Letërsia Kombëtare: KOSOVA E LIRË

KOSOVA E LIRË

-1-

Sot, Kosova me plisin e bardhë Dardan zgjohet,

An’ e kënd trapezoidali kosovar vetëm zbardhon,

Mbi eshtrat e të parëve nën tokë – themel betonohet,

Ndërtesat e larta të jetës drejt qiellit pa ré synon.

-2-

Një shekull, vetëm gjak, përbuzje e trysni parreshtur,

Skllavëri në kohë moderne, zaptuesi instaloi e zbatoi,

Shumica mbuloi rrezet e diellit – mjergull e dëndur,

Por pakicës, dritën qiellore, jo, dot nuk ia ndaloi.

-3-

Dimër i egër, i gjatë dhe shekullor. Jo! Kurrë shpresë pa liri,

Përleshje mes dallgësh shumëballëshe. Jo! Kurrë Dheun mbas dore,

I sigurtë për liri – eshtrat, shpirtërat e të parëve – kurrë nën robëri,

Erdhi dita. Kosova qesh, gëzon rrezet e diellit dhe dritën qiellore.

-4-

Festë e madhe, hareja, gëzimi, kudo nji emër i vetëm – Iliri,

Gufon zemra e dardanit, arbërit, kaonit, thesprotit, mollosit,

Arbëria me qeleshen e bardhë zgjat duart: ”Mirëseerdhe Dardani”,

Thesprotia me festen e bardhë uron: “Gëzuar, paç këmbën e mbarë”.

-5-

Zhgaba në Dardani, Shqiponja në Arbëri, Ipja në Thesproti,

Emër i të njëjtit shpend, maj malesh me fole – Dihet absolut për liri,

Shpend symbol lirie, krenarie, bukurie, jetëgjatësie – qielli e ka stoli,

Shpend që pëlqeu në  botë fiset Ilire, i pagëzoi me emrin – Shqipëri,

-6-

Urime Kosovë. Popujt kudo urojnë, njohje nga shumë shtete,

Të tjerët, le ta kuptojnë, trileniumi – symbol demokracie. Jo i friguar,

Popujt thërrasin: lumturi, barazi – disa shtete ende me siklete,

Na pri Kosovë drejt paqes, lirisë – shembull i qëndresë. Gëzuar.

-7-

Kaçanik, Dreçan, Reçak, vende me emër në histori,

Gjak heronjsh, tokën vaditur për liri, për pavarësi,

Krushe, Prekaz, Rahovec – Gërma të arta në Dardani,

Njëzëri të gjithë thërrasim, brohorasim: ”Amaneti u kry”!

-8-

Sot, lot gëzimi gjithë trupi Ilir, nga Mitrovica gjer në Artë,

Flatrat e Zhgabave nga Gryka e Rugovës , Flamurin “Kuq e Zi”,

Në qiell shpalosin, e shtrijnë jaram nek(¹) tre Gurët e Zezë të lashtë,

Zhgaba, Shqiponja, Ipja brohorasin: ”Rrofsh Pavarësi!”.

 

              Shënim(¹): Sipas dialektit çam: Jaram nek=deri tek.

 

Tiranë, shkruar më 17/shkurt/2008                Fahri Dahri

Shperndaje ne
Updated: 16 Shkurt, 2017 — 19:37

The Author

Fahri Dahri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.