UdhËS SË DIELlIT PËR NË ShQIPTARI

BUQETË POETIKE marrë nga libri me titull: “ UdhËS SË DIELlIT “
i autorit: Kasam ShAQIRVELA

JETË E ARNUAR

Dhe gjëma e kohës qe verbuese
për bebëzat e syrit lotmadh e shkulmues,
qepallat mbuluan prushin e përflakur
se dielli ua kishte zili zjarrin syve si qielli
kur u ngrinte loti në Motin e Madh
nga bëma që ecte ndër Bjeshkët e Nemuna
e derdhej bashkë me rrezet e diellit jetës
bonjake, përbetimi për gjakun e derdhur
përplaset kreshtave apo majë malesh
në kthim i puth Lugjet e Verdha, n’malcim
dhe hëna sosej përnatë nga marrëzitë,
për tu dhënë forcë shpirtit e zemrës, n’salvim
të Lisave që përkuleshin tri herë, etnitë
rrënjëve të veta bredhnin bindshëm,
merrej kushtrimi aq vrullshëm, sa
s’derdhej degëve n’ograja, ndër pllaja,
prapë murrlane e furtuna të zeza, që si
dasmorë të pagrishun vinin festave të mëdha,
ia shkundnin frutin kopështit tim pamëshirshëm,
dhe bloza e buzëqeshjes tinzare të tyre, qëmoti
më ndjek, nga brezi në brez, lëngata?!
malcohen plagët nëpër trupin e lodhur,
ne arnojmë jetën me fije shpresash që,
Agimeve të Bardha tua lë vendin nata!

NË GjURMËT E T’PARËVE
(hulumtuesve të vlerave të lashta)

Tek i shkon në gjurmë të të vetes gjenezës
Ndër lugje e shkrepa nëpër orteqe e kërkon
S’e ndal as kallkani, as tisi bardh i kranezës
Të vërtetën e vet ai me mgulm e mbron

Nuk i dorëzohet fatit qoftë dhe një dallge
Nga hovi i zemrës kur në mend i bie
Pa drojë i thot vetes:-ti je i qenjes pellazge
Dhe jo e t’sëmurës imagjinatë në hije.

Rend e rend pas lashtësisë n’maratonë i zënë
Ushqimin e merr nga thellësia e Tokës Nënë
Thith ajër t’pastër mushkërish, të Atit Qiell
Për motër e vëlla, i ka t’vetët si: Hënë e Diell

Shpirtin e ka kandil ndërsa mitin bastun
Ninullat për brezi fortë i mba ngjeshur
Traditën përqafur si n’qytet e n’katun’
Etnokulturën për tesha trupit ia ka veshur!

KUJTIM I LARGËT
(Shtëpisë së Vjetër)

M’i bie mendjes time tani
Si një murrlan vendi të thatë
Kujtimi me aq zjarrmi
Për Shtëpinë, për Mëmë e Tatë!

Eh, more ti kujtimi plak!
Sa më bën mua me mall
Seç ma ndez ti zemrën n’flak’
Përbrenda shpirtin ç’ma kall!

Hall e kam jashtë ta nxjerrë
Brengë m’bëhet aty ta mbaj’
Se ti më bëje mua të gëzohem
Po ti më zhgrehje dhe në vaj!

Sa kujtim i largët që më je
Po sa pranë teje që më ke
Ndonse tanimë un’ jam plak
Zemrës për ju m’i pikon gjak!

GjATË NATËS SYGDhIRË
(Ali Podrimjes)

Përgjatë gjithë natës jam sygdhirë
Gjykimi i juaj për mua miq të mi?
Kujdes që mos t’i humbni ëndrrat!
Sepse ata as nuk do t’ju kthehen më
Dhimba e madhe të sjellë qarjen pa zë

Sikurse dhe dielli që shkëlqen
Në njërën nga ditët e ardhshme
Edhe shikimi të ndalet mbi Senë
I menjëhershëm ësht’, si kurrë më parë
Zhgënjimi për një ditë të mbarë.

Ti mbetesh pa shpirtin tënd të ngrohtë
Aty, në qytetin e Parisit bën ftohtë
Avenyve të tij në kërkim të pashpres’
Atë që e humbe natën para kohe
Ai nuk do të kthehet më në tëndin mes.

MENDIMET PËRKUNDEN ME VALËT E DETIT

Edhe barkat që i përkund era e Detit Jon
Të ankoruara në Gjirin e Sivotës(sy-botës)
Presin udhëtarët apo turistët kureshtarë
Që të blejnë biletat e udhëtimit
Pastaj detit të hapur të lundrojnë
Kapitenët e anijeve turistike
Seç përkunden n’mendime të thella
Iu kujtohet lashtësia këtu nga Thesprotia
Lundrimi i Anijes me rrema të Odhiseut
Drejt Helespontit të largët, matanë detit
Edhe pulëbardhat i presin turistët krahapur
Siç e priste Penelopa Odhiseun fatkeq
Tek endte ditën e ç’endte natën
Pëlhurën e ngjyrave të ilberit
Por kthimi i vajti akoma më i gjatë!
Sesa që ishte rendja e tij e parë
pas fame a plaçke në të tij fis e farë?!

Sytë e bukur të Joint kaltrosh
Sa të joshin me bukurinë e vet
Dhe të ftojnë për një aventurë rasti
Të shpirtit e të mendjes njerëzore
Përkëdhelur me valët e detit gjelbrosh
Dhe kënaqësinë që ta jep ky imazh
I kristaltë, që nxit e zgjon ndjenjat e poetit
Për t’i kujtuar e kënduar të bëmat historike
Ashtu si i këdoi Homeri në epet homerike
Ndër shekuj, për këto troje tona të lashta
Trojet stërgjishore, trojet Pellazgjike!

I ThËNKAN “C’EST LA VIE”

Natyrisht, dikush i paska të kapshme edhe i shijon
Gjësendet e bukura në shoqërim jete përreth tij
I prek realisht dhe kurrë nuk i improvizon
Jo si disa që janë të babzitur, tërë kohës në mballaçi
Mbase kënaqen me shikim teksa tjetri i përjeton
I skapllojnë dhëmbët si dhelpra me rrushin në hardhi
Më pastaj dërdëllisin:-Ja pra, kjo është jeta me marrëzi?
Andaj, jo më kot, dhe francezët i thënkan: “c’est la vie”!

SOS PËR MUShKËRITË

Ah, ç’të zezat e ullirit
Po i hiqka i shkreti njeriu
Herë nga katil xhandari…
E herë nga i marri kadiu…
Edhe atë nga soji njeri
Që të shti n’gur të mullirit
E të bluan pa ndjenja fare
Edhe pse mushkëritë e veta
I mbush, përplot, me ajër të ndotur
Për çdo ditë, nën re plumbi, ashiqare
Ah Pollog seç të zuri nëma!
Nga sherri politik, nga këto të bëma?

Dhe njeriu, po ndaj njeriut
Për tu ushqyer dhe jetuar vetë
Pra ata që e nxjerrin ekzistencën
Duke punuar në fabrikat, të cilat
I helmojnë njerëzit që nuk punojnë aty
Por bashkë me ata të cilët punojnë aty?!
Në atë fabrikë të vjetruar, pa filtra,
Pa kushte minimale të punës
Por edhe me djegie misterioze
Pa dashje duke i dhënë krah dhunës
Andaj dëmi është i pariparueshëm
Dhe, prapëseprapë loja vazhdon
Njeriu të bëhet ujk për njeriun
Me vetëdije apo pa të, por qëndrueshëm?!

Edhe më herët se sot e mot
U munduan të ma zënë frymën
Të më ngulfatin pamëshirshëm
Por e deshi fati mirë që unë u rezistova
Të gjitha orvatjeve qyqare dhe meskine
Që erdhën me kohë si një sëmundje ngjitëse
Si lijë fëmijësh që e ke pa çare ta dergjësh
Por, edhe sot e tërë ditën, për mot
Të njëjtën këngë e dëgjoj pandërprerë
Vetëm se kjo në një aranzhim të ri
Këngëtari ësht’ i huaj, e ison tonët teveqelat
Sërish ekologjia vëhet në pikëpyetje?
Është ndotur ambienti sa ska më
Në të katër anët është çartur shoqëria
Edhe kësaj herë pësojnë mushkëritë e mia
Sos për njerëzimin! Stop për helmimin!
Mos ia pengoni frymëmarrjen e lirë njerëzimit!

© Kasam ShAQIRVELA

 

Shperndaje ne
Updated: 23 Shtator, 2018 — 02:52

The Author

Kasam SHAQIRVELA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.