Letërsia Shqiptare: TI, O POPULLI IM (POEZI)

     TI, O POPULLI IM
Ta them hapur, pa dilemë:
Mos më lexo, se do t’më urresh
Kur unë të vërtetën do ta themë,
“Ç’të duhet ty, o trap”, do ma kthesh.

Po mo po, ti, populli im,
Shoku, miku, i afërmi, vartës a shef!
E mori dreqi e mori, jam gjaku yt legjitim
Dhe më bëre të shkruaj me kaq mllef!

Ti, i çuditshmi, populli im,
Kaq i zhgënjyer, i influencuar përherë!
Ti, që m’i cingëris nervat sa hap sytë
Me atë të troshiturin karakter!

Sot ankohej se ke lakun në fyt,
Nesër brohoret se punët të venë vaj,
Më je bërë si politka pa kokë e pa bisht
Po jo edhe shteti, ta hajë dreqi ta hajë!

Ti, o populli im i ri
Me depresion e drama që në lulen e rinisë,
Me mua je, krejt tjetër njeri
Dhe botës i shitej si dhuratë e perëndisë;

Ti, që veten shan e urren,
Që s’lexon një libër, nëpër kafe ditën ngrys
Të fyhet qytetaria e ndërgjegjja të bren
Kur vriten gazetarët në Paris…

Ndodh që vritet një turist i huaj
Ti mohon veten, kriminel i thua, për ibret
Me injorancën tënde tallesh kur burri vret gruan
Në zgryp është rritur, thua, dashka dhe qytet!

Ti, që intelektin ke në gen
Rropatesh për një falco-diplomë
Për të qënë thjesht ushtar i kavies
Që bota eksperimenton në planetin tonë.

Ti, o populli im vital
I pastër si bora në kreshtat e maleve
Kujton ti se unë përherë do të fal
Të mbushësh me plehë edhe baltën e varreve?…

As pushtuesi, as diktatura as demokracia
S’patën këllqe të të ndryshonin ty
Unë jo se jo, as Perëndimi, mos nesër rinia?
As Zoti as dreqi s’e di.


Shperndaje ne
Updated: 4 Prill, 2017 — 11:22

The Author

Hamit TAKA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.