VENDIMET E TRAKTATIT TË LOZANËS DINAKËRIA DHE HIPOKRIZIA GREKE

 

3.-VENDIMET E TRAKTATIT TË LOZANËS
DINAKËRIA DHE HIPOKRIZIA GREKE

Traktati i Lozanës ishte një traktat paqeje i nënshkruar në Lozanë, Zvicër, më 24 korrik 1923. Ai e pushoi zyrtarisht konfliktin që kishte ekzistuar midis Perandorisë Otomane dhe Aleatëve (Perandoria Britanike, Republika Franceze, Mbretëria e Italisë, Perandoria e Japonisë, Mbretëria e Greqisë dhe Mbretëria e Rumanisë) që nga mbarimi i Luftës së Parë Botërore. Traktati i Lozanës i dha fund konfliktit dhe përcaktoi kufijtë e Republikës së sotme të Turqisë.

Autor Fahri Dahri

Traktati u ratifikua nga Turqia më 23.08. 1923, nga Greqia më 25.08. 1923, nga Italia më 12.03.1924, nga Japonia më 15.05.1924, nga Britania e Madhe më 16.07.1924. Traktati hyri në fuqi më 6 gusht 1924. Me mbarimin e ratifikimit të instrumenteve, ato u depozituan zyrtarisht në Francë në Paris.
Kush ishte fati që i u caktua Shqiptarëve në Traktatin e Lozanës’?
Më 30 janar 1923 u nënshkrua në Lozanë marrëveshja e veçantë turko-greke, mbi shkëmbimin e ortodoksëve të Anadollit me “turqit”e Greqisë. Sipas marrëveshjes, duke filluar që nga 1 maji i vitit 1923 u vendos: ”…duhet të kryhet shkëmbimi,  i detyrueshëm i shtetasve “turq” të besimit ortodoks. Grekët (saktë duhet të thuhet: ortodoksët e Azisë së Vogël) banues e në tokat e shtetit Turk, po ashtu edhe shtetasit e besimit mysliman banues në tokat e shtetit Grek”. Të shkëmbyerit duhet të linin vendin e origjinës dhe duhej të fitonin atë të vendit ku shkonin, pa të drejtë kthimi. Në këtë shkëmbim nuk përfshiheshin “banorët grekë të Stambollit dhe turqit e Thrakës Perëndimore”.
Mehdi Frashëri, përfaqësuesi shqiptar në Lozanë, më 11 janar 1923, i dërgoi një notë Kryetarit të Komisionit të pakicave, Z. Montagna, ku i tërhiqte vëmendjen për fatin e shqiptarëve me banim në Greqi, veçanërisht në Epirin jugor (Çamëri), rajon i dhënë Greqisë më 1913, duke kërkuar që të merreshin masa, “me qëllim që të ruhej elementi shqiptar nga një trajtim i dhimbshëm”. Përfaqësuesi i Shqipërisë i paraqiti funksionarit të lartë edhe një histori të shkurtër të popullsisë Çame në Greqi, duke argumentuar që çamët banonin në Greqi qysh prej kohërave që s’mbahen mend, edhe pëpara se sa të zbrisnin grekët në Evropë. “Përfshirja në shkëmbimin që po diskutohej e kësaj popullsie shqiptare, duke e konsideruar atë si turke, edhe pse s’kishin asnjë lidhje gjaku, gjuhe e zakoni me elementin turk, do të ishte një padrejtësi e madhe e hidhur dhe me pasoja”.Në diskutimin e “notës së shtetit shqiptar” në Konferencë, delegati italian, kryetari i sesionit të pakicave në Konferencën e Lozanës, i sugjeroi sesionit të shkëmbimeve të popullsisë rishikimin e formulimeve në marrëveshje. Sipas tij në parim shprehja “shtetas grekë të fesë myslimane”, kishte rrezik të përdorej për shqiptarët kur “këta patjetër duhej të përjashtoheshin nga shkëmbimi”. Për t’i paraprirë këtij rreziku të mundshëm, ai propozoi që kjo frazë të saktësohej si më poshtë: “shtetas grekë të fesë turke myslimane”.
          Përfaqësuesi grek Caclamanos duke e pranuar këtë sugjerim deklaroi: “Greqia s’ka për qëllim të kryejë këmbimin e myslimanëve me origjinë shqiptare. Shqiptarët banojnë në një krahinë të përcaktuar qartë, “Epir”, se ata ishin bashkëfetarë me turqit, “por s’janë anëtarë të një kombi”. Një deklarim i tillë pa u thelluar ishte i pranueshëm, por  në të vërtetë fshiheshin dy probleme tepër të rëndësishëm dhe që do dëmtonin më vonë popullsinë shqiptare të Çamërisë, siç u vërtetua më pas me pretendimin se atje përmendej vetëm Epiri dhe jo krahinat e tjera të banuara në Greqi nga shqiptarët dhe e dyta shprehja “me origjinë shqiptare”, ku dihej që para 1913 nuk kishte shtet shqiptar dhe se banorët e rajonit të Çamërisë dihej që ishin autoktonë. Prej atij deklarimi më vonë u krijuan pengesa të qëllimshme, keqdashëse tepër serioze. Njëkohësisht kuptohen qartë manovrimet dhe dredhitë e qëllimshme të shtetit Grek për të realizuar spastrimin e shqiptarëve etnikë nga vendbanimet e tyre autoktone dhe shtrirjen e helenizmit.
          Krahas përfaqësuesit grek foli edhe delegati Turk Riza Nuri Beu, i cli gjithashtu deklaroi që shqiptarët të mos përfshiheshin në shkëmbim dhe komisioni e mbylli raportin duke vendosur që shqiptarët nuk do të ishin pre e shkëmbimit. Mbështetur në këtë arritje, Kryetari i sesionit të pakicave në Konferencën e Lozanës, i drejtohej Mehdi Frashërit, si i deleguar i Shqipërisë pranë kësaj konference, më 20 janar 1923 duke e njoftuar, se si përfaqësuesit turq ashtu si edhe përfaqësuesit grekë kishin deklaruar qartë se pakicat shqiptare të Turqisë ose të Greqisë janë ligjërisht dhe faktikisht të përjashtuara nga këmbimi i popullsive. Përjashtimi i shqiptarëve nga shkëmbimi i arritur në këtë marrëveshje theksohet edhe në dokumentat e arkivës turke. Kjo ishte një fitore e palës shqiptare, e cila shërbeu si pikë referimi për gjithë lëvizjen e popullsisë shqiptare në Greqi, dhe kudo ku ka shqiptarë, të cilët ishin kundër shkëmbimit të tyre në Turqi. Në atë kohë Mehdi Frashëri ka deklaruat se: “kjo i shpëtoi çamët nga shkëmbimi i detyruar”.
Në verë të vitit 1924, procesi i shkëmbimit mori karakter masiv. Në këto kushte qeveria shqiptare ndërmori një varg hapash serioze duke e bërë mbrojtjen e popullsisë shqiptare të Çamërisë, një ndër objektivat kryesore të veprimtarisë së saj diplomatike. Ajo kërkoi që çështja të shtrohej për shqyrtim edhe një herë në Këshillin e Lidhjes së Kombeve. Në letrën që i drejtonte sekretarit të përgjithshëm, duke i bërë një interpretim të saktë Marrëveshjes së Lozanës të vitit 1923, shkruhej: ”Qeveria shqiptare mendon se parimi i prejardhjes që ka adaptuar komisioni miks, mund të zbatohet edhe kjo deri në një farë pike, vetëm për ata shqiptarë që banojnë në Maqedoni në mënyrë sporadike, kurse ai nuk mund të merret fare parasysh për një krahinë si Çamëria ku popullsia është kompakte. Ajo mendon se edhe vet fakti që kësaj popullsie i kërkohet të shfaqë dëshirën, është në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Lozanës, e cila thotë se elementi shqiptar do të përjashtohet nga shkëmbimi..”. “Qeveria shqiptare është e mendimit se është e pamundur të merret seriozisht, një dëshirë e shprehur nga një popullsi që është nën tmerrin e masave të dhunës së autoriteteve helenike…”.
Problemi çam zuri një ndër vendet qendrore në veprimtarinë diplomatike të qeverisë së Fan Nolit, duke ndërmarrë një varg hapash për sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar, përmes Lidhjes së Kombeve, denoncimin për dhunën e përdorur nga autoritetet greke për shpërnguljen e shqiptarëve. Nolit nuk i mungonte asnjëherë përpjekja për krijimin e një klime të re midis të dy vendeve. Ai e shikonte problemin e minoriteteve jo si pengesë, por si një urë lidhjeje dhe bashkëpunimi. Në një intervistë që i kishte dhënë Noli gazetës greke “Politika” duke dashur të krijojë një atmosferë të re, në mënyrë të veçantë midis Shqipërisë dhe Greqisë, ka theksuar se: ”Pakica kombëtare, si këtej, ashtu edhe andej, duhej të jenë jo si një pengim, por si një lidhje dhe si një urë për marrëveshje midis nesh”. Kur nën pretekstin absurd të “hetimit për përcaktimin e prejardhjes”, dëbimi i popullsisë çame po merrte përmasa të gjera, qeveria shqiptare kërkoi që çështja të shtrohej përsëri për shqyrtim në Këshillin e Lidhjes.
Në telegramin që i dërgohej sekretarit të përgjithshëm, më 11 gusht 1924 thuhej se: ”…..fizionomia etnike shqiptare e krahinës së Çamërisë është përcaktuar në mënyrë të pakundërshtueshme, për arsye se popullsia është autoktone, ajo flet vetëm shqip, se kultura turke është krejt e pa njohur aty dhe se asnjë element tjetër i huaj nuk ndeshet në këtë krahinë…”. Në këto kushte çdo hetim është i tepërt dhe në kundërshtim me çdo gjë që është vendosur më parë.
Megjithatë, në prag të hapjes së Asamblesë në Gjenevë, autoritetet greke kishin përfshirë në shkëmbim afro 10.000 çamë. Delegacioni shqiptar në Asamblenë e 5-të të Lidhjes së Kombeve e bëri çështjen e mbrojtjes së të drejtave të kësaj popullsie një nga objektivat e tij kryesore. Në krye të delegacionit, Fan Noli, denoncoi me forcë veprimet e paligjshme të qeverisë greke dhe të komisionit miks. Në përfundim, nëpërmjet analizës që i bëri procedurës, komisioni miks “e linte derën hapur për lloj-lloj persekutimesh nga ana e autoriteteve greke”. Në fjalën që mbajti më 29 shtator 1924 në sesionin e Këshillit të Lidhjes së Kombeve, Fan Noli ndër të tjera tha: ”Shumica e shqiptarëve myslimanë të Greqisë janë përfshirë në shërbim sepse është një e vërtetë palisiane (që duket sheshit) se myslimanët e Epirit nuk janë gjë tjetër veçse shqiptarë…”.
Traktati i Lozanës i vitit 1923, iu dha shkas qarqeve drejtuese të Athinës që të dëbojnë me dhunë nga trojet e tyre stërgjyshore shqiptarët çamë. Në vitet pasardhëse shteti Grek arriti të ndryshonte vetëm taktikat, strategjia mbeti e njëjtë, çrrënjosjen e plotë të popullsisë shqiptare të Çamërisë, të cilën e përfundoi me gjeneralin Napoleon Zerva në vitin 1944, duke realizuar gjenocidin grek ndaj çamëve të rajonit të Çamërisë. Fakte të vërteta që tregojnë synimin strategjik grek për ç’farosjen etno-fetare të çamëve me çdo mjet, duke përdorur krahas shpifjeve, mashtrimeve edhe dënimet pa shkak, dëbimet masive dhe vrasjet.
          Në Traktatin e “Lozanes”, u bë një përpjekje e pa skrupull (scrupolo-it.), për të quajtur popullsinë myslimane të Çamerisë si popullsi turke. Shumë çamë u detyruan nga pala greke të emigronin për në Turqi. Por ndodhi që përfaqësuesi grek Kaklamanos, dhe ai turk Riza Nuri, deklaruan se: ”Banorët shqiptarë të Greqisë do të përjashtoheshin nga marrveshja e shkëmbimit”. Sakaq sipas raportit të “Komisionit Evropian për Ligj e Demokraci“ në “Këshillin e Evropës”, pas negociatash të gjata në komisionin miks “Më 19/1/1923 përfaqsuesi grek Kaklamanos deklaron se askush nga shqiptarët e Epirit nuk do të dëbohet, dhe premton publikisht se Çamët nuk do ishin kontigjent shkembimi midis Turqisë dhe Greqise”. Nga ky qendrim, automatikisht çamët përfitonin dy statuse të munguara, më shumë të mohuara nga shteti Grek:
•- Statusin etnik dhe,
•-Religjoz (fetar), i siguruar nga Traktati i Sevrës dhe ai i Lozanës.
Prej 1923-shit e deri në fillimin e Luftës Dytë Botërore, qeveria greke filloi me reforma agrare, vetëm për zonën e Epirit ku dihej historikisht që banohej me shqiptarë, në kundërshtim me çdo konventë të nënshkuar prej saj. Qeveria greke shfrytëzon sërisht epërsinë, dhunonte popullatën e pambrojtur çame, me pretekse të paqëna, duke u sekuestruar pronat e pa tjetërsueshme, siç ishin ”Vakf-Trashgues”. Këto lloj dokumentash, siguronin rregullsi dhe vërtetësi të trashëguara brez pas brezi, që nga koha e perandorisë Bizantine, më përpara pushtimit Osman. Kjo e vërtetë le të shërbejë edhe si sqarim për shumë shkrues që “shprehen me të madhe” se pronat e çamëve gjoja ju a paska dhënë Perandoria Osmane!. E anashkalojmë budallallëkun e tyre, të cilët nuk arrijnë të arësyetojnë se tokat si në Shqipëri, Kosovë, Çamëri e kudo, nuk i “sillin me vete” perandoritë cilatdo qofshin dhe të ç’fardo kohe qofshin!.
          Greqia ka nënëshkruar në vitin 1947 edhe “Traktatin e Parisit”, ku bëhet fjalë për të drejtat e qytetarëve me nënshtetësi greke që janë të një kombësie apo feje tjetër. Sipas traktit të Parisit Nr 14, paragrafi 9, thuhet se “Greqia obligohet dhe duhet të respektoj të drejtën e pronës të njohur në mënyrë ligjore nga organizmat ndërkombëtar”. Pra bëhet fjalë “edhe për nënshtetasit grekë me kombësi shqiptare, siç ishte popullsia çame. Kujtojmë këtu se edhe banorët myslimanë, shqiptarët e Çamërisë në vitin 1947, megjithse ishin dëbuar nga Çamëria, vazhdonin të ishin nënshtetas grekë.
Në përgjigje të një shkrimi botuar në gazetën greke “L’Mesager d’Athenës” ku ngrihej zëri se minoriteti grek në Shqipëri keqtrajtohet, gazeta “Bashkimi” shkruante: ”… Autoritetet greke, përkundrazi terrorizojnë sistematikisht shqiptarët e Çamërisë, sidomos që kur ka filluar shkëmbimi i popullsive greko-turke, gjendja e shqiptarëve të Çamërisë është bërë e padurueshme, nga sjelljet e këqia dhe persekutimet e autoriteteve greke. Minoriteti grek në Shqipërinë e Jugut gëzon plotësisht të drejtat e tyre politike. Në zgjedhjet e fundit, qeveria greke u hoqi çamëve edhe të drejtën e votës. Qëkurse janë nën sundimin grek (kujto nga viti 1913), çamët e ndjejnë veten si një element i dënuar të jetë gjithnjë i shtypur dhe i skllavëruar…”.
Nuk mund të mos ndalem dhe të theksoj këtu, se këto qendrime të shtetit Shqiptar i përkasin gjysmës së parë të shekullit të kaluar, ku denoncohet terrorizimi sistematik i çamëve nga shteti Grek, duke filluar nga viti 1913, kur kjo krahinë kaloi në kufirin e Greqisë. Këtë theksim e ndjen të nevojshëm edhe si një argument tjetër i cili hedh poshtë pretendimin qesharat dhe qendrimet e sotme të atij shteti se ajo popullsi qenka e dënuarë përjetë si popullsi nazi-fashiste, pasi sipas shpifjeve dhe mashtrimeve të tyre paska bashkëpunuar me okupatorin.
Megjithatë deklaratat solemne të kryeministrit grek, që siguronte se është inspiruar (frymëzuar) nga dispozitat më të mira kundrejt minoritetit shqiptar, veprimet në terren nuk i përgjigjeshin realitetit që zotëronte në rajon. Autoritetet ushtarake në qytetin e Filatit, sidomos ish komandanti i garnizonit (kapiteni Floro), terrorizonte popullsinë myslimane shqiptare me të gjitha mjetet më çnjerëzore dhe barbare duke i rrahur padrejtësisht e pa mëshirë, i kërcënojnë deri dhe me vdekje…”. Qëndresa e popullsisë shqiptare të Çamërisë, kundër shkëmbimit me grekët e Anadollit, pati jehonë të madhe në shtypin shqiptar të kohës. Në një korrespondencë të dërguar nga Çamëria për gazetën “Dajti”, ndër të tjeraj thuhej: “Grekët jo vetëm që e realizuan dëshirën e tyre për çrrënjosjen e elementit shqiptar të Çamërisë, por me taktikën dhe metodën e tyre të zakonshme po përpiqen të kandisin botën dhe Lidhjen e Kombeve se çamët e duan vetë shkëmbimin dhe emigrimin në Anadoll. Grekët kanë prurë mijëra emigrantë prej Azisë së Vogël, viktima të “Megalidesë” së tyre qesharake dhe i kanë vendosur në shtëpitë e shqiptarëve të Çamërisë, duke grumbulluar 4-5 familje çame në një shtëpi… Emigrantët e Anadollit për të ushqyer familjet e tyre, u grabisnin çamëve tërë produktet e arave e të vreshtave”. Të ardhurit nga Anadolli, me mbështetjen e shtetit Grek, morën guxim e fuqi, tregonin trimëri dhe harbutllëk!.(Paftyrësia dhe amoraliteti janë nënë e bijë-Fjalë e urtë popullore).
Kishte afro një muaj që në Çamëri ishte komisioni miks që do të studionte origjinën e shqiptarëve të Çamërisë. Komisioni në fjalë do të qëndronte vetëm në Margëlliç e në Filat, kjo për të qenë të sigurtë, mbasi shtypi grek kishte krijuar nëpërmjet shpifjeve një atmosferë frike, gjoja se ata do të vriteshin nga komitët shqiptarë. Ai komision prej andej do të shqyrtonte origjinën dhe dëshirën e çamëve pa shkelur vetë në gjithë terrenin, sipas rregullit, por u mjaftua duke thirrur disa vetë nga çdo katund. (Personat që thirreshin, ishin porositur nga ana e autoriteteve të vendit duke i frikësuar me vrasje, në qoftë se përgjigjen kundër porosisë së tyre). Në bazë të “dëshirës” së imponuar që do të shfaqnin, komisioni do të vepronte për të gjithë popullsinë shqiptare të Çamërisë!!?.
Gjithashtu, gjoja për të “mbrojtur jetën e anëtarëve të komisionit”, qeveria greke dërgoi në Çamëri një fuqi të madhe ushtarake nën komanden e andartit gjakpirës Kollovoit. Ai me radhë tmerronte popullin e Çamërisë me veprat e tij çnjerëzore si: vrasje barbare, shpërngulje me dhunë dhe impononte disa pak banorë çamë që kur dilnin para komisionit, nën trysnitë policore, ushtarake të instaluar në gjithë rajonin, detyroheshin të thonin se ishin turq dhe se dëshironin vetë të shkonin në Turqi!?. Sesioni i Lidhjes së Kombeve, që u mbajt nga fundi i tetorit 1924 tregoi se tragjedia çame vazhdonte. Kontigjente të reja njerëzish përgatiteshin për t’u nisur në Anadoll, kurse organizata e Gjenevës, jo vetëm që nuk e ndaloi, por i lavdëroi përpjekjet e qeverisë greke për përmbushjen e zotimeve të saj. Qëndresa e vendosur e popullsisë çame dhe puna këmbëngulëse e qeverisë shqiptare u bënë pengesa në rrugën që kishin nisur qeveritarët e Athinës. Megjithatë procesi i shkëmbimit të dhunës vazhdoi edhe pas vitit 1925. Por tashmë ai po merrte nuanca të reja. Një varg ligjesh goditën, si drejtpërdrejt dhe tërthorazi pasuritë e patundshme të çamëve, duke i shndërruar pronarët e ligjshëm në argatë.
Në një memorandum që përfaqësuesit e Çamërisë i drejtonin kryeministrit grek, Pangallos, më 26 shkurt 1926 duke denoncuar arbitraritetin, shpronësimet e paligjshme dhe zbatimin e mbrapsht të së ashtuquajturës “Reformë agrare”, në dobi të emigrantëve të Azisë së Vogël, theksohej se: ”…ne dhe familjet tona jemi dënuar të vdesim urie…”.Dhe më poshtë, me një ton që nuk fshihte aspak revoltën, shtonin se me këto akte ”…kemi të drejt të besojmë se qeveria juaj nuk dëshiron tjetër veçse zhdukjen tonë, ose të na detyroj të braktisim vatrën dhe tokat tona që i kemi mbajtur për gjenerata të tëra, të cilat çdo shtet i rrespekton, dhe të shpërngulemi duke kërkuar gjetkë atë që shteti grek na e refuzon: sigurimin e jetës e të pasurisë”. E theksoj, momerandumi parashtron arbitraritetin e vazhdueshëm të shtetit Grek, dhe këto ngjarje i përkasin periudhave gjithnji përpara ngritjes së akuzave greke për bashkëpunim!. (“I mbyturi kërkon të shpëtojë duke u mbajtur nga flokët e tij”- Populli)
Zëdhënësja e parë kundër masave dragoniane të qeverisë greke ndaj shqiptarëve të Çamërisë, u bë gazeta londineze “The Westminister Gazette”. Në këtë artikull autori H. F. Spender përshkruante fatin e 30. 000 shqiptarëve, të cilët në një kohë të shkurtër, pa dëshirë ishin shpërngulur në Anadoll të Turqisë dhe se qeveria greke ata i konsideronte si pjesëtarë të kombësisë turke. Duke iu referuar kompetencave të dhëna komisionit Mikst, të cilat përcaktoheshin sipas artikullit të 12 të Konventës së Lozanës, të drejtën për vendosjen e popullsisë të shkëmbyeshme “etabli”e kishte vetëm ky komision.
Ndalemi pak në analizën e shprehjes së Caclamanos, i cili ka thënë, “nëse shqiptarët janë bashkëfetarë me turqit, ata nuk janë bashkatdhetarë”. Ndofta me termin bashkatdhetar Z. Caclamanos ka dashur të nënkuptojë bashkësinë etnike dhe rracën; në rast se do të kishte dashur të thoshte bashkësinë e atdheut (siç u përpoqën ta interpretonin më vonë), termi “bashkadhetarë” do të ishte i papërshtatshëm, sepse para 1913 dhe 1830-tës si shqiptarët, vetë grekët dhe popujt të tjerë të Ballkanit, kanë qenë sëbashku bashkëatdhetarë me turqit, sepse banonin në ato territore që ishin në sundimin e perandorisë osmane.
Vijon…
Itali më 20 shtator 2018.- Studiues Fahri Dahri

Shperndaje ne
Updated: 23 Shtator, 2018 — 02:30

The Author

Fahri Dahri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.