GONXHE BOJAXHIU, SHËN TEREZA E KALKUTËS

Lumnimi ose fillimi i shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut ose Nënë Terezës u krye më 19 Tetor 2003, dhe Shenjtërimi i saj me emrin Shën Tereza e Kalkutës u përfundua më 4 Shtator 2020 po në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë. Vepra e saj dhe mirësia e saj botërore e ngriti shumë lart shpirtin Shqiptar. Ajo i tregoi botës sa i çmuar është shpirti dhe gjeni shqiptar, sa thesare përmban ai shpirt dhe sa kulturë dhjetra-mijëvjeçare përcjell ai gjen. Në faqen e Vatikanit në internet,

www.vatican.va/news_services/liturgy/saints/ns_lit_doc_20031019_madre-teresa_en.html,

në jetëshkrimin për të, shkruhet qartë në gjuhët Shqipe, Anglisht, Frëngjisht, Italisht dhe Spanjisht fjalia e saj e virtytshme: “Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi indiane. Përsa i përket besimit jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit”. Ajo i gjallëroi zemrat dhe i ngriti krenarinë e Shqiptarëve kudo ku janë.

Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza, rrjedh nga një familje shkodrane e zbritur nga Fani i Mirditës që pasi u shpërngul në Prizren kaloi në Shkup. Ajo ishte fëmija e tretë e prindërve Kolë dhe Drane Bojaxhiu. Ajo lindi në Shkup, ku i ati merrej me tregti dhe mblidhte në shtëpinë e vet artistë dhe atdhetarë shqiptar. Ditëlindja e saj është 27 Gusht 1910. Gjashtë vjet më parë i kishte lindur e motra, Agia, dhe tre vjet pas Ages, i vëllai Lazri. Mësimet e para i bëri në një shkollë shqipe të Shkupit, ndërsa gjimnazin po në atë qytet në gjuhën serbo-kroate. Familja e Nënë Terezës zhvendoset në Tiranë pasi i ati i saj vdes i helmuar nga sllavët gjatë një udhëtimi për në Beograd ku kishte shkuar për të hapur një shkollë shqipe. Dëshirat e saj të rinisë ishin të bëhej mësuese, të shkruante dhe të këndonte poezi, të hartonte dhe të muzikonte. Emrin Tereza e mori në moshën 18 vjeçare kur u bë murgeshë në Institutin Motrat e Loretos në Irlandë.

Sipas Artistes së Popullit Marija Kraja dhe njëkohësisht mike e familjes së Gonxhe Bojaxhiut, Nënë Tereza e ka quajtur ditën më të bukur të jetës së saj ditën kur për herë të pare pas 50 vjetësh vizitoi Shqipërinë në vitin 1989.

Prejardhja e saj shqiptare bëri që të jetë shoqëruese e Papës gjatë vizitës së tij në Shqipëri më 1993. Fqinjët e shtepisë së prindërve të saj, që vonë e kishin mësuar emrin e saj, çuditeshin kur shihnin gruan e vogël por me famë të madhe që shkelte në rrugicën e tyre me këmbët e zbathura, tregon Marija Kraja. Nënë Tereza haste vështirësi për të folur rrjedhshëm Shqip pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambjente joshqiptare, por ajo kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj shqiptare. Në shkrimet e saj në Shqip përmenden letrat saja të rinisë, letrat e shkëmbyera me familjen, përshëndetja drejtuar popullit shqiptar pas fitimit të çmimit Nobël më 1979, lutja në Shqip përcjellur nga Zëri i Amerikës më 17 Qershor 1978, etj. Kur ishte e re ajo ka shkruajtur edhe poezi në gjuhën Shqipe dhe për këtë shkrimtari i nderuar Naum Prifti na jep si shembull poezinë e mëposhtme që ajo e shkruajti gjatë udhës për në Indi kur ishte 22 vjeçe.

 

LAMTUMIRË

Po lë shtëpinë zemërfanar
Vendlindje e farefis
Po vete n’Bengalin dergje-vrarë
Atje, në të largtin vis.

Lë të njohurit në mejtime
Të afërmit e vatrën shqim,
Më tërheq zemra ime
T’i shërbej Krishtit tim.

Nënë e dashur, lamtumirë
Ju le shënde’n miq të mi
Më djeg, o, një fuqi e dlirë
Drejt të përflakurës Indi…

Dhe anija lehtë lehtë lundron
Pret valët e detit të trazuar,
Për herë të fundit syri vrojton
Brigjet e Evropës së hakërruar.

Qëndron në anije e galduar
Fytyrë e përvuajtur gjithë hare
E Krishtit flijetarja e vluar
Nuse e njomë e botës së re,

Një kryq hekuri n’dorë shtërngon
Shpëtimi lëvarshëm kumbon në të,
E shpirti i gatshëm pranon
Blatën e rëndë fli për të,

Pranoje, këtë flijim, o Zot,
Dëshmi e përbetimit që të dashuroj,
Ndihmoi gjallesës Tënde sot
Që emrin do të madhëroj!

Si shpërblim, Të lus o i Hirt’,
O Ati ynë plot mirësi
Të më japësh vetëm atë shpirt
Atë shpirt që-veçse Ti e di.

Dhe t’imtë, të pastër si n’ag vere vesojnë
Të valët lot rjedhin qetë, me mall,
Që betimin për Ty prore e madhërojnë
Për të madhin blatim që tani u shpall.

Nënë Terezës për të ardhur në Shqipëri iu desh të dërgonte tri letra. Ajo i kish dërguar më parë letër Komitetit Shqiptar për Marrëdhëniet me Jashtë, por nuk mori kurrë përgjigje. Një tjetër letër ia kish nisur ish-Presidentit të Republikës në vitin 1989, të cilit i theksonte se: për 60 vjet kam vizituar shumë e shumë vende jashtë atdheut tim. Kurse letrën e tretë ia kish drejtuar kryetares së Frontit Demokratik, të cilës i lutej që ta ndihmonte për të ardhur në Shqipëri pasi donte të shihte varrin e nënës së saj. Më në fund, e para pashaportë (për këtë rast ishte diplomatike) e dhënë për nënshtetas të huaj me origjinë shqiptare iu dha pikërisht Nënë Terezës, e cila vizitoi Shqipërinë më 1989. Nënë Tereza kishte gjithashtu pashaportë nga India, Vatikani, Britania e Madhe dhe Italia. Kur i thanë për pashaportën Shqiptare ajo u përgjegj: E pranoj me kënaqësi, sepse është pashaporta e vendit tim; atje kam nënën dhe motrën, atje kam miq e të njohur, atje shumë shpejt do të hapim misionin tonë e unë do të jem vetë aty. Kur mori çmimin Nobël në vitin 1979, shteti Amerikan i afroi nënshtetësinë amerikane dhe pashaportën, por ajo nuk pranoi. Në vitin 1991 presidenca shqiptare krijoi dekoratat me titujt Urdhri Nënë Tereza e Artë dhe Nënë Tereza e Argjendtë. Ky urdhër u synua t’i jepej veprimtarëve të cilët do të jepnin ndihmesë të veçantë në shërbimet njerëzore. R. Alia e ligjëroi një urdhër të tillë por nuk e dha ndonjëherë, ndoshta me nënarësyen se në Shqipëri nuk kish të varfër e nuk kish vend për shërbime bamirësie. S. Berisha pas tij e dha aq shumë këtë urdhër sa e shpërdoroi fare. R. Meidani gati e harroi. Sot nuk dihet nëse egziston apo jo.

Në çastin e marrjes së Çmimit Nobël më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo foli hapur dhe qartë: Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri. Gazeta Uashington Post, 16 Tetor 2003, shkruante qartë se Nënë Tereza ka lindur në Shkup në kohën kur nuk kishte IRJM dhe Shkupi asokohe ishte qytet i perandorisë Otomane. Më tej artikulli vazhdonte me fjalën e Nënë Terezës që sipas gjakut ajo është Shqiptare. Biles artikulli përmendte edhe një përpjekje të kotë atë verë të një skulptori sllavo-maqedonas që kishte krijuar një shtatore të Nënë Terezës me mbishkrimin “Një bijë e Maqedonisë” (IRMJ) më synimin për ta dërguar në Romë me rastin lumturimit të saj.

Nënë Tereza u bë kultura më e lartë ndërlidhëse e njohjes së shqiptarëve në botë. Duke qenë një Shqiptare trupvogël por një legjendë e madhe ajo i kaloi kufinjtë Shqiptarë duke u bërë përkatësi dhe qytetare e botës, e popujve, e feve dhe qytetërimeve. Në vitin 1950, ajo themeloi urdhrin e saj të murgeshave të quajtur Misionaret e Bamirësisë që i shërbejnë tërësisht të varfërve. Vetëm sipas të dhënave të vitit 1980, ajo ishte kujdestare e 7500 fëmijëve në 60 shkolla, mjekonte 960000 të sëmurë në 213 spitale, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve në 20 shtëpi pleqsh dhe kishte birësuar 160 femijë jetimë. Sot, Urdhri i saj ka më shumë se 700 streha në 132 vende. Presidenti Bill Klinton u shpresh hapur në Qershor 2002 se: Nënë Tereza ishte e para ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë.

Ndër titujt që kanë nderuar Nënë Terezës rrjeshtohen: Padma Shri 1962, The Philippines Ramon Magsaysay Award for International Understanding 1962, Jawaharlal Nehru Award for International Understanding 1969, Pope John XXIII Peace Prize 1971, Albert Schweitzer International Prize 1975, Pacem in Terris Award 1976, Balzan Prize for promoting humanity, Peace and Brotherhood Among Peoples 1978, Nobel Peace Prize 1979, Bharat Ratna 1980, Honorary Companion of the Order of Australia 1982, UK Order of Merit 1983, US Presidential Medal of Freedom 1985; Nderi i Kombit Shqiptar 1994, E para në Kistën Gallup të Njerëzve më të Pëlqyer të Shekullit XX, Monedha Indiane 5 Rupee 2010, Monument në qytetin Kaluga të Rusisë 2010, dhe shumë tituj nderi nga universitete të ndryshme.

Nënë Tereza ndërroi jetë në Kalkuta të Indisë më 5 Shtator 1997. Një komision dioqezian u krijua në Korrik 1999 kur Papa Gjon Pali II dha leje të posaçme që kjo murgeshë me origjinë shqiptare të hynte në rrugën e shenjtërimit të saj. Një raport prej 35000 faqesh për jetën e Nënë Terezes iu dërgua Vatikanit nga Kalkuta si pjesë e proçesit të shenjtërimit. Fillimi i shënjtërimit të Nënë Terezës u bë më 19 Tetor 2003 në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan dhe u ndoq nga mbi 250000 njerëz, pa llogaritur filmimet e drejtpërdrejta nga të gjitha televizionet e botës. Paralelisht me atë ceremoni madhështore dhe të rrallë u organizuan veprimtari nderuese në Tiranë, Prishtinë, Shkup, etj. Më 17 mars 2004, piktori i talentuar shqiptar Artan Shabani i dhuroi Papa Gjon Palit II portretin e Nënë Terezës. Nga ana tjetër, për Nënë Terezën po ngrihen përmendore në Tiranë, Prishtine, Bratislavë (Sllovaki), Strasburg (Europë), Tenenerife (Madagaskar), Johanesburg (Afrika e Jugut), etj.   

Qoftë i lëvduem shpirti i saj!

Gonxhe Bojaxhiu 18 vjeç
 

Presidenti amerikan Ronalkd Reagan duke i dhënë Nënë Terezës Medaljen e Lirisë, viti 1985.

 

Shperndaje ne
Updated: 20 Mars, 2020 — 08:20

The Author

Saimir Lolja

1 Comment

Add a Comment
  1. GONXHE BOJAXHIU,SHËN NENË TEREZA;MISIONARE E BAMIRËSISË N’SHERBIMIN OR,SHERIMIN
    E TË VARËFËRVE;NEVOJTARËVE;GJAK I PASTËR SHQIPTARE,MË HUMANITRE,QË U RINGRITË,E
    U RILIND,NË LEGJENDË KJO BAMIRËSJA BOTËS BONJAKE;DHE,VARËFËNJAKË,NEVOJTARËVE OU
    TË SËMUNRËVE;QË RIGJALËROI SHPIRTIN,QË RIFLAKËROI TË HIRTIN,MË T’MADHRIMISHMIN,
    MË ATË SHNDRITËSHMIN;FLJIMTARIT,PRIJIMTARIT;SI DHE,DUKE SHEBYER,DUKE SHPERBLYER
    PËR RINGJALLËJEN,PRIRBALLËJEN,TERË NJERËZIMIT,TERË PËRJETËSIMIT,T’VARËFERISË SË
    SKJASHME,TË KATRANDISË TË PËRVAJSHME;DUKE U RINGJALLUR,DUKE U PRIRFALUR;SHPRESË
    EDHE BESË,TËRË JETËN O,TË VERTETËN;KJO MISIONARE;KJO NENË LEGJENDARE;RINGERITI,
    SHPIRTIN E SHQIPTARIT,SI HUMANITARË TI,LUMJA MË LEGJENDARE;NË STADET MË T’LARTA
    NË STADET MË TË ARTA;SI GJENIE EDHE KRENIE,DUKE U SHPALLË SI SHËN SHËNJËTORE ME
    VJERË DHE NDERË,MË TË LARTË,PËR MBARË NJERZIMIN E TERË BOTËS,MË HUMANITARE,OUUH
    MË LEGJËNDARE TI,SHKELQËSIA MË SHËNJTË E SHPIRTIT DHE HIRTIT TË KRISHTIT,DHE TË
    KRISHTRIMIT,EDHE TË KRITERIZIMIT;SI HEROJE PAVDEKSIE,MISONARE E PAQES OUUH,PËR
    LIRI,PAVARËSI,DEMOKRACI;TË SHPIRTIT DHE HIRTIT MBARË NJERËZORE,MBARË BREZORE;O,
    MBARË BOTËRORE;KJO ËSHTË NËNA TEREZË MADHESHTORE,ARBERORE;PRAG-GJAK SHQIPTARE!.
    MANI USA.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.