Aktivitete Kombëtare: Para çlirimit të atdheut …

Te nderuar miq,sot do te ndaj me ju nje nga kujtimet e te bukura te veprimtarise sime me shoke ne Gjermani!
Ne vitin 1995 per nder te festave te nentorit kisha pregaditur nje tubim festiv,kisha ftuar shume bashkeveprimtar te asaj kohe,nder ta ishte edhe shoku,miku im i familjes,PATRIOTI Nusret Hajdari (shkrimi me posht eshte i gjithi nga kujtimeti qe sjell rreth keti tubimi),ne mesin e shume te ftuarve ishte edhe i madhi Fehmi Lladrovci me te vellane Ramizin,Abedin Rexha,Fatmir Istogu etj.
Me posht shkruan Nusret Hajdari,nga kujtimet e tija, jan gjithe ato vite,megjithate Axha Nusret me nderon dhe me dergon kete shkrim me shume vlere per ta ndare me ju te nderuar miq!

Nusret Hajdari
“Ftesa e Islam Idrizit nëntor 1995”

Në nëntor të vitit 1995, Islam Idrizi një veprimtar i denjë e çështjes kombëtare shqiptare për liri e çlirim nga pushtuesit serbë etj., për nder të festës së 28 Nëntorit ditës së Pavarësisë dhe Flamurit të Shqipërisë, kishte ftuar qindra mërgimtarë të rëndomtë, por në mesin e tyre edhe veprimtarë të ilegales si: Fehmi Lladrovcin, Ramiz Lladrovcin, Bilall Sylën, Martin Qunin, Fitore Berisha (Veseli), Bedri Veselin, Hakif Rexhepin, Petrit Durakun, Rrahman Baftirin, Zjadin Hoxhën, Harun Bekën, Milaim Baftijarin, Nusret Ahmetin, Ekrem Ahmetin, Nysret Hajdarin, Mustafë Ramadanin,Abedin Rexha e disa të tjerë… ku banesa e Islam Idrizit në Ingolshtat të Gjermanisë u bë një çerdhe kombi si e një institucioni kuvendar për çështje madhore…

Të lart-ftuarit të gjithë erdhën në ditën që mbahej manifestimi i 28 Nëtorit. Manifestimi u mbajt me 25.11.1995 pra gjashtë ditë para datës së saktë, kjo bëhej kështu për arsye se mërgimtarët nuk mund të ndanin kohë tjetër pasi ishin të zënë me punë në Gjermani.

Manifestimi i 28 Nëntorit u mbajt në orët e mbrëmjes. Në pjesëmarrje të këtij manifestim erdhën edhe mërgimtarë të rëndomtë të cilët i kishte ftuar Islam Idrizi. Numri i pjesëmarrësve ishte simbolik, përafërsisht nuk kalonte shifrën e 100 pjesëmarrësve.

Islam Idrizi e udhëhiqte organizimin në sallën ku po qëndronim i cili doli para mërgimtarëve dhe na përshëndeti, duke u falënderuar për pjesëmarrjen tonë dhe na i urojë festën ku njëkohësisht e filloi t`ua jepte fjalën njerëzve të caktuar. Fjalën ia dha së pari Fehmi Lladrovcit. Fehmiu doli para pjesëmarrësve e mbajti fjalën përshëndetëse dhe na i urojë Festën e 28 Nëntorit ku pati një fjalor të zjarrtë rreth çështjes së pazgjidhur të shqiptarëve në përgjithësi duke na i kujtuar se së shpejti do të duhej të bëhemi gati për një luftë të armatosur kundër pushtuesve serbosllavë. Pasi përfundoi fjalën Fehmi Lladrocvci, Islam Idrizi fjalën ua dha edhe disa të tjerëve ku ndër ta foli një bashkëveprimtar i Jusuf Gërvallës. Më pastaj fjala mu dha edhe mua Nysret Hajdarit ku e lexova një referat prej mbi dy faqe e gjysmë.

Pasi u përmbyll fjalimi i oratorëve në këtë manifestim, u propozua nga organizatori i manifestimit Islam Idrizit që të gjithë pjesëmarrësit ta vazhdojnë edhe më tutje qëndrimin e tyre në sallë sepse do të zhvillohej edhe një lloj debati rreth ngjarjeve aktuale në Kosovë dhe të shqiptarëve në përgjithësi për të bërë edhe një analizë e studim se si të veprohet më tutje në mërgim dhe në Kosovë etj…..

Islam Idrizi në tribunë kishte caktuar Fehmi LLadrovcin, Nusret Ahmetin, Nysret Hajdarin e disa të tjerë që të dalin para pjesëmarrësve dhe të japin mendimet e tyre se si të veprohet tash e tuje për zgjidhjen e problemit shqiptarë në ish-Jugosllavi…

Fehmi Lladrovci në fjalën e tij dha disa variante se si duhet të veprojmë ndaj pushtuesve serbosllavë ku si variant të vetëm e shihte organizimin e të gjithë shqiptarëve në luftë të armatosur kundër pushtuesve serbosllavë dhe rrugë tjetër nuk ka thoshte ai. Fehmi Lladrovcit, duhej t`i besohej në ato çka thoshte, sepse, ai në Kroaci një kohë të gjatë kishte ushtruar ushtrimet ushtarake për një luftë guerile e frontale kundër pushtuesit serb i cili kishte njohuri edhe ushtarake por edhe informata të shumta se nuk ka shmangie nga lufta kundër Serbisë andaj referonte të jemi të përgatitur sa më mirë që ngjarjet që do të zhvillohen më vonë të mos na zënë në befasi. Fehmi Lladrovci ishte i flakët për ta filluar luftën dhe ishte i sigurt që nuk ka rrugë tjetër. Në të vërtetë ashtu doli ku u dëshmua vetëm 2 vite më vonë ku edhe doli në skenën publike Lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës dhe siç edhe përfundoj me një fitore me çlirimin e Kosovës nga okupatori fashist serb.

Në këtë mbrëmje festive dhe në këtë lloj tribune fjalën e kishin edhe Nysret Ahmeti dhe Nysret Hajdari ku kishin të njëjtën brengë dhe mendime identike me ato të Fehmi Lladrovcit. Masa në sallë iu brohoriste fjalëve që thuheshin në këtë rast edhe se ndoshta, këta pjesëmarrës nuk ishin plotësisht të sigurt në ato çka thuheshin pasi që pjesa e madhe e mërgimtarëve e ndiqnin politiken paqësore pasive të LDK-së, megjithatë ajo brohoriste në shenjë respekti sa për të qenë si pjesëmarrëse për të ndrequr e jo për të prishur tubimin….

Me të përfunduar ky manifestim, Islam Idrizi i falënderoj pjesëmarrësit dhe e shpalli të përfunduar tubimin mirëpo, i ndali për mysafir të gjithë veprimtarët e ilegales dhe ish të burgosurit politikë duke na shtruar dark solemne dhe pritje tradicionale edhe se ishte e vështirë për një mërgimtar në Gjermani të servohej ushqimi e sistemimi në një familje me të ardhura tejet të ulëta dhe në një ambient të ngushtë hapësinor prej 60-70 metrash, por kjo po ndodhte dhe pranohej dhe pëlqehej si është më së miri.

Pasi u krye darka e përgatitur mirë nga zonja e shtëpisë bashkëshortja e Islamit Valbonja e cila i bënte të gjitha përgatitjet ushqimore shumë kualitative por edhe pa asnjë përtesë, secili prej nesh u ulëm në vendet ulëse dhe filloi biseda e cila nuk u ndal deri sa zbardhi dita, vetëm unë si ma i moshuar dhe pak më i lodhur nga udhëtimet që kisha bërë mu mundësua të flija për 3-4 orë gjumë.

Biseda që zhvillonte Fehmi Lladrovci me shokët e ilegales ishte e tëra brenga se si të kanalizohet e organizohet një luftë guerile por edhe frontale kundër pushtuesit serbosllavë e që Fehmi Lladrovci nuk shihte mënyrë tjetër as rrugë tjetër pos lufta e armatosur kundër pushtuesit serb ku kjo që ai po fliste në atë kohë dhe po këmbëngulte Fehmiu, doli e saktë dhe e vërtetë se nuk pati asnjë rrugë tjetër pos luftës së armatosur, ku Fehmi Lladrovci së bashku me bashkëshorten e tij Xhevën me tu paraqitur në skenë lufta e UÇK-së pa humbur aspak kohë iu bashkëngjit radhëve të UÇK-së dhe luftoi heroikisht bashkë më bashkëshorten e tij Xhevën kundër forcave paramilitare serbe ku edhe ranë që të dy në fushën e nderit për të bërë historinë dhe për të mbetur të pavdekshëm në historinë e kombit shqiptar…

Më poshtë referati i lexuar i Nysret Hajdarit:

Përshëndetje,

Gëzohem kur ju shoh të tubuar e të bashkuar, për t`i dhënë karakter më madhor këtij tubimi, por me dhemb zemra kur dëgjojë për ndonjë ndasi që shprehet aty këtu. Tubimi i sotëm i juaj, me siguri ka të bëj jo vetëm për të festuar e për t`i qarë hallet mërgimtare, por preokupim madhor e kryesor i juaji por edhe i yni, është çështje shqiptare dhe zgjidhja e saj nga pushtuesi i egër serbo-maqedono-malaziase sllave e greke që ende mbajnë të pushtuar shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të zi, Preshevë, Bujanovc e Medvexhë dhe Qamëri.

Natyrisht se tubimi i juaj, qëllim kryesor ka, që të ndajë mendimet bashkërisht dhe për të gjetur mënyrën se si të luftohet kundër pushtuesve të më lartpërmendur, të cilëve edhe iu ka ardhur fundi të shembën dhe të zhdukën njëherë e përgjithmonë.

Pushtuesit serbosllav etj., në të gjitha kohërat e gjer në ditët e sotme ishin të ndihmuar nga Fuqitë e Mëdha si për pushtim ashtu edhe për t`iu zgjatur jeta e pushtuesit në trojet shqiptare e assesi me forca vetjake. Por përkundër dhunës kriminale serbe etj., e keqtrajtimeve ndaj popullatës shqiptare, shqiptarët në këto treva e përballuan dhe mbeten gjallë dhe të fortë edhe se sa i përket territoreve mund të thuhet janë tkurrur bukur shumë!!! Terrori që u ushtrua ndaj shqiptarëve të pushtuar, mund të thuhet se rrallë ndonjë popull tjetër do ta përballonte ekzistimin e tij, ndërsa ne shqiptarët arritëm të përballojmë dhe të ekzistojmë edhe më tutje… gjë që është për mburrje dhe krenari ku tash e tutje do të jenë edhe më të fortë andaj, popullin tonë e pret një fitore e sigurt e cila do të arrihet me forcat e pashtershme të po këtij populli i cili ka një histori shumë të dhimbshme por të lavdishme.

Kur them se e pret një fitore e sigurt, duhet ta kujtojmë një fjalë të urtë e cila na thotë: Për ta mbjellur grurin, duhet pritur një vite për frytin e tij, për ta mbjellur një pemë duhet pritur frytin e saj pesë vite, ndërsa për ta mbjellur arsimimin tek një popull duhet pritur frytin e saj 100 vite.. pra, lirisht mund të themi kur kemi mundur të rezistonim e të ekzistonim sa ishim me arsim të pakët ose hiq fare, e me vetëdije jo në nivel të duhur, tani e tutje, jemi me universitet, të arsimuar në nivele të larta, me shumë tituj shkencor magjistra e doktorësh, mijëra nxënës të shkollave të mesme, mijëra studentë të lëmenjve të ndryshëm, miliona që dinë shkrim-lexim, të vetëdijshëm më shumë se kurrë, po ashtu edhe guximi nuk na mungon, pra, një popull siç jemi ne sot, jo vetëm nuk do të shuhet kurrë, dhe jo vetëm që do të mbete i gjallë, por do ta fitoj lirinë e vet fill me zotësinë e vet që ka…

Vëllezër, po jetojmë në kohë të vështira, në kohëra kur populli dhe atdheu ynë kërkon më shumë se kurrë, të jemi sa më të bashkuar, sa më unik në fjalë, mendime, dhe veprime, ta luftojmë të gjithë bashkërisht armikun tonë shekullor, kjo është detyra jonë dhe borxhi ynë, andaj mos të kursejmë asgjë nga vetja jonë…

Historia e popullit tonë na ka mësuar se armiqtë tanë, sa herë që nuk kanë mundur të na mposhtin me dhunë, kanë hedhur mes nesh farën e përçarjes për të arritur kështu qëllimin e tyre…

Prandaj, apeloj nga ky tubim që të jemi sa më të bashkuar, të lëmë anash përçarjet sepse ka mjaft armiq tjerë nga ana tjetër e barrikadës sonë që mezi e presin përçarjen tonë mes veti. T`i lëmë ndasitë partiake, sepse për ne nuk ka parti më të mirë, më të dashur dhe më të madhe se Kosova dhe shqiptaria…

Është koha e fundit që grushtin t`ia tregojmë armikut që po na ngulfatë e jo mes veti ndaj njeri tjetrit…

Udhëheqësit tanë në Kosovë pohojnë vazhdimisht se janë për zgjidhje me dialog të problemit shqiptarë të Kosovës e më gjerë, unë them se kjo zemërbutësi që tregohet me armiqtë e popullit tonë, le të shprehet edhe me njëri tjetrin mes nesh, armiku kurrë nuk do ta kupton zemërgjerësinë tonë, përkundrazi, vazhdimisht do ta keqpërdorin mirësinë tonë.

Nuk ka kuptim të kërkojmë dialog me të huajt, ndërsa ne të grindemi me njëri tjetrin, prandaj ju ftoj që t`iu përgjigjemi kërkesave të kohës. Vetëm kështu dhe vetëm të bashkuar të radhitur pas njëri tjetrit mund të ecim përpara…dhe natyrisht se nuk do të mungojnë sukseset e dëshiruara…

Mërgimtarët që janë të detyruar ta lëshojnë atdheun e tyre, nga ndjekjet represive të pushtuesit serb e policisë serbosllave, këtu në Perëndim janë shumë të rëndësishëm për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi.

Disa njerëz pohojnë se mërgimtarët janë si të vdekur për Kosovën e më gjerë!!! Nuk është i vërtetë ky pohim, un them se: Janë të gjallë dhe shumë të fortë të gjithë ata mërgimtarë që janë shqiptarë të vërtetë. Poashtu, disa njerëz thonë se nuk mund të ndihmohet Kosova nga mërgimtarët duke përjashtua pa baza mundësinë e tyre fizike! Nëse vlerësojmë si mësuesin më të mirë historinë, pra kemi raste në histori që pikërisht nga mërgimtarët është realizuar arritja më e lavdishme në histori, siç është lufta e Revolucionit të Tetorit kundër carizmit rus, kjo fitore u arrit pikërisht nga mërgimi mu nga Zvicra e organizuar dhe e udhëhequr nga Lenini.

Po ashtu, edhe Irani arriti fitore për republikë nga mërgimtarët në Francë, pikërisht e organizoi dhe e udhëhoqi Homeini me fitore absolute…

Kemi rastin e fitores nga mërgimtari Gjergj Kastrioti ku nga Adrianopoja erdhi në Arbëri dhe e bëri historinë për kombin shqiptar e pranuar nga e gjithë bota civilizuar…

Po ashtu Ismail Qemaili mërgimtarë në Turqi, e bëri Shqipërinë shtet të pavarur dhe të lirë.

Do të thotë se mërgimtarët e ndershëm edhe nga këtu ku jemi dhe kudo qofshin në skajet e botës jashtë atdheut të tyre, do t`i përgjigjen kushtrimit kurdoherë që e kërkon nevoja e atdheut të tyre, kur do që na kërkojnë ndihmën tonë vëllezërit tanë në Kosovë e më gjerë. Mërgimtarët do të jenë të gatshëm ta japin ndihmën e nevojshme jo vetëm atë materiale por qoftë edhe jetën… Ne këtu në perëndim, me padurim presim të na thërret Kosova ku këtë thirrje e kuptojmë privilegj dhe si nderim…

Unë, betohem para jush, edhe se jam i vjetër në moshë, unë do të jam me ju. Kudo që gjendet rinia, do të me gjeni edhe mua si në paqe edhe në luftë të armatosur… Si duket: Qëndrimet e Ohajos për paqen në Ballkan e në ish-Jugosllavi, po e përsërisin gabimin e viteve 1878, 1912, 1913, 1945 ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, nëse ndodh të privilegjohet agresori serb, nuk do të mbesim pa përgjegjësi edhe ne shqiptarët këndej dhe andej kufirit. Andaj, apeloj që nga ky tubim të iu tërhiqet vërejtja atyre që kanë mandatin e popullit në Kosovë dhe atyre në shtetin amë të jenë të sinqertë në këto momente shumë të ndjeshme ku në këtë rast nuk janë fajtor rasti, por qëllimkëqij ku i pret dënim serioz i më se 7 milionë shqiptarëve. Për çështjen shqiptare janë dy faktorë kryesor: Ai i brendshëm dhe i jashtëm…ndërsa faktori i brendshëm është kryesori i cili duhet t`u prinë ngjarjeve me përkushtimin maksimal… Vetëm kështu do ta kemi përkrahjen e faktorit të dytë pra faktorin ndërkombëtar…

Në fund të këtyre fjalëve, dëshiroj t`ua uroj festën e Pavarësisë dhe të flamurit të shtetit Amë Shqipërisë, uroj që edhe pjesët tjera të robëruara të trojeve shqiptare, që sa më parë ta festojnë nëntorin në një shtet të vetëm dhe të bashkuar…

Pra edhe ndër shqiptarët kudo që janë sot, që janë përcaktuar nëpër shoqata e parti të ndryshme të varura e të pavarura, ta kemi të qartë se flamuri i kombit na bashkon të gjithëve e që ky është flamuri shqiptar për të gjithë shqiptarët, flamur kuq e zi me shqiponjën dy krenare në mes pra, të bashkohemi të gjithë rreth këtij flamuri sepse kështu bënë të parët tanë më herët dhe deri tek Gjergj Kastrioti, Ismail Qemaili, Enver Hoxha dhe kështu do të duhej edhe ne të veprojmë…vetëm kështu do të na lavdërojë historia…

Rroftë Shqipëria dhe gjithë shqiptaria….

Ju faleminderit

Nysret Hajdari nga Prishtina me banim në Zvicër

Më 22.11.1995

Eichstätt Gjermani

Shperndaje ne
Updated: 21 Dhjetor, 2018 — 23:20

The Author

Islam Idrizi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.