Gjendja e shoqërive në tokë nuk ndryshohet nga qielli, por nga njerëzit të cilët banojnë në të

profiShkruan: PROF.ASS.DR. Xhabir Hamiti

Një vështrim i shkurtër, si dhe një kthim prapa në retrospektivën historike të shoqërive njerëzore, të bën të kuptosh se ngritjet dhe rëniet e popujve të ndryshëm, gjithmonë kanë ndodhur si rezultat i angazhimit dhe veprimit si dhe vetë të bëmave të tyre. Qenia njeri, për dallim nga gjallesat tjera është graduar edhe nga Zoti me titullin “mëkëmbës – vice geront”, përgjegjës i rendit dhe rregullit në tokë, si dhe njëkohësisht është pajisur edhe me fuqinë e logjikës dhe të arsyes si dhe me forcën e perceptimit dhe akceptimit. Po të ishte ndryshe në fakt jo që nuk do mund të bënte diçka të mirë për veten dhe të tjerët, por edhe nuk do të dallohej nga gjallesat tjera shtazore dhe bimore, të cilat janë të panumërta në kozmosin e gjerë, e as që do të quhej me emrin njeri.

Me vetitë e tij dalluese nga e gjithë bota tjetër e gjallë, krijesa humane në sipërfaqen e tokës, e ka pasur dhe e ka fuqinë e veprimit dhe të manovrimit të studiuar dhe të planifikuar, të cilën nuk e posedon ndonjë gjallesë tjetër i gjallë në mesin tonë. Fuqia e të logjikuarit dhe rezonimit si dhe aftësia studiuese e tij ishte dhe vazhdon të jetë gjithnjë evolutive, dhe si e tillë është e pandalshme deri në përfundimin e kësaj bote.

Këto mundësi dhe aftësi të robit, sa më mirë që shfrytëzohen, aq më e mirë dhe më efektive si dhe më e mirëfilltë do të jetë jeta individuale dhe shoqërore në tokë.

Ndryshe, të mirat e një shoqërie të prosperuar nuk arrihen brenda natës, por përmes një procesi të gjatë dhe të përkushtuar, duke filluar me edukimin e drejtë të gjeneratave të reja, punës së sinqertë dhe të çiltër, angazhimit për interesin e përbashkët si dhe veprimit dhe qasjes së drejtë ndaj të gjithëve.

Përderisa në një familje, rreth, shoqëri apo shtet, nuk investohet në kultivimin e vetive pozitive njerëzore, humane dhe etike, në vlerat e respektit të ndërsjellë dhe solidaritetit, transparencës, spiritualitetit dhe bamirësisë, dashurisë së vendit dhe atdheut etj., e ardhmja nuk mund të jetë ndryshe  veçse anarki dhe çrregullim individual dhe kolektiv.

Vendi dhe shoqëria e jonë ka pësuar dhe po pëson pikërisht për gabimet e përsëritshme, të cilat janë bërë dhe po bëhen me veprimet tona të pamatura dhe të pandërgjegjshme.

prapambetjaFajin për gjendjen tonë aspak të lakmueshme sot, duhet në rend të parë ta adresojmë te vetja jonë, e vetëm pastaj t’i kërkojmë dhe identifikojmë faktorët tjerë të jashtëm. Vite e dekada me radhë janë duke na ikur shumë shpejt, ndërsa ne vazhdojmë me avazin e vjetër duke gjetur prehje dhe arsyetime në thëniet tona demo-de si: “jemi shoqëri në tranzicion”, ose se “të tjerët i kanë fajet për gjendjen tonë!”.

Shtëpinë tonë askush nuk mund ta dojë më shumë sesa vetë ne, siç edhe askush nuk dëshiron ta shohë atë të rregulluar e të renditur më mirë se sa vetë ne që jetojmë e banojmë në të. Mirëpo, vetëm dëshirat dhe aspiratat të cilat nuk shoqërohen me veprime konkrete dhe adekuate, ato gjithnjë ngelin vetëm ëndrra shterp dhe të parealizueshme, kurse tatëpjeta e jonë sa rrëshqet e thellohet më shumë.

Individi dhe e gjithë shoqëria e jonë duhet ta kuptojë njëherë e përgjithmonë se, vrapimi vetëm pas mirëqenies individuale, duke anashkaluar e shkelur interesin e përgjithshëm, është veprim i gabuar dhe i mëkatar, si tek njerëzit e ashtu edhe tek Zoti. Njeriu, edhe mbret po të jetë në mesin e një shoqërie të varfër ai nuk ndihet mirë dhe i qetë.

Është e vërtetë se në botë nuk ka shoqëri ideale, mirëpo ka të tilla ku në to funksionon rendi, rregulli, ligji, barazia sociale dhe trajtimi i barabartë e njerëzor për të gjithë.

Fëmijët dhe gjeneratën tonë që janë amanet i yni, nuk mund t’i edukojë tjetër kush, por vet ne duhet të jemi ata që marrim përgjegjësinë e orientimit të tyre të drejtë. Shkollat tona  nuk i avancojnë të huajt e as nuk bëjnë rregulla pedagogjike e akademike për to, po që se ne vet nuk tregojmë interesim për avancimin dhe kredibilitetin e tyre.

Punësimet e njerëzve në institucione të rëndësishme të vendit pa kritere, nuk i përzgjedhin fqinjët tanë e as të largëtit, por vet dora dhe vullneti i jonë.

Vjedhjet, korrupsioni, dallaveret, haraçi, ryshfeti, fajdeja, prostitucioni, droga etj, nuk mund të zhvillohen e zgjerohen në mesin tonë, nëse  ne nuk i mbyllim sytë ose nuk  shtiremi se nuk po i shohim aktivitet e tyre.

Haku i tjetrit nuk nëpërkëmbet nga të fuqishmit dhe të priveligjuarit, nëse drejtësia e vendit  kryen punën e vet për të cilën është ngarkuar nga populli.

Ngjarjet e fundit në shtetin tonë janë sinjali më eklatant i fillimit të ndërmarrjes së hapave të ri dhe të shpejtë. Eksodi i fundit, i ikjes masive të bijave dhe bijve tanë, në rrugëtime pa adresë, në kërkim të një mirëqenie dhe sigurie më të mirë sociale, si asnjëherë më parë duhet të na bëjë që të mendojmë seriozisht për gabimet dhe lëshimet tona, por edhe për hapa konkret që duhet të bëhen drejtë përmirësimit të jetës dhe standardit të qytetarëve tanë.

Duke vajtuar e duke deklaruar për keqardhje të gjendjes në të cilën gjendemi nuk zgjidhen hallet dhe preokupimet tona.

Mendoj se këndellja për reflektim në vetveten tonë sot është më së e domosdoshme dhe e patejkalueshme, sepse duke mos i parë dhe analizuar gabimet tona, si dhe duke mos i përmirësuar ato, ne nuk do të kemi të ardhme të ndritur.

Prishtinë, 05.02.2015

Shperndaje ne
Updated: 8 Shkurt, 2015 — 09:14

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.