FISI PELLAZG – ÇAM I ÇAMËRISË ETNI SHQIPTARE

FISI PELLAZG – ÇAM I ÇAMËRISË 

ETNI SHQIPTARE 

ME MBROJTJE KUSHTETUESE NGA SHTETI SHQIPTAR 

Shtjellimi i kësaj teme, merr shkas nga dy pyetje të lindura me rastin e negociatave qeveritare mes shtetit Shqiptar dhe atij Grek. Edhe për intelektualët seriozë, të pavarur dhe objektivë nuk është e thënë të kenë informim të plotë dhe të saktë për ngjarjet historike, gjografike apo për zhvillimet me zbritje e ngritje të problemeve ekonomiko-sociale, politike dhe etno-fetare të degëzimeve etnike brenda kombit shqiptar.  

Dy-tre degëzime, farë e fis pellazgjik, rrjedhat historike, sidomos nga viti 1913, i kanë “kafazuar” me etni dhe raca të tjera, jashtë rrënjëve të tyre, pavarësisht faktit se këto degë të shpërndara nga trungu me taban jo vetëm lashtësinë historike, por dhe banorët e parë ndër më të parët në Gadishullin e Ballkanit.  

Çamërinë, Kosovën, Iliriadën, farë e fise pellazgjike, shpata e rëndë historike me brutalitet i ndau nga Shqipëria dhe i detyroi të gjallojnë në vendet e tyre autoktone, por nën “thundrën” e egër, të pamëshirshme etno-fetare të shteteve ekspansioniste të besimit ortodoks.  

Anashkalojmë historinë dhe ndalemi tek fakti që, Qeveria e shtetit Shqiptar dhe  ajo e shtetit Grek, ndërmorën nismën për të zhvilluar bisedime për zgjidhjen e problemeve të ndodhura mes tyre gjatë këtyre 100 viteve. Predispozicion tepër pozitiv, i pritur prej dekadash për zgjidhjen dhe krijimin e marrëdhënieve miqësore, bashkëpunuese dhe mirëkomshillëk mes dy vendeve. Një ndërmarrje e shumë pritur shekullore, nuk mund të mos prekte plagën më të thellë të krijuar gjatë shekullit XX, ku shteti Grek, i lejmonisur edhe nga Fuqitë e Mëdha dhe i ndihmuar nga misionerët  “Aleatë”, nga viti 1913 deri në vitin 1945, përdori gjithë mjetet e dhunës; i trajtoi si banorë të padëshirueshëm; bëri maksimumin e përpjekjeve për ti ç’identifikuar; i shpronësoi me dekrete të veçanta dhe ua mori pronat gjoja me reforma agrare; i vrau dhe i dëboi dhunshëm të gjithë banorët e komunitetit çam mysliman të etnisë shqiptare.  

Negociatat filluan nga puna. Interesimi mediatik në një nivel të lartë, po ashtu interesimi ndërpopullor (shqiptar dhe grek), pa lënë mënjanë interesimin  me fraza të kujdesëshme edhe të Brukselit, apo Washingtonit, për një zhvillim normal të negociatave, për të siguruar një marrëveshje pozitive për të dyja palët, brenda normave ndërkombëtare. Vrullit euforik të fillim negociatave, si efekt i ringjalljeve të plagjiaturave të shëmtuara të së kaluarës, i u kundërvunë egërsisht segmente kishtare, politike dhe racore për mos negocimin e problemeve të komunitetit çam. Të mos flitej për të drejtat e tyre legjitime si: rikthimi në vendin autokton; të drejtat e pronësisë; dëmshpërblimet; të dënimit të gjenocidit të ushtruar ndaj tyre. Zërat e shumtë kundërshtues, po ndikojnë në ngadalsimin e negociatave, bile ditët e fundit dakortësia me zërat negativë, ka “zaptuar” edhe mëndjet e kryenegociatorëve, të cilët si kameleonët kanë ndërruar performancën dhe “çirren” nëpër podiume se: “Çështja Çame” nuk ekziston dhe nuk do të jetë pjesë e “Traktatit strategjik”.  

Ani, po përdorim këtë shprehje kosovare, ne nuk stepemi pasi kemi bindje dhe besojmë se e vërteta sado të vonohet, një ditë do të triumfojë ndaj mashtrimeve të hedhura në tregun historik dhe në marrëdhëniet social-kulturore të popullit shqiptar dhe të popullit grek, pavarësisht se mbi gjysma e tij ka rrënjë arbërore. 

Në këtë situatë, të ngecjes së përkohshme të negociatave, të cilat duheshin mbyllur në muajin prill të këtij viti, tek disa shtresa të popullsisë, apo individë të pa informuar, ose me mendimin e vakët lidhur me problemet etnike, gjatë qëndrimit në verë në Tiranë, me naivitet më shtruan dy pyetje:  

  1. a) Ku vërtetohet qenia etnike shqiptare e banorëve të Çamërisë? dhe,
  2. b) Pse duhet me doemos që shteti Shqiptar të negociojë për të mbrojtur komunitetin çam, qoftë ata të besimit mysliman dhe ata të besimit të krishterë?. 

           Pyetjet m’u drejtuan nga njerëz të njohur, dashamirës të cilët kishin dëgjuar në biseda të ndryshme pikërish këtë shqetësim, i cili ishte produkt i zhvillimit të negociatave dhe zhurmës së madhe, tepër agresive nga mediat brenda dhe jashtë kufijve të të dy shteteve, sidomos  për (mos) trajtimin e problmit kombëtar të Çamërisë dhe banorëve të saj. Tepër aktivë, kundër negocimit të problemit tonë kombëtar, ”Çështjes Çame”, u dalluan segmente kishtare, parti politike dhe individë të shumtë, si dhe funksionarë të lartë shtetëror.  

Për t’u dhënë përgjigje këtyre dy pyetjeve, miqtë e mi dëshironin që sqarimi të trajtohej nëpërmjet shtypit mediatik, për tu bërë jo vetëm të njohura, por dhe në shërbim të ndërgjegjësimit të opinionit publik.  

Ishin këto dy pyetje të cilat më nxitën për të shtjelluar këtë temë, e cila po trajtohet në gjashtë nëntituj.  Pasqyrimi i kësaj teme, në mediat, do ishte tepër i dobishëm, sidomos ato brenda vendit, por ka ndodhur që disa prej tyre “ngurtësohen”, ndofta edhe nga pakujdesia!. 

1.- BANORËT E RAJONIT TË THESPROTI/ÇAMËRISË- 

FIS I VEÇANTË ME RRËNJË PELLAZGJIKE 

Rajoni i Thesproti/Çamërisë, që nga lashtësia, mesjeta e në vazhdimësi i përket fisit thesprot/çam! 

Para shtjellimit të temës, mendoj të njihemi me nocionet e etinisë dhe rracën. Etnia ka të bëjë me vlerat dhe normat kulturore që dallojnë anëtarët e një grupi të caktuar nga të tjerët. Pjesëtarë të një grupi entik kanë ndërgjegjen e veçantë të një identiteti kulturor të përbashkët që i ndan ata nga grupet e tjera rreth tyre. Grupet etnike dallohen nga njëri-tjetri prej gjuhës; historisë (ose prejardhjes); fesë (besimit fetar); mënyrës së veshjes; zbukurimeve; traditave; zakoneve. Etnia si term konsiderohet natyrë antropologjike, sepse bazohet në sjelljet e mësuara.  

Ndërsa raca është fjalë që përdoret për të përshkruar karakteristikat fizike të një personi. Këto karakteristika mund të përfshijnë gjithçka nga ngjyra e lëkurës në ngjyrën e syve dhe strukturën e fytyrës në ngjyrën e flokëve. Raca si term është fiziologjike në natyrë dhe i referohet popullatave të dallueshme brenda specieve më të mëdha. 

Fakti ose gjendja e përkatësisë në një grup social e banorëve autoktonë të Thesprotisë së lashtë dhe të Çamërisë nga mesjeta e në vazhdim, me një traditë të përbashkët kombëtare ose kulturore, të ndërlidhura mes gjinisë, përkatësisë etnike dhe klasës, tregon pasdiskutim gjenezën etnike pellazgo-epirote të shqiptarëve të trevës së Çamërisë, qofshin të besimit të krishterë apo myslimanë. 

Homeri njihet në mbarë botën si poeti epik legjendar i epokës antike, i nderuar si poeti me ndikimin më të madh në historinë e letërsisë botërore. Mendohet se ka jetuar në shekullin VIII p.e.r. Homeri është autori i dy poemave legjendare “ILIADA” dhe “ODISEA”, të cilat nga shumë studjues të shekujve të fundit, kanë deklaruar dhe deklarojnë se ato janë të shkruara në gjuhën pellazgjike, gjuhë e cila ruhet e karfosur në gjuhën e vjetër shqipe dhe që ndeshet me lehtësi në të folurën e banorëve të Çamërisë.   

Parashtroj mendimin , i cili rrjedh llogjikshëm në arësyetimin e vijimësisë se për derisa Homeri dy poemat i ka shkruar në gjuhën pellazgjike dhe se ne jemi të parët në rendije si pasardhës të pellazgëve, është e drejtë të deklarohemi se gjuha shqipe është e shkruar me fillesë Homerin. 

Në këngën XIX “Odisea”, në rradhët 350 dhe 370/5- 375, permënd “Thesprotët” dhe flet për toka pjellore të thespotëve nga të cilat Odisea sillte thesare të çmuara të arit, bakrit dhe hekurit. Në vargun 350 ai  shkruan: 

“Ai gjendet këtu afër shëndosh’ e mirë,  

në vendin e thesprotëve;  sjell me vete 

dhurata të panumërta, të çmueshme, 

që i a dhuruan gjatë udhës për n’shtëpi”.  

Ndërsa në vargun 370-375 shkruan: “Këto m’i tha për të mbreti i thesprotëve, Feidoni: Ky më bëri be (betua) se lundra priste në breg, dhe shokët ishin zgjedhur. Që Uliksin do t’përcillnin për n’atdhe”. 

Në një vend të poemës “Odisea” flitet për Feidonin, prijësin me origjinë fisnike të thesprotëve, i cili pasi strehoi dhe mirëpriti në pallatin e vet Odisenë, gjatë kthimit për në atdhe, përgatiti një nga anijet e tij të shpejta për ti dërguar në Itakë. Sipas këtij tregimi mitik, Feidoni përfaqëson njërin nga krerët që jetonte në një nga pallatet më të pasura të thesprotëve, që kishin anijet e veta dhe njerëz që i shërbenin.  

           Homeri është guri themelor, ai na jep mundësira të mëdha, që duke hulumtuar me kujdes të veçantë, ne sot mund të arrijmë të kuptojmë dhe të mësojmë historinë e pellazgëve, ilirëve dhe të shqiptarëve.  

            Tek “Odisea”, kënga e IV, vargu 26, lexojmë: “O fis- hyjnor Menela, kanë ardhur dy burra të huaj, që nga të parët (dukja) si fis i Zeusit të madh shëmbëllejnë……. dhe në vargun 34, 35 lexohet: Zhmbreh tani kuajt dhe shoqëroi të huajt në dhomë të ulen në sofër”.  

Homeri në poemën e tij, Menelan e quan leshverdhë dhe akeje, me  një arsyetim tepër logjik, nëse fisi i akejve nuk do të ishin pellazgo-ilire, atëhere edhe Menelau nuk mund të ishte me flokë të verdha, por do ishte me flokë ngjyrë të zezë. Në shënime dhe komente faqja 135 të poemës “Odisea”, për shprehjen: ..”si fis i Zeusit shëmbëllejnë” si hyjnor, po dhe si fis pellazg, pra, është veçuar etnikisht si fis jogrek. Vetë Homeri, duke ju drejtuar Zeusit thotë: “Mbret i pellazgëve e i dodonëve, 0 Zeus, ti që nga larg sundon edhe Dodonën me akuj dimrit, ku rrojnë priftërinjtë Selias (fis pellazg)”…. (Iliada, Libri XVI, vargu 290-4 dhe 295-2). Dihet faltorja e Dodonës ishte në Thesproti. 

Epiri, kjo pjesë e Pellazgjisë që ndodhet përgjatë detit Jon, ka për banorë të lashtë Pellazgët, jo vetëm me Dodonën, por edhe me vëndbanimet e hershme të fiseve më të dëgjuara thesprote, kaone e mollose, të cilët lanë shkruar histori të lavdishme qëndrese.  

           Epiri, që deri në Luftën e Trojes quhej Thesproti, pas kesaj lufte u nda ne tre pjese të fuqishme: Thesproti, Kaoni dhe Mollosi, ku gjetën vend midis fiseve epirote edhe luftëtarët e Trojës. 

Dihet se thesprotët, kaonët dhe mollosët, ishin tre fiset kryesore prej të cilëve, në shek.Ivp.e.r. lindi emri gjeografik i Epirit. Thesprotia dhe thesprotët përmenden shumë më përpara se sa kaonët dhe mollosët. Hershmëria thesprote vërtetohet , siç u tha edhe në dy veprat e lashtësisë, të njohura deri tani, të Homerit, tek “Odise” dhe tek “Iliada”.  

Jo vetëm prej Homerit, por në vazhdimësi informime të tilla jepet edhe nga gjeografi dhe historiani Scylacis Carandensis (shek.VI-Vp.e.r.), në veprën “Periplus”, Lundrim, paragrafi 22, : “……. në paragrafin 30 tek “Thesprotoi”, lexohet: “pas Kaonisë vjen fisi i thesprotëve; edhe këta janë të shpërndarë nëpër katunde. Në Thesproti ka limane të mira, siç është dhe limani i quajtur Elaia, ku derdhet lumi Aheron, i cili buron nga liqeni Aherusia”. (“Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, Tiranë 2002, Faqe 35-36). Mbas Scylacisit shprehet edhe Skymni, gjeograf  (shek. III-II p.e.r.), i cili në veprën “Periegesis”, ose latinisht “Orbis descriptio”, “Përshkrimi i botës”, në vargjet 443-449, ndër të tjera informon për popullsitë e thesprotëve dhe të kaonëve, me cilësim” barbarë”-jo grek.  

Mbas Thesprotisë ndodhet fisi i Mollosëve, të cilët janë ngulur në atë territor në kohën e Pirro Neptolmenit. Këtu njihemi për herë të parë se fisi i Mollosëve është i sjellë prej Pirro Neptolmenit rreth shek. IV-III-të p.e.r. (“Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, Tiranë 2002, Faqe 73). 
             Në kapërcyellin e erës së vjetër në erën e re edhe Straboni, gjeograf dhe historian ( jetoi nga viti 63 p.e.r.  deri në vitin 20 të e.r.), në librin VII,7,5; na informon: “….Teopompi thotë se fiset e Epirit janë katërmbëdhjetë, më të dëgjuarit nga këta janë kaonët thesprotët dhe mollosët. Kaonët, thesprotët, kasopët (edhe këta ishin thesprotë), banojnë në bregdetin që nis nga malet Keraune deri tek Gjiri i Ambrakisë. Vende të begatshme. Plini Sekundi, (Natyralis Historiae), (Historia e Natyrës), Libri IV, (1); mbasi tregon shtrirjen e Epirit, informon edhe për tempulln e Zeusit – Dodonën, e përmendur për orakullin e tij, malin Talar (njihet dhe mali Tomar), nga i cili dalin njëqind burime uji. Mal Tomar ndodhet në Thesproti/Çamëri.  (“Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, Tiranë 2002, Faqe 195). Epiri ka qenë krahinë dhe një nga shtetet e Ilirisë së Jugut, që shtrihej nga malet e Vetëtimës (Akrokeraunet antike), rrjedhja e mesme e Vjosës në veri, deri në gjirin e Ambrakisë në jug, dhe nga malet e Pindit në lindje, deri në brigjet e detit Jon në perëndim. 

             Straboni na tregon se Teopompi (i biri i Damasistrato, lindur në Chios ndoshta në 404/3, ose në 378/7 para Krishtit, historian i lashtë), përmend 14 fise epirote, por nga mbishkrimet ne njohim një numër më të madh. Dijetari anglez Hamond na thotë se: “…në Epir ka pasur rreth 60 fise, por vetëm disa nga këto mund të arrijnë një zhvillim të tillë, sa të zënë një vend në histori”. Fiset kryesore të Epirit që përmenden më shumë për rëndësinë e tyre ishin: Thesprotët, Kaonët, Molosët, Atamanët, Anfilokët dhe Kasiopët. 
          Mendimi që fiset epirote nuk ishin helenë, në radhë të parë mbështetet në faktin se shumë nga shkrimtarët antikë këto fise i quajnë me emrin e përgjithshëm “barbarë”. Pikërisht sipas kuptimit që i dhanë fjalës “barbarë”, dijetarët u ndanë në dysh. Tukiditi bën një dallim të qartë ndërmjet helenëve dhe fiseve kryesore epirote. Për t’u theksuar këtu është sidomos libri i II-të, ku flitet për pjesëmarrësit e veprimeve luftarake të vitit 429 p.e.s. Në këtë pjesë Tukiditi shkruan: “Me Knemin (prijës ushtarak), prej helenëve ishin ambrakasit, anaktorasit, lukadasit dhe njëmijë hoplitë peloponezas që  kur po vinte ai i kishte marrë me vete.  Ndërsa nga barbarët ishin njëmijë kaonë, bashkë me ‘ta merrnin pjesë në ekspeditë edhe thesprotët, mollosët, atintanët, pervejt dhe orestët. Nga këtu duket qartë se fiset  kaone, thesprote, mollose,  parauejt dhe orestët i konsideron barbarë, domethënë popuj johelenë. Epirotët i quajnë barbarë, jo grekë edhe Straboni, Skymni, Polibi, Livi, Plini, etj. 
           Tukiditi me fjalën “barbar” nuk ka pasur për qëllim të tregojë popuj me nivel të ulët kulturor, në kuptim përçmues, por e ka përdorur këtë fjalë për të vënë në dukje ndryshimin gjuhësor ndërmjet epirotasve dhe helenëve. Këtë na e pohon vetë autori në një vend tjetër, kur flet për qytetin në Anfiloki: “Banorët e këtij qyteti, greqishten që flasin sot, e mësuan nga ambrakasit e ardhur, anfilokët e të tjerë janë “barbarë”.  

Anfilokët po të ishin grekë, nuk ishte e nevojshme që autori helen të theksonte se ata e mësuan greqishten nga ambrakasit, mbasi nuk do të kishin nevojë të mësonin gjuhën e tyre. Nga ky fakt, Tukiditi’i quajë anfilokët “barbarë”, ashtu siç i quante gjithë popujt e tjerë të Epirit që nuk ishin grekë. 

Si përfundim, bazuar në shkrimet e historianëve të dy dymijëvjeçarëve, të para erës sonë dhe të erës tonë, dalin qartë përgjigjet që banorët e Thesproti/Çamërisë, jo vetëm që etnikisht janë shqiptarë, por, gjithashtu të gjithë shqiptarët e sotëm, gëzojnë trashëgiminë pellazgjike, pa mohuar urën lidhëse mes tyre – Ilirinë. 

                                                        Vijon 

Itali, më 16 shtator 2018.-           Studiues Fahri Dahri 

Shperndaje ne
Updated: 18 Shtator, 2018 — 21:28

The Author

Fahri Dahri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.