GJENOCIDI ORTODOKS GREK DHE PASOJAT GJEO-ETNIKE

Napoleon Zervas me prifterinjte fashiste grek

GJENOCIDI ORTODOKS GREK
DHE PASOJAT GJEO-ETNIKE

E shkuara e familjes dhe e komunitetit tim, më kërkuan ta shkruaj që të njihet nga e ardhmja, sepse kujtesat historike të njerëzimit janë të ndryshme, ato dallojnë sipas qytetërimeve dhe niveleve të zhvillimeve të popujve. Përvojat historike dhe realitetet e kohës tonë tregojnë se kur ndërmerren veprime masakruese ndaj një njeriu, familjeje, komuniteti deri tek shteti, dëmtuesi i çdo njësie organizative shoqërore, duhet ta ndjejë se pasojat e veprimeve nuk ndalen vetëm në realizimin e atij aksioni politik, ekonomik, social, fetar apo ushtarak. 
Në brendinë e çdo veprimtari keqbërës, në rastin e trajtimit të temës tonë, përkatësisht shtetet, kisha apo xhamia, sigurisht u nisën nga një synim shfarosës, rrjedhojë e mentalitetit të cektësisë së tyre ndaj të kuptuarit se gjithçka që lind, zhvillohet dhe shumohet mbi bazat e rregullave mbinjerëzore.
         Sigurisht veprimet e “pamatura” dhe ç’njerëzore ndikojnë, krijojnë vështirësi, sjellin çoroditje, por të gjitha pengesat mbeten brenda një mase individësh, grupnjerëzish, komunitetesh, apo etnish, racash që pësojnë tronditje, kohë relativisht të gjatë (e matur me jetën mesatare të njeriut). Më pas në kohë “shuhet” ai synim ç’njerëzor dhe vjen përsëri rindërtimi i vlerësimit të individit, familjes, grupnjerëzve, komunitetit, dhe shoqërisë në tërësi brenda këtij apo atij shteti.
Për të kuptuar këto të vërteta, të cilat i përkasin rregullshmërisë universale, do ndalemi tek masakrat e shtetit dhe kishës greke, të cilat prej mbi 100 vitesh ndjekin rrugën e “Antikrishtit”, të keqbërjes ndaj pakicave etnike dhe fetare, që u përfshinë padrejtësisht në atë shtet nga vendimmarrjet antidemokratike të Fuqive të Mëdha që nga viti 1913 e në vazhdim.
a).- Shtjellim përmbledhës i raprezaljeve greke ndaj çamëve.
Në analizën tonë, subjekti “Gjenocidi ortodoks grek ndaj banorëve të rajonit të Çamërisë”, nuk do trajtohet në detaje, sepse për ’të kam shkruar dhe botuar shumë artikuj dhe 12 libra. Subjekti i mësipërmë do të trajtohet në përgjithësi, me ndalesa tek veprimet makabre, shifrat, pasojat dhe këto për të mos u “harruar” masakrat e shumta dhe të vazhdueshme që janë pasojë e atij “gjenocidi”. Po ashtu nuk do ndalemi tek shpërngulja me dhunë e mbi 35,000 banorëve të rajonit etnik shqiptar të banuar në territorin e prefekturave të Artës dhe Prevezës të rajonit të Çamërisë, hapësira përafërsisht mes lumit Acheron dhe lumenjëve Araktus dhe Luros, mbasi ata, fati i keq i “zaptoi” gjatë viteve 1922-1925, të cilët u bënë pré e spastrimit etno-fetar me djallëzitë greko-turke për futjen në vathë (mone) popujt sipas besimeve fetare dhe jo sipas gjuhës, traditave dhe vendeve të tyre autoktone. 
Analiza jonë përqëndrohet tek gjenocidi grek, i ndodhur në vitin 1944 deri në mars 1945. Një popullsi autoktone, mijëra vjeçare, me kufi fort mirë të përcaktuar nga lashtësia e deri sot, e pastër etnikisht e fisit thesprot të pellazgjisë. Ajo popullsi u ndodh përpara egërsisë ortodokse greke, e cila në përmbushjen e ideve irredentiste “megalloidheiste”, gjatë vitit 1944 deri në mars 1945 vrau, preu, internoi, shpronësoi, poshtëroi, përdhunoi, dhe u mohoi identitetin. Veprime këto të cilat u përmbyllën me plotësimin, pa asnjë mëdyshje të kritereve që përmbushën përcaktimin: ”Gjenocid i pastër”, me dëbimin e dhunshëm dhe tërësor prej vendit të saj autokton. 
Një popullsi 28,081 veta, e besimit mysliman, 29.6%, ose 8,332 veta, i u nënështruan masakrave vdekjeprurëse ortodokse greke, përndjekjeve, plumbave, sëmundjeve, të ftohtit dhe urisë, dëbimit të dhunshëm jashtë kufijve të Greqisë (Rajonit të tyre autokton të Çamërisë). Rajoni i Çamërisë prej 1,515 km/² (bëhet fjalë vetëm për prefekturën e sotme të Thesprotisë, territori ku u krye gjenocidi 1944-1945) është grabitur tërësisht nga shteti Grek. Të gjitha pasuritë e paluajtshme të këtij rajoni kanë mbetur nën administrimin kryesisht të kishës ortodokse greke, rajon i cili vazhdon të grabitet prej tyre.
Nga 27 qershor 1944 deri më 13 mars 1945 janë masakruar 2,777 persona, ndërsa 500 veta vdiqën nga torturat në kampet e internimit gjatë muajve nëntor, dhjetor 1940 dhe janar-maj 1941. Gjithësej të vrarë, të vdekur, të masakruar 3,277; prej të cilëve 1,237 gra e fëmijë (nga këta 128 fëmijë, prej të cilëve 32 fëmijë nën 3 vjeç). 745 gra dhe vajza u përdhunuan, prej tyre 76 gra u rrëmbyen. Gjatë periudhës së gjenocidit numurohen 2,300 persona të zhdukur dhe të humbur në rrethet Paramëthi, Pargë, Margëlliç dhe Filat. Si rrjedhojë e spastrimit etnik, 2,755 njerëz vdiqën nga uria, sëmundjet dhe nga të ftohtit. 
Nga fundi i muajit nëntor dhe muajit dhjetor të vitit 1940, si rrjedhojë e mentalitetit ortodoks grek, ajo popullsi u paragjykua si bastion i pushtuesit italian dhe nga ky paragjykim mbi 6.000 djem e burra nga 16 deri në 70 vjeç u grumbulluan dhe u internuan mbi 6 muaj në ishujt e Detit Egje. Prej tyre, nga vrasjet, torturat, uria dhe nga mungesa tërësore e kushteve higjeno- sanitare, vdiqën dhe u vranë nga ushtarët grekë 500 veta. Egërsia ortodokse greke shkatërroi 68 fshatra dhe qytete; 6,500 shtëpi u dogjën; 102 objekte kulti u shkatërruan. U vodhën e u përvehtësuan 127,000 krerë bagëti të imta; 24,000 bagëti të trasha; 625 gjedhë; drithra buke 250,000 kv.; 80.000 okë vaj ulliri; të gjitha prodhimet bujqësore e blegtorale (zairetë), gjendje nëpër shtëpitë e çamëve; të mbjellat në tokat arë dhe të pa korrura, prodhimet e ullinjve dhe pemëve të tjera të pa vjelura, agrumet si portokallet, limonat, mandarinat, vreshtat, gjithçka!. 
Ardhacakët (ortodoksët turq) dhe andartët zervistë u pasuruan me bagëtitë e të gjitha llojeve, të cilat mbetën pa zot staneve, vathave (moneve) dhe kullotave. U përvehtësuan pa asnjë lloj pagese fabrika vaji, bloje, ndërrtesa që shërbenin për industrinë, artizanatin, vegla pune për përdorim në bujqësi. Po ashtu ndërtesat e banimit, të bujqësisë, blegtorisë, tregtisë, dyqane të shumta me manifaturë e mallra të ndryshme. Në mënyrë të përmbledhur, që nga viti i gjenocidit e në vazhdim, shteti dhe kisha ortodokse greke po grabisin dhe shfrytëzojnë padrejtësisht të gjitha të mirat materiale që ka dhe jep rajoni tërësor i Çamërisë.  
Edhe sot shteti grek vazhdon të shkelë Ligjet Ndërkombëtare për të drejtat e Njeriut, siç janë: Ligji i Luftës Nr. 2636/1940 me Republikën e Shqipërisë. Në parantesë, ai ligj nuk ka lidhje me popullsinë e shqiptarëve të Çamërisë dhe as me rajonin e tyre, por shteti grek e përdor për propagandë në mënyrë spekulative. Ligj tjetër që shkelet është ai me Nr. 4506/ 1966 për sekuestrimin e pronave; ligji me numër 2664/1998 “Mbi Kadastrën kombetare” së bashku me rregullat dhe udhëzimet si dhe shumë ligje e konventa të tjera ndërkombëtare që mbështesin të drejtat e banorëve të atij rajoni.
Shënim: Shifrat e mësipërme nuk paraqesin të dhëna të plota, mbasi në intervistim u mundësuan rreth 70% e deklarimeve, në vartësi të kushteve të mundshme të asaj periudhe (F.D.). 
b).-Shpërqëndrimi i çamëve gjatë 100 viteve.
Të ndarë nga njëri-tjetri, në qytete dhe fshatra të ndryshme
të Shqipërisë, çoroditja, pasiguria, trysnia dhe “harresa”.
Shpërngulja e dhunshme, tërësore e shqiptarëve myslimanë të Çamërisë prej vendit të tyre autokton nga shteti grek, përveç se ishte një veprim sa armiqësor, i ç’njerëzishëm, po ashtu është tepër i dhimshëm dhe me pasoja të rënda jetësore edhe në vijimësinë e ekzistencës së komunitetit çam. Të mbijetuarit e mbas genocidit grek, në përpjekje për të siguruar të ardhmen, mbasi kaluan kufiri, në turma njerëzish, në pamundësi për të qenë të bashkuar siç ishin sipas fshatrave e qyteteve, të shpërqëndruar nga e keqja që u ra, ecnin të pa orientuar për si dhe ku do përfundonin.                   
Mungoi pritja e organizuar nga institucionet qendrore apo lokale shtetërore, për faktin e vërtetë se Shteti Shqiptar ishte inekzistent, vendi ende nuk ishte çliruar nga pushtuesi gjerman. Në ato vite nuk kishte mjete apo teknologji informimi për të shpërndarë lajmin, siç është në realitetin e sotëm. Emigrantëve i u desh të përballen me të gjitha llojet e vështirësive që kërkohet për të përballuar vazhdimësinë e jetës. Ndihmat e UNR-ës ishin të pakta, por dhe aq sa ishin nuk shkuan të gjitha në ndihmë të tyre, kjo për shkaqe të ndryshme, më kryesori ishte administrimi i keq dhe jo i drejtë. Ashtu siç ndodh edhe sot “dora hajdute” e organizatorëve të shpërndarjes “goditi” fort në firosjen e ndihmave.
Shtetit shqiptar i u dhanë ndihma në mallra, materiale dhe paisje rreth 26 milionë dollarë. Ndërsa refugjatëve çamë (emigrantëve), sipas deklarimeve të kohës, thuhet se u janë dhënë 1,2 milionë dollarë. E shquaj me fjalën “thuhej”, sepse në dijeninë time nga ato “ndihma”, e sigurtë nuk përfitoi asnjë nga familjet e fshatit tim, as nga të fshatrave Dramës, Dhërmicë, Zboqe, Vërselë dhe Skopjonë! Nga një pjesë e ndihmave, kryesisht përfituan disa familje që ishin vendosur në qytete.! 
Papunësia, varfëria, sëmundjet, sidomos malarja, sifilizi, mungesat e qendrave shëndetësore, të arsimit ku 81,22 % e popullsisë vendase ishte analfabete (Më 30/09/1945, në një popullsi prej 1.122.044 banorë, numri i analfabetëve ishte 911.410 banorë, ose 81.22% e popullsisë) ishin të pranishme. Të gjitha këto rëndonin jetën e emigrantëve. Për ato vite, shërbime të tilla ishin të pakonceptueshme, për ne emigrantët po se po, por edhe për vendasit (kështu bëhej dallimi i popullsisë në vitet e para të pas çlirimit).  
Përballja me këto realitete e emigrantëve ishte kartastrofike. Gjithëkush është i lirë të kuptojë, të komentojë, të bëjë interpretime sipas orekseve, ajo ishte gjendja reale e komunitetit çam i dëbuar dhunshëm për në troje të tjera, megjithëse ngulitja e tyre ishte në trojet brenda shtetit Amë. 
Ishte ai realitet, i cili u shoqërua me përdorimin me sukses të shpifjeve ndaj “çamëve” me synimin afatgjatë për përçarje si mes tyre, brenda për brenda komunitetit por edhe më keq duke nxitur urrejtjen e “vendasve” ndaj tyre. Dhe kjo propagandë mendohej, thurrej, (argalisej), përpunohej dhe përhapej nga kupola politike e kohës, në përbërje të së cilës kishin poste të larta edhe elementë të njohur antiçamë të lidhur etnikisht dhe shpirtërisht me gjenocidistët. Ishin anëtarë të Byrosë Politike që i shërbenin luftës së pandërprerë kundër kombit shqiptar në tërësi dhe komunitetit çam në veçanti, kjo për të lehtësuar arritjen e shtrirjes së helenizmit në troje të tjera dhe goditjen vdekjeprurëse të bërthamës pellazgjike që ishte e konservuar me gjuhë, tradita, zakone dhe territorin e saj në rajonin më jugor të Shqipërisë etnike. Ai komunitet është vijimshmëria direkte pellazgo-iliro-epirote. Ndaj asaj popullsia, që nga viti 1945 e në vazhdim, është mbajtur qendrim dyshues, jo dashamirës, sidomos deri para vitit 1990 qendrimet ishin rezervues, të pabesueshëm, trajtoheshin si elementë që gjoja ndikonin negativisht në marëdhëniet shqiptaro-greke. 
Ishin dhe mbeten këto mentalitete dhe qendrime të cilat ndikojnë në mos angazhimin serioz të shtetit shqiptar, lidhur me plotësimin e detyrimit kushtetues të mbrojtjes të së drejtave të bashkëkombasve. Shteti shqiptar në kushtet gjeopolitike inferiore, ekonomike, ushtarake dhe në mungesë të trajtimit të njëllojshëm me shtetet fqinjë nga Bashkimi Europian, për katër dekada nuk “guxonte” të fliste për gjenocidin ortodoks grek ndaj shqiptarëve të Rajonit të Çamërisë. Në këto situata ngritja e zërit për zgjidhje të “Çështjes Çame dhe gjenocidit ortodoks grek” jo vetëm u la në harresë, por me mënyra të kamufluara diktoi frikën, përbuzjen, heshtjen, nëpërkëmbjen, trysnitë dhe harresën, forma dhe metoda të cilat arritën që ai komunitet të strukej, të mbyllej në vetvete. Nuk ishte e lehtë. Ishte periudhë tejet e vështirë. 
Duke filluar nga viti 1961 deri në vitin 1991, emri “çam” u bë sinonim i njeriut negativ, i pabesisë dhe mjaft nofka të tjera. Propaganda greko-komuniste arriti të “mbjellë” në ambjentet shoqërore shqiptare dhe më gjërë, qendrime të tilla të pavërteta ndaj komunitetit çam deri në atë pikë sa thuhej: “Mirë u a bëri Greqia që i përzuri”. 
Askush nuk mund të ngrinte zërin për këto të pa vërteta; askush nuk mund të organizohej për t’ju kundër vënë këtyre qendrimeve vrasëse, mohuese, nëpërkëmbjeje, sepse për një fjalë goje do kalbeshe, siç dhe u kalbën qindra e mijëra shqiptarë, qoftë “vendas” apo “çamë” në burgjet e komunizmit shqiptar. E vërteta pse Greqia i masakroi dhe kreu gjenocidin ndaj shqiptarëve myslimanë të Çamërisë, pavarësisht “thash e themeve” greke dhe ithtarëve të tyre brenda dhe jashtë Shqipërisë, ishte strategji shtetërore dhe predikim kishtar i kahershëm për të përmbushur synimet e arritjes me çdo kusht të zgjerimit të helenizmit në të gjithë Epirin: 
● – Shtrirja e helenizmit deri në lumin Shkumbin, sipas “Megalloidhesë”, për tu realizuar duhej sëpari të spastrohej Shteti Grek nga popullsitë, ku mbas 1913 bënin pjesë pakica me etni dhe besime fetare ndryshe nga kombësia dhe ortodoksia greke. Nga Epiri i jugut kishte mbetur pa u spastruar rajoni tërësor i Çamërisë. Nënështrimi i banorëve të atij rajoni për kishën dhe shtetin grek, ishte një kockë e fortë. Duheshin veç forcës edhe masa të tjera si ato të shpifjes, mashtrimin ndërkombëtar, përdorimin e dredhive, të cilat i a kalonin edhe “Kalit të Trojës”.
        ●- Banorët e atij rajoni ose duhej të pranonin besimin ortodoks dhe të përfshiheshin në kombësinë greke, duke realizuar me lehtësi zaptimin e territorit etnik shqiptar në përmbushjen e strategjisë 200 vjeçare, ose do të masakroheshin dhe dëboheshin nga vendi i tyre. Dihet, ndodhi alternativa e dytë, sepse ata banorë nuk pranuan të humbnin identitetin etnik të tyre dhe se rajonin e Çamërisë nuk mund ta falnin duke u quajtur truall i një shteti tjetër. Është kjo nyja Gordiane që Rajoni i Çamërisë, megjithë gjenocidin ortodoks grek që po mbush 76 vjet, përsëri nuk ka arritur dhe as që do arrijë që të ndërrojë identitetin etnik të tij.
        ●- Që të bëhej i mundur plotësimi i amanetit të helenizimit të Epirit deri në lumin Shkumbin, duhej që të tjetërsohej popullsia nga besimi mysliman në besimin ortodoks. Kjo nuk ndodhi në të gjithë popullsinë e Çamërisë, mbasi ndërrimi i besimit tek çamët, nuk ishte thjeshtë dhe vetëm ndërrim i xhamive në kisha, por ata e dinin fare mirë se ndërrimi i faltoreve do të çonte në ndërrimin e identitit etnik jo vetëm të banorëve, por dhe të rajonit, gjë që i ngarkonte ndërgjegjësisht me një tradhëti të madhe ndaj territorit dhe amanetit të të parëve të tyre. 
        ●- Banorët e krahinës më jugore shqiptare, ishin të betuar ndër breza për ruajtjen, mbrojtjen dhe sigurinë e vazhdimësisë, sepse rajoni i tyre ishte atdheu i thesprotëve legjendarë; ishte vendi i mitologjive; vend i lashtësive para Homerike; vend i mikpritjes; i begatisë; vend që ka shkëlqyer edhe në veprat “Iliada” dhe “Odisea” të Homerit; vend ku jepte dhe merrte jetë lumi i vdekjes Acheron; vendi i Fedonit të parë pellazgjik; vendi i Dodonës-faltores së ngritur në mijëvjeçarin e II-para Krishtit; vendi i dytë i shenjtë mbas Delfit; Vendi i Zeusit; i Afërditës; vendi i Nekromandisë; i Fanotit; i Titanit (Gitanit); vendi i Hadesit dhe i Persefonit; i Irakliut (Inakut); vendi i pikëllimit, ai lotëve ku varkëtari plak Haron përcillte të vdekurit me varkë në anën tjetër të lumit Acheron, për në Hades, nën “përgjegjësinë” e mbrojtjes dhe ruajtjes të Kerberit (qenvarroi me tre koka, ruajtësit të varrezave). Ai vend është vendi i Perëndive dhe i gjuhës së tyre. Vendi i vendlindjes së Pirros; Vendi i luftërave të Çezarit, të Antonit, atje janë përplasur forcat e mëdha me Kleopatrën e Egjyptit; vendi ku në shek III-të të erës sonë prifti Emanuel filloi predikimin e besimit të krishtërimit romak; vendi ku shkeli Bayroni; vendi ku jetoi e punoi për 15 vjet poeti i madh i Rilindjes Naim bej Frashëri; vendlindja e Rilindasve të mëdhenj Abedin bej Dinos; vendlindja e dijetarit të madh Hasan Tahsinit dhe i shumë e shumë figurave të tjera të larta dhe personaliteteve nga vende të ndryshme dhe jo vetëm europiane.
Le ta përkufizojmë: “Një vend i pa të dytë”. Si i tillë ai vend nuk mund të tjetërsohej. Ata banorë përmenden dhe do të mbeten “njerëzit që u sakrifikuan për vend dhe identitet”. Sado prapapashtesa ti vihen Thesprotisë, ajo krahinë nuk ka qenë dhe as nuk mund të jetë greke apo greece.
c).- Ndërprerja e trashëgimisë fisnore, 
humbja e fisnikërisë dhe shpërbërja e familjeve të mëdha
Krahas masakrave që kryen ortodoksët grekë, ndaj njerëzve të gjallë, banues në vendin e tyre dhe spastrimit etnik të asaj krahine, ajo goditje qendron edhe në dëmin e madh që ndjek vazhdimësinë e mëpasme të tyre. Gjenocidi ortodoks grek nuk mbetet vetëm tek përgjegjësia e kohës së masakrave të ndodhura, ajo vazhdon të godasë në vazhdimësi ashpërsisht edhe tek gjeo-etnia e atij rajoni dhe pasardhësave të thesprotianëve. Ndërprerja e trashëgimisë fisnore, tretshmëria e fisnikërisë, shpërbërja e familjeve të mëdha, shkatërrimi përgjithmonë i ndarjeve të banorëve të grupuar në lagje (mahalla), në fshatra, në qytete apo në njësi teritoriale brenda rajonit. Në atë rajon nuk dëgjohen më toponimet mijëra vjeçare, as veçoritë e emrave të përrenjëve, të arave, kodrave, livadheve, rraheve, pyjeve, maleve, apo emrat si vau i këtij apo atij, pusi i filanit, stani i atij apo këtij, pylli i atij apo këtij fisi, arat e asaj familjeje të madhe, apo dyqani i filanit, luturvija e kësaj apo asaj shtëpie, as kopeja e dhënve apo e dhive të iks familjes fisnike. Pa emër, ose sot nuk u fliten më me  emrat trashëguese të ullishteve, vreshtave, kanë humbur emrat e shtëpive sipas pronarëve të vërtetë të ish familjeve, ku pjesa më e madhe e tyre janë kthyer në gërmadha, grumbuj gurësh! Një batërdi, një “ferr” i vërtetë i kësaj bote!.  
Dje dhe sot vazhdon këmbëngulja greke për ndërrimin e toponimeve të fshatrave, qyteteve deri dhe toponimi i të gjithë krahinës për të cilën kërkohet shuarja, fshirja nga hartat historike deri edhe në librat shkollore. Pse? Sepse kështu sigurohet vazhdimësia e shtrembërimit të historisë dhe trashëgimia etnike e një rajoni që historia dhe e vërteta i kanë vendosur ata banorë në më të hershmit dhe përpara, shumë më  përpara se sa grekët e romakët. Një mënyrë mashtrimi e përdorur me sukses edhe në mbivlerësimet e Shtetit të sotëm grek, të cilit i atribuohet me të padrejtë kultura dhe qytetërimi i lashtë. Janë këto situata politike, demografike, social-ekonomike që shqiptarët e Çamërisë me banim në Republikën e Shqipërisë, i u nënështruan çoroditjes, hutimit, pa mundësisë së organizimit. Ata, në vitet që shkuan, nuk kanë arritur të rigjenin plotësisht unitetin e dikurshëm, kompaktësinë, shkuarshmërinë. 
Ata, banorët ish komunitarë të Çamërisë, me nguljen në Shqipëri, kryesisht u shpërndanë në disa qytete bregdetare të Shqipërisë dhe rrethinat e tyre, por jo si dikur me vendqendrime mbi baza të ish qyteteve dhe fshatrave të rajonit të Çamërisë. Kjo shpërndarje demografike e tyre, për fat të keq ka ndikuar në “shuarjen”, apo në rënien e shkëlqimit të dikurshëm të familjeve fisnike, familjeve të mëdha. Ky realitet i hidhur, për tu rikthyer në tabanin e tij të dikurshëm, duhet të kalojë nëpër mjaft vështirësi të natyrave të ndryshme, por mbi të gjitha është faktori kohë ai që ndihmon dhe ndikon në shëmbjen e kalave dhe rindërtimin e tyre. Askush të mos harrojë se brenda çdo kohe ndodhet dhe vepron elementi përparimtar njerëzor, u cili i jep kohës ndryshimet cilësore në favor të njerëzimit. Janë pikërisht këto rregulla të pa shkruara që natyra vepron edhe në organizimin shoqëror, të cilat lindin, zhvillohen, përfshihen në kriza dhe përsëri në cikle të ndryshme kohe riorganizohen në një nivel edhe më të lartë, më ciësor. 
Brezi i “të ardhurve”, që u shpërbënë, siç u teajtua më sipër, bashkë me fatin e tyre të keq, janë nënë Dhé. Fëmijët, sidomos nipërit, mbesat dhe stërnipërit tashmë janë rritur dhe krahas rritjes kanë formuar familjet e tyre në vendqendrimet që u “ngulën” emigrantët para 76 viteve. Aktualisht është siguruar një shumicë e re vllazërore, miqësie, fqinjësie, të cilat na sjellin në kujtesë bashkësitë familjare dhe komunitare të prindërve dhe gjyshërve tanë në vendbanimet e tyre autoktone të rajonit të Çamërisë. Ky riorganizim, i cili është gjithnjë në rritje dhe në zgjerim, tregon pashmangshmërinë e veprimeve të rregullave të pashkruara me të cilat nisëm fillimin e këtij shkrimi. 
Errësira që na mbollën hijet ogurzeza si të gjenocidistëve dhe të byroistëve, kanë filluar të rrallohen dhe qiejt e Shqipërisë, Kosoves dhe të Çamërisë po pastrohen nga retë e ngarkuara me shi, bubullima dhe vetëtima duke ja lënë vendin qiellit të pastër pranveror.
        Tek nipat, mbesat dhe stërnipat e banorëve të asaj toke, ka fituar terreni gazmor, buzëqeshjet dhe siguria e të ardhmes e mbështetur në tabanin, traditat e trashëguara nga komuniteti kompakt i para 1913-tës. Personalisht, në këtë drejtim ndjehem komod, i kompletuar dhe i emocionuar që arrita të jetoj këtë rikthim në të shkuarën, por me elementë sa të rinj në vite aq të rinj në konceptimin dhe ndërrtimin më cilësor të të gjitha marrëdhënieve sociale të para 1944-1945-sës.
Ligjeve objektive të natyrës, nuk mundet t’u kundërvihen as kishat dhe as xhamitë; as perandoritë dhe as “Antikrishti”. Pengesa, ngadalsime prej shteteve dhe personaliteteve kokëkrisur, kanë ndodhur dhe do të ndodhin, por ndërprerja absolute e zhvillimeve as ka ndodhur dhe as ka për të ndodhur. Kjo për fat të keq nuk arrihet të kuptohet nga mbështetësit e së keqes si në kohë dhe hapësirë. 
ç).- Ndalesë historike në një nga 7 vendbanimet
më të lashtët e rajonit të Thesproti/Çamërisë.
Vendbanimi Risian, një gjetje arkeologjike me prejardhje pellazgjike. Risiani nga zbulimet e kryera arkeologjike të institucioneve përktëse franceze në vitin 2004, është konkluduar e deklaruar vendbanim paleolitik; 9.000-2.800 vjet para Krishtit, bashkë me 7 qendra të tjera të asaj kohe në Thesproti.
         Historia që siguron informimin e së shkuarës dhe jep mundësi për të ndërrtuar të ardhmen, më kërkon të trajtoj me kujdes dhe saktë ndikimin negativ të gjenocidit ortodoks grek, me konkretizimin e “personazhit” të tregimit, pikërisht të qendrës së banimit parahomerike Risian (Rrëzanj), i ndodhur në prefekturën e djeshme dhe të sotme të Thesprotisë me kryeqendër qytetin e Gumenicës. Me të dhënat gojore, të shkruara dhe të jetuara, marrja në “model” e kësaj qendre banimi bëhet për të konkretizuar sa u tha mësipër,  një përpjekje njerëzore për të orientuar drejt së ardhmes në ruajtje të vendit të tyre gjeografik dhe etnisë të rajonit të Thesproti/Çamërisë.
Marrja në analizë e kësaj qendre banimi na shërben për të vërtetuar se forca tërheqëse e vendlindjes për çdo individ, familje, komunitet është bashkërendëse deri në përjetësi. As largësia prej tij, as dhuna e ushtruar, as masakrat, as dëbimet qofshin individuale, fshatçe apo shtetërore nuk mundet të ndërpresin lidhjet shpirtërore mes vendlindjes dhe bijëve të tij. Mes tyre ka një ndërlidhje hyjnore, të pashkruar dhe as të ligjëruar me kode, ligje apo udhëzime. 
Në rajonin e Thesproti/Çamërisë gjatë dymijë vjeçarit të pas Krishtit, kanë shkelur të gjitha perandoritë sipas kohës, Romake, Bullgare, Bizantine, Otomane dhe pushtuesja më e keqe nga të gjitha perandoritë e këqia, shteti Grek që u përkrah dhe përkrahet nga Fuqitë e Mëdha. Ky shtet, për të përhapur helenizmin përdori mjetet më të tmerrshme ndaj banorëve vendas deri në kryerjen e gjenocidit. Për të qenë plotësisht të qartë dhe të saktë mjetet ç’njerëzore organizoheshin nga kupola e kishës ortodokse bizantine. Dihet para 1821 nuk kishte shtet grek, por vepronin “kapedanët” e kishës, të cilët vrisnin e prisnin në emër të besimit ortodoks bizantin.
Mbas krijimit të shtetit grek, kisha ortodokse u fuqizua dhe siguroi përkrahje nga Rusia, Franca dhe Gjermania. Ndërsa banorët e Çamërisë, në rrezik të humbjes së identitetit etnik, duke filluar nga viti 1611 dhe në vijim, zgjodhën rrugën e ndërrimit të besimit nga kaloliçimi në islamizëm. Ata nuk ranë pré e ortodoksisë, e cili e filloi predikimin ortodoks me shpatë në dorë. Një dëshmi për vërtetësinë e detyrimit të besimit ortodoks dhe mbas kalimit në ‘të në ndërrimin e kombësisë nga etnia pellazgo-iliro-epirote, në kombësi greke, janë raprezaljet e vitit 1611 të kryera nga prifti Dionis Phylozofi. Kujtojmë këtu “Revoltën e vitit 1611 e cila u pergatit nga Dionisi Metropolit (peshkop) i Larisës, që çoi në satër, sa e sa banorë të pafajshëm të atij rajoni në emër të helenizmit. 
Mos ndërrimi i besimit fetar i shqiptarëve të Çamërisë nga katoliçizmi në ortodoksi, ishte një goditje e rëndë, një pengesë tepër serioze në përhapjen e helenizmit për kishën greke dhe një betim për hakmarrje derisa me pabesi, dredhi, me shpifje e mashtrime e realizoi pikërisht me gjenocidin e viteve 1944-1945, me kryerjen e shfarosjes së një komunitetit të tërë, të cilët në ruajtje të pavarësisë së rajonit dhe etnisë së tyre zgjodhën dhe pranuan konvertimin e atij besimi fetar që u a siguroi identitetin etnik. 
Në gjykimin tim, të arritur nga përvoja mbi 80 vjeçare, kam vrejtur dhe formuar bindjen se ai komunitet, ashtu siç ka ruajtur të konservuar gjuhën pellazgjike, ashtu ka ruajtur të fshehtë edhe një farë kripto krishterim pagano-katolik. Ky konkluzion veç përvojës dhe hulumtimit që kam kryer, mbështetet edhe tek deklarimet e vizitorëve perëndimorë të mesjetës, të cilët kanë deklaruar se në ato troje nuk shihnin ndonjë përkushtim praktik të veçantë ndaj kishave dhe xhamive (faltoreve në tërësi). Ndikimi negativ që na përcjell edhe gjatë këtyre 76 viteve, gjenoci, ortodoks grek në gjeo-etninë e rajonit të Thesproti/Çamërisë, është i dukshëm, i prekshëm dhe i realizuar në të gjithë krahinën e Çamërisë. Etaloni që kemi veçuar, është një provë e padyshimtë që na  shërben për të kuptuar dhe saktësuar këtë të vërtetë. 
a)- Goditja e gjenocidit në hapësirën gjeografike.
Ndërrimi i emrave gjeografikë në rajon, ka reflektuar edhe në toponimin e vendbanimit Risian, një nga 7 qendrat e banimit që nga koha kur banorët jetonin në shpella dhe anës lumenjëve, apo prrenjëve. Kësaj qendre banimi tepër të lashtë, që nga viti 1957 i është ndërruar emri nga Risian në Agios Georgios Thyamidos. Sot atje banojnë rreth 120 veta. Të gjithë të ardhur. Nga kontaktet tepër të mbyllura, të kujdesshme me disa prej banorëve që banojnë në atë rajon, asnjëri nuk e përmend emrin e fshatit Risian, as lagjet që ishin para 1944-trës, as emrat e ish banorëve të atyre shtëpive, as emrat e tokave, të pyjeve, rraheve etj. Nisur nga ky fakt tragjik dhe irritues, më është dashur që për të mos u harruar asnjë nga minitoponimet dhe demografia që thirreshin para 1944 nga vendasit autoktonë, në librin e botuar me titull: “Realitetet që vovosin (u mbyllin gojën) akuzat greke” janë shkruar 115 minitoponime brenda territorit të fshatit Risian si dhe emrat e 15 lagjeve që ishin para L2B.
●- Lagjet, fisnikëria dhe familjet e mëdha 
Lagjet: Mullakasimenjtë, Hoxhenjtë, Strefatë, Askllanejtë, Pirratë, Psakallinjtë, Çuçatë, Godarët, Kripenjtë, Balinjarët, Cikenjtë, Mëndëratë, Omaratë, Zekatë, Poshtnjatë). (Shif fq.184 deri 188 të librit “Realitete që vuvosin akuzat greke”. Botim i vitit 2016, me autor F.D). 
   b)- Goditja e gjenocidit në etni brenda fshatit, lagjeve dhe familjeve.
Aktualisht, mbas një periudhe prej 76 vitesh, nga data 22 korrik 1944 e deri sot, nga shpërngulja e banorëve të atij fshati, nuk përmendet asnjë nga emrat e 15 lagjeve, asnjë nga emrat e familjeve të mëdha, apo familjet fisnike. Të gjitha këto toponime, demografi etj. janë tretur, harruar, ato kanë qenë dhe janë të panjohura nga bujtësit aktualë. Ndërsa ndodh e kundërta me ish banorët autoktonë dhe me trashëgimtarët e tyre, të cilët i kujtojnë ato, ashtu siç arrijnë në ditët tona gojëdhënat për ngjarjet ndërshekullore. 
Është detyrë e intelektualëve që, jo vetëm për këto sa trajtohen këtu, duhet të shkruhen, të botohen në libra dhe harta, që krahas burimeve gojore të bazohen e shoqërohen edhe me burime shkrimore. Si etalon për të kuptuar goditjen e gjenocidit ortodoks grek ndaj fisnikërisë dhe shpërbërjes së familjeve të mëdha, do të përdorim familjen e madhe dhe fisnike të Dahrinjëve. Ky etalon merret sepse kam njohuri më të plota, dhe jo se nuk kishte të tjera të tilla në fshat apo në komunitetin shqiptar të rajonit të Çamërisë.
Banorët e atij rajoni ishin me cilësi të larta njerëzore, sepse, ashtu siç e ka cilësuar edhe Fjordi, ishin të dallueshëm nga ushqimi që prodhonte ajo tokë, në përbërje të së cilës kishte fosfor, është meritë e vendit ku ata lindën, u rritën ndër brezni.

Tiranë, më 20 Janar 2020.- Fahri Dahri

Shperndaje ne
Updated: 25 Janar, 2020 — 06:40

The Author

Fahri Dahri

1 Comment

Add a Comment
  1. Faleminderit për gjithcka që ju keni shkruar dhe pershkruar me detaj.

Lini një Përgjigje te Ilir Kipe Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.