INFORMIMI REAL, KUSHT PËR PËRGËNJESHTRIMIN E MASHTRIMEVE

5.-  INFORMIMI REAL, KUSHT  

PËR PËRGËNJESHTRIMIN E MASHTRIMEVE 

Gjithkush që është i drejtë dhe indershëm, por që i mungon informacioni, duke lexuar disa nga padrejtësitë e shumta dhe të paimagjinueshme ndaj një komuniteti, si ky i banorëve myslimanë të Çamërisë, në vetvete arrin të krijojë edhe dyshime nëse janë bërë vërtet këto padrejtësi që thuhen, apo ndofta ata banorë me sjelljet e tyre e kanë merituar atë kundërveprim? 

Sqarimin e këtyre mëdyshjeve, që mund të lindin tek njerëzit intelektualë ose jo, por të paanshëm, të drejtë dhe njerëzor, do të citoj disa nga kujtimet e ish presidentit dhe kryeministrit Grek të vitit 1926, Gjeneralit Theodhor Pangallos, botuar në gazetën “Akropolis të Athinës, gazeta më e vjetër greke, ku ai e ka mbrojtur me krenari kombin shqiptar. 

”Paparigopulos (historian i madh grek), shkruan Pangallos: ”…nga të gjitha kombësitë që janë në Greqi, përzierja me gjakun shqiptar prodhoi racën më të shkëlqyer. ”Hidriotët, Speciotët, Miauli, Sahturi dhe mijra luftëtarë që më 1821 deri sot vërtetojnë mendimin e Paparigopullojt. Nuk jam pra armik i Shqipërisë, përkundrazi e simpatizoj popullin shqiptar, i cili në shumicën dërmuese nuk është përgjegjës për pabesinë kundër Greqisë.  

Menjëherë sapo erdha në fuqi në Qershor 1926, u ndodha para një keqësimi të vërtet në marrëdhënjet me Shqipërinë, për shkak të problemit të Çamërisë. Përfaqësonjësi i Shqipërisë duke prezantuar në zyrën politike, më lajmëroi se autoritetet greke e përzunë e në kundërshtim me traktatet shpërngulën popullatën shqiptare të asaj krahine, duke e përcjellë në anën e detit, në Azinë e Vogël, dhe se protestave të tij u jepet përgjigja se, këta turko-shqiptarë përmblidhen në marrëveshjen për shkëmbimin me popullatën greke në Turqi.  

Kërkova shkresat përkatëse dhe u binda se interpretimi i Ministrisë nuk kishte bazë, pasi në traktatin e Lozanit shpreheshin qartës se, muhamedanët e Epirit konsideroheshin si minoritet dhe nuk përfshiheshin në shkëmbim, si turqit e Thrakës, etj. Për sqarime më të plota të çështjes, i telefonova ministrit tonë në Londër, të ndierit Kaklamano, që kishte përfaqësuar Greqinë në redaktimin e traktatit. Ky u përgjegj pa hezituar se muhamedët e Epirit nuk hyjnë në shkëmbimin dhe se mendimi i ministrisë nuk ishte i drejtë. Thirra menjëherë drejtorin e përgjithshëm kompetent, i cili më tha këto fjalë habitëse: ”Parimisht kanë të drejtë, por për arsye nevoje dhe qëllimi, urdhërova shpërnguljen e shqiptarëve për të boshatisur katundet dhe vendosjen në to të refugjatëve tanë nga turqia, nuk vlen të humbasim kohën për pesë gjashtë mijë shqiptarë Zoti Kryetar!”. Mezi u mbajta pa e flakur jashtë me shkelma diplomatin monokëlmbajtës.  

            Njëkohësisht sipas raporteve policore një dramë e vërtet kryhej në Epir, pasi katundarët me të qara shkëputeshin prej vatrave të tyre ku ishin lindur dhe jetonin prej shekujsh dhe ngarkoheshin në anijet për tu dërguar në Azinë e Vogël. U dhash urdhëra të shkarkoheshin dhe të ktheheshin të lirë në katundet e tyre. Shqiptarët si çdo racë e vjetër dhe e prapambetur kanë vese, por kanë edhe disa virtyte të zgjedhura. Ngjarja e sipërme ka qenë shkaku kryesor i vendosjes së marrëdhënjeve të përzemërta, (midis dy shteteve) të cilat u zhvilluan gati deri në arritjen e themelimit të një federate të ardhshme siç do shohim”. “… Zgjuarsia e mprehtë e Venizellos e kishte kuptuar… kur thoshte që duhet me çdo sakrificë që çështja e Epirit të rregullohet miqësisht dhe të vendosen me Shqipërinë marrëdhënjet më të përzemërta……”.  

“Është fakt i pakundërshtueshëm për shumë arsye, se po të zbatohej një politikë e urtë dhe e qëndrueshme në çështjen e Shqipërisë, do të ishte e mundur që në vend të armiqësisë, do të ishte më e mira, më e vlefshmja dhe e vetmja mike besnike e Greqisë në Ballkan. Si racë shqiptarët nuk janë as tartaro-mongolë, as sllavë, por Ilirë, stërnipër të pellazgëve. Janë historikisht të provuar, pasojë-racë motër me racat e vjetra që zbritën nga veriu dhe përbënë banorët e parë të Heladhës. Nuk kanë asgjë të përbashkët me Italianët, serbët, bullgarët, kurse me popullin helen lidhen ngusht në gjak, trashëgime dhe zakone”.  

Këto ishin qendrimet dhe konsideratat e ish Presidentit dhe ish Kryeministrit të Greqisë në vitin 1926. 

  •                                                ●● 

Megjithë premtimet e palës greke se popullsia arvanite dhe çame nuk do të prekej nga Marrëveshja e Lausanne-s dhe shqiptarët myslimanë nuk do të quheshin popullsi turke, shteti Grek me një dekret përvetësoi pronat e shqiptarëve myslimanë dhe jozyrtarisht i trajtoi si popullsi shkëmbyese, ashtu siç e parashihte Marrëveshja e Lausanne-s për turqit e Greqisë. Qendrimet e Greqisë ishin premtime bosh, sepse edhe në vitet në vijim vazhdoi shpronësimi i çamëve. Ministri i atëhershëm i punëve të jashtme i Britanisë së Madhe George N. Curzon e kishte quajur Marrëveshjen e Lausanne-s  “një zgjidhje fund e krye të keqe dhe qëllimkeqe, për të cilën bota gjatë njëqind vjetëve të ardhshme do të paguaj një tagër të lartë”.  

Traktati i Lozanës i vitit 1923 i u dha grekëve mundësinë për t’i realizuar objektivat që i kishin dhënë vetes me shkëmbimin e popullsive, të largonin pjesën më të rëndësishme të popullsisë shqiptare kompakte të Çamërisë për të siguruar “homogjenitetin e tyre etnik”.  

                Historiani i Evropës Juglindore Konrad Clewing, shqiptarët e Greqisë i veçonte në tre grupe: 

  • – Në grupin e parë përfshinte arvanitët, të cilët nga shekulli XIII-të deri në shekullin e XV-të, me ftesë të sundimtarëve lokalë, u vendosën në më shumë se 300 vendbanime në Greqinë jugore, siç janë Atika (rrethina e Athinës), ishujt e Egjeut (si Hidra) dhe në Peloponez. Banorët e këtyre zonave e quanin veten arbërorë, ndërsa gjuhën që e flisnin – arbërisht. Me kalimin e shekujve ata kanë përvetësuar emërtimin grek arvanitika. Asimilimi gjuhësor i arvanitëve është intensifikuar sidomos me urbanizimin e Greqisë. Tashmë në qytete ata i janë përshtatur shumicës greke. 
  • – Në grupin e dytë, përfshin banorët e disa lokaliteteve në zonën kufitare greko-bullgaro-turke. Clewing shkruan se këta shqiptarë janë pjesë e mbetur pas shkëmbimit të popullsive mes Greqisë dhe Turqisë në vitet 1922/1923, pra në prag dhe pas Marrëveshjes së Lausanne-s.
  • – Në grupin e tretë të shqiptarëve në Greqi, përfshin çamët (tsamides), të cilët jetojnë në jugperëndim të Epirit, në kufi me Shqipërinë.

Njohja e këtij realiteti, i cili ekziston dhe sot, kërkon domosdoshmërinë e zgjimit të ndërgjegjsimit, jo vetëm të shqiptarëve të këtyre  tre grupimeve, por në tërë farë e fisin e shqiptarizmës kudo gjenden. Është koha e zgjimit dhe unifikimit të kombit shqiptar, prej së cilës vjen e sigurtë paqja dhe bashkëpunimi ndër popujt e Ballkanit. 

 

6.- DETYRIM KUSHTETUES, 

MBROJTJA E BASHKËKOMBASVE SHQIPTAR. 

Shteti Shqiptar për të mbrojtur bashkëkombasit e etnisë shqiptare, e ka detyrim kushtetues. Citojmë Nenin 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë:  

  1. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.
  2. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë  me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet.
  3. Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare.

Detyrimi i shtetit Shqiptar për të mbrojtur të drejtat e pakicave etnike shqiptare në shtetet e tjera, nuk është detyrim i sotëm, as i këtij fillim shekulli, por siç e trajtuam edhe më lart është një detyrim që ka lindur që nga viti 1913, me lënien jashtë kufirit të shtetit Shqiptar si territoret dhe banorët me etni shqiptare në trojet e tyre autoktone. Në ditët tona këto detyrime janë të sanksionuara jo vetëm me Kushtetutat e çdo shteti, por dhe me Konventat dhe Ligjet themelore Ndërkombëtare. Çdo dyshim apo këndvështrim tjetër shpie në tradhëti ndaj kombit dhe tregon inferioritet të ulët tek strukturat shtetërore dhe personalitetet përkatëse. 

Me qënëse po afrojnë zgjedhjet vendore dhe partive politike u a ka ënda disa poste pushtetesh, fillojnë e na nxjerin  “kumbulla”, bile të tharta, duke dalë hapur kundër vetvetes po se po, por dhe kundër institucioneve që kanë detyrime kushtetuesse. 

Mbrojtja e territorit, e sovranitetit dhe e bashkombasve të një vendi bëhet nga shteti përkatës. Shteti përbëhet strukturalisht nga institucionet e përcaktuara kushtetuese, me të drejta dhe detyra të shprehura qartë. Në rastin tonë, të shqiptarëve çamë të Çamërisë, institucioni kushtetues që mbron të drejtat e bashkëkombësve të tij është Qeveria Shqiptare.  

Mirëpo, një zë i panevojshëm, i palogjikshëm, i pa konceptuar dëgjohet të thërrasë në një nga strukturat e partisë humbëse, jo vetëm në zgjedhjet parlamentare, por dhe tek militantët e saj, si efekt i dobësive të thella në keq menaxhimin politik dhe social të atij grupimit politik. 

Është në karakterin, parimet dhe statutet përkatëse të ç’fardo partie të hyjë e të ç’hyjë në cilindo koalicion partiak, por nuk ka aspak të drejta të ligjshme të ndërhyjë në punët e çdo institucioni shtetëror për ta penguar në plotësimin e detyrave kushtetuese. Çdo parti ka kufij të caktuar ligjor për të drejta dhe detyra dhe kur ndonjë grup partiak kërkon të dalë mbi kompetencat e saj ligjore dhe akoma më shumë ti atribuojë vetes ngarkesa që nuk i takojnë, logjikisht ai grup politik, i vetmbivlerësuar është i destinuar të vazhdojë të jetë dështak, humbës dhe vetë koha e nxjerr jashtë loje!.  

Ndaj këtyre qendrimeve aspak të ligjshme dhe morale, kërkohet shumë kujdes që institucionet kushtetuese, në rastin tonë Qeveria Shqiptare, të mos bjerë pré e këtyre thënieve, vërtet acaruese dhe të ndal vijimin e negociatave, duke i nënvleftësuar me neveri këto pengesa dhe ndërhyrje të padrejta, por të vazhdojë plotësimin e detyrat për të qaetësuar dhe zgjidhur problemet si brenda vendit dhe me shtetet fqinje. 

Askush nuk i autorizon kryetarët e ç’farëdo partie qoftë, të  marrin përsipër të vetpushtojnë dhe akoma më shumë të deklarohen se ata janë primarë të dhënies besim ose jo për zgjidhje të çështjeve të mëdha kombëtare dhe sidomos këto qendrime pikërisht ndaj institucionit përkatës kushtetues (Qeverisë Shqiptare). Qendrime të tilla, nuk mund të trajtohet si naive, por ato tregojnë mbivlerësim dhe demagogji politike në prag të zgjedhjeve për ndonjë stol apo karrige në parlamentin qendror apo vendor.  

Zgjedhësit tashmë i kuptojnë këto “pelivanllëqe” dhe nuk ka pse të rimashtrohen nga propaganda elektorale se gjoja ky apo ai grup politik na qenka shpëtimtar i këtij apo atij problemi që ligjërisht nuk i përket. Është theksuar disa herë se Partitë politike për zgjidhjen e problemeve kombëtare kanë të drejtë të ngrejë zërin e sensibilizimit dhe të bëjnë opozitë të fortë që, qeveritë të merren seriozisht me zgjidhjen e problemeve. 

Gjatë këtyre ditëve në shtypin e ditës (onlain) flitet se një parti politike, deri tash në  koalicion me PS-në, po përgaditet për tu bashkuar sërish në koalicion me Partinë Demokratike, me arësyetimin se: “…..Pasi mendova dhe besova se do e çonim para kauzën tonë me këtë maxhorancë”. Gjithashtu drejtuesi i asaj partie paska deklaruar edhe se: “….gaboi që i besoi Ramës dhe qeverisë së majtë zgjidhjen e çështjes Çame”. U arrit deri edhe atje sa qeveria u akuzua se paska tradhëtuar “Çështjen Çame”, etj. Ndaj këtij qendrimi, mendoj se duhet të poziciohemi, mbasi disa nga mendimet e hedhura lindin debate përsa i përket kornizave ligjore Kushtetuese dhe konkretisht:  

A.- U citua në fillim se detyra e drejtëpërdrejtë për mbrojtjen e bashkëkombasve është e Qeverive të secilit shtet. Ndërsa duke i u referuar Nenit 9 të Kushtetutës, ku trajtohen Partitë politike thuhet:  

  1. “Partitë politike krijohen lirisht. Organizimi i tyre duhet të përputhet me parimet demokratike”. 
  2. “Partitë politike dhe organizatat e tjera, programet dhe veprimtaria e të cilave mbështeten në metoda totalitariste, që nxitin e përkrahin urrejtjen racore, fetare, krahinore ose etnike, që përdorin dhunën për marrjen e pushtetit ose për të ndikuar në politikën shtetërore, si edhe ato me karakter të fshehtë janë të ndaluara sipas ligjit”.

Me citimin e këtij neni kushtetues kuptohen qartë që partitë politike nuk kanë të drejtë të nxisin apo të përkrahin kundërshti të ndryshme, apo të ndikojnë në politikën shtetërore, kur institucionet shtetërore kryejnë detyrat kushtetuese. Partitë politike kanë përfaqësuesit e tyre në Kuvend, të siguruar nga zgjedhjet paelamentare, të cilët ndikojnë me aftësitë e tyre cilësore dhe sasiore.  

B.- “Çështja Çame”, tashmë është kuptuar nga i madh e i vogël, pushtetar ose jo, se nuk është çështje që i takon një komuniteti të caktuar, por është dhe trajtohet si çështje kombëtare e shtetit Shqiptar, dhe për nga rëndësia e zbatimit të Konventave e Ligjeve Ndërkombëtare, ajo është çështje tepër e ndjeshme dhe që detyron në zgjidhje Institucionet Ndërkombëtare.  

C.- Është jashtë normave ligjore, etike dhe morale që “Çështja Çame” të trajtohet si problem që i takon një partie dhe akoma më e pakuptimtë që çështja shtrohet si pronë partish, duke lëvizur, sipas interesave vetiake, sa nga e majta apo nga e djathta, kur përballë kombit dhe problemeve të tij ka vetëm shtet dhe zbatim të Kushtetutës. 

Në demokraci, ndryshe nga rendet politike të tjera, për gabimet që kryhen dhe vërtetohen, vepron institucioni i “dorëheqjes pa kushte”. Veprim i cili duhej të ishte zbatuar menjëherë mbas zgjedhjeve të shkuara parlamentare, dhe në rast mos bindjeje, struktura përkatse e Partisë ishte në të drejtën legjitime për marrjen e masës së përjashtimit nga radhët e saj. 

Mos zbatimi i këtij kriteri dhe akoma më keq mos pranimi i humbjes (me argumentet bajate të vjedhjeve të votave dhe ndërhyrjeve nga jashtë), që çuan në daljen nga parlamenti të partisë që historikisht ka lëvizur sa djathtas-majtas dhe anasjelltas, ka ndikuar negativisht në seriozitetin dhe në vonesat prej disa vitesh të problemit të “Çështjes Çame” për ndëshkimin e shkaktarëve të gjenocidit ndaj tyre.  

Kuptohen qartë se zërat që fillojnë të “kakarisin” sapo afrohen zggedhjet, janë tingujt e këmbanave për të filluar nga puna  e llogarive për vende pune në pushtet dhe që aspak nuk i shërbejnë kauzës kombëtare. Elektorati shqiptar (përfshi dhe nënshtetasit shqiptarë të farës çame) i ka tejkaluar këto zëra, bile sa më të forta të jenë zërat dhe  këmbanat, aq me foshnjore dhe qesharake ndjehen tek reflektimi para kutive të votimit. 

  Ndërsa të shprehurit se dikush qenka “gabuar që i besoi Kryeministrit dhe maxhorancës zgjidhjen e kësaj çështjeje”, qoftë dhe si e shprehur politikisht, është një shkarje nga realiteti, tregon mosnjohje të akteve ligjore dhe, ndofta pa dashje kalon në mbivlerësime individuale, duke krijuar kult individi, ose siç njihet në praktikën tonë të kaluar politike na shfaqet ”Uni”. 

Gjithshka dhe gjithkush që ndjen përgjegjësi dhe që i ndërgjegjshëm merr përsipër rolin e udhëheqësit, apo të drejtuesit, e ka detyrim ligjor, etik dhe moral të mbrohet nga përfshirja në konflikt interesi.  Të sigurojë dhe të plotësojë me çdo kusht devotshmërinë në kryerjen e detyrave të caktuara nga Kushtetuta dhe Ligjet shtetërore dhe sipas rastit edhe ato Ndërkombëtare. 

Itali, më 13 shator 2018.-   Studjuesit i pavarur: Fahri Dahri

Shperndaje ne
Updated: 16 Shtator, 2018 — 18:53

The Author

Fahri Dahri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.