Letërsia Shqiptare: VËSHTRIM PËR POEZINË E POETES XHEMILE HOXHA- ALIU…

VËSHTRIM PËR POEZINË E POETES XHEMILE HOXHA- ALIU…

Shkruan prof. Zymer Mehani

Duke lexuar poezitë e poetes Xhemile Hoxha-Aliu, tek ne u nxit kërshëria e kërkimit, sepse kjo poete vargjet e veta i nisi në vorbullën e aventurave të gjata dhe krajatave të jetës, kundruall dallgëve, duke pasqyruar në artin e saj edhe shqetësimet që kjo dhe brezi i saj i përjetuan gjatë viteve ’90 të shekullit XX, kur si shumë qytetarë të tjerë të Kosovës, edhe kësaj iu desh që t’i marrë rrugët e mërgimit.
Në botën e poezisë së poetes Xhemile Hoxha-Aliu gjejmë shtresa të shumta, ku përzihen kohët, ëndrrat dhe zhgjëndrrat, dëshirat dhe shpresat, gëzimet e zhgënjimet, vetëdija e ndërdija. Pena e saj nuk ndalet vetëm me përshkrim, por stili i saj është edhe më i gjerë dhe më i thellë, e kështu vazhdimisht e ndryshon këndin e vështrimit të fenomeneve dhe dukurive, por intensiteti i interesimit mbetet prore i njëjtë, i pandryshueshëm për çdo dukuri dhe fenomen, për çdo subjekt dhe objekt, për çdo detaj e tërësi.
Në poezinë e Xhemile Aliut ëndrra e nxit fshehtësinë e vetë jeta zhytet në ëndërr.
Malli për atdheun dhe njerëzit e përshkon çdo varg dhe poezi, ku përsëritet dhe del origjinal e njerëzor, por vazhdimisht i zjarrtë, që e zgjon dhe e motivon për vargjet e saj vazhdimisht.
Thuhet se ëndërrimtarët janë vetë krijuesit, artistët, e edhe Xhemile Aliu si poete duke ëndërruar depërton në magjinë e fjalës artistike dhe të artit përgjithësisht. Ajo është gjurmuese, vizionare dhe krijuese e poezisë. Një poete e tillë me vargjet e saj shkel shtigje të reja dhe hapë botëra të reja. E tërë kjo ka qenë prezente qysh moti në poezinë tonë shqipe, por kjo që na dhuron Xhemile Aliu është krejt e veçantë.
Ne si lexues të rregullt të poezisë së petes Xhemile Aliu, e çmojmë lart hapërimin e saj të lehtë në artin poetik kundruall dallgëve të mërgimit, pa e lënduar, por përkundrazi duke e pasuruar vargun poetik shqiptar përgjithësisht. Në poezitë e kësaj poeteje takuam shpirtin e saj të trazuar, që nuk rehatohet, por që vazhdimisht gjurmon e kërkon. Poetja Aliu ia del që përmes vargut ta transformojë të kaluarën në të sotmen e të sotmen në të ardhmen. Kjo me vetmohim ka hapë rrugë të reja nëpër të cilat shtegton vargu i saj i shkruar.
Krijimtaria e poetes Xhemile Aliu është origjinale dhe premtuese për të pushtuar hapësira të gjera në mozaikun e pasur të letërsisë sonë që po kultivohet në diasporën tonë, por edhe këtu në atdhe.
Gjuha e poezisë së poetes Xhemile Aliu është e përdorur drejt, e pastër dhe nuk është e ngarkuar me dialektizma, krahinorizma apo barbarizma. Vargjet e kësaj poeteshe janë të skalitura me stil të nivelit të lartë dhe figuracioni poetik haset kudo në vargjet e saj. Kemi laryshi rimash dhe metra të ndryshëm të vargut poetik, fakt ky, i cili artit poetik të autores ia shton vlerën edhe më shumë.
Fare në fund, poetes Xhemile Hoxha-Aliut ne i urojmë suksese në krijimtarinë letrare e lexuesve tanë, kudo që janë, qoftë në mërgim a në atdhe, u urojmë lexim të këndshëm!

Shperndaje ne
Updated: 17 Shkurt, 2017 — 19:04

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.