Spastrimi i Çamërisë dhe qëndrimi shqiptar

Pas disfatës së plotë që pësuan trupat greke në Turqi, më 09 shtator 1922, Greqia duhet të hiqte edhe një kalvar të fundit. Në marrëveshjen e Lozanës, të 30 shtatorit 1923 u vendos: largimi  i detyrueshëm i grekëve të Azisë së Vogël. Këta refugjatë grekë u detyruan të largoheshin e të vendoseshin në territoret që i’u bashkuan qeverisë Greke në vitet 1912- 1913: në Maqedoni, në Epir, e në Thrakën perëndimore. Në Lozanë, u vendos gjithashtu, që qeveria Turke të tërhiqte nga territoret e shtetit të ri Grek, myslimanët me kombësi turke.

Pavarësisht se problemi i shqiptarëve të Epirit dhe të Maqedonisë, ishte jashtë axhendës së diskutimeve, diplomacia shqiptare, për t’i dalë përpara ndonjë të papriture, ndërhyri tek përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrës në konferencë, duke argumentuar se shqiptarët në Epir dhe në Maqedoni, ishin autoktonë në trojet e tyre, dhe do të ishte një padrejtësi e madhe historike, të përfshiheshin në shkëmbim, duke marrë për bazë fenë, dhe jo racën. Ata s’kishin asgjë të përbashkët me Turqit, as ndërgjegjen kombëtare, as gjuhën, as doket dhe zakonet, as veshjen. E vetmja gjë që i bashkonte ishte feja Muhamedane.

Diplomacia shqiptare me ndërhyrjet e veta, në Konferencën e Lozanës, arriti një sukses të madh, se nën presionin e qeverisë shqiptare dhe opinionit të shëndoshë të përfaqësuesve në atë konferencvë, përfshirë këtu edhe atë turk, u arrit që përfaqësuesi  i qeverisë greke të deklaronte se: “Minoriteti shqiptar në Greqi, do të përjashtohej nga shkëmbimi!”

Pas konventës së Lozanës, Athina mendonte se: spastrimin etnik të shqiiptarëve do t’ja arrinte përmes presioineve të dhunëshme, aq sa ai minoritet kunder dëshirës dhe vullnetit të tij, të deklaronte përfshirjen në shkëmbim dhe vajtjen në Turqi.

Qëllimi i Greqisë ishte t’a çrrënjoste këtë popullsi nga trojet e veta, për t’ju grabitur atyre pasurinë, dhe për të vendosur në shtëpitë dhe pronat e tyre refugjatët grekë, të ardhur nga Azia e Vogël.

Çështja Çame dhe marrëdhëniet e saj të ndera me qeverinë greke, u bë objekt ankesash, protestash, lutjesh dhe peticionesh, drejtuar qeverisë greke, Tiranës, edhe Lidhjes së Kombeve. Me nota të qarta pakënaqësie e ankesash, të njëpasnjëshme, nga përfaqësuesit e Çamërisë, diplomacia shqiptare, shtypi i kohës brenda dhe jashtë vendit, vinin në dukje presionet e dhunëshme që ushtronin bandat greke dhe administra lokale, në prezencën e xhandarmërisë greke, tek shqiptarët e Maqedonisë dhe Greqisë.

Disfata e plotë e trupave greke në Izmir nga forcat turke.

Situata në Çamëri ishte shumë e tensionuar. Lidhja e Kombeve, nën presionin e diplomacisë shqiptare, e të rretheve patriotikë të Çamërisë, u detyrua të dërgonte në Athinë një komision mikst, që të shpërndahej nëpër zona, të merrte kontakt me banorët myslimanë, dhe duke u bazuar në ndërgjegjen që kishin, gjuhën që flisnin, në doket dhe zakonet, të përcaktonte me paanëshmëri, myslimanët turq nga ata shqiptarë. Komisioni, në përbërjen e vet, kishte tre vetë,  një antar grek, një turk dhe një asnjëanës që përfaqësonte Lidhjen e Kombeve. Komisioni kishte kompetenca të plota, të hetonte dhe pastaj, vetë aii të vendoste, në bazë të deklarimeve që do të bënin individët para tij, për të përcaktuar elementët myslimanë që do të përfshiheshin në shkëmbim. Antari i Komisionit grek, në bashkëpunim me administratën lokale dhe xhandarmërinë, bënte presione në masën e popullsisë myslimane, që kur të shkonin përpara komisionit, të deklaronin së ishin turq, dhe dëshironin të shkonin në turqi. Kjo që bënte antari i komisionit grek, Toco, nuk ishte thjesht një propagandëe, por presionet ishin të mëdha, që shoqëroheshin me rrahje të burrave përpara fëmijëve dhe grave. Sipas deklarateve që bënte popullsia shqiptare para komisionit, u arrit që komisioni të regjistronte në procesverbalet e tij, se 95% e popullsisë myslimane shqiptare, deklaroheshin si Turq, dhe duhet të përfshiheshin në shkëmbim. Komisioni, këto konkluzione ja përcolli në raportin e tij Lidhjes së Kombeve.  Rrethet patriotike të Çamërisë dhe diplomacia shqiptare, reaguan menjëheredhe shprehën pakënaqësinë e tyre për njëanëshmërinë e antarit të Komisionit grek dhe atij asnjëanës, përsa i përket antarit të komisionit turk, ai nuk ishte në dijeni të manovrimeve që bënte administrata greke, por kufizohej në deklaratat gojore të njerëzve që bënin para komisionit.

EMIGRIMET 

Vala e emigrimeve të shqiptarëve të Çamërisë dhe të Maqedonisë kishte filluar në masë në vitin 1923. Ai ishte një kalvar i gjatë dhe i dhimbshëm. Në 26 tetor 1923, një peticion që i drejtohej qeverisë shqiptare nga përfqësues të Çamërisë, njoftonte se familjet Çame nga Arpica, Parga, Karbunari, Margëllici, Gardhiqi, dhe Dhragomia, nga tmerri i dhunës që përjetonin, kishin braktisur shtëpitë dhe pasurinë, dhe ishin nisur në Turqi.

Cili ishte qëndrimi i qeverisë shqiptare në këtë kohë ndaj situatës së shqiptarëve në Çamëri dhe Maqedoni?

Qeveria shqiptare, në vitin 1923, ishte në konflikte të brendshme dhe cështja e mbrojtjes së shqiptarëve përtej kufirit, kishte kaluar në dorë të dytë, përjashto këtu punën e madhe plot përkushtim atdhetar dhe diplomatic të Mid’hat Frashërit, Mehmet Konicës, Xhemil Dinos, Rauf Ficos, Mehdi Frashërit dhe Blinishtit. Këta personalitet politik që përmendëm, edhe vetë ishin të pakënaqur nga qeveria e Tiranës. Është me interes të theksojmë, se Mid’hat Frashëri, i dërguari me punë i Shqipërisë në Athinë, i tërhiqte vëmëndjen Tiranës, në korrik të vitit 1923, se: Shqiptarët e Çamërisë po terrorizohen, që të iknin e të zbrazej vendi për refugjatët grekë”. Në gusht të atij viti, Mid’hati i tërhiqte vëmëndjen kryediplomatit shqiptar në Tiranë, së në kryeqendrat e Çamërisë: Filat, Paramithi, Gumencië, Margëllic e Pargë, kishte nisur një propagandë në masë nga ana e grekëve, duke thënë ”Se shqipëria nuk i do Çamët”, duke sjellë si argument, kthimin e dy- tre familjeve Çame nga fshati Koskë i Filatit, që dogana shqiptare u kishte kërkuar një taksë të rëndë doganore për disa rrecka që kishin arritur t’i mernin me vete nga shtëpitë e tyre, e disa kokë bagëti që tentuan të kalonin kufirin shqiptar. Dogana ishte aq e lartë, saqë edhe sikur të gjitha t’i linin atje, nuk e përballonin dot. Kjo i detyroi ata që të ktheheshin pas, të dëshpëruar, me zemër të thyer, dhe me bashkëfshatarët e tjerë të hiqnin shpresat për të kaluar në territorin shqiptar, të cilin e kishin më afër, kishin gjuhë dhe zakone të njëjtë, dhe në të gjitha përpjekjet për cështjen kombëtare, kanë qenë përkrah njëri- tjetrit.

Mid’hati e ndiqte nga afër dramën Çame. Ai kontaktonte vazhdimisht me përfaqësues të Çamërisë, merrte informacione prej tyre dhe ishte në dijeni të plotë të dramës që përjetonin shqiptarët në Maqedoni dhe Çamëri. Edhe pse ishte i pakënaqur nga qeveria shqiptare, ai nuk nguronte t’i rekomandonte kryediplomatit shqiptar, në mars 1924, që qeveria shqiptare për instalimin e Çamëve, duhet të merte disa masa urgjente, sic ishin: ku dhe si do të vendoseshin familjet Çame të emigruara në Shqipëri?, Ç’ndihmë mund t’u ofrohej familjeve të emigruara? Si dhe të krijohej një komision qeveritar enkas për ceshtjen e të emigruarve, etj. Pra, i kërkohej Tiranës, që qeveria shqiptare të hapte dyert, dhe të mundësonte lehtësimin e vuajtjeve të asaj popullsie fatkeqe dhe se ishte detyrë e shtetit Shqiptar, të interesohej për bashkëkmbasit e vet.

Nga burimet dokumentare të kohës, bëhet mëse e ditur, se qeveria shqiptare për pritjen dhe instalimin e Çamëve, nuk mori asnjë masë administrative. Edhe një ligj dhe rregullore, që doli në qershor të 1923, për instalimin e Çamëve të emigruar, mbeti në letër deri në vitin 1931 që gjeti zbatimin e vet. Për pasoje e moskujdesjes së shtetit shqiptar për mosnteresimin e familjeve të emigruara shqiptare, që detyroheshin nga veprimet e dhunshme të shtetit grek, edhe ata Çamër që  hynë në teritorin shqiptar, nuk lejoheshin të instaloheshin në asnjë vend nga bejlerët. Pronarët e tokave i kërkonin administratës vendore shqiptare, sidomos në rrethet sarandë e Delvinë, kompensimin e cdo trualli që do të lëshonin për të emigruarit. Kjo bënte që administrate lokale të ngrinte supet përpara familjeve Çame që donin të instaloheshin, duke i thënë: pritni sa të bëhet reforma agrare.

Indiferentizmi i qeverisë së Zogut, ndaj familjeve Çame, që kërkonin strehë për të shpëtuar  nderin e jetën e familjeve te tyrë, u bë objekt i kritikave të ashpra në shtypn e kohës, dhe në diplomacinë shqiptare kundër indiferentizmit të qeverisë së Zogut.

Tone pakënaqësie ndaj qeverisë shqiptare i pari u shpreh Dr. Asaf Çami,  Kryetar i shoqërisë “Çamëria”, ndaj kryeministrit shqiptar Ahmet Zogut. Në një letër që mban datën 01 Shtator 1923, i drejtohej kryeministrit në Tiranë për veprimet neglizhente të saj ndaj cështjes Çame. Ku ndër të tjera i shkruante:

“Telegrami i paraqitur më 13 Gusht 1923, (drejtuar juve) mbi veprimet e Grekëve në Çamëri, fatkeqsisht mbeti pa përgjigje. Populli Çam pret veprimet dhe përcapjet e politikës të shtetit kombëtar dhe një rezultat të shpejtë.. “ Letra përfundonte me fjalët:

“Çrrënjimi i Çamëve sa i dëmshëm për popullin Çam politikisht, aq më tepër do të jetë edhe për shtetin shqiptar… presim me padurim energjinë fisnike dhe bujare të shtetit dhe të kombit tonë për të cilin jemi pjesëtarë në cdo sakrificë dhe deri tani kemi rrojtur me një shpresë dhe me një ideal..”

Dr. Asaf Çami.

Gazeta “Politika”, që dilte në Vlorë, nën drejtimin e Halim Xhelos, në Mars 1924 shkruante: “Qeveria e Zogut s’bëri asgjë për Çamët. Ministri i Jashtëm, ishte një patriot, por mjerisht i plakur dhe i vdekur”.

Në adresë të qeverisë shqiptare, dhe të MPJ në Tiranë, gjejnë shprehjen e vet dhe në raportin e Mid’hat Frashërit, që dërgonte nga Athina më 24 korrik 1924, ku ndër të tjera shkruante se: “Komisioni Mikst në Çamëri e Maqedoni, duhet të kishte nga një sekretarë, interpret  shqiptar. Shqiptarët, në Kostur e Follorinë janë therror të propagandës së keqe, propagandë e cila do të ishte thyer sikur të kishim një konsull shqiptar në Selanik.” Mid’hat Frashëri, nevojën e krijimit të Konsullatës shqiptare në Selanik, ia kishte kërkuar Tiranës 5 muaj përpara , në Mars të vitit 1924, në kundërpërgjigje të vendosjes së një Konsulli Grek në Vlorë. Konsullata shqiptare në Athinë, e kishte të vështirë për të marrë informacione për situatën e shqiptarëve në Kostur e Follorinë, për pasojë ajo popullsi shqiptare në ato kraahina, kishte mbetur në mëshirë të fatit, dhe larg interesimit të qeverisë shqiptare.

Gazeta “Demokratja”, Gjirokastër, 28 Prill 1928, shkruante: “Qeveria shqiptare, nuk merret aspak me shqiptarët përtej kufirit, ku grekët vazhdojnë barbaritë e tyre…” dhe shtronte pyetjen: “A nuk duhet edhe qeveria shqiptare të marrë masa reciproke?

Dhimitër Berati, antar i delegacionit shqiptar, në caktimin e kufinjëve, më 09 Tetor 1923, i shkruante MPJ në Tiranë: 50 familje Çame, kanë ardhur në Sarandë, dhe vuajnë për bukën e gojës.

Gazeta e Korçës, më 13 Mars 1926 shkruante: “Margëlliçi me 600 familje që kishte, kishin mbetur vetëm 30 familje. Karbunari, nga 400 familje që kishte, kishin mbetur vetëm 10- 15, pra kishte filluar një spastrim etnik në masë.

Gazeta “Dajti”, më 17 shtator 1924, informonte  opininonin shqiptar se: “ Grekët realizuan dëshirën e tyre për c’rrënjosjen e shqiptarëve. Athina përpiqet të kandisi Lidhjen e Kombeve se Çamët duan të emigrojnë në Turqi”.

Gazeta e Korçës, 13 Mars 1926, shkruante gjithashtu se: “Qeveria shqiptare bënte pak përpjekje për cështjen Çame”.. dhe më tej vazhdonte: “Detyra kryesore e çdo shteti është të mbrojë shtetasit e vet. Në këtë pikë, qeveria shqiptare nuk është përpjekur ashtu siç duhej.

Gazeta “Demokratja”, 11 Maj 1929 shkruante: “Kosova dhe Çamëria, vuajtën më shumë se cdo minoritet tjetër, le të na thotë qeveria ku bazohet arsyeja e heshtjes së saj mbi çështje me kaq rëndësi?

Gazeta “Vullneti”, më 13 Mars 1930 shkruante: “Instalimi i shqiptarëve të Çamërisë të shpërngulur me dhunë nga trojet e tyre, ishte detyra e qeverisë shqiptare t’i priste me krahë të hapur e t’u jepte gjithë përkujdesjet e duhura. Për instalimin e refugjatëve ishte një ligj dhe rregullore, që me 1923, për administrattën vendore, por edhe me të meta të mëdha nuk u vunë jetë në lehtësmin e sistemimin e refugjatëve.

Por jo vetëm shtypi, por edhe shumë personalitete të kohës, reaguan nga inidferentizmi i qeverisë së Zogut: Mid’hat Frashëri, Ministër i Shqipërisë në Athinë, i rekomandonte Tiranës, në vitin 1925 të demaskoheshin në tribunalin e Hagës 300 katunde të djegura nga Grekër më 1914, dhe shtonte më tej: “Të bënte dhe qeveria shqiptare ndaj grekofonëve në shqipëri, atë që bënte Greqia në Çamëri: T’u ndalohej votimi, të mos lejohej asnjë grekofon të dilte jashtë kufirit, të regjistroheshin pasuritë e grekofonëve. Vendimi i këtyre masavë, – shkruante Mid’hati, ishin për të mirën e çamëve, dhe një presion për qeverinë greke, për të ndaluar reprezaljet dhe spatrimin etnik të çamëve.

Mid’hat Frashëri, më 26 Janar 1926, me trishtim e zemër të thyer, i shkruante MPJ në Tiranë se: Në Janinë, atë vit, dergjeshin në burgje greke 104 veta nga paria e Çamërisë, të pafajshëm. Një telegram i dërguar MJ i Greqisë, Rufo, drejtuar Tiranës, mjaftoi vetëm kaq të liroheshin 5 të burgosur grekofonë fajtorë. Mid’hati e përfundonte letrën duke thënë: do të isha i lumtur që kundrejt lirimit të tyre, të ishin liruar edhe 104 Çamë të pafajshëm.  Fejzi Lepenica, Konsulli i shqipërisë në Janinë, më 14 Janar 1928, i drejtohej MPJ në Tiranë, ndër të tjera edhe për ceshtjen Çame: “qeveria shqiptare t’a shikojë me syrin e merituar cështjen Çame.. tirana të zgjohet nga gjumi letargjik e të shkundet.

Musa Demi, një personalitet i shquar, përfaqësues i Çamërisë, më 14 qershor 1926,  i dërgoi një letër proteste Konsullatës Shqiptare në Athinë, ku theksohej se: “Qeveria shqiptare nuk interesohej për t’a shpëtuar popullsinë Çame nga vuajtjet”

Në këto rrethana, e vetmja rrugë shpëtimi për çamët, ishte emigrimi në Turqi. Një vend i huaj, që nuk njihnin as vendin, as gjuhën, as zakonet, megjithatë ata shihnin te Konsullata Turke në Athinë, dhe tek përfaqësuesi Turk në komisionin Miks, një ndjenjë të ngrohtë dhe një dëshirë të madhe për t’a shpëtuar atë popullsi fatkeqe nga vuajtjet c’njerezore të grekëve.

EMIGRIMET E SHQIPTARËVE NË TURQI

Emigrimi i shqiptarëve në Turqi, deri sot nuk është trajtuar në historiografinë shqiptare, as për numrin e popullsisë që u vendosën aty, as edhe për numrin e pakët të familjeve Çame që kaluan në shtetin amë. Aty këtu, kemi ndonjë të dhënë të përgjithshme: burimet shqiptare të viteve ‘20-’30 të shekullit të kaluar, publikojnë se nga komunat e Follorinës e të Kosturit, emigruan në Anadoll rreth 30000 vetë, ndërsa nga Janina, Parga e Preveza rreth 20-25 mijë vetë. Pra, nga të dhënat e mësipërme emigruan gjithsej rreth 55000 vetë. Xhemal Frashëri, Konsulli shqiptar në Janinë, më 25 dhjetor 1936, ndër të tjera i raportonte Tiranës se: nga nënprefektura e Margëllicit kishin ikur në Turqi 3784 vetë.

Në një botim të ditëve tona, publikohen të dhëna jo të vërteta për emigrimet e shqiptarëve të Çamërisë në Turqi, ku shkruhet: “Në vitet 1920-1926 gjatë shpërnguljes me dhunë u dërguan me forcë në Turqi 55000 shqiptarë myslimanë të Epirit( Çamëri)…” Ky autor, për mendimin ka një mungesë informacioni të plotë lidhur me këtë statistikë, sepse popullsia e Çamërisë në këto vite, sipas burimeve vendase dhe të huaja, të paanshëm, ishte 50000 vetë. Për sa thamë, nuk ka nevojë për komënte të mëtejshme.

Megjithëse qeveria turke, nëpërmjet përfaqësuesit të saj, ishte e angazhuar në Konferencën e Lozanës se nuk do të pranonte asnjë mysliman shqiptar, në kuadrin e marrëveshjes së shkëmbimit të popullsisë greko- turke. Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme Turke, u kishte lëshuar qarkore të gjithë vilajeteve, ku u bënte të ditur se autoritetet turke ishin kundër ardhjes në Turqi të popullsisë myslimane shqiptare që jetonin në greqi.

Ankaraja,nga burimet e veta konsullore, që kishte në Greqi, si edhe nga anëtari turk në Komisionin Mikst, merrte informacione trishtuese. Ata  i raportonin MPJ në Turqi se:

“Ditë për ditë (konsullata dhe antari i Komisionit Mikst), merrte lutje, prej shumë shqiptarëve të Çamërisë,të cilët për të shpëtuar njëherë e përgjithmonë nga torturat njerëzore të greqisë, kërkonin të largoheshin e të shkonin në Azinë e Vogël.”

Popullsia e Çamëerisë, përjetonte në këtë kohë nga qveria greke, të njëjtat masa c’njerëzore, që kishte hequr popullsia e Izmirit nga Grekët, siç e përshkruan historiani Dagobart Von Miksch:

“… në të gjithë fshatrat e qytetet, burrat iknin para se të mbërrnin grekët.

Një popullsi e tërë shpërngulej. Turqit linin pas shtëpitë e tyre e shkonin drejt fundit te Azise… në fytyrat e tyre lexohej një dhimbje e thellë.

Ata kishin humbur cdo shpresë..”

Në gjendjen dramatike që kalonte popullsia shqiptare në Greqi dhe Maqedoni, qeveria e Qemal Ataturkut, nuk mund të qëndronte indiferente, ndaj minoriteteve që shuheshin nga politika e egër greke, që kishte urrejtje ndaj popujve që nuk kishin  të njëjtën fed he kombësi me ata. Turqia, e sapo dalë nga një luftë e përgjakshme, dhe vendi ishte në vështirësi të mëdha dhe i pamëkëmbur nga periudha shkatërrimtare e luftërave të jashtme dhe civile, hapi dritën jeshile për t’u hapur portat pakicave shqiptare në Çamëri dhe Maqedoni.

Personeli i konsullatës turke në Athinë, bashkë me antarin turk të komisionit, lëviznin nëpër skelat e greqisë, në Pargë, në Selanik, në Patra etj për të ndihmuar familjet shqiptare që priti me javë të tëra të mernin vizat për Turqi.

Nga burimet e kohës mësojmë se, antari i Komisionit Mikst jovetëm që iu plotësonte vizat për të lëvizur, por  një kategorie familjesh Çame e Maqedonase që nuk ishin në gjendje ekonomike të përballonin udhëtimin , iu jepte të holla për udhëtim drejt Azisë së Vogël, një rajon i gjerë sa Franca dhe Gjermania sëbashku.

Kjo temë do të pasohet me emigrimet e Çamëve në Turqi, sipas të dhënave që mblodha para disa kohësh me Çamët në Turqi.

Shperndaje ne
Updated: 26 Mars, 2017 — 10:49

The Author

Hajredin Isufi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.