Brahim Avdyli: ÇËSHTJA KOMBËTARE SHQIPTARE-SHTIGJET DHE MUNDËSITË PËR ZGJIDHJEN E DREJTË TË SAJ

ÇËSHTJA KOMBËTARE SHQIPTARE-SHTIGJET DHE MUNDËSITË PËR ZGJIDHJEN E DREJTË TË SAJ

 

Kumtesë

Autor: Brahim Ibish AVDYLI

e lexuar në simposiumin për çështjen kombëtare të organizuar nga LKÇK-ja dhe intelektualët e pavarur, e cila quhej “Tribuna Politike”, në lokalet e Bibliotekës Universitare të Prishtinës(tani, Biblioteka Kombetare e Republikës së Kosovës); e shtypur për herë të parë me disa korigjime të tekstit[1]

 

Me 8 qershor 2002, në Prishtinë.

 

(Përshëndetja)

 

Të nderuar bashkatdhetarë;

Të nderuarat motra e të nderuarit vëllezër.

Autori Brahim Ibish AVDYLI , gjatë leximit

Kam nderin të jem këtu dhe të marr pjesë në këtë simposium të rëndësishëm për çështjen kombëtare, detyra e të cilit do të ishte të gjenden shtigjet e mundësitë e zgjidhjes së drejtë të kësaj çështje, si çështje kapitale për të gjithë shqiptarët!

 

Mendoj se për të realizuar me përgjegjësi kombëtare shqyrtimin e kësaj çështjeje, do të duhet të bënim një analizë në vija të përgjithshme të gabimeve dhe të metave që e kanë përcjellur jetën politike shqiptare, duke shtuar disa vizione konkrete në dobi të organizimit më adekuat dhe më të avancuar kombëtar, pa e menduar se mund të bëjmë një analizë apo një platformë shterruese, megjithëse nuk na mungon përvoja e fituar qoftë nga veprimtaria e gjatë politike, që nga viti 1981 e këtej, apo në seancat e njëpasnjëshme rreth çështjes kombëtare, që shkojnë deri në Kuvendin e Intelektualëve Shqiptarë, të mbajtur në Stamboll, më 1995, ose ky simpozium mjaft domethënës për çështjen kombëtare.

Uroj që nga ky simposium të dalim me një vizion më shumë për çështjen e shenjtë kombëtare! Konsideroj që bashkimi kombëtar nuk është një iluzion, por një mundësi reale që kërkon angazhimin tonë kolektiv dhe të sinqertë, derisa faktori kohë është në anën tonë dhe faktori njeri në ngritje të vazhdueshme; ndërsa fatori materialo-teknik nuk paraqet ndonjë faktor që nuk mund të ngritet në nivelin e duhur, të cilin e kërkon vetë çështja e jonë!…

 

Prandaj, e kemi bërë një përpjekje, të cilën do t`ua lexojmë[2]:

I.

HYRJE

Kaluan dy dhjetëvjeçarë (1982-2002) qëkur shqiptarët e viseve të ndara nga trungu i shtetit amë- Shqipëria londineze përpërliten, vuajnë e sakrifikojnë në përpjekje për të gjetur shtegun e ribashkimit të tokës shqiptare (dhe kuptoje se këtu është fjala për t`u çliruar njëherë e përgjithmonë ato pjesë të okupuara dhe të sakatuara nga fqinjët përrreth deri më sot, sikurse bashkimit të tyre përgjithësisht në një atdhé të lirë e të barabartë, me kombe të tjera nëpër Europë!); qëkur filluan lëvizje të reja politike dhe nacional-çlirimtare; qëkur pjesa më energjike dhe më progresive e këtij kombi të lashtë e autokton nëpër trojet e veta (sa e flet gjuhën shqipe, sepse ka edhe të tjerë të kombit tonë, të cilët flasin gjuhë të tjera!) nuk pushon së rreshturi për të krijuar mundësitë e zgjidhjes së drejtë të çështjes së tij kombëtare. Mjerisht, kësaj rruge të mbushura plot me sakrifica, kemi ecur shpesh në drejtime të ndryshme dhe diferente; të prirë nga frymëzime ideologjike, politike, partiake, apo tjetër (e edhe fetare!), duke mos arritur të ndërlidhemi me njëri tjetrin; të ndërlidhim veprimet tona në nivelin dhe kualitetin e duhur, dhe as të lirohemi nga ndikimet e huaja ideologjike e klanore. Natyrisht si komb i ndarë dhe i përçarë; si komb që mbi gjysmën e territorit e ka të ndarë nga sheti amë- Shqipëria, nuk ka qenë e lehtë që të kemi kristalizime të përqëndruara, edhe për faktin se na kanë munguar disa përvoja të rëndësishme të vetorganizimit tonë.

Gjithësesi duhet të theksojmë se mungesa e këtyre përvojave ka kushtëzuar një mori dështimesh e zvarritjesh të proceseve konsoliduese gjithëshqiptare dhe shpesh kanalizime të energjisë sonë në drejtime të gabuara, që kanë pasuar me ngecje dhe pasoja të ndjeshme për zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare shqiptare. Përkundër sakrificave të derisotme, çështja kombëtare shqiptare nuk është zgjidhur; toka shqiptare ka mbetur e ndarë dhe e coptuar si më parë; gjendja sociale, politike dhe jetike e shqiptarëve kudo mbetet e dobët dhe pa ndonjë perspektivë të mirëfilltë përmirësimi. Me një fjalë, ne kemi lëvizur, vepruar, vuajtur e sakrifikuar, por çështjen kombëtare nuk e kemi zgjidhur, edhe pse në pjesen dërmuese të opcioneve tona mbretëron mendimi se pa zgjdhjen e çështjes kombëtare nuk mund të zgjidhen as çështjet e tjera të ndërvarura.

Kam bindjen se pa identifikimin e faktorëve kryesorë negative të lëvizjes shqiptare (në përgjithësi dhe në veçanti) nuk mund të gjëjmë rrugët adekuate të zgjidhjes së drejtë të çështjes kombëtare. Një rivlerësim gjakftohtë e përmbledhës i periudhës së fundit është i patjetërsuseshëm!…

 

II.

ASPEKTE NEGATIVE TË VEPRIMTARISË PARCIALISTE SHQIPTARE DHE REFLEKTIMI I TYRE NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE

Padyshim, periudha që e kemi kaluar si komb, është një ndër periudhat më të rënda dhe ndër më të ndërlikuara të historisë sonë më të re. Përkundër rezultateve të merituara që janë arritur në disa lëmi apo sfera të organizimit, vetëdija kombëtare ka ngecur ende nën nivelin e zgjidhjes së tërësishme të çështjes kombëtare. Një pjesë e gjërë e strukturave të organizuara politike shqiptare ka ngelur në shtigjet e një hapërimi të zvetënuar, ndërsa në opinionin e gjërë publik e gjëjmë shpesh të ngatërruar të drejtën me të padrejtën; të vërtetën me të pavërtetën; të saktën me të pasaktën; kombëtaren me pseudokombëtaren, etj. deri në atë nivel sa të mos arrish të ngrehësh fuqishëm struktura të mirëfillta kombëtare dhe pa u konfrontuar me një trusni jo të vogël të faktorëve të brendshëm regresiv, krahas faktorit të madh regresiv ndërkombëtarë, i cili është shumë i madh ndaj shqiptarëve.

Dimensioni i veprimit të pasinqertë; të paqartë edhe nga ana strategjike; imponues dhe demagogjik; karakterizon pjesën më të gjërë të veprimtarisë ditore të subjekteve te organizuara shqiptare, kështu që hapësira e komunikimit të sinqertë dhe të pastërt me opinionin e gjërë publik është ngushtuar shumë dhe vështirë mund të sigurohet. Çdo gjë që nuk e mbanë vulën e faktorit të zyrtarizuar lokal, vështirë mund të arrijë të dëpërtojë në opinionin e gjërë, dhe nëse arrinë deri diku, nuk arrinë të dëpërtojë pa etiketimet e ndryshme të atyre që veprojnë si dora e zgjatur e politikave të zyrtarizuara, me qëllim të zhvlerësimit të këtyre. Liria e shprehjes dhe mendimi i lirë më shumë se ekzistojnë në letër, se sa në realitet. Shtypi dhe mediat tona nuk i kanë ende karakteristikat e mirëfillta të mediave të lira dhe demokratike e të pavarura e kombëtare, çfarë duhet të jenë! Kjo është jo vetën një dimenzion negativ i veprimtarisë së tyre, por edhe një pengesë serioze në drejtim të zgjidhjes së drejtë të çështjes kombëtare shqiptare!

Prandaj, shtresat e gjëra të popullit e të kombit shqiptar mezi i regjistrojnë këto gjëra dhe vihen në dijeni vonë nga përpjekjet e parreshtura të pjesës më të denjë e te ndërgjegjëshme kombëtare, e cila, përkundër të gjithë këtyre faktorëve pengues, nuk pajtohet me ndarjet administrative të tokës sonë, duke e konsideruar politikën parcialiste[3] si emëruesin e parë të fatkeqësisë shqiptare. Në kuptimin e plotë të fjalëve tona kjo po shkon në drejtim të shkapërderdhjes, në vend të mbledhjes së copave të tokës sonë.

Nuk ka diskutim se një komb i gjymtuar territorialisht dhe i ndarë adminstrativisht; pa një treg të integruar kombëtar; pa instrumente dhe struktura kombëtare, nuk mund të ecë me sukses nëpër shtigjet e ngritjes së vet dhe as të konkurojë me të tjerët, aq më pak me ata që e kanë përfituar mbi tokën dhe të drejtën tonë, e cila dihet se është e mbushur plot me resurse mbitokësore dhe nëntokësore, që shkojnë nga metalet e çmuara si ari, argjenti, platina, nikeli, etj. deri te të korrurat e begatshme stinore.

Urgjenca e bashkimit territorial e administrativ të tokës shqiptare paraqet kriterin e parë dhe të pazëvendësuar të përparimit të përgjithshëm të kombit shqiptar. Pa realizimin e këtij imperativi kombëtar, historik, politik, ekonomik, kuluror e të përgjithshëm, kombi ynë nuk mund të integrohet denjësisht në asnjë rrjedhë rajonale apo më gjërë, sepse duke i munguar integriteti territorial dhe administrativ, ai nuk ka mundësi të zhvillohet normalisht dhe as të vetëmbrohet si komb. Sigurimi i integritetit kombëtar shqiptar, parasegjithash i atij territorial dhe administrativ, është detyra më e rëndë, por më e lavdishme dhe më e shtrenjtë kombëtare! Unë dyshoj se kjo çështje nuk mund të realizohet pa një mobilizim intelektualësh e të përgjithshëm kombëtar dhe pa një rezistencë të kombinuar (intelektuale, politike e fizike) por të fuqishme mbarëshqiptare.

Mjerisht, mbështetja, ndihma e mirëkuptimi i duhur në favorin e një rezistence të fuqishme kombëtare mungon jo për faktin se kombi shqiptar nuk ka energji; nuk ka interes; nuk gëzon rrethanat plotësuese e të favorshme kohore dhe teknike, dhe as për faktin se atij i mungojnë strukturat e ndërhyrjes adekuate për një çlirim të mirëfilltë dhe për bashkim kombëtar, por ngase veprimtaria demagogjike, e njëanshme dhe defektuoze e strukturave politike parcialiste është aq intenzive, aq zyrtare, aq e pakursyer dhe sidomos e stimuluar, saqë dominon komunikimin masiv publik nacional, duke e topitur vetëdijen kombëtare të shtresave të gjëra të kombit, të cilat janë edhe të përkushtuara e për njëfarë mbijetese në këto kushte. Kjo veprimtari e cila nxitet dhe subvencionohet nga faktorë të caktuar e të jashtëm apo të mbrendshëm, përpiqet sistematikisht që të kthejë lëvizjen e pakonsoliduar kombëtare shqiptare në një alternativë të dështuar apo në instrument të perspektivave të largëta, vetëm e vetëm që të ruhet “status-quo-ja” e tanishme, nën të cilën ata kanë përfituar. Pika më kritike, njëkohësisht pika kyqe në zgjidhjen e çështjes kombëtare, mbetet padyshim toka e jonë etnike nga Maqedonia ilire dhe shqiptare, lufta çlirimtare e së cilës është ndaluar nën çdo nivel të lakmuar të zgjidhjes së çështjes shqiptare. Minimumi i volitshëm në këtë drejtim mbetej opcioni i federalizimit të Maqedonisë artificiale, gjë kjo që nuk është kërkuar fare në proçesin e Marrëveshjes së Ohrit. Përmes kësaj i është dhënë një grusht i rëndë çështjes kombëtare shqiptare, sepse 80`000 banorë shqiptarë jetojnë sot në tokën e tyre legjitime, pa i logaritur pjesët tjera që flasin gjuhë të huaja turke e bullgaro-sllave, të cilat i marrin mbi 12`000 km2 territor kompkat gjeografik, dhe i mbeten një shteti amë, të krijuar vonë në dëmin tonë, gjasat e të cilit nuk qëndrojnë në arenën e madhe ndërkombëtare, pa tokat tona (dhe, këtu nuk po e futim çështjen e Epirin Jugor apo Çamërinë, sepse është një çështje më vete. Ne, do t`i përkushtohemi njëherë tjetër kësaj çështje).

Çështja kombëtare ka ngelur në nivel të palakmueshëm. Mendoj se të shohësh realisht dhe të flasësh me objektivitet, duhet të themi se çështjen kombëtare nuk e kemi “lëvizur” drejtë zgjidhjes fatlume, edhe në të gjitha tokat shqiptare jashtë Shqipërisë. Tokat dhe populli i ynë ende lëngojnë nën kthetrat e ndarjeve të vjetra e të dhunshme administrative, të cilat po rikonfirmohen nëpër duart e klaneve të shumta të politikës shqiptare. Lëvizja politike zyrtare shqiptare ka krijuar klishe të agjitacionit të gabuar duke mos kursyer trusninë e gjithanshme mbi subjektet që guxojnë të shtrojnë premisa të tjera. Për shkak të kësaj, pasqyra reale e lirisë, sikurse shtigjet e vërteta të sendërtimit të saj, mezi arrijnë të plasohen në hapësirat e ngushtuara të komunikimit masiv publik, duke iu nënshtruar gjithsesi ndërskëmbcave të shumta e të shumëngjyrshme apo të llojllojshme. Shtresat e caktuara politike shqiptare vazhdojnë të proklamojnë zgjidhjet lokale të çështjes shqiptare, si “arritje” kolosale, edhe pse fare mirë dihet se parcializmi (apo parcializimi) i çështjes kombëtare nuk është e nuk mund të jetë kurrsesi një “finalizim” me përmbajtje kombëtare. Përkundrazi, ajo është në drejtim të shpërbërjes, e jo të zgjidhjes së saj. Një kanalizim i tillë i kësaj çështje krijon padyshim linjën destruktive të mbrendshme. Vetë tipizimi i çështjes shqiptare si çështje kombëtare të Kosovës; si çështje kombëtare e Kosovës Lindore (apo i Shqipërisë Veri-Lindore jashtë Kosovës); si çështje kombëtare e shqiptarëve të Malit të Zi; si çështje kombëtare e Iliridës, në Maqedoninë shqiptare; si çështje kombëtare e Çamërisë, edhe pse në të gjitha këto hapësira historikisht etnike shqiptare, ka vetëm një çështje kombëtare ende të pazgjidhur. Këto, nuk janë në vijë të mbarë! Në qoftë se nuk i dimë rreziqet e alternativës së dytë natyrore, kjo e zvarritë procesin e bashkimit kombëtar dhe e pengon konsolidimin e faktorit mbarëshqiptar!…

“Zgjidhjet” që i rekomandojnë ata, në fakt, nuk janë zgjidhje të çështjes shqiptare. Zgjidhja e vërtetë e çështjes kombëtare paraqet bashkimin e tokës shqiptare në një shet të vetëm në tërë Gadishullin Ilirik (pra, Ballkan), të themi se do të jetë “Shqipëri e Bashkuar”, me të gjitha trojet e veta aktualisht etnike dhe historike, sepse atdheu i tij shpirtëror ka qenë shumë më i madh. Ta quajnë sa të duan armiqtë tanë kombëtare “Shqipëri e Madhe”, nga ndjenjat e mendimet e tyre radikale, por kjo gjë nuk është e parealizueshme dhe është mëse natyrore.

Kësaj çështje nuk mund t`i mvishen dimesionet e “prishjes së rendit dhe të qetësisë në Ballkan” (për mua, Gadishullit Ilirik, e jo “Ballkan”!); të humbjes së tolerancës ndëretnike; të shkaktimit të turbullirave të panevojshme midis popujve që i flasin “gjuhë të tjera”, por etnitë janë tepër të diskutueshme, edhe nëse kanë fé të ndryshme, etj. sepse kjo çështje është një çështje jetike e kombit të ndarë pa arsye. Zëdhënësit mbrenda kombit shqiptar të këtyre çështjeve e konsideratave të gabuara nuk kanë të bëjnë aspak me veprimtarinë largëpamëse dhe te sinqertë çështjes sonë të përgjithshme. Përkundrazi: ata nuk duan që të shohin mirë!…

Fakti se ata kanë krijuar struktura politike lokale, pikërisht sipas ndarjes administrative të tokës shqiptare (kupto: me vullnetin e armiqve tanë kombëtar!), paraqet një dimension tejet destruktiv në çështjen kombëtare, që kundërvepron në zgjidhjen fatlume të saj. Ky parcializëm, qoftë i djeshëm politik (kupto: në pjesët tërësisht të okupuara prej sllavo-grekëve dhe komunizmi!), i mëvonshëm luftarak apo i sotëm institucional, ka stimuluar vetëm logjikën e imponimeve të ndasisë (kupto: kjo është forma e parë e “zgjidhjes” së çështjes shqiptare, që nuk është zgjidhje, por ka edhe një “zgjidhje natyrore” ta quajmë, e cila merr shumë kohë dhe është “zgjidhje indirekte” apo afatgjate, në qoftë se krijuesi i kësaj bote “e dëshiron” që të vijë. Mendojmë se qenia kombëtare shqiptare është mjaft e fuqishme për te, në të cilën ajo mund të ngushtohet shumë, deri në zhdukje, nga globalizmi, por nuk do të zhduket tërësisht, dhe për këto vuajtje permanente nuk do t`u flas, në këtë shkrim!). Ajo nuk ka ndikuar në ndërrimin e formës së qasjes ndaj çështjes kombëtare, madje as në optimizmin pozitiv të masave të gjëra, sepse parcializmi i faktorit çlirimtar (kuptoni këtu, p.sh.: “zëvendësimin” e Shefit të Përgjithshëm të UÇK, që është në rendin e parë e nuk ishte Komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, dhe imponimin e “Drejtorisë Politike” për të dhënë një tjetër “zëdhënës”të saj dhe daljes së tij në opinion!), apo kthimin e saj në një “lëvizje” kooperative dhe më të moderuar, do të thotë se janë të gatshëm për rrugën e mëparshme të kompromiseve politike. Kjo ka ndikuar deomos në defaktorizimin e atyre rezultateve, të cilat, sado që të quhen “të vogla”, janë të rezistencës së armatosur në vijimësi lokale, dhe padyshim se do të qenë të realizuara me sakrifica të mëdha të kombit shqiptar.

Po e sjellim ndërmend këtu rirrumbullaksimin e vazhduar të thirjeve e kërkesave lokale për pavarësimin e Kosovës dhe të bashkimit kombëtar (kuptoni këtu: a është kjo e vetmja “rrugë” e ndërmjetshme e bashkimit kombëtar, apo jo!), që fillojnë nga Marraveshja e Rambujesë; Rezoluta 1244 e KS (Këshillit të Sigurimit) të OKB-së (10 qershor 1999); Korniza Kushtetuese e Kosovës (5 maj 2001), deri te anulimi i Rezolutës së Kuvendit të Kosovës mbi paprekshmërinë e kufijve të saj, të bërë nga ana e fatorit administrativ të përkohshëm ndërkombëtar; dhe të sjellim poashtu ndërmend marrëveshjet e UNMIK-ut me pushtetin serb të RFJ-së, të cilët pa dyshim sinjalizojnë mundësinë e rikthimit të pushtetit serb mbi Kosovën, si njësi vetadministrative dhe multietnike; të ndarë nga ana e parë nga shteti amë-Shqipëria dhe të trajtuar padrejtësisht nga faktori ndërkombëtar si një ndarje e veçantë; grabitjen e pjesëve vitale të Kosovës, si regjion i gjërë etnik e historik shqiptar, si p.sh. 2500 hektarë tokë të Komunës së Vitisë; mospërfshirjes së Kosovës Lindore (apo të Shqipërisë Veri-Lindore) jashtë KSA të Kosovës, edhe më parë, brenda kufirit administrativë të saj, etj. janë të gjitha këto pasojë direkte të çasjes së gabuar ndaj çështjes kombëtare shqiptare!

Aspekti i dytë negativ në çështjen kombëtare shqiptare mbetet padyshim dimensioni klasor ideologjik, në pjesën dërmuese të përpjekjeve tona. Çështja kombëtare shqiptare nuk ishte, nuk është dhe nuk mund të jetë çështje ideologjike klasore, e as e ndërrimit të formacionve të tilla në rajon, edhe pse më parë (në fazën fillestare) duhet të shfrytëzohej lëvizja progresive e shkatërimit të bllokut lindor e socialimperialist, si energji favorizuese e konsolidimit të faktorit të mbrendshëm kombëtar shqiptar, e cila e favorizonte këtë çështje.

Në fakt, çështja kombëtare shqiptare është pasojë e lëvizjeve klasore të periudhave të kaluara, në të cilat kombi shqiptar nuk arriti të konsolidojë një lëvizje kombëtare të mirëfilltë, po identifikime ideologjko-politike. Mbështetja e parezervë e shqiptarëve ndaj lëvizjeve ideologjiko-klasore, ka kushtëzuar mbetjen e mëtutjeshme të çështjes kombëtare si çështje e pazgjidhur, pasi këto lëvizje kanë konsumuar kurdoherë energjinë krijuese te popullit shqiptar në favorin e tyre, respektivisht në favorin e ideologjive të tyre. As vrapimi i shqiptarëve ndaj fuqive të kohës, nuk ka kaluar pa reflektime destruktive, të cilat edhe sot karakterizojnë mungesën e origjinalitetit të veprimit tonë politik. Kjo ka rezultuar me rrymime të shpifura nacionaliste, duke i dëmtuar mundësitë e konsolidimit të fuqishëm të lëvizjes së mirëfilltë kombëtare.

Propaganda e shpifur nacionaliste është vetëm një maskë e cila e mbulon mungesën e veprimeve apo ndërhyrjeve konkrete për zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare. Ajo po i merr edhe sot konturat e një propagande “të angazhuar” klasore, që po spekullon jo rrallë me faktet dhe hisorinë. Ky nacionalizëm i shpifur propagandistik, njëlloj si çdonjëra ideologjizëm tjetër klasor, po e dëmton pariparueshëm çështjen kombëtare edhe për faktin se duke i ringjallur debatet klasore ideologjike, është i subvencionuar materialisht e teknikisht nga faktorët e jashtem e të brendshëm, të cilët e mbajnë atë në krye të rrjedhave për aq sa i nevojetet, duke e përdorur pa dyshim energjinë e tyre në favorin e strategjisë së vet, por jo për t`i ndihmuar që të zgjidhet përgjithmonë çështja kombëtare e shqiptarëve.

Nuk ka dyshim se u konvenon një gjë e tillë, sepse në radhë të parë ne mbetemi brenda konturave apo hapësirave të tanishme gjeografike, për aq sa të kenë nevojë mbështetësit e tyre, duke shfrytëzuar potencialin e saj, ndërsa në anën tjetër vështirësojnë ngritjen e strukturave të mirëfillta kombëtare, që në të vërtetë është një qëndrim që nuk u rrezikohet lëvizja e kufijve sipas ndarjes etnike në periudha të gjata kohore. Prandaj, në këtë kohë është ngritja dhe konsolidimi i strukturave të mirëfillta kombëtare, e cila është obligimi më atdhetar i atyre që e duan atdheun e lirë e të bashkuar dhe e kuptojnë imperativin e tyre historik.

Është fare e qartë se një nga synimet kryesore të fuqive të mëdha ka qenë dhe mbetet kooptimi i energjisë së popujve të vegjël vetëm në favorin e interesave të veta strategjike. Por, mund të themi se nuk arsyetohet gëlltitja e vazhdueshme e çdo rekomandimi të tyre brenda shablloneve të krijuara arbitrarisht, e edhe të armiqve tanë konkret, të pranuar më parë në sistemin e tyre global, sepse kjo është në kundërshtim të çdo norme ligjore apo juridike e ndërkombëtare. Çdo popull e ka të garantuar me konventa ndërkombëtare të drejtën e vetvendosjes dhe të sovranitetit, të cilën duhet shfrytëzuar me fanatizëm dhe përpikëri, për të mos mbetur në ankande të historisë. Çdo e drejtë e tillë është e drejtë vetëm kur shfrytëzohet nga subjekti i thirrur për këtë të drejtë. Duhet të jemi këmbëngulës, të qartë e vigjilent në të drejtat tona. Përndryshe, historia e ka dëshmuar se padrejtësia di të gëlltisë çdo të drejtë të atyre që nuk janë të vetëdijshëm për shfrytëzimin e këtyre të drejtave.

E drejta dhe bashkimi i tokës shqiptare jashtë Shqipërisë me shtetin shqiptar është një drejtë e patjetërsuar e shqiptarëve, por ajo vlenë kur strukturat tona thirren në këtë të drejtë dhe dinë të krijojnë mekanizmat e shfrytëzimit të kësaj aspirate. Ajo nuk mund të shfrytëzohet me struktura të nënshtruara dhe vartëse të faktorit armik e të huaj. Sepse këtyre strukturave në radhë të parë do tu mungojnë gjithnjë karakteri i mirëfilltë kombëtar dhe ato nuk mund të shndërrohen në instrumente të shëndosha të sendërtimit të aspiratave të kombit shqiptar. Duke qenë të varrura ato korruptohen deri në atë shkallë sa të humbin çdo fuqi pozitive të influencës. Nëpër duart e tyre legjitimohen protektoratat e huaja, qoftë të shpallura (si në Kosovë) apo të pashpallura (si në Shqipëri), të cilat, gradualisht ndërrohen në pushtete afatgjata e shfrytëzuese, me kompetenca të pakufizuara.

Mjerisht, te shtresat e gjëra të popullit është krijuar një optimizëm i rrejshëm mbi zgjidhjen fatlume të çështjes kombëtare, me ndihmën e faktorit të huaj, të deklaruar apo të padeklaruar protektoral. Përmes këtij optimizmi të rrejshëm është pasivizuar mekanizmi i vetëmbrojtjes kolektive, sikurse që po vështirësohet gjithnjë e më shumë mundësia e mobilizimit të shtresave të gjëra në një lëvizje progresive gjithëshqiptare. Vlerësimi aspak objektiv i faktorëve të jashtëm apo të mbrendshëm favorizues dhe pengues në çështjen tonë, ka kushtëzuar defekte të shumta të veprimit ditor politik. Një mori formash dhe alternativash veprimi janë nxjerrë  nga përdorimi i veprimeve të paragjykuara si mjete destruktive, edhe pse ato paraqesin të vetmet instrumente që do të pengonin restrikcionet në çështjen tonë kombëtare. Është e drejtë e çdo populli që mos pajtohet me diktatin dhe të shprehë revolten e tij në çdo kuptim apo formë, qoftë edhe duke përdorur rezistencën e kombinuar apo të armatosur kombëtare (të rretheve të tjera, por gjithëshqiptare!). Kombi shqiptar nuk guxon të bie viktimë e politikave kuazinacionaliste, të cilat, çështjen kombëtare e përdorin vetëm si mbulesë pushtetmbajtëse (apo edhe pushtetmarrëse), madje edhe përmes kundërshtive të shtirura klanore, të cilat përfundojnë në mënyrë të befasueshme. Kundërshtitë e klaneve të të njëjtit spektër, janë kundërshitë artificiale që vinë në përputhje të marraveshjeve midis tyre. Ato nuk sjellin dhe nuk mund të sjellin ndryshime kualitative në skenën politike shqiptare. Klanizimet janë gjithsesi një proçes regresiv dhe e topisin gjykimin e shëndoshë të shtresave të gjëra. Instrumentalizimi i energjisë së popullit për interesa të ngushta klanore, partiake apo ideologjike, në fakt, i rrënon themelet e një shoqërie të lirë, të bashkuar e të shëndoshë shqiptare. Atdhetarët dhe intelektualët e vërtetë duhet të jenë kurdoherë kundër këtyre dukurive!

III.

DISA MUNDËSI KONKRETE TË NDËRHYRJES POZITIVE

NË PLANIN POLITIK DHE ORGANIZATIV KOMBËTAR

 

Mundësitë e ndërhyrjeve pozitive në drejtim të zgjidhjes së tërësishme të çështjes kombëtare, nuk janë të vogla. Për momentin i gjykoj si çështje ultimative dhe të dorës së parë këto masa paraprake:

1). Vendosjen prap të dialogut me të gjitha forcat progresive shqiptare;

2). Krijimin e aleancave të mundshme dhe të zgjeruara në mes të tyre;

3). Tërheqjen e përkohshme të disa subjekteve nga programet e ngushta partiake;

4). Mbështetjen dhe konsolidimin e mëtutjeshëm të strukturave kombëtare;

5). Organizimin e Kuvendit Kombëtar të Bashkimit (jo të Pajtimit!);

6). Krijimin e Lëvizjes Kombëtare Botërore Shqiptare (kupto: siç e kam thirrë unë e jo organizuesit e tjerë, të cilët e thirrin me tre emra ndërkombëtarë një organizatë, sikur e kanë për qëllim paralizimin e kësaj organizate botërore shqiptare, ku i kemi më tepër se sa dy të tretat e shqiptarëve! Unë kam marrë pjesë në seancën e parë, të dytë dhe të tretë, por nuk jam propozuar në asnjë instancë të saj, dhe fjalët më janë keqpërdorur për “themelimin” e saj…);

7). Intervenimin e kombinuar, jo vetëm në planin verbal, për zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare shqiptare;

8). Organizimin e tribunave të hapura për çështjen kombëtare;

9). Dërgimin individual dhe kolektiv të sa më shumë relacioneve për zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare; respektivisht trajtimin jo adekuat të saj nga ana e faktorit ndërkombëtar;

10). Mbajtjen e manifestimeve kulturore me peshë kombëtare gjithëshqiptare; etj….

(P.S. Tani po e them se disa kërkesa të tilla apo “të ngjashme” janë “shfrytëzuar” me qëllim nga instanca legale parciale, pa e thënë emrin tim. Faktorët destruktivë, klane të dirigjuara e me ndonjë spiun të regjur, të inkorporuar direkt nga strukturat e disa shteteve të Lindjes dhe të ish-Jugosllavisë apo të “Jugosllavisë” së re me Malin e Zi, e cila u prish, por mbeti Republika e Serbisë, e lidhur me Rusinë, janë kudoherë në bashkëpunime gjeo-politike.

Nuk e gjeta aspak të arësyeshme të gjendem në diktatin e arbitrit të tyre stopues, prandaj këto kërkesa mbeten të tipizuara si kërkesa dhe nuk u ndërmuar as diçka konkrete realizuese.

Nuk e pashë as të arësyeshme që të jem pjesëtar i njëfarë “partie” dhe as vegël e tyre!).

Bashkësisë Ndërkombëtare nuk duhet t`i lihet përshtypja se të gjitha shtresat e kombit shqiptar pajtohen me zgjidhjet që ofrojnë apo që e diktojnë të huajt dhe ata. Sa më shumë grupe, grupacione, struktura, subjekte dhe organizma nga të gjitha trojet shqiptare duhet të organizohen dhe të stimulohen që të hartojnë e të dërgojnë shkresa të tilla të mospajtimit me ndërhyrjet e padrejta të tyre apo të tjerëve me çështjen tonë. Është mungesë e madhe e punës me rininë shkollore e studentore, të cilën e ka përfshirë një valë e degradimit të përgjithshëm. Autoriteti i intelektualëve shqiptarë është i pakontestuar edhe sa i përket ndikimit të masës së gjërë apo në mediat e gjëra të komunikimit masiv publik. Ata janë e do të jenë zërat më të dëgjuar nga ana e shtresave të gjëra popullore, prandaj u takon të persiasin në çdo drejtim për të qartësuar popullin e vet mbi doemosdoshëm e ndërhyrjeve të reja dhe energjike për zgjidhjen e tërësishme të çështjes kombëtare.

Roli i intelektualëve tanë, si udhëheqës shpirtëror të kombit shqiptar, është poashtu i pazëvedësuar. Në çdo pore të jetës e të frymimit tonë, ata duhet të dëgjohen dhe të japin vlerësime sa më kombëtare dhe sa më shkencore. Në brendinë e punës së tyre duhet të spikatë fryma e mobilizimit kombëtar gjithëshqiptar në një Lëvizje Kombëtare Botërore Shqiptare[4], e cila duhet të rindërtohet si strukturë e veçantë, e udhëhequr nga parimet e vërteta të Rilindjes sonë, për bashkim dhe unitet ndërshqiptar, pa dallim feje, krahine dhe ideje.

Lëvizja Kombëtare Botërore Shqiptare duhet organizuar si lëvizje mbarëshqiptare, dhe jo të mbetet në njëren ndarje administrative të tokave tona. Ajo nuk duhet të përfillë ndarjet e tilla adminstrative dhe duhet të ketë si synim të vetëm integrimin e shqiptarëve dhe të tokave natyrore e legjitime të tija konform të drejtave ndërkombëtare mbi vetvendosjen dhe sovrani- tetin e popujve. LKBSH-ja, siç e them unë, nuk duhet të ketë pretendime aktuale të marrjes së pushtetit politik, madje në asnjëren ndasi adminstative të tokave shqiptare, por ajo duhet të organizohet në të gjitha pikat gjeografike të tokës sonë dhe nëpër botë e të jetë faktori i tretë dhe i koncentrimit mbarëshqiptar, me kualitete intelektuale dhe politike, këtu e deri në SHBA. Në radhë të parë ajo duhet të theksohet si kundërpeshë politike e strukturave lokale e parcialiste, jo sikur e bënë deri më tani një organizatë rajonale e Kosovës me “pretendime” ndërkombëtare. Ajo duhet t`ua bëjë të ditur  strukturave ndërkombëtare se ka një strukturë të dytë dhe intelektualësh të mirëfilltë, që nuk pajtohet me ndasitë aktuale dhe që mendon ndryshe nga instrumentet parcialiste. Zëri i LKBSH-së duhet të dëgjohet vazhdimisht dhe për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me interesa vitale të kombit shqiptar. Kështu ajo do të ishte një zë të cilit do ti drejtoheshin edhe strukturat konspirative shqiptare.

Mbajtja e Kuvendit Kombëtar të Bashkimit (jo të Pajtimit[5]), është një detyrë tejet e rëndësishme për çështjen kombetare. Këtë Kuvend mund ta mbajnë subjektet që pajtohen me këtë çështje, duke u ndihmuar me përfaqësuese të zgjedhur në bazë lagje e fshati, për të krijuar një kuorum të zgjeruar të pjesëmarrjes popullore. Një Kuvend i tillë do të ndikonte në përmirësimin e disponimit të masave të gjëra dhe në përkrahjen më të denjë të tyre mbi iniciativat që kanë karakter kombëtar. Gjithsesi do të nxirreshin përvoja të reja apo do të sensibilizohej edhe njëherë çështja kombëtare shqiptare. Nuk mendoj se duhet provuar sipas konceptit që kemi provuar në fillim të dhjetëvjeçarit `90, sepse aty nuk mund të bëjnë punë faktorët parcial, sepse ata nuk duan që ta mbajnë Kuvendin Kombëtar, por duhet të rifillojmë me ata të cilët janë të përcaktuar për zgjidhjen  e kësaj çështje të mirëfilltë shqiptare. Mendoj se disa subjekte progresive, me gjithe kufizimet e tyre të dertanishme, do të merrnin pjesë dhe do ta ndihmonin mbarëvajtjen e punëve të ketij Kuvendi, pa marrë parasyve se a janë të lidhura në pushtet lokale të pjesëve të caktuara të tokës shqiptare. Kështu do të kthehej apo të rikthehej kredibiliteti i humbur për çështjen shqiptare.

Në mos për asgjë tjetër, nga Kuvendi Kombëtar i Bashkimit (Gjithëshqiptar) do të mund të krijohej një aleancë më e gjërë për çështjen kombëtare. Gjithsesi do të mund të krijohej apo rikrijohej (kupto: me zëdhënësit e vërtetë të tyre!) Lëvizja Kombëtare Botërore Shqiptare (LKBSH), e cila do të paraqiste  faktorin e parë publik dhe legal të bashkuar kombëtar, që do të përshpejtojë konsolidimin e strukturave kombëtare. Ajo do të bëhej zëdhënëse e një platforme kombëtare në planin politik dhe padyshim se do ta ndihmojë gradualisht edhe nga struktura të tjera drejtë sendërtimit të një shteti të bashkuar, demokratik dhe të lirë kombëtar, si faktor i rëndësishëm në integrimet e mëtutjeshme kontinentale, etj.

“Bashimi bën fuqinë!”– thotë fjala e urtë e popullit. Ne duhet të bashohemi rreth idealit kombëtar me të vetmen devizë: një komb-një shtet, që t`i bindim të gjithë faktorët e mundshëm favorizues, të jashtëm e të brendshëm, se çështjen e bashkimit kombëtar e kemi jo vetëm një arësye relevante historiko-politike, por edhe preokupim të strukturave kombëtare [6].

Vetëm kjo gjë  mund të bëjë pjesë në faktorin progresiv të kombeve të tjera; vetëm kjo gjë mund të gjë mund të shtyjë faktorët avancues të popujve më të shquar të botës të na përkrah jashtë vendit e mbrenda vendit, për këtë çështje. Do të krijohej në radhë të parë kështu opozita e re demokratike, e cila, me kualitetet e veta të brendshme, do të ripozicionohej në favorin e zgjidhjes së kësaj çështje kombëtare shqiptare.

LKBSH-ja duhet të ngrihej mbi dallimet partiake e partishmëritë; mbi dallimet ideologjike dhe ndasitë e tokës sonë; mbi bindjet dhe dallimet fetare (kupto: nuk do t`ia lë terrenin e zbrazet feve të ndryshme, të cilat veprojnë nga direktiva të huaja dhe armike, për ta përqarë nga brenda kombin shqiptar, gjë që kjo e ka ngushtuar kombin shqiptar, por asnjëherë nuk e ka shtyer në vrasje ndërfetare!); mbi shtrirjet rajonale dhe të ngushta gjeografike.

Veprimtarët e saj duhet të jenë misionarët e bashkimit kombëtar dhe të bëhen hallkë e fuqishme e përbashkësive politike apo e përbashkimit politik. Ata duhet të jenë të mbruajtur me vlerat e vërteta të guximit intelektual dhe qytetar!…

Ju ftoj që të jeni bartësit e këtyre kthesave pozitive e largëpamëse (gjithë)shqiptare; ju ftoj të jeni motor i boshtit kryesor i LKBSH-së; mendja, zëri dhe fjala e ndritshme e saj; sepse jam i bindur se një strukturë e tillë do të ishte një ndërhyrje e rendësishme organizative në favorin e zgjidhjes së tërësishme të çështjes kombëtare!…

IV.

NË VEND TË PËRMBYLLJES

Konsideroj se kombi shqiptar ndodhet përballë sprovave të mëdha. Rreziqet e shpëtimit të mëtutjeshëm të tokës shqiptare janë evidente dhe paraqesin kërcënime serioze të fqinjëve grabitçarë; rreziqet e mbetjes së mëtutjeshme tokës së ndarë shqiptare jashtë kufirit administrativ të shtetit amë-Shqipërisë e nën influencat e pushtuesve të djeshëm janë serioze; rreziqet e ringjalljes së “fantazmave regresive” apo ringjalljes reakcionare të pushtuesve të djeshëm, respektivisht e shteteve të caktuara për rreth nesh, janë tejet të mëdha, etj. …

Të gjitha këto, duke përfshirë mjaft shumë dukuri negative të brendshme, shtrojnë para elitës sonë atdhetare urgjencat e riaktivizimit të mekanizmave të vetëmbrojtjes. Këto urgjenca janë të patjetërsueshme edhe për faktin se brezat e ardhshëm nuk do të na gjykojnë vetëm për ato që kemi mundur të bëjmë, por edhe për ato që nuk i kemi bërë. Detyra e ribashkimit të tokës sonë nuk mund t`i lihet e pazgjidhur të ardhmes!

Mendoj dhe konsideroj se brezat e ardhshëm nuk do të na falin kurrë në rast se nuk bëjmë përpjekje serioze për të parandaluar shthurjen e së ardhmes sonë; këtë degradim dhe denigrim intenziv të qenies sonë dhe të sukstancës sonë kombëtare, jashtë e brenda Shqipërisë!

Brezave të ardhshme duhet t`ua lëmë një Shqipëri të lirë e të bashkuar demokratike[7]. Jam i bindur se kjo gjë është plotësisht e mundur dhe nuk është ëndërr e parealizueshme! Interesat e fuqive të mëdha mpleksen në Gadishullin Ilirik (pra Ballkan) dhe kryqëzohen me tokën tonë.

Atyre, do tu përshtatej një Shqipëri e fortë, stabile, e bashkuar, demokratike dhe e aftë që të udhëheqë vetë me fatin e saj, si pjesëtare e denjë e bashkësisë së gjërë ndërkombëtare, se sa të gjëjë një Shqipëri të coptuar, të varfër, të brishtë, të korruptuar dhe të paaftë që të ushqejë në radhë të parë bijtë e saj…

U bëftë ajo që e dëshironin gjyshërit tanë; që e deshën aq shumë etërit tanë; që e kërkuan me gjakun e tyre e sakrificën e tyre të gjithë dëshmorët e lirisë; dhe kjo që duhet ta bartim të gjithë ne-si proces i pandalshëm i konsolidimit dhe bashkimit tonë kombëtar!

 

Ju faleminderoj për vëmendjen tuaj dhe u shpreh respektin tim më të thellë!…[8]

 

 

[1] Kjo kumtesë, e lexuar me shumë vështirësi e ndërprerje të disa orgaizatorëve apo lakejve të tyre, në Tribunën Politike të LKÇK-së, në lokalin e Bibliotekës Universitare të Prishtinës, tani Biblioteka Kombëtare e Republikës së Kosovës, është ruajtur nga autori versioni i daktilografuar, sepse PC-ja e cila i mbanëte shkrimet e tilla analitike e politike ishte përbysur nga faktorët e panjohur të asaj kohe, dhe disketat e vogla të programeve të hershme nuk i lexon asnjë PC. Kjo kumtesë e daktilografuar u shtyp përsëri dhe po botohet për herë të parë.

[2] Siç e thashë më parë, kjo kumtesë nuk arriti të lexohet tërësisht dhe disa herë u ndërpre nga organizatorët, me datën 8 qershor 2002, kah fundi, kur i erdhi radha që të lexohej. Publiku insistonte të dëgjonte këtë kumtesë, por unë arrita që të lexoj vetëm disa pjesë e me thekse të veçanta. Nga një kopje ua lashë përgjegjësve të Këshillit të Përgjithshëm të LKÇK-së, si dhe një kopje organizatorëve Tribunës Politike.

[3] Politika pacialistë është politika zyrtare shqiptare sipas ndarjeve administrative të tokave tona nga faktorët e mëparshëm imponues e okupues. Fjala „parciale“ rrjedhë prej fjalës parcellë, që lidhet me pronën, të cilën e ndajnë pjesë-pjesë, ata të cilët dëshirojnë të punojnë nga një parcellë e nuk e bëjnë këtë punë në përgjithësi…

[4] Një lëvizje e tillë është krijuar formalisht, e thënë shkurt LKBSH-së, në përkthimin anglisht, të marrë prej autorit të këtushëm dhe shkrimet e mia, por nuk e shpreh as sot e kësaj dite tërë ate që e dëshironim të bëhej.

[5] Çështjen e bashkimit të tokave shqiptare e kam përkrahur pa rezervë, që prej themelimit të kësaj inciative, prej nëntorit 1991 e tutje, për çka do të shikoni si Kryeredaktor i Revistës (Mbarë)Shqiptare „Qëndresa“, që botohej në Zürich të Zvicrës, apo përmes artikullit të botuar me 12 gusht 1992, me titullin „Ora e fundit për opcionin e fundit“, edhe në gazetën „KOMBI“, Organ i Partisë së Unitetit Kombëtar Shqiptar, Viti i II-të, nr. 27 (48), në të cilin kam filluar të distancohem me arësye prej „pajtimit“, që e përfollte vazhdimisht Akad. Prof. Dr. Rexhep Qosja, deri sa e krijova në Zvicër, si kryesues  UNIKOMB-it për Zvicër dhe Anëtar i Kryesisë Qëndrore të kësaj partie (në Shqipëri, Kosovë, e Mërgatë) Komisionin Organizativ për Kuvendin Kombëtar të Bashkimit Gjithëshqiptar, i cili, nga persona të shumtë e të caktuar u sabotua, deri në falimetim…

[6] Kjo çështje duket sheshazi se ka marrë fund, deri sa Maqedonia është e njohur ndërkombëtarisht dhe është pranuar në OKB dhe EU. Për „bashkimin kombëtar“ mbetet alternativa e dytë e afatgjate, nëse i qëndron kohës dhe globalizmit, të cilat do të na ngushtojnë hapësirën e frymëmarrjes së qenies kombëtare.

[7] As këte gjë aktualisht nuk ua kemi lënë „të zgjidhur“ brezave, sepse kryesitë tona, gjoja „kombëtare“, ishin dhe janë kryesisht „të shitura“, te faktorët ndërkombëtar dhe te armiqtë e tokave shqiptare.

[8] Mendoj se aty nuk kishte mirëkuptim të tillë e respekt për „bashkim gjithëkombëtar“, të cilin e thirrja vazhdimisht, por më penguan vartësit e verbër të polikave parciale mbi tokën shqiptare. Harroheshim me qëllim artikujt e mi e intervistat, dhe njëra ndër këto është intervista e anatemuar, e botuar në gazetën “KOMBI”, Organ i Partisë së Unitetit Kombëtar Shqiptar, Viti i II-të, Numri 5 (25), në mars 1992, e zhvilluar nga Safet Sadiku, në dhjetor 1991, „Askush nuk guxon të pranojë zgjidhje parciale të çështjes shqiptare“. Vepra e ime „Çështja shqiptare dhe zgjidhja e drejtë e saj“, në të dy volumet e saj, i kishte edhe këto shkrime, por ajo u mor me dhunë prej tre anëtarëve të mëdhenj të SHIK-ut nga duart e redaktorit, Akad. Prof. Dr. Bedri Dedja, në Shqipëri dhe u „përmbys“ menjëherë PC-ja ime në Zvicër, për të cilën dinë të rrëfejnë Hackerat e Shqipërisë e të Kosovës. Po e them edhe njëherë se kjo vepër ka mbetur ende e pabotuar…

Shperndaje ne
Updated: 29 Mars, 2019 — 13:13

The Author

Brahim Avdyli

DISA SHËNIME BIOGRAFIKE PËR AUTORIN DHE VEPRAT Brahim Ibish Avdyli është i lindur më 5.9.1960, në fshatin Morinë, Komuna e Gjakovës, Republika e Kosovës dhe i takon plejadës së shkrimtarëve të fundviteve shtatëdhjetë dhe të fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX). Që në vitet e hershme të rinisë u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e kombit shqiptar. Ai merret paralelisht me shkrime shkencore, gazetar e publicist, krahas krijimtarisë letrare (prozë, poezi, dramë, etj.)... Katër klasat e para të shkollës fillore "Ganimete Terbeshi" i ka kryer në Morinë të Gjakovës dhe katër klasat e tjera, në fshatin Ponoshec, në kushte mjaft të rënda. Pastaj i ka vazhduar dy klasat e para të gjimnazit “Hajdar Dushi“ në Ponoshec dhe dy klasat e fundit, me rezultat të shkëlqyeshëm, në Gjakovë, duke udhëtuar këmbë apo duke banuar atje. Më 1979 është regjistruar si student me korrespondencë në Fakultetin Filologjik, të cilat i kreu në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe. Pas fatkeqësisë shëndetësore, ka vazhduar t’i ndjekë studimet në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, në Fakultetin e Shkencave Politike - Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, të cilat i ka kryer, me qëllim të përmirësimit. Aty ka vazhduar me studimet e pas diplomës dhe e ka mbrojtur temën e magjistraturës, në tetor të vitit 2010. Brahim Avdyli ka botuar shumë shkrime, artikuj, analiza dhe akte të tjera politiko-organizative, ndërsa gjatë viteve 1990-1995 e ka redaktuar e udhëhequr revistën gjithëshqiptare „Qëndresa“ në Zvicër, e cila është botuar me vështirësi jashtëzakonisht të mëdha financiare e politike... Deri më sot e kanë parë dritën e botimit këto vepra: -"Në hijen e Alpeve", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1983; -"Buka e kuqe", poemë, Atdheu, Cyrih, 1990; -"Kur zgjohet Dodona", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1992; -"Pasqyrë e përgjakur", poezi, Marin Barleti, Tiranë, 1994; -"Klithje nga fundi i ferrit", poezi, Onufri, Tiranë, 1997; -"Gjuha e dheut tim", poezi, Albin, Tiranë, 1999; -"Klithje nga fundi i ferrit", botim i dytë, Jeta e Re, Prishtinë, 2000; -"Baraspesha e humbur", poezi, Qëndresa, Gjakovë, 2003; -"Vragat e një kohe", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2005; -"Lëvozhga e vdekjes", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2007; -"Stelele Veşniciei /Yjet e Përjetësisë", Poezie albaneză, din Kosova, BKSH të Rumanisë, Bukuresht, 2008; -"Zogu i këngës", poezi të zgjedhura, SHB “Pjetër Bogdani”, Has, 2009; -"Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj", politikë e publicistikë, Brezi `81, Prishtinë, 2011; -"Qielli i paprekur", poezi, Brezi `81, Prishtinë 2012; -"Vetëvrasja e një poeti", dramë e kthyer nga romani me një titull tjetër, Shoqata e Intelektualëve "JAKOVA", Gjakovë, 2013; -"Shtegtimi i lirisë", poezi, Faik Konica, Prishtinë 2014; -"Torzo e shpirtit tim/Der Torso meiner Seele", zgjedhje e poezive në shqip e gjermanisht, Amanda Edit Verlag, 2015; “Arena e dhembjeve”, poezi, Botimet Meshari, Prishtinë 2017. “Sondazhe për Kosovën dhe kufirin e saj”, vepër analitike e publicistike, Lena Grafik, Prishtinë 2019. Tani, pritet të botohet vepra “Die Verrückten Pferde”, me lektur nga zvicranja Laura Shämerli dhe redaktori Dr. Naim Kryeziu, Magic Verlag, Basel 2019... Janë të shumta veprat e ndryshme, të cilat janë botuara nga fushat e letërsisë, publicistika e antologjitë, shqiptare e ndërkombëtare, apo ato që e kanë brenda faqeve të veta, me punime apo me fotografi. Ato, nuk i numrojmë... Mjaft shkrime e vepra të pabotuara i janë marrë nga policia sekrete serbe apo nga policia shqiptare dhe janë zhdukur, pa gjurmë... Poezia e tij kryesisht është përkthyer në gjuhët italisht, gjermanisht, rumanisht dhe pak më pak në anglisht. Brahim Ibish Avdyli është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK); i Autoreve dhe Autorëve të Zvicrës (AdS); dhe i disa organizatave të tjera. Këto poezi lirike janë nga libri më i ri i poezisë së tij lirike...

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.