashtëm pansllav përbënte atë frymëzim dhe mbështetje me bazë racore e klasore për panserbizmin si ideologji dhe platformë shoveniste e hegjemoniste, për pushtimet dhe shfarosje të kombësive dhe popujve e vendeve të tjera, me theks të paracaktuar edhe ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

    K rerët serbë përpiqeshin që ta kthenin në traditë këtë platformë dhe ta vinin në jetë për ringjalljen e «ndjenjës shtetomadhe» serbe në interes të borgjezisë kombëtare të etur për kapitale, për tregje, për hapësirë tokësore e detare. Në fakt ideja e pansllavizmitjugor hasej që në vitin
    1785 në mendimet e shprehura nga gjenerali David neranxhiç në marrëveshjen Pjetrit me Petroviç Njegoshin,vlladikën e Malit të Zi. Ndërkohë metropoliti serbi Karllovacit i shekullit të kaluar Stefan Stratimiroviqi ,shprehte mendimin mbi nevojën e përtëritjes së perandorisë sllavoserbe në Ballkan, (Sadullah Brestovci, Marrëdh.Shq.-Serbe-Malazeze. v. cituar,f.27.) për të cilën i dërgonte një projekt carit rus, Aleksandrit I, që në njëfarë mase ishte si orientim politik gjatë kryengritjes së parë serbe (1804), ku parulla ishte: «Për kryqin e shenjtë dhe lirinë e artë.» 1)

    Siç shihet, idetë, platforma dhe vetë ideologjia panserbe, serbosllave,
    sllavojugore, rusosllave dhe pansllave, nga një anë, kishin që në themel he­
    gjemonizimin, epërsinë mbi popujt josllavë, urrejtjen dhe përbuzjen ndaj tyre, njëlloj si ideologjia fetare e ortodoksizmit sllav, që predikonte gjithashtu epërsinë mbi fenë ortodokse në veçanti dhe mbi fetë e tjera. Këto armë ideologjike u shërbenin strategjive pushtuese ndaj popujve të tjerë, e në këtë mes edhe ndaj popullit shqiptar që ose të shfarosej, ose të serbizohej e të sllavizohej.Pansllavistët rusë u vinin në ndihmë pansllavistëve serbë e malazezë në Ballkan. Pansllavisti i njohur Ignatiev, gjeneral – drejtor në Ministrinë e Jashtme të Rusisë dhe ambasador në Stamboll, i shërbente panserbizmit dhe pansllavizmitjugor(ballkanik), duke arritur deri atje sa t’i udhëzonte boshnjakët dh hercegovinasit, që kryengritjes së tyre të mos i jepnin domethënie politike», dhe që «ata të mos e nxirrnin Serbinë, Malin e Zi dhe Rusinë (dmth të mos i kompromentonin ato-Sh.B.), por të kërkonin reforma dhe barazi»:”2 Në vetë gjirin e popullit serb e të popujve të tjerë sllavë pati forca që mendonin e shkruanin kundër ideologjisë panserbe e pansllave me objektivitet. Ndër ta ishte edhe socialisti serb Mita Ceniçi, i cili i kundërvihej hegjemonizmit duke u shprehur se: «Sllvofilët mund të mbështeten në simpatinë e sllavëve të tjerë sikur të mos kërkonin hegjemoninë e popullit të vet mbi të tjerët, sikur të mos kërkonin hegjemoninë e shtetit rus (i cili është bazë e absolutizmit) mbi vendet e tjera dhe që kanë konstitucionin e tyre” 3
    __________
    1) Sadullah Brestovci, vep. e cituar, f.29.

    2) AIH, P•10, «Beogradske Novine- nr.342, dt. 12 dhjetor. 1897, f. 19.
    3) Dr. Z. Cana, vep. e cit., f. 52.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.