Murtaja kosovare

milaim_shefkiuShkruan Milaim Shefkiu 

Është një enigmë gati e pazbërthyeshme për fatin e shqiptarëve në Kosovë. Është për t’u habitur se pse vetëm neve në Ballkan na përsëritet historia, jo në 30 vjet sa konsiderohet një gjeneratë, por në çdo 15 vjet. Një decenie e gjysmë më parë, policia dhe ushtria e Serbisë largoi nga shtëpitë e veta gati një milionë shqiptarë.

Ky ishte eksodi më i madh i fundshekullit XIX në Evropë dhe për ta ndalur këtë tragjedi, u angazhua një aleancë e tërë shtetesh.
Pas disa muajve, shumica e të deportuarve u kthyen nëpër shtëpitë e djegura e të bëra shkrumb, dhe mbi hirin e të vjetrave ndërtuan shtëpitë e reja.
Mirëpo, shpresa për të ardhmen nuk zgjat më shumë se 15 vjet. Tani dikush këtë shpresë ua vrau kosovarëve, duke ringjallur në kujtesë eksodin “modern” për të ikur nëpër shtetin e atyre që na përzunë më 1999. Dhe tani nga Serbia, kosovarët po dalin në Hungari e nga atje në “kampet” e refugjatëve të Austrisë, Gjermanisë dhe nëpër ahuret e Francës.

Është tmerrues fakti se për çdo ditë nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë po nisen nga 10 autobusë, plot me kosovarë. Djem të rinj, vajza, gra shtatzëna, fëmijë e fatosa që po braktisin shkollën, po ikin drejt Evropës, me idenë për një jetë më të mirë.
Nuk e di nëse kjo sintagmë “jetë më e mirë” është bërë klishe urbane, apo kanë të drejtë ata që po marrin botën në sy, duke sakrifikuar edhe fëmijët.

Stacioni i Autobusëve të rikthen në kujtesë “trenin” e luftës, si ai gjarpri i zi që  lëshonte helm gjithandej. Në këtë tragjedi duket se vetëm pronarët e autobusëve po i gëzohen eksodit masiv, sikurse ai marangozi që ndërton arkivole (arkivolpunuesi). Është e natyrshme që ai gëzohet kur vdes dikush, sepse e shet tabutin. Edhe pronarët e autobusëve i gëzohen këtij eksodi sepse numri i pasagjerëve që po ndjekin linjën Prishtinë – Beograd, është dukshëm më i madh sesa kapacitetet e autobusit. Nga kjo tragjedi e luajtur në teatrin “fatzi” të kombit, po humb Kosova si shtet, po humbasin qytetarët të cilët po i shesin orenditë dhe stolitë e qafës, për të përfituar nga emigrimi e në realitet kur të kthehen përfundojnë edhe më fukara se që janë.

shpernguljet_1999Të martën është shënuar edhe viktima e dytë që humbi jetën në përpjekje për t’u arratisur në Gjermani. Edhe pse vdekja e Mustafë Bislimit, 61 vjeç nga fshati Bullofc i komunës së Podujevës, mund të konsiderohet e natyrshme, megjithatë ai vdiq në rrugëtimin e tij të fundit për të ikur nga Kosova. Një muaj më parë edhe një tjetër shqiptar nga komuna e Ferizajt vdiq në kufirin Serbi-Hungari. Ai ishte mërdhirë nga të ftohtit dhe autoritetet hungareze e gjetën të ngrirë në mes të malit.

A nuk konsiderohet kjo tragjedi që duhet t’ua vrasë ndërgjegjen e institucioneve të Kosovës, që nuk arritën të krijojnë një shtet stabil, nga ku nuk ikin njerëzit. A ka më trishtim dhe më rrëqethëse, kur njeriu ikën nga shtëpi e vet, për të përfunduar në “plemen” e dikujt tjetër.
Derisa muajve të fundit trendi i ikjeve kishte prekur vetëm rajonin e Gjilanit dhe Ferizajt, kohën e fundit epidemia e ikjes e ka goditur Mitrovicën, Skenderajn, Podujevën…

Sipas një përllogaritje, vetëm gjatë tre muajve të fundit më shumë se 40 mijë kosovarë kanë ikur në Evropën Perëndimore, ndërsa vetëm në Komunën e Prishtinës janë mbi 800 nxënës që kanë ndërprerë mësimin. Këto shifra rëndom duhet ta shqetësojnë Qeverinë e Kosovës, Kuvendin dhe Presidencën, sepse nëse për çdo natë ikin nga 500 kosovarë, atëherë kjo është më shumë se sa tërmet në Kosovë. Madje 10 autobusë nisen vetëm nga Prishtina, ndërsa kur kësaj “murtaje” i shtohen edhe qytetarët e Anamoravës të cilët po e shfrytëzojnë si trampolinë Luginën e Preshevës, për të kërcyer në Suboticë e Paliq, ky numër është dukshëm më i madh se 500 sosh. Prandaj, secili le ta matë me kutin e vet, se sa tragjike është kjo zbrazje e Kosovës dhe kush ua ka vrarë shpresën kosovarëve për të jetuar në vendlindje. Ky eksod mund të quhet pa asnjë mëdyshje “Murtaja kosovare”.  

Shperndaje ne
Updated: 6 Shkurt, 2015 — 12:25

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.