Letërsi Kombëtare: NJÊ BUQETË ME VARGJE PËR NDERË TË DITËS NDÊRKOMBËTARE TÊ GJUHÊS AMTARE!

                                            GJUHA JONË E LASHTË

Gjuha jonë shqipe
është për ne një thesar,
sa bukur e kanë stolisur
tridhjetë e gjashtë margaritarë.

Gjuha jonë e bukur
është me shkronja plot,
gjithë secila në vete
një histori na e thotë.

Xhelozonë e gjithë njerëzia
të gjithë xhelozojnë,
pse nuk janë të pasur
aq sa gjuha jonë.

Janë dëshmitarë Dielli e Hëna
dhe e tërë gjithësia,
se gjuhën tonë të lashtë
e flet edhe Perendia!

Ta ruajmë e ta duam
si një thesarë që e kemi,
para saj gjuhët tjera
kurrë mos t’i vemi!

SHQIP DO TË FLAS ME PERENDINË

Edhe sikur të më mbysin
të më fusin edhe në varr,
po më sollën sërishë në jetë
do të jem prap shqipëtarë.

Edhe nëse Zoti e thotë
qe të zhduket kjo botë,
në planet tjetër të vemi ne
shqip do të flas edhe atje.

Edhe gjuhën sikur t’ma tretin
të mos di as edhe shkrim,
po të iki në botën tjetër
shqip do të flas me Perendinë!

FOL SHQIP SE JE SHQIPËTARË

Fol shqip he burrë i dheut
fole gjuhën e Skenderbeut!
Lëre shqip të t’flas zemra
se shqipëtarë të lindi nëna!

Fol shqip ti mos ke frikë
në Europë e Amerikë!
Gjuhën tonë e njeh vetë Perendia
qysh kur u krijua Shqipëria!

Mos u frikëso ti aspak
mos më thuaj “Guten tag”
mos e ulë vetën as mu
mos më thuaj “Thank you”!

Fol shqip me buzëqeshje
kur t’më japësh përshendetje,
gjuhën shqipe na e la i pari
trashëgim lëre ti djalë pas djali!

Kudo ndodhesh nëpër botë
gjuhën tënde mos e tret dot,
se është gjuha e Perendisë
vetë simboli i shqiptarisë!

Fol shqip se je shqiptarë
para botës rri krenarë,
gjuha jonë gjuha hyjnore
të gjitha shoqet i len pas dore!

SHQIP

Edhe ëndrrën e luta të flasë shqip.
Barit i thashë me përgjërim,
Me fije të veta të më lidhë nyja-njyja në grykë,
Me çdo shkronjë të abetares sime,
Që ujku të mos shtrihet në shtratin e gjyshes,
E kësulëluqja të mos i derdh dredhëzat,
Nga trishtimi i dhëmbëve,
Nxjerrë si thika më të mbrehta
Në metropolet e gjata,
Në hijen e sokaqeve të mija
Tërë baltë,
Të njomur nga shiu fanatik
Që bie për së kthjellti,
Me këngën time shqip.

©Maki M Canolli

Shperndaje ne
Updated: 22 Shkurt, 2017 — 12:52

The Author

Maki Canolli

Makfire Maqedonci – Canolli lindi në Prishtinë. Fëmijërinë dhe rininë e hershme i kaloi në vendlindje. Është shkolluar në fushën e pedagogjisë, që e ka bërë më të ndjeshme e më njerëzore edhe në poezi. Me këtë art të vështirë ka filluar të merret që kur ishte nxënëse e klasës së dytë fillore. ”Gjeli im plak” ka titullin vjersha e saj e parë. E ka botuar 30 vjet e sa më parë në shtojcën për fëmijë të gazetës ”Rilindja” (1978/79), e cila botohej çdo të martë, në kohën e artë të kësaj të së përdishmeje të shuar shqiptare në Kosovën e pushtimit serb. Makfire M Canolli i përket brezit të rinisë ”së padisiplinuar”, e cila sfidonte pushtetin antipopullor të asaj kohe. Ky pushtet të rinjtë shqiptarë i quante ”irredentistë” e ”seperatistë” dhe me nofka të tjera më poshtëruese, vetëm e vetëm pse deshi të mbante gjallë gjuhën, traditën e kulturën shqiptare, të qenit shqiptar të shqiptarëve në vendin e tyre. Makfires, si motër e vëllezërve ”irredentistë”, iu mohua çdo e drejtë: të regjistrohej në fakultet, të punojë me nxënës, si dhe e drejta për të botuar. E ka vragë të pashlyeshme në zemër këtë kohë, aq më parë, pasi krijimet e saj të hershme ia konfiskuan punëtorët e shërbimit sekret serb, gjatë një bastisjeje në shtëpinë e saj. Në vitet e ‘80-ta, kur ajo ishte vetëm 11 vjeçe si shumë familje shqiptare, edhe familja e Makfires ishte në shënjestër të UDB-së famëkeqe serbe, e cila në vitin 1982 ia burgosi të tre vëllezërit. Ishte kjo koha kur shpirti i saj sa fëmijërorë aq poetik po këndonte nga brenda, pa u shfaqur për lexues. Në vitet e ‘90-ta emigron në Gjermani, ku qëndroi deri më 1998. Kthehet në Kosovë bashkë me familjen e saj dhe më pas, më 1999, kalon oqeanin për të vazhduar jetën në New York. Aty jeton ende.Zëri i saj dëgjohet çdo të premte në valët e Radio – Diasporës, ku si moderator e udhëheq rubrikën “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”. Poezitë e saj janë prezantuar nëpër disa faqe të internetit, të cilat botojnë krijime artistike, si “Teutat shqiptare nëpër botë”, “Agjencioni Floart-Press”, “Tribuna shqiptare”, “Bota e re”, “Stërkala”, si dhe “Qeparoi”.Gjer tani ka botuar përmbledhjen poetike për të rritur “Gjurmë nëpër flakë” (2010) dhe një tjetër për fëmijë “I shes diellit akullore” (2010). Po ashtu është pjesë e disa antologjive si dhe në librin e përbashkët me teutat shqiptare nëpër botë me titull "Në sytë e nënave". Në një të ardhme të afërt lexuesit do të kenë ne duart e tyre shkrimet tjera qe presin botimin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.