Është e kontestueshme çështja se a është Eagari babai i Orfeut.

 

Shkruan Zymer MEHANI

Orfeu ka qenë aq artist i madh, sa që babai i tij, sipas mendimit të autorëve antikë, është dashur të jetë vetëm Apolloni. Kush ka qenë i ati i tij, ka ditur vetëm e ëma e tij, muza Kaliopa. Vëllai i Orfeut (dhe mësuesi) kinëse ishte Lini, këngëtar dhe muzikant. Mirëpo, si nënë e tij më së shpeshti përmendet muza Urania, ndërsa i ati i tij, zoti Apollon.

ORFEU (greq. Orfeus, lat. Orfeus)- i biri i zotit Apollon ose i Eagarit, zotit të ujit dhe muzës Kaliopa, këngëtari dhe muzikanti më i madh i miteve greke.
Ka qenë artist i mrekullueshëm: kur tingëllonte lira e tij dhe këndonte ai, bishat vinin tek ai nga pyjet, shpendët zbritnin, lisat dhe shkëmbinjtë lëviznin që të jenë sa më afër-ujku rrinte pranë qengjit dhe i emocionuar e dëgjonte, plepi i egër nuk e lëvizte asnjë gjeth,, madje as platani gjembplot[ nuk e lëshonte hijen në lulën e fushës- në natyrë zotëronte harmonia dhe paqja e përsosur.
Njësoj sikurse me artin e vet Orfeu u bë i famshëm me dashurinë ndaj gruas së re, Euridikës. Mirëpo, fati nuk ishte në anën e tij që me të të jetojë në lumturi. Duke mbledhur lule Euridika shkeli gjarprin helmues dhe, kur Orfeu vrapoi, pasi që e dëgjoi britmën e saj, ajo tanimë ishte e vdekur. E kaploi pikëllimi i thellë që u shndërrua në dëshpërim dhe pastaj në një vendim që ta kryejë veprën për të cilën asnjëri prej vdekatarëve nuk ka pasur guxim: vendosi që të shkojë në botën nëntokësore dhe ta kërkojë gruan e vet prej Hadit, zotit të zymtë. Me mrekullitë e muzikës së vet Orfeu e zbuti zemrën e Karonit plak dhe ai, në anijen e vet, e çon përtej Stiksit, lumë në botën nëntokësore. Atëherë, Orfeu u gjet para Hadit dhe gruas së tij, Perzefonës. Pasi para tyre e këndoi këngën për dashurinë e vet ndaj Euridikës, i luti që t’ia kthejnë në emër të dashurisë së vet: prej tyre nuk kërkon kurrfarë dhurate, por vetëm huanë e thjeshtë, për arsye se edhe ashtu sërish do ta fitojnë mbrapa, kur do ta kryejë jetën e vet tokësore. Dhe poqese nuk do t’ia japin, i luti për hirin tjetër: le ta marrin atë në perandorinë e tyre, ku do të mund të jetojë pranë hijes së saj.
Kënga e orfeut e ka tronditur tërë botën nëntokësore: Tantali harroi etjen dhe urinë e vet, Sizifi e ndali rrotullimin e gurit të vet, rrota e Iksionit u ndal, për më tepër edhe në sytë e Erinieve të pamëshirshme xixëlluan lotët.Kur Hadi pa se edhe Perzefona, gruaja e tij ia plasi vajit, premtoi se do t’ia plotësojë lutjen vetëm me një kusht: kur zoti Hermes do ta çojë prapa nga perandoria nëntokësore do të shkojë pas tij rrugëve e rrugicave dhe se nuk do ta shikojë Euridikën , e cila do të ecë mbrapa derisa të mos arrijnë në botën e sipërme.
Oefeu i entuziazmuar, e pranoi kushtin e Hadit dhe, gjatë tërë rrugës së gjatë dhe të mundimshme, e përmbante veten. Mu para hyrjes në greminën e Tainarit , pas së cilës tanimë shtrihej perandoria e të gjallëve, Orfeun e tradhtuan nervat. E ktheu kokën kah Euridika mos, vallë, ka bredhur ose është molisur nga uria: por atëherë e pa vetëm hijen, e cila zhdukej në largësi. Kështu e shkaktoi vdekjen e saj të dytë.
Më kot përpiqej Orfeu të shkoi në perandorinë e të vdekurve. Karoni i pamëshirshëm nuk donte më ta dërgojë në bregun tjetër të Stiksit dhe vajtonte, lutte dhe qante, por e tërë kjo ishte e kotë. Në pendimin e thellë u kthye pastaj brigjeve të lumit Hebra në Trakinë e vet, ku edhe u lind.
Me Euridikën Orfeu ndeshet pas katër vjetëve , kur qe i detyruar që të përfundojë jetën e vet të mundimshme. U vra nga duart e grave trakase, të cilat e akuzonin për arsye se u ikte grave. Njëherë, me rastin e kremteve të Bakkhut, e panë në lendinë nën shkëmbinjtë e Rodopeve dhe të dehura filluan të hudhin gurë në të. Të tërbuara, që gurët, të prekur nga kënga e Orfeut, ndaleshin në hapësirë, u hodhën në të si tufë shpendësh rrëmbyes , e shkyen dhe kokën e lirën e tij e hodhën në dallgët e Hebrit. E tërë natyra u rrëqeth nga ky krim dhe u mbështoll në pikëllim. Madje dhe shkëmbinjtë ia plasën vajit dhe nga lotët e tyre u rritën lumenjtë. Dhe kur afrohej përvjetori i vdekjes së Orfeut, natyra sërish pikëllohej-por më së shumti qajnë shkëmbinjtë e Rodopeve dhe lotët e tyre sot e kësaj dite derdhen në lumin Hebros (Marica).
Tregimi i prekshëm për dashurinë dhe vdekjen e tij tragjike që nga kohërat më të lashta i ka tërhequr artistët e të gjitha degëve të artit. Lexuesit të sotëm Orfeun ia kanë afruar me përpunimin e fatit të tij Virgjili (në “Georgikat”), Ovidi (në “Metamorfozat”). Pamjet nga ky mit janë ruajtur nga antika në mëse 60 piktura në vaza. Mëse 40 e paraqesin “Orfeun që e sulmonin gratë trakase”, dymbëdhjetë “Orfeun që këndon” (më e vjetra, me siguri nga fillimi i shek.IV para erës sonë (dhe sot gjendet në Villa Gjulia në Romë), pesë “Orfeu në nëntokë”. Prej relieveve antike më i njohuri është “Hermesi, Orfeu dhe Euridika”i Alkmeonit rreth vitit 420 p.e.s., i cili e stoliste eterin e zotërove olimpikë në Agorën e athinasve. Mirëpo, sot e dimë vetëm nga kopja romake (dhe gjendet në Muzeun Popullor në Napoli dhe Villa Albana në Romë). Orfeu ka qenë aq i dashur saqë piktura me pamjen e tij gjendet madje dhe në katakombet e krishtera, p.sh., piktura murale “Krishti orfeu me bishët” në katakomben romake të Domitilianit, nga mbarimi i shek.III p.e.s. në Muzeun Popullor në Palermo), pastaj “Orfeu në mesin e bishave”, nga fshati Gllamnik afër Podujevës (Vindenisi antik) nga shek.II-II të erës sonë, në mesin e tyre edh ekzemplarët nga antika tejet e vonë (p.sh., “Orfeu në mesin e bishave” nga shek.VI i erës sonë nga Jerusalemi, që sot gjendet në Muzeun Arkeologjik në Stamboll), pastaj “Orfeu i cili i bie lirës”, i zbuluar në qytetin antik Pafos në Qipro, nga koha romake.
Nga veprat e piktorëve të kohës së re të frymëzuar me mitin për Orfeun më të njohurat janë “Orfeu dhe Euridika” e Nicolas Poussinit, “Instrumenti i Orfeut”i R. Saveryut (nga fillimi i shek.XVII, sot gjendet në Galerinë Kombëtare në Pragë), “Orfeu e merr Euridikën” e Anselm Feuerbachut, për nga koha 1867, “Dëshpërimi i Orfeut” dhe piktura të tjera me motive orfeike të Jozef Shimës, në të shumtën sot në koleksionet e Parisit. Prej veprave skulpturale po i përmendim “Orfeun” e Anton Kanovës, rreth vitit 1800, sot gjendet në Ermitazhin e Leningradit, “Orfeun e madh prej bronze” dhe Orfeun me Euridikën të Ogyst Rodenit, dhe gjendet në Muzeun e Rodinit dhe në Muzeun Metropolitan në Nju Jork. Në mesin e më të rinjve prej tyre është “Orfeu” i Osip Zadkinit, (nga viti 1948, sot gjendet në Muzeun e Artit modern në PARIS).
Popullaritetin më të madh, kuptohet, Orfeu e ka gëzuar dhe e gëzon në mesin e mjeshtërve të muzikës serioze, ashtu edhe asaj të lehtë. Operën “Orfeu” e kompozoi, në vitin 1607 Klaudio Monteverdi. Kristof Vilibald Gluka e krijoi më 1762 “Orfeun dhe Euridikën”, njërën nga veprat më të mëdha të krijimtarisë operistike botërore. Fanc Listi e kompozoi “Orfeun”, këngën simfonike, 1854. Më se 100 vjet jeton në skenë “Orfeu në botën nëntokësore” opereta klasike Zhak Ofenbahut e vitit 1858. Në mesin e veprave më të reja që e përpunojnë këtë temë është “Orfeu”, balet i Igor Stravinskit, 1947, pastaj “Orfeu dhe Rodopa”, poemë simfonike e Cvetan Cvetanovit dhe “Koncerti i Orfeut” i Pjer Ferandit, në vitin 1953.
Orfeut i kthehen në mënyrë të pareshtur edhe poetët dhe dramaturgët, duke filluar prej Angjelo Ambrogjinit, në shek. XV (“Tregimi për Orfeun” që është drama e parë italiane me tematikë laike) e deri te Rainer Maria Rilke (“Sonetët për Orfeun”, 1923) dhe i Zhan Kokto, drama “Orfeu”, 1924, që assesi nuk është e fundit.
LITERATURA:
Vojtech Zamarovsky “Heronjtë e miteve antike”, Rilindja, Prishtinë, 1985

Shperndaje ne
Updated: 13 Gusht, 2018 — 18:40

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.