VËSHTRIM PËR VËLLIMET POETIKE “UJËVARË LOTI NË PIKTURË” DHE “SI DO TA QUAJA” TË POETES BAHRIJE QERIMI SPANCA

VËSHTRIM PËR VËLLIMET POETIKE “UJËVARË LOTI NË PIKTURË” DHE “SI DO TA QUAJA” TË POETES BAHRIJE QERIMI SPANCA

Shkruan Zymer Mehani

Vëllimi poetik “UJËVARË LOTI NË PIKTURË”
Rrëfimi poetik në vëllimin “Ujëvarë loti në pikturë” i autores Bahrije Qerimi Spanca është përgjithësisht subjektiv dhe i sinqertë, prandaj me të drejtë këtë autore do ta quajmë poete trajtash, pohimesh, botëkuptimesh e vegimesh ndjenjore, ngase ajo çdo motiv që e trajton në poezitë e saj, këtë gjë e bën e ngazëllyer, ndonjëherë edhe e dëshpëruar, me afsh dhe pasion, madje edhe me një tonalitet unikat, sidomos kur e trajton motivin e vendlindjes. Por, poetja me ndjenja të veçanta do të vargëzojë edhe për atdhedashurinë (poezitë: “Shqiptar”, “Lulëbozhuret e Kosovës”, “Pavarësia”, “Varrezat e marsit” etj, pastaj do të vargëzojë për viset shqiptare (siç është poezia “Molla e Kuqe”, prej nga kanë ardhur të parët e autores, pa i harruar për asnjë çast figurat historike kombëtare, si Ibrahim Rugova, vizionari dhe gandisti i Ballkanit, Adem Jashari, komandanti legjendar, unikat në mbarë globin për sakrificën e tij, bashkë me familjen për lirinë e atdheut, Adem Demaçi, Mandela i Europës, simboli i rezistencës sonë kombëtare, pastaj Esat Berisha,ushtar i UÇK-së, tani dëshmor i Kosovës etj., Të gjitha këto vargje na ngazëllejnë me ritmin e vargut gjithnjë të gjallë.
Autorja Bahrije Qerimi Spanca në vëllimin poetik “Ujëvarë loti në pikturë” nuk ka harruar që t’u dedikojë vargje dhe të afërmve të saj, siç janë prindërit, pastaj bashkëshorti, fëmijët etj.Të tilla janë poezitë: “Ti”, dedikuar bashkëshortit, “Dafina”, dedikim për mbesën me aftësi të veçanta, “Pranë fotografisë”, dedikuar prindërve, “Të dua shumë”, dedikuar nënës së autores, e cila në një rast kish dëshmuar se ka zemër bujare, meqë me autoritetin e saj, kishte ndikuar që të bëhet një pajtim mes dy familjeve që ishin në konflikt. Një poezi mjaft e bukur është edhe “Në zemrën time je piedestal”, që autorja ia kushton gjyshit të saj, i likuiduar nga OZNA, më 1944.
Në faqet e përmbledhjes poetike “Ujëvarë loti në pikturë” do të hasim edhe në disa vargje elegjiake, që na dhurojnë emocione të forta, siç janë poezitë: “E dua Shqipërinë”, dedikuar të rinjve maturantë nga Kosova, që pësuan gjatë një vizite në atdheun amë, në Shqipëri, saktësisht në Himarë dhe në Fushë-Arrëz. Kësaj ngjarjeje autorja ia ka kushtuar edhe poezinë “Pse”:
Pse, erë u tërbove
Pse, hënë u errësove,
Pse humnerë u përdallove
Pse e mbyte shpresën,
Pse e ngjalle hidhërimin
Pse s’e ngrite fortesën
Pse e shuajte gëzimin
Pse fatin e nxive
Pse, pse e hape digën e syve
Edhe poezia “Mbetem me ankth” është një elegji e bukur, kushtuar të riut Driton Murseli, i ekzekutuar nga barbarët serbë, në Vushtrri, më 1999.
Pra, po kuptohet qartë se motivet që trajtohen në këtë vëllim janë nga më të ndryshmet, si i dashurisë, i atdheut, motivi i kurbetit, social etj. Pra, autorja në këtë vëllim identifikohet me laryshi motivesh, por lajmotiv e ka motivin e atdhedashurisë.
Poezia e Bahrije Qerimit, na bën të ditur se kemi të bëjmë me një individualitet të veçantë poetik, me një krijuese botëkuptimi të veçantë, me një entuziaste, e cila shpesh është në gjendje që t’i përziejë ankimin dhe ngazëllimin (te motivi i dashurisë), shpresën me zhgënjimin (te motivi social), dashurinë me urrejtjen (te të gjitha motivet) etj. Prandaj, poezitë e saj gjatë leximit vërtet na dhurojnë emocione të flakëta dhe na rrëmbejnë gjithsesi me hovin e tyre.
II
Vëllimi poetik “SI DO TA QUAJA”
Duke lexuar poezitë e poetes Bahrije Qerimi Spanca, tek ne u nxit kërshëria e kërkimit, sepse kjo autore vargjet e veta i nisi në vorbullën e aventurave të gjata dhe krajatave të jetës, kundruall dallgëve shqetësuese, duke pasqyruar në artin e saj edhe shqetësimet që kjo dhe brezi i saj i përjetuan gjatë viteve ’90 të shekullit XX, kur si shumë qytetarë të tjerë të Kosovës, edhe kjo e përjetoi largimin e dhunshëm nga vendi i punës.
E pikërisht në përmbledhjen “Si do ta quaja” autorja do të shpërthejë me dufin e saj poetik.
Në botën e poezisë së poetes Bahrije Qerimi Spanca gjejmë shtresa të shumta, ku përzihen kohët, ëndrrat dhe zhgjëndrrat, dëshirat dhe shpresat, gëzimet e zhgënjimet, vetëdija e ndërdija. Pena e saj nuk ndalet vetëm me përshkrim, por stili i saj është edhe më i gjerë dhe më i thellë, e kështu vazhdimisht e ndryshon këndin e vështrimit të fenomeneve dhe dukurive, por intensiteti i interesimit mbetet prore i njëjtë, i pandryshueshëm për çdo dukuri dhe fenomen, për çdo subjekt dhe objekt, për çdo detaj e tërësi.
Edhe në përmbledhjen poetike “Si do ta quaja” autorja ka trajtuar motive të ndryshme, ku prapë shquhet me motivin e atdhedashurisë. Autorja me stil krejt të veçantë do t’i revijëzojë edhe figurat më markante të historisë sonë më të re, siç janë Ukshin Hoti, Adem Jashari, Afrim Zhitia, Adem Demaçi etj. Poezi të bukura me motivin atdhetar janë edhe: “Ç’të thuhet ty”, “Zonjë e Ranë”, “Marsi ‘99”, “Kuq e zi” etj.
Në poezinë e autores Bahrije Qerimi Spanca ëndrra e nxit fshehtësinë e vetë jeta zhytet në ëndërr.
Malli për atdheun dhe njerëzit e përshkon çdo varg dhe poezi, ku përsëritet dhe del origjinal e njerëzor, por vazhdimisht i zjarrtë, që e zgjon dhe e motivon për vargjet e saj vazhdimisht.
Thuhet se ëndërrimtarët janë vetë krijuesit, artistët, e edhe Bahrije Qerimi Spanca si poete duke ëndërruar depërton në magjinë e fjalës artistike dhe të artit përgjithësisht. Ajo është gjurmuese, vizionare dhe krijuese e poezisë. Një poete e tillë me vargjet e saj shkel shtigje të reja dhe hapë botëra të reja.
Ne si lexues të poezisë së poetes Bahrije Qerimi Spanca, e çmojmë lart hapërimin e saj të lehtë në artin poetik kundruall dallgëve të jetës, duke e pasuruar vargun poetik shqiptar përgjithësisht. Në poezitë e kësaj poeteje takuam shpirtin e saj të trazuar, që nuk rehatohet, por që vazhdimisht gjurmon e kërkon. Poetja Qerimi ia del që përmes vargut ta transformojë të kaluarën në të sotmen e të sotmen në të ardhmen. Kjo me vetmohim ka hapë rrugë të reja nëpër të cilat shtegton vargu i saj i shkruar.
Krijimtaria e poetes Bahrije Qerimi Spanca është origjinale dhe premtuese për të pushtuar hapësira të gjera në mozaikun e pasur të letërsisë sonë që po kultivohet në vendin tonë.
Gjuha e poezisë së poetes Bahrije Qerimi Spanca është e përdorur drejt, e pastër dhe nuk është e ngarkuar me dialektizma, krahinorizma apo barbarizma. Vargjet e kësaj poeteshe janë të skalitura me stil të nivelit të lartë dhe figuracioni poetik haset kudo në vargjet e saj. Kemi laryshi rimash dhe metra të ndryshëm të vargut poetik, fakt ky, i cili artit poetik të autores ia shton vlerën edhe më shumë.
Meqë autorja Bahrije Qerimi Spanca pothuajse është në hapat e parë drejt shtegtimit poetik, mund të themi se poezinë e saj duhet ta vështrojmë ashtu siç është, duke e veçuar atë që është më interesante, më aktuale dhe më e vlefshe, e që është gjuha dhe figuracioni poetik, që librit ia shton vlerën.
Këto dy përmbledhje poetike: “Ujëvarë loti në pikturë” dhe “Si do ta quaja” të poetes Bahrije Qerimi Spanca janë kontribut i autores, që premton dhe janë dëshmi të mjaftueshme për të na bindur se kjo tanimë vargun di ta gdhend me kujdes, duke e ngritur në nivel të lartë. Zëri poetik i autores Bahrije Qerimi Spanca përmes këtyre dy vëllimeve me poezi, është edhe një paralajmërim se kemi të bëjmë me një poete me preokupime dhe synime për t’i arritur majat më të larta të qiellit poetik kombëtar.

Fare në fund, poetes Bahrije Qerimi Spanca ne i urojmë suksese në krijimtarinë letrare e lexuesve tanë, kudo që janë, qoftë në mërgim a në atdhe, u urojmë lexim të këndshëm!
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!

Shperndaje ne
Updated: 11 Dhjetor, 2018 — 16:11

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Bashkimi i Shqipërisë © 2014 Bashkimi i Shqiperise
Show Buttons
Hide Buttons