Kultura Kombetare: Promovohet libri “Arkivi i Luftës” i autorit Berat Luzha

Promovohet libri “Arkivi i Luftës” i autorit Berat Luzha

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Sot, më 10 shkurt 2017, në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë është bërë promovimi i librit “Arkivi i Luftës” (katër vëllime), të autorit Berat Luzha. Ky libër përshkruan në kronologji, pothuajse të gjitha ngjarjet e rëndësishme të plasuara nga Agjencia Shtetërore e Lajmeve “KosovaPress “, si dhe materiale tjera arkivore si lajme, njoftime dhe informata të ndryshme që burojnë nga mediet brenda dhe jashtë vendit gjatë periudhës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërsa autori i librit, z. Berat Luzha, ka falënderuar të gjithë ata që ndihmuan në botimin e këtij libri, posaçërisht Ministrinë e Arsimit dhe Institutin e Historisë.

Ndryshe, libri në katër vëllime “Arkivi i Luftës “ i autorit Berat Luzha, është botim i Institutit të Historisë, i mbështetur financiarisht nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, me këtë rast, është shprehur se ky libër dokumentar është i një rëndësie të veçantë për të gjithë ne, ata që duan të mësojnë e informohen më saktë për periudhën e artë të një kthese historike, e cila jo vetëm që ndërroi historinë e Kosovës, por vuri themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Ky dokumentar në katër vëllime dhe dokumentarët e tjerë të ngjashëm tregojnë se lufta jonë ka qenë luftë e drejtë çlirimtare, e mbështetur nga populli, e cila ka vendosë bazën shekullore të përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi”, theksoi ministri Bajrami.

Bajrami tha se gjeneratat e reja nga ky libër dhe të tjerët, do të mësojnë më saktë dhe më drejtë për historinë dhe ky dokumentar dhe të tjerë që do të botohen, janë vepra kapitale, të cilat duhet të ruhen dhe shpërndahen edhe në institucione arsimore e biblioteka, që të edukojmë te rinjtë tanë për ngjarjet më të rëndësishme të historisë së shtetit tonë.
17 vjet më parë agjencia e lajmeve KosovaPress dhe Radio Kosova e Lirë u bënë zëdhënëset kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke luajtur një rol të veçantë në njohjen dhe ndërkombëtarizimin e çështjes kosovare.

Agjencia e lajmeve KosovaPress u krijua në çastet më vendimtare të kësaj lufte, ku ishin shtuar jashtëzakonisht shumë dhuna dhe terrori i shtetit serb ndaj popullit shqiptar, kur po përgatitej Konferenca e Rambujesë për Kosovën si dhe fryti i fushatës së NATO-s kundër forcave ushtarake, policore, paraushtarake dhe objekteve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi e Mal të Zi.

Pikërisht për t’i dhënë një dimension të ri përpjekjeve të luftës së madhe të UÇK-së u krijua edhe agjencia e lajmeve KosovaPress.

Agjencia e lajmeve KosovaPress u bë një institucion që frymëzoi përkrahje botërore, sidomos të SHBA-sı dhe BE-së për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Agjencia e lajmeve KosovaPress dhe Radio Kosova e Lirë do të thyenin njëherë e përgjithnjë heshtjen por jo vetëm në fillimet e saj, por deri në formimin e krijimit të dy institucioneve informative, që kishte pllakosur mbi Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lajmet, deklaratat dhe kumtesat e agjencisë KosovaPress dhe të Radio Kosova e Lirë, përpos se dëgjoheshin shumë shpejt, do të mund të citoheshin dhe publikoheshin edhe nga mediat e shtypi edhe nga shumë mjete elektronike në botë.

Lajmet, deklaratat dhe kumtesat e tyre ishin zëri i ardhmërisë së Kosovës, që në të vërtetë ishte zëri i ardhmërisë së lirë dhe të pavarur, aq gjatë të ëndërruar nga populli shqiptar në përgjithësi.

Lajmet dhe materialet që përfshijnë periudhën që kur u krijua KosovaPres dhe deri në qershor të 1999, u përmblodhën në një botim të veçantë nga Instituti i Historisë në Prishtinë, të përgatitura posaçërisht nga Berat Luzha.

Promovimi i 4 vëllimeve u bë në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Prishtinës ku merrnin pjesë shkrimtarë, studiues, përfaqësues të ish-UÇK, politikanë, deputetë etj.

Këtë ceremoni e përshëndeti edhe Drejtori i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Gëzim Podgorica, i cili vlerësoi se botimi i realizuar me aq kujdes dhe vëmendje nga Berat Luzha dëshmon jo vetëm profesionalizmin, por edhe sakrificën e madhe të gazetarëve të asaj periudhe, të cilët sakrifikuan shumë për t’u bërë pjesë e historisë shumëdimensionale të UÇK-së.

“KosovaPress edhe sot është një agjenci shumë serioze dhe me mjaft reputacion jo vetëm në Kosovë por edhe në të gjithë rajonin. Agjencia KosovaPress është një identitet i rëndësishëm i Kosovës, e cila do ruajtur dhe çuar më tej”, deklaroi z.Podgorica.

Për vlerat dhe rëndësinë e librit dhe se çfarë përfaqëson ky botim jo vetëm në fushën akademike por edhe për historinë e Kosovës, folën Prof.dr.Sabile Keçmezi-Basha dhe prof.assoc.dr Sabit Syla.

Berat Luzha, autor i librit, tha se libri 4-vëllimësh me materiale arkivore i agjencisë së lajmeve KosovaPress nuk është një vepër e imja, por është vepër të gjithë atyre gazetarëve, fotoreporterëve dhe punonjësve që me një shpirt të jashtëzakonshëm arritën të sensibilizonin të gjithë opinionin për drejtësi dhe kauzën e drejtë të luftës së UÇK-së.

Ai falënderoi të gjitha ata që e ndihmuan në përgatitjen e librit dhe shtoi se do të ketë botime të tjera të cilat do të realizohen në të ardhmen.

Shperndaje ne
Updated: 11 Shkurt, 2017 — 13:29

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.