RILINDJA KOMBËTARE SHQIPTARE-NJË EPOKË E RE HISTORIKE

RILINDJA KOMBËTARE SHQIPTARE-NJË EPOKË E RE HISTORIKE

Shkruan prof. Zymer Mehani

Proceset e reja, që u shfaqën në jetën politike e kulturore të Shqipërisë në dhjetëvjeçarët e parë të shek. XIX, shënuan fillimin e epokës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila zë një periudhë të tërë historike, shtrihet nga vitet 30-40 të atij shekulli dhe deri në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912.
Rilindja Shqiptare përbën një lëvizje të gjithanshme kombëtare, me një përmbajtje të re ideologjike, politike, kulturore, ekonomiko-shoqërore dhe organizative. Ajo synonte të zgjidhte detyrat që i takonin revolucionit kombëtar, të çlironte vendin nga sundimtarët e huaj osmanë, të bashkonte trojet shqiptare në një shtet të vetëm e të pavarur, t’u hapte rrugën zhvillimit e përparimit ekonomiko-shoqëror, politik e kulturor të Shqipërisë.Shek. XIX shënoi për popullin shqiptar, ashtu si për popujt e tjerë të Ballkanit, një epokë të re, atë të Rilindjes. Ai ka hyrë në historinë moderne të vendeve të Ballkanit si shekulli i lëvizjeve dhe i revolucioneve kombëtare, që ndoqën njëri-tjetrin dhe që çuan në çlirimin e shumicës së popujve të këtij gadishulli nga zgjedha e Perandorisë Osmane dhe në formimin e shteteve të pavarura. Këto lëvizje u zhvilluan në kushtet e rënies së Perandorisë Osmane, të shthurjes së marrëdhënieve të vjetra feudale dhe të lindjes së ekonomisë së tregut, të zgjimit të mëtejshëm të ndërgjegjes kombëtare të popujve të këtij gadishulli dhe të zgjerimit të ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha në këtë Perandori.
Megjithëse, për një varg rrethanash të brendshme e të jashtme, Shqipëria ishte vendi i fundit në Ballkan që u shkëput nga Perandoria Osmane dhe që shpalli pavarësinë kombëtare, krahasuar me vendet e tjera ballkanike, ajo, që në fundin e shek. XVIII dhe në fillimin e shek. XIX, nisi të zhvillohej nga pikëpamja ekonomiko-shoqërore e politike në po ato drejtime si edhe fqinjët e saj ballkanikë, Serbia, Greqia, Bullgaria e Rumania.
Vështirësitë e ritmet e ngadalshme të këtij zhvillimi të Shqipërisë, të diktuara nga kushtet e rënda e të ndërlikuara, që ishin karakteristike për vendet nën sundimin osman, nuk e penguan shoqërinë shqiptare që në agimin e shek. XIX të kishte, krahas ndryshimeve, edhe mjaft gjëra të përbashkëta me shtetet fqinje, të krijonte premisat që çuan në konsolidimin e shqiptarëve si komb, në ngritjen e mëtejshme të ndërgjegjes kombëtare dhe në zhvillimin e lëvizjes kombëtare.

Rilindja ishte e lidhur me një shkallë më të lartë të zhvillimit të kombit shqiptar, me konsolidimin e tij, që çoi në lindjen e një lëvizjeje të re nga përmbajtja dhe objektivat e saj, të nacionalizmit, që ishte një lëvizje karakteristike për historinë moderne të të gjithë popujve, e cila, si në çdo vend edhe në Shqipëri, kishte si synim të formonte shtetin kombëtar, që do të përmbushte aspiratat politike, shoqërore, ekonomike e kulturore të popullit shqiptar. Ashtu si te popujt e tjerë, edhe te shqiptarët nacionalizmi u karakterizua nga ndjenja e përbashkësisë, e komunitetit ndërmjet shqiptarëve, si pjesëtarë të të njëjtit komb. Kjo lëvizje ishte e lidhur me ndryshimet dhe me përparimet që u bënë në shek. XIX në fushën kulturore, ekonomike, ideore e politike.
Gjuha dhe kultura materiale e shpirtërore e shqiptarëve, të formuara gjatë shekujve të parë të historisë së tyre e të konsoliduara veçanërisht në shekujt e mesjetës, mbetën një faktor i rëndësishëm, që shprehte njësinë etnike të popullit shqiptar, që shtrihej në një territor kompakt, dikur më të gjerë, por tashmë i rrudhur gjatë dyndjeve të popujve në Ballkan. Ky territor përputhej përafërsisht me truallin e banuar në lashtësi nga paraardhësit e tyre, ilirët e Jugut. Epoka e Rilindjes solli përparime të mëdha në kulturën e shqiptarëve e në radhë të parë në lëvrimin e gjuhës shqipe, e cila ishte dëshmi e bashkësisë së shqiptarëve, tipari themelor i kombit shqiptar, nyja qendrore që bashkonte gjithë shqiptarët, pa dallim krahine e feje.

Në gjuhën shqipe u theksuan prirjet për afrimin e varianteve letrare të dy dialekteve (të veriut e të jugut) dhe u hodhën themelet e gjuhës letrare shqipe. Konsolidimi i shqiptarëve si komb i bashkuar shtroi si kërkesë të domosdoshme lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe, kapërcimin e prapambetjes në shkrimin e shqipes, të trashëguar nga shekujt e sundimit osman, që u shpreh në përpjekjet për vendosjen e një alfabeti të njëjtë dhe në zhvillimin gjatë shek. XIX të një letërsie të gjerë artistike, didaktike e publicistike. Gjatë Rilindjes u hodhën themelet e letërsisë dhe të kulturës së sotme shqiptare në tërësi. Në fundin e atij shekulli kultura e re kombëtare nuk ishte më aspiratë, por përbënte, me breza të tërë shkrimtarësh, mendimtarësh, publicistësh e dijetarësh të fushave të ndryshme, një realitet, i cili kishte provuar katërcipërisht identitetin e përveçëm kulturor të popullit shqiptar, si edhe vitalitetin e forcën e tij krijuese kulturore.
Përveç kësaj, mbi bazën e kulturës popullore, me variantet e nënvariantet e shumta, morën shtrirje të gjerë mbarëshqiptare elemente të rëndësishme të fushës materiale e shpirtërore, të mënyrës së jetesës, të veshjeve, të veglave të prodhimit, të ndërtimeve, të krijimtarisë artistike (të folklorit etj.), të cilat u bënë pronë e përbashkët e gjithë popullit.
Në zhvillimin e mëtejshëm të kombit dhe të nacionalizmit shqiptar, si në çdo vend tjetër, ndikuan edhe ndryshimet që ndodhën në jetën ekonomike të Shqipërisë qysh në shek. XVIII e sidomos në shek. XIX. Në këtë periudhë, kur zhvillohet procesi i shthurjes së mëtejshme të feudalizmit dhe i lindjes së ekonomisë së tregut, kur forcohen lidhjet e komunikacionit, ato ekonomike e tregtare ndërmjet qytetit e fshatit dhe ndërmjet qyteteve, si edhe ato ndërkrahinore, kur formohet një treg i përbashkët kombëtar dhe zgjerohen lidhjet tregtare të Shqipërisë me shtetet evropiane, vendin e ndjenjave të izolimit e të partikularizmit të ngushtë, krahinor e provincial, e zunë ndjenjat e interesave të përbashkët të të gjithë kombit e të territoreve të banuara prej tij. U rrit roli i qyteteve, jo vetëm si qendra të administratës osmane, por edhe si qendra të jetës ekonomike e politike të Shqipërisë.
Këto zhvillime, që ndodhën gjatë Rilindjes, sollën forcimin e ndërgjegjes kombëtare te shqiptarët, që u shpreh me vetëdijen e tyre të përbashkët për përkatësinë në të njëjtën etni, në të njëjtin komb, komb që jetonte në një territor të përbashkët, që kishte prejardhje, gjuhë, zakone, formim shpirtëror, kulturë e histori të njëjtë dhe që dallohej nga të tjerët. Këto elemente kishin fituar qëndrueshmëri si rrjedhim i qëndresës shekullore të popullit shqiptar për t’i mbrojtur nga pushtuesit e huaj e sidomos nga ata osmanë; ato u ruajtën e u trashëguan nga shqiptarët edhe në epokën e Rilindjes.
Gjatë Rilindjes lindi dhe u zhvillua ideologjia e re kombëtare, e cila, duke u ngritur mbi ndarjet krahinore e fetare, shprehte aspiratat jo më të krahinave të veçanta, por të të gjithë Shqipërisë dhe të të gjithë shqiptarëve. Thelbin e saj e përbënte lufta kundër shtypjes kombëtare, jo vetëm me mjete materiale, të armatosura, por në radhë të parë me ato intelektuale, me idetë që argumentonin të drejtën e natyrshme njerëzore të popullit shqiptar për të qenë i lirë e i pavarur kombëtarisht. Ashtu si te popujt e tjerë, kjo do të arrihej vetëm me formimin e një shteti kombëtar e të veçantë shqiptar. Këto ide, të përhapura gjerësisht në rrethet e kulturuara brenda e jashtë vendit nëpërmjet librave e shtypit, u futën dora-dorës edhe në mendjet e njerëzve të thjeshtë, ndihmuan në formimin te populli shqiptar të ndërgjegjes së përbashkët kombëtare, e cila mishëronte vullnetin e gjithë kombit.
Rilindja ishte një lëvizje e gjerë, që tërhoqi në jetën politike të gjitha forcat shoqërore të popullit shqiptar dhe që kishte rrënjë të thella historike. Ajo u zhvillua në një truall të përgatitur nga kryengritjet popullore, që nuk u ndërprenë gjatë katër shekujve të robërisë osmane dhe që drejtoheshin kundër kësaj robërie. Gjatë këtyre lëvizjeve ishte formuar te shqiptarët ndjenja e kombësisë, e identitetit dhe e individualitetit të tyre të veçantë përballë sundimtarëve të huaj. Por këto lëvizje, edhe pse kishin karakter çlirimtar, mbetën prej fillimit deri në fund lëvizje të veçuara e të palidhura ndërmjet tyre. Epoka e Rilindjes krijoi kushtet për bashkimin e tyre, për t’i kanalizuar ato në hullinë e lëvizjes kombëtare. Megjithatë, lëvizje organizativisht të veçuara e pa lidhje me njëra-tjetrën pati edhe gjatë Rilindjes.
Ato dëshmonin se ndërgjegjja kombëtare nuk kishte arritur ende kudo pjekurinë në shkallën e duhur. Konsolidimi i ndërgjegjes kombëtare kaloi përmes një rruge të vështirë, duke kapërcyer prirjet e lokalizmit, të separatizmit patriarkal feudal, të trashëguara nga e kaluara. Të zhvilluara në rrethanat e reja, që u krijuan në shek. XIX, këto kryengritje të shtresave të ndryshme të popullsisë morën tipare të reja, filluan të karakterizohen nga ndjenja e bashkësisë së interesave të të gjithë shqiptarëve kundër sundimtarëve osmanë. Ato u shkrinë dora-dorës në lëvizjen e përgjithshme kombëtare dhe u bënë pjesë e saj.
Rilindja solli elemente të reja edhe në organizimin e drejtimin e lëvizjes çlirimtare shqiptare, duke e ngritur atë në një shkallë më të lartë. Nga kuvendet e besëlidhjet krahinore e ndërkrahinore, që drejtonin veprimet e përbashkëta luftarake në shkallë të gjerë, u kalua në formimin e organizatave udhëheqëse mbarëshqiptare, që drejtonin lëvizjen në shkallë kombëtare, siç qenë Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881) e Lidhja Shqiptare e Pejës (1899-1900) gjatë shek. XIX, si dhe komitetet kombëtare në fazën e fundit të Rilindjes. Themelimi i organizatave të tilla udhëheqëse diktohej si nga shtrirja e njëkohshme e lëvizjes në mbarë trevat shqiptare, ashtu edhe nga karakteri i përgjithshëm kombëtar i objektivave të saj gjatë Rilindjes.

Shperndaje ne
Updated: 9 Shkurt, 2017 — 20:04

The Author

Prof. Zymer Mehani

1 Comment

Add a Comment
  1. RILINDëASIT

    Dashurinë
    Nga ju e mora
    për Atdheun
    E lirinë
    Për natyrën
    E vendlindjen
    Vargjet tuaja
    Na prekën
    Në shpirt

    Veprat tuaja
    Na frymëzuan
    Mendjet
    Na i ndriçuan
    Vargjet tuaja
    Udhërrëfyes
    Për brezat
    Që do vinë

    VARGJET E POETëVE

    Vargjet e poetëve
    Më hynë në shpirt
    Në zemër
    Në gjak
    U ngulitën në mua
    Vargjet e poetëve
    më lanë pa gjumë
    Më shtynë të mendoj
    Të bukurentae bëj
    Edhe më të bukur
    Të keqen ta luftoj
    Cdo herë .

    Halil Preniqi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.