HIMARA-ÇAMËRIA DHE HELENIZIMI

HIMARA-ÇAMËRIA DHE HELENIZIMI        Himara, Kimerët dhe Çamëria

Nga Besnik Z. Imeri

        Do të themi edhe dy fjalë për Himarën. Nga vjen emri Himarë dhe kur e ka marrë  atë? Brenda mureve të kalasë së Himarës, në themelet e saj ka mure të ndërtuar me gurë pellazgjikë. Pra vendbanimi është shumë i lashtë. Si është quajtur Himara në kohë të pellazgëve? Nuk ka të dhëna të mjaftueshme për këtë. Por mund të ketë qënë edhe ky emër, Himara. Një gjë është e sigurtë, se nuk mund t’i drejtohemi greqishtes, qoftë edhe asaj të lashtë, për të shpjeguar etimologjinë e emrit Himarë. Pasi Himara ka ekzistuar para se të lindëte greqishtja e vjetër dhe helenët bashkë me të. Pra ky emër nuk ka  lidhje me helenizmin.

     Ka mendime se emri Himarë rrjedh nga bisha mitologjike e vrarë nga Belerefonti, Kimera ose Cimera. Mitologjia na rëfen se…Kimera ndodhej në Liki. Përbindëshi kishte lindur nga Tifoni i tmershëm dhe Kidna gjigande. Në pjesën e përparme Kimera ishte si luan, në pjesën e mesme si dhi e malit, ndërsa në pjesën e pasme si dragua[1] Pra të mos e harojmë këtë fakt, që origjina mitologjike e këtij emri lidhet me Likinë, kjo u drejtohet posaçërisht pretenduesve helenë të këtij emri për Himarën.

        Kjo bishë është Cimera (kimera) dhe ndoshta lidhet me Kimerasit e lashtë që banonin në veri të detit të Zi, në Tauridën e Lashtë, ose Krimeja e sotme. Kimerasit ishin një popull fqinj me Skithët, dhe bëjnë pjesë tek popujt e bardhë që quheshin Albanët e Kaukazit. Skithët i përzunë Kimerasit nga vendbanimi i tyre duke i ndjekur në istmin midis Detit të Zi dhe atij Kaspik, pra nëpër Kaukaz duke qëndruar pak a shumë në Armeninë e sotme dhe më tej në pjesën veriore të Anadollit, në bregun e Detit të Zi. Ky territor, pas shpërbërjes së Perandorisë Hitite dhe pasueses së saj, Mbretërisë Frigjiane, u takonte  Likianëve të lashtë. Pra, Kimerët e lashtë kanë qëndruar në atë vend, i cili, më pas, do të njihej si vendbanim i Likisë. Këtu kemi një përputhje interesante midis Likisë dhe Kimerëve, si dhe midis bishës Kimerë dhe vendndodhjes së saj në Liki. Më poshtë duhet të shikojmë se mos ka ndonjë lidhje midis likianëve dhe shqiptarëve himariotë. Sulmin e Skithëve, sipas Herodotit, e ndalën Lidianët.

        Për t’u njohur më mirë me Skithët dhe Kimerët e lashtë i referohemi  Herodotit, i cili pohon :

“…sipas Skithëve, raca  e tyre është më e reja në këtë tokë dhe për prejardhjen e tyre ata tregojnë si vijon. Njeriu i parë që lindi në vendin e tyre, i cili më parë kishte qënë i shkretë, quhej Targitau. Prindërit e tij ishin, sipas një gojëdhëne të tyre, të cilën unë nuk e besoj, por ajo ekziston, qenë Zeusi dhe një bijë e lumit Boristen…Fiset e Skithëve ishin: Aukatët, Katiarët, Traspianët dhe Paralatët. Këta të fundit e quajnë veten Skolotë. Ishin helenët që i quajtën ata Skithë…Sa për moshën e tyre, ata thonë se që nga koha e mbretit të tyre të parë, Targitau, deri në sulmin e Darit, kanë kaluar afërsisht një mijë vjet…Sipas Helenëve, origjina e Skithëve vjen nga Skithi, djali i Herakliut…Por ka edhe një version tjetër të ngjarjes, që për mua është më bindësi. Sipas tij, Skithët ishin një fis nomad që jetonte  në Azi, por një herë u larguan me forcën e armëve prej Masagjetëve dhe, duke  kaluar lumin Araks, u vendosën në tokën kimeriane. Pikërisht vendi ku banojnë Skithët tani, thuhet se më parë u përkiste Kimerëve…Edhe sot mund të gjesh në Skithi vende  të quajtura Muret Kimeriane ose ngushticë Kimeriane, si dhe një pjesë toke të quajtur Kimeria dhe i ashtuquajturi Bosfori Kimerian. Duket qartë që Kimerët, për të shpëtuar nga Skithët, morën aratinë për në Azi dhe u vendosën në gadishullin ku është sot qyteti helen i Sinopit (bregu jugor i Detit të Zi)…”[2]

Tani, a duhet të mendojmë se Himariotët, janë pasardhës të Kimerëve të Sinopit në bregun jugor të Detit të Zi, pra të likianëve?! Çdo gjë është e mundur. Nëqoftëse do të marim parasysh edhe disa të dhëna të tjera, që do të paraqesim më poshtë, shanset për këtë version rriten. Interesant është emri i lumit perëndi që quhej Boristen, që në shqip merr kuptim Bor-ist ose Bor-është, Bora, pra ujë i ftohtë që vjen nga shkrirja e borës.

Mure prehistorikë pellazgë Himarë. Kaonia Antike.

                 Pra, në vazhdim të historisë kimeriane, Kimerët të ndjekur nga Skithët, zbritën me luftë në brigjet e Detit të Zi (pjesa veriore e Turqisë së sotme) duke u ndeshur me Hititët (popull pellazg) gjatë mijëvjeçarit të dytë p.e.s, dhe mbetën aty. Në atë periudhë nuk bëhej fjalë për helenët akoma. Me shkrirjen e perandorisë Hitite në shekullin e XIII p.es, dhe më pas mbretërisë Frigjiane, kjo e fundit u nda midis Lidianëve dhe Likianëve (edhe këta popuj pellazg). Likjanët zinin pllajën qëndrore të Anatolisë dhe bregun jugor të Detit të Zi. Likjanët ishin pellazg (ashtu si Lidianët) dhe përmenden edhe nga Omeri në Iliadë si aleatë të trojanëve.

        Pra paska edhe një Himarë të dytë, në Azi të Vogël, në kufi me Kaukazin, në Liki. “…Dr.Oto Blau në vitin 1863 është përpjekur të përcaktojë se “Ka raporte të shumta dhe të ngushta midis zakoneve, legjendave dhe gjuhësLikisë  së Lashtë dhe atyre të Shqipërisë…”[3]

        Një nga këto zakone është respektimi i gruas, i cili ka qënë i njëjtë tek shqiptarët dhe likianët.

       Louis Beonleu thotë: “… Në Liki, në Troadë, në Kretë, Atikë etj, në një kohë që nuk mbahej mend, hasej një popullsi zanafillore e NJËJTË, e cila fliste NJË  GJUHË, dhe kjo ishte GJUHA  SHQIPE, apo një gjuhë që ngjante me të…Në Arkadi Likaoni mbahej se ishte i biri i Pelazgos…legjenda thotë se Likos ishte vëllai i Egjeut…Likaonia formon pllajën qëndrore të Azisë së Vogël, ashtu si Arkadia  formon pllajën qëndrore të Peloponezit…Lelegët flijonin fëmijët për Molokun- Zeusin Likian…Doket dhe zakonet e LIKISË  së dikurshme të kujtojnë shpesh ato të SHQIPËRISË  së sotme…”[4]

         Por ka edhe më, ekziston edhe një HIMERË e tretë në Siçili, e përmendur nga historianët e antikitetit, ku sundonte një mbret Tiran.  Ja se çfarë na thotë Herodoti, babai i historisë së Greqisë së lashtë:

“…Në Siçili, kur Tirani i HIMERËS, Terila, i dëbuar nga qyteti i tij prej sovranit të Agrixhentos i kërkoi ndihmë…. Geloni bashkoi në Siçili një ushtri prej 300.000 burrash Fenikas, Libianë, Iberë, Ligurë, Sardonianë dhe Cirnianë me në krye Amilkon, mbret i Kartagjenës…”[5]

       Pra paska edhe një Himarë të tretë, tani jo më në Azi të Vogël, në kufi me Kaukazin, në Liki; por në gadishullin Apenin, në Siçili, në një vendngulim tjetër pellazg. Por jo vetëm, për ta risjellë në pushtet mbretin e kësaj Himare, Terilën, janë mbledhur 300.000 burra pellazgë: Fenikas, Iberë, Ligurë, Sardonianë etj që kanë luftuar për të.    

        Për këtë Himerë lidhja me Himarën është më e afërt, pasi historia njeh ekzistencën e Kaonëve,  si në Akrokeraunet shqiptare, ashtu edhe brigjet përkarshi tyre, në Itali. Dihet ekspedita e Aleksandër Mollosit në ndihmë të Kaonëve italikë. Ashu si ekspedita e Pirro Mollosit në ndihmë të kaonëve tarentas. Dhe së fundmi, dihet që streha e himariotëve pas pushtimit otoman, u bë Kalabria. Ky fakt vërtetohet edhe nga vepra e Jeronim De Radës, ku toponimet dhe emrat e personazheve janë të njëjta me ato himariote, si : mali i Skutarait, midis Vunoit dhe Himarës dhe mbi plazhin e Jalit, ose përdorimi i emrit ‘Marë’, që në Vuno është aq i përhapur. Po ashtu personazhi Milosao ka një emër të përdorur shumë në krahinën e Himarës, Milo.

        Në Itali është gjendur një model i kësaj bishe në bronz dhe quhet “Cimera e Arecos” dhe është një nga kryeveprat e artit Etrusk. Etruskët, për shumë autorë, kanë ardhur nga Azia e Vogël në gadishullin Apenin midis shekujve të XIII dhe XI p.e.s, si një pjesë e popullit Lidian nga një fatkeqësi natyrore. Mbreti i tyre ishte Tirreni, djali i mbretit të Lidisë, ATI. Kur erdhën në Itali ata e quajtën veten Tirrenë, në respekt të emrit të udhëheqësit të tyre. Sot e kësaj dite, ata e kanë vulosur emrin e tyre në detin Tirren.

        Në lidhje me këtë Robert D’Anzhely thotë: “Kimerasit, një popull me origjinë Skithe që erdhën nga jugu i Rusisë, duke kaluar nëpër Kaukaz dhe Armeni dhe duke ndjekur bregun e detit të Zi…. Kimerasit u dëbuan prej Lidianëve, të cilët themeluan një shtet që pati Sardën për kryeqytet…Herodoti thotë, se mbreti Lidias që shpëtoi vendin nga sundimi i Kimerasve, qe Aliati, babai i Krezit. Herodoti, gjithashtu thotë se Lidiasit ishin me të njëjtën prejardhje si Grekët,d.m.th ishin Pellazgë, dhe para se të krijonin shtetin e tyre ata ishin nënshtetas të HITITËVE, dhe më pas të FRIGASVE…”

       Vazhdojmë më tej. Historia tregon se Frigasit  para se të vinin në Azi të Vogël banonin në Ballkan dhe ishin popull Trakas  me emrin BRIG, popull pellazg. Legjenda thotë se 3000 vjet p.e.s, si rezultat i një fatkeqësie natyrore, Brigët të lemerisur lanë Trakën dhe pasi kaluan Helespontin ndëruan emrin nga BRIGFRIG, të quajtur kështu pasi u friguan (frikësuan). Aty me emrin Frigas, Frigjianë u bashkuan me Hititët, popull pellazg dhe ata, dhe formuan një shtet të madh, perandorinë Hitite, që shtrihej nga Ponti Euksin deri tek deti Egje. Mbretërit e kësaj perandorie, thotë D’Anzhely, mbanin titullin “MIDAS”, siç mbanin ata të Egjiptit titullin “FARAON”.  Për dijeni të lexuesit një fis i banorëve të Himarës sot mban mbiemrin Brig-o. Të jenë vallë pasardhës të Frigjianëve të lashtë?!! Dhe a tregon kjo për një lidhje tjetër midis Likianëve, pasardhës të Frigjianëve, dhe himariotëve?!!!

        Gjithashtu për dijeni të lexuesit, një e dhënë tjetër interesante që lidh frigjianët me banorët e Akrokerauneve, pra me banorët e fshatrave të Himarës, Dukatit dhe Tragjasit në rrethin e Vlorës; është fakti se këta banorë, në veshjen e tyre popullore, në kokë nuk mbajnë qeleshe si gjithë lebërit e tjerë, por mbajnë një kapele gjatësore me ngjyrë të zezë; për të cilën historianët thonë se është “Kësula FRIGJIANE” (Por me sa di edhe disa fshatra të Korçës mbajnë në veshjen e tyre popullore “Kësulën Frigjiane”). A është kjo një lidhje tjetër midis likianëve, pasardhës të frigjianëve, dhe himariotëve?!!!

        Por ajo që është më interesante, është fakti se edhe Napoleon Bonaparti, në veshjen e ushtrisë së vet, për kapele, ka përdorur një të tillë me “tri cepa” të ngjashme me kësulën frigjiane. Po t’i shtosh kësaj edhe origjinën e Napoleonit, atëhëhere pamja qartësohet dhe krijohen disa lidhje të çuditshme dhe interesante.

       Familja e Napoleonit e kishte origjinën e hershme nga arbëreshët ose arbanitasit e Peloponezit, ku në kohën e pushtimit të Peloponezit prej turqve kishin shkuar në Gjenova dhe prej aty në Korsikë. Por, dihet që një pjesë e mirë e arbanitasve të Peloponezit e kanë origjinën nga Epiri, dhe për më tepër nga Kaonia, në atë Kaoni, ku sot e kësaj dite kemi përsëri në përdorim “kësulën frigjiane”.

       Në të mirë të kësaj teze, që Napoleoni është me origjinë shqiptare, ka shumë fakte. Por po tregoj më sinjifikativen: Napoleoni mbante me dashuri për simbol shqiponjën. Në shtëpinë e tij në Korsikë, që është muze, sot e kësaj dite, në një faqe muri, në një minibazoreliev ndodhet një shqiponjë. Shiko si lidhen faktet.

        Por ka edhe më. Nga Nilo Borxhia na vjen një e dhënë e rëndësishme për arbëreshët e Manit të Peloponezit dhe rrugëtimet e tyre pas pushtimit turk të Peloponezit.

“…At Nilo Katalano në vitin 1682 u paraqit në Romë, ku Kongregacioni i Shenjtë i besoi detyrën e të dërguarit Apostolik në Paomia të Korsikës, pranë një kolonie greke, e cila përbëhej prej rreth 700 familjesh, të shpërngulura prej Gadishullit të Manit (Greqi), për t’u shpëtuar ndërhyrjeve të vazhdueshme dhe çnjerëzore të turqve…

       …Grekët zbarkuan në Genova aty nga fundi i vitit 1676 dhe u pritën shumë mirë; më pas u dërguan në ishullin e Korsikës në Paomia…”[6]

        Në pamje të parë duket sikur në këtë përshkrim bëhet fjalë për familje të etnisë greke. Por nuk është ashtu. Në dokumentacionin e Propagandës Fides popullsitë e besimit lindor ortodoks, dukeqënëse ishin të ritit grek,  pasi greqishtja ishte gjuha e Kishës Lindore, quheshin greke. Ne e dimë shumë mirë që në Kalabri deri në fillim të shekullit të kaluar përdorej shprehja: Manja Grecia dhe pastaj nga arbëreshët u këmbye në: Piana Albanessi. Pra, 700 familjet e Manit ishin shqiptare. Pastaj dihet, në sajë të një dokumentacioni të bollshëm, që nga Mani i Peloponezit janë larguar vetëm familjet shqiptare. Në asnjë dokument nuk bëhet fjalë për largim të familjeve greke.

       Vazhdojmë më tej me temën. Ku është lidhja midis banorëve të Himarës dhe Paramithisë shqiptare me Kimerasit Skithjanë, Likjanët, Lidjanët, Frigjianët dhe Etruskët. Besoj së është një fije e padukshme që ndoshta i bashkon, origjina e përbashkët pellazge dhe gjuha shqipe mijëra vjeçare. Në të mirë të kësaj teze, ja se çfarë thonë studiuesit:

        Nermin Vlora Falaschi shprehet: Njëmbishkrim të mirë mbi Pellazgët e mbi pasardhësit e tyre na jep enciklopedia “NOEVAU PETITE LAROUSE”, botuar në Paris në vitin 1950. Në faqen 1599 lexojmë,

      Pellazgët, popull fort i lashtë që banonte në kohërat parahistorike në Greqi, Arqipelag, bregdetin e Azisë së Vogël e të Italisë…Në përgjithësi konsiderohet se Trakët e lashtë, Frigët, Lidët, Karianët, Etruskët, Epirotët, Ilirët, Italianët (Samnit dhe Oskë) dhe SHQIPTARËT e sotëm; janë degët kryesore të Pellazgëve”[7]

       Louis Beonleu në veprën e vet “Greqia përpara grekëve” duke ju referuar dy autorëve, Oto Blau dhe Fallmerayer thotë:

“Dr.Blau  duke u mbështetur tek Fallmerayer ka vënë në dukje se ashtu si  Kalaja e Himarës, ashtu dhe vëndet e Pargës dhe të Sulit kanë qënë në çdo periudhë strehë të pamposhtura të pavarësisë shqiptare; madje vetë LIKIA antike na afron një treshe fortesash të frikshme HIMAIRA, PERGE  dhe SILLION…”[8]

       Pra, Himara (kaone), Suli (mollos) dhe Parga (Thesprote) ndodhen në Epir, por ndodhen edhe në Liki. Pra mos vallë në Liki, në brigjet e Detit të Zi, na del një Epir i dytë me kaonë, mollos dhe thesprotë?!! Apo Epiri i parë ka qënë në Liki dhe i dyti në brigjet e Jonit. Një simbiozë e çuditshme dhe një lidhje interesante. Kujtojmë këtu se adhurimi ndaj Apollonit ishte i fortë në Epir, ndërkohë që zanafilla e këtij adhurimi ndodhet në Liki. Një bashkëpërkim tjetër janë ciklopët, të cilët kanë banuar në Liki, Siçili, por kanë banuar edhe në Epir. Madje thuhet se ciklopët likianë kanë ndërtuar akropolin e Tirintit. Kujtojmë këtu gjithashtu ekzistencën e ciklopëve në Epir, marrëdhëniet e tyre me Poseidonin dhe Feakasit. Ndodhemi para disa mistereve historike, që një ditë historia do t’u japë shpjegim.

        Por surprizat nuk kanë të mbaruar, tani hyn në lojë Kaonia përsëri,pasi evidentohen fakte tëreja binjakëzuese midis trevës së Kaonisë së lashtë dhe trevave binjake të saj në Azi të Vogël dhe Kaukaz. Këto lidhen me malet Akrokeraune, të cilat fillojnë në Vlorë me Kepin e Gjuhëzës dhe Karaburunin në Gjirin e Vlorës dhe vazhdojnë me malin e Çikës dhe atë të Vetëtimave në Himarë. Por male të Akrokerauneve kemi edhe në Kaukaz. Çfarë i lidh këto male në Kaoni me ato të Kaukazit?!! I lidh diçka interesante; një nga vetitë e Zeusit Pellazg të Dodonës,  rufetë dhe vetëtimat. Ja se çfarë na thotë për këtë binjakëzim Fallmerayer:

“…Nga ana tjetër, Akrokeraunet në Arbaninë ilire dhe  Kerauniet (malet e vetëtimës te Straboni) në skajin verior të Kaukazit kanë një ngjashmëri të mrekullueshme…Mundësinë e marrëdhënieve parahistorike të Albanëve të Kaukazit, të maleve të tyre Keraunia dhe të tuskëve të tyre me shqiptarët e Ilirisë, me Akro-Keraunien e tyre dhe me toskët, ne as duam dhe as mundemi ta mohojmë…”[9]

        Më interesantja në këtë ‘binjakëzim’  është fakti se të dy malet Keraune, në Vlorë dhe në Kaukaz, siç thotë dhe Straboni, quhen “Malet e Vetëtimave”!! Tani, a ka lidhje midis himariotëve, që banojnë rrëzë Maleve të Vetëtimës dhe atyre Kaukazianëve, që edhe ata jetojnë rrëzë Maleve të tyre të Vetëtimave, po të përdorim shprehjen e Fallmerajerit, “ne as duam dhe as mundemi ta mohojmë”?! Sa sipër, fare mirë, himariotët, para se ta mbajnë veten për grekë, më shumë u takon, që ta mbajnë për kaukazianë!

        Por për ta plotësuar triologjinë  kimeriane, ashtu siç kemi tre kimera, në Azi, Kaoni dhe Itali; ashtu kemi edhe tre male Keraune, në Azi (Kaukaz), në Kaoni dhe Itali. Këto Keraune të treta na i tregon Mathieu Aref.

       Mathieu Aref duke ju referuar Dionisit të Halikarnasit thotë: “…Ai (Dionisi i Halikarnasit) përmend malet Keraune (në Itali) jo larg Suesbolas dhe Triolas. Aty është fjala për një homonim të ngjashëm me të njëjtat male të gjendura në Thesproti (faktikisht në Kaoni), vend pellazg i mirëfilltë…Përveç kësaj një popull ilir mban të njëjtin emër “Keraunët”…”[10]

        Triologjia Kimeriane dhe ajo e Kerauneve, nga të gjitha ato që thamë më lart, japin një tablo të plotë të origjinës së tyre pellazgjike. Ky është një trekëndësh: Epir-Kaukaz-Siçili, trekëndësh, që çuditërisht ka qënë i banuar jo vetëm nga pellazgët, por edhe nga ciklopët. Ndodhemi para disa fakteve befasuese, të cilat më shumë se fakte historike duken si ngjarje në një film fantastiko-shkencor. Zeus të lutem shpjegoji këto fakte, se mendja ime nuk arrin dot tek kozmogonia jote!

        Kjo origjinë pellazgjike e Himarës e bën atë automatikisht një trevë shqipfolëse në kohët e reja dhe himariotët të etnisë shqiptare. Por çuditë dhe surprizat historike nuk kanë të mbaruar. Kjo, pasi Homeri, shumë kohë para Herodotit, tek “Odiseja” flet për një Kimerë tjetër dhe për popullin e kimerëve që banojnë buzë detit pranë lumit Akeront, ku ndodhet hyrja për në Had. Kjo Kimerë mëmë i bije që të jetë e para dhe ato tri të tjerat të jenë bijat.

“…Çirçja na ka caktuar që të vemi n’Hades te e tmershmja Persefonë, këshillë t’i lypim hijes s’Tirezias, shortarit të Tebës… Atëhere ti merr rrugën drejt e te banesa e Hades. Nëpër moçal kalo gjer n’ato vise, ku Piriflegjetonin Akeronti e pret, e ujrat që nga Stigjia derdhen n’Kocit brenda…Gjithë dit’n e lume, t’bardhat vela nderë, ne velëzuam mbi det. Nga perëndimi kur rrugët i mbulojnë hijet e natës, arritëm ndër kufijtë e oqeanit, ku truall dhe banesa kanë kimerët. Jeton ky popull krejt mbuluar me mjegull edhe me re…”[11]

        Por duhet thënë se kjo Kimerë që përmendet nga Homeri nuk ndodhet në Kaoni, pra në Himarë. Ajo ndodhet në Tesproti, në vendin që çamët e kanë quajtur Paramithi, ose Ajdonat, pra në Çamëri. Gjithashtu, këtë Kimerë na e përmend edhe Mehdi Frashëri kur flet për mitologjinë që pështjell  Çamërinë:

“Në breg të lumit, të cilin mitologjia e vjetër e kish konsakruar si vendi i perëndive të skëterës, ndodhej qyteti Pandosie dhe pranë një dege të këtij lumi ndodhej qyteti Elatria. Meqënëse kolonia u shtua, ndenjësit e saj ngritën një Buchetium, një kështjellë detare, dhe Cassiopenë si limer në breg të detit; Torone, në malet që u thoshin Chimaerium, midis grykave të lumenjve Thiamis dhe Acheron…Ajdonati sot quhet Paramithi”[12]

        Pra, paska edhe një Kimerë apo Chimaerium, e cila ndodhet në Thesproti (Çamëri). Atëhere, në këtë rast, për mendimin tim, lidhjes së Himarës kaone me Kimerën e Likisë, mbështetur edhe në këtë të dhënë të rëndësishme të Homerit, i vihet një pikëpyetje serioze. Kjo edhe për faktin se asnjë nga autorët antikë nuk e ka përmendur Himarën, qoftë vetëm, qoftë të lidhur me Kimerën. Mbi këtë bazë, unë mendoj se duhet të spostohemi më poshtë, më në jug, në Thesproti, ku të dhënat historike përputhen më mirë.

        Ndoshta, këtu është rasti të flasim edhe për origjinën dhe etimologjinë e emrit “Çamëri”.  Ka autorë, ku midis tyre edhe Fallmerajer, që këtë emër e lidhin me emrin e lumit “Thiamis”; …Ndofta emri i provincës bregdetare shqiptare Çamëria nuk është i prejardhur as nga greqishtja dhe as nga turqishtja,  por nga emri i stërlashtë i lumit “Thiamis”, po ashtu sikundër te shqipfolësit fjala Suli dhe suliot mund të ngatërohen lehtësisht me emërtimin e stërlashtë grek Selloi…[13]

        Por ka edhe një rast tjetër, që ndofta mund ta shpjegojë etimologjinë e këtij emri, jo nga emri i lumit sipas Fallmerajerit, Thiamis, dhe as nga emri i vendit sipas Mehdi Frashërit… Cestrinë (Kestrinë) që zgjatej deri në pellgun e lumit Aheron…

        Ky mund të jetë emri i popullit që banonte në këtë vend të shenjtë pranë lumit Aheron, në malet Chimaerium, banonin Chimaerët, ku ky emër, në bazë të rregullave të shqipes, grupi “Chi” mund të shqiptohet “Ki”, por mund të shqiptohet “Ci”, por edhe “Çi”; atëhere ky popull mund të thirrej: Cimaerët, Cimerët, Kimerët, por mund të thirrej edhe Çimaerët, dhe me ndërrimin e vendit të zanoreve (që gjuhëtarët e quajnë metatezë), ‘i’ me ‘a’, përfundon tek Çamierët dhe duke vazhduar të mbllaçitet në shqip, grupi ‘ie’ mund të jetë kthyer në ‘ë’, dhe ka përfunduar deri tek fjala Çamëria. Megjithatë, fjalën e fundit për këtë, si gjithmonë, duhet ta thonë gjuhëtarët, të cilët janë ekspertë të fushës.

        Triologjia Kimeriane dhe ajo e Kerauneve, nga të gjitha ato që thamë më lart, japin një tablo të plotë të origjinës së tyre pellazgjike. Ky është një trekëndësh: Epir-Kaukaz-Siçili, trekëndësh, që çuditërisht ka qënë i banuar jo vetëm nga pellazgët, por edhe nga ciklopët.

Himara dhe helenizimi

        Kato që u thanë më lart për mitologjinë e Himarës e nxjerrin atë padyshim me origjinë pellazgjike dhe e bën atë automatikisht një trevë shqipfolëse në kohët e reja dhe himariotët të etnisë shqiptare. Por grekët  e sotëm dhe disa të shitur në Himarë tek greku, pretendojnë se Himara dhe himariotët janë grekë.                   

        Për të freskuar kujtesën e lexuesit lidhur me etninë dhe gjuhën e banorëve të tri fshatrave të Himarës (Himarë, Dhërmi, Palasë), po përmendim disa fakte brilante dhe të pakundërshtueshëm, të marë nga libri i Rami Memushajt “Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike”:

  • Kronikani venecian Stefan Magno më 14 gusht 1488 njofton se Himariotët (Albanexi della Cimera e Sopota) ishin ngritur kundër sulltanit dhe i kishin bërë copa-copa sanxhakbeun bashkë me shumë turq…….Ata të Himarës-popuj shqiptarë, i kërkuan sulltan Bajazitit (viti 1486) t’u dërgonte për qeverisje djalin e të zotit Aranit (që vdiq), i cili gjëndej në oborrin e tij…(1492) Sulltan Bajaziti dërgoi një fuste midis Korfuzit dhe Butrintit, me qëllim që Himariotët të mos iknin në Korfuz, sepse dy sanxhakbejlerë ishin nisur nga toka t’u binin Shqiptarëve të Himarës dhe të Sopotit…
  • Në një dokument në bibliotekën e Firences, muaji tetor 1500, thuhet: Himara është një vend i rrethuar me male, aty fillojnë malet e Epirit që quhen Akrokeraune, banorët e këtij vendi janë Ilirë, që tani quhen SHQIPTARËmegjithëse e përdorin gjuhën greke, por në një mënyrë krejt të huaj (a mund të quhen sërbë sot shqiptarët e Kosovës, Malit të ZI, Preshevës dhe Maqedonisë, ngaqë e përdorin gjuhën sërbo-kroatishte në një mënyrë krejt të huaj).
  • Letra që i drejtohej Papës Grigori i XIII-të më 12 korrik 1577 nga paria Himariote përfundonte me fjalët: Himara-EPIRI I SHQIPTARËVE.
  • Në vitin 1670 funksiononte në Himarë një shkollë katolike (Unite) në gjuhën shqipe.
  • Vikari apostolik (unit) i Himarës i emëruar nga Selia e Shënjtë, Nilo Katalano (1693-1694) para se të merrte detyrën “iu vu me shumë ngulm mësimit të gjuhës shqipe”…Nilo Katalano predikimet në Himarë i bënte në gjuhën shqipe…
  • Në letrën drejtuar careshës Elisabeta Petrovna të Rusisë në vitin 1759 nga kapedanët e 47 fshatrave të Himarës i thonë: Flasim SHQIP…Të mësuarit flasin greqisht (i vini ‘veshin’, pra të mësuarit nga librat, nga shkolla jo nga nëna), familjet më të shquara (pra më të kulturuara) përdorin edhe italishten…
  • Konsulli francez tek Ali Pashai, Sharl Pukëvill thotë: Himara ka sot 500 familje shqiptare, të krishtera.
  • Anglezi Uilliam Martin Leake oficer i Ministrisë së Marinës Mbretërore pranë Ali Pashait thotë në vitin 1804 : Gjuha greke flitet pothuajse nga të gjithë burrat në Himarë, italishtja nga ata që kanë jetuar përjashta (në Itali), por gratë në përgjithësi dinë pak nga ndonjë gjuhë tjetër përveç SHQIPES. (Pra gjuha greke në këtë kohë nuk ka qënë gjuhë amtare, kur nuk e di nëna që lind fëmijën)
  • Çfarë e shtyu Ikonom Zoto Himariotin t’i shkruante Mitropolisë së Drinopulit (Gjirokastrës) në atë vjeshtë të dytë të motit 1891 : “…Epitropia e Kishës Qëndrore të Himarës, në një mbledhje të saj, vendosi t’ju kujtojë se nuk kini asnjë të drejtë të ndërhyni në çështjet tona…Kurrë s’kemi ndryshuar as bindje, as karakter dhe mbas vitit 1875 kemi vazhduar t’i qendrojmë besnik idealit tonë kombëtar për lirinë e popullit shqiptar. Lidhja (Lidhja e Prizrenit) është e shqiptarëve dhe Himariotët janë shqiptarë. Lidhja është e shqiptarëve dhe jo e turqve dhe vepra e qëllimi i Abdul Frashërit, Myslim Gjolekës, Koto Hoxhit, Mikel Haritos etj, janë edhe tonat. Kjo është rruga e popullit të Himarës.” Nënshkruar, Kryetari i Epitropisë Ikonom Anastas Zoto…” [14]
  • Konsulli Austro-Hungarez në Vlorë, Zagovic në relacionin e datës 3 maj 1886 “Epiri-Shqipëria e Jugut” shkruan: Në Himarë ka vetëm Shqiptarë.
  • E folmja e krahinës së Himarës, sipas tipareve të saj të përgjthshme fonetike, morfologjike e leksikore, bën pjesë në grupin e të folmes LABE….Trajtat e saj fonetike e morfologjike që i hasim dëndur në SHQIPEN e MOÇME, në të folmen e arbëreshëve të Italisë, si dhe në disa të folme të Shqipërisë së Veriut, si dhe leksiku bazë është i njëjtë me atë të folmes shqipe përreth saj (çamërishten), DËSHMOJNË qartë për hershmërinë e së folmes së krahinës së Himarës, e për përbërjen etnike SHQIPTARE të banorëve të saj.

        Prof.Shaban Demiraj e shtron shumë drejt problemin për tri fshatrat dygjuhësh; Himarë, Dhërmi, Palasë. A është gjuhë e dytë për to, gjuha shqipe? Njëkohësisht sqaron se nuk ka asnjë rrethanë ose të dhënë historike për kolonizime greke në Kaoni dhe Himarë në lashtësi, ku si rrjedhojë të kishte mbetur edhe gjuha greke si gjuhë e parë. Ai pohon se: “Asnjë rrethanë historike apo shoqërore nuk do të kishte mundësuar që gjuha shqipe, në këto tri katunde, të ketë depërtuar si gjuhë e dytë në një popullsi greqishtfolëse[15]

       Në vërtetim të kësaj Shaban Demiraj kap një aspekt, atë të shqyrtimit të disa emrave vetjakë të vjetër, karakteristikë për të kaluarën në mbarë shqipen. Për këtë duke ju referuar studimit të Petrika Thëngjillit mbi Defterin e rregjistrimit osman të sanxhakut të Delvinës i vitit 1583, lidhur me emrat Gjon, Gjokë, Gjin, Gjikë dhe Pal për Himarën, Dhërmiun dhe Palasën tregon se; vetëm në Himarë, nga 137 familje të rregjistruara (të gjitha me emra dhe mbiemra shqiptar), 56 prej tyre figurojnë me këto emra (dhe mbiemra); pra 40% e të gjitha familjeve himariote në vitin 1583  kishin emrat  Gjon, Gjokë, Gjin, Gjikë dhe Pal.[16]

        Por dihet që këto emra janë me taban shqiptar parakristian dhe ndoshta parahomerikë. Po të ishte një popullsi greke në vazhdimësi për mijëra vjet, çfarë donin këto emra këtu?! Duan e thonë se këto emra janë të popullsisë shqiptare të ardhur nga veriu si rezultat i pushtimit turk dhe vdekjes së Skënderbeut.

    Në këtë kuadër, shtrojmë pyetjen, po Gjin Bue Shpata, Pjetër Losha dhe Gjin Zenebishi, nga veriu kishin ardhur dhe sunduan Epirin?! Po Gjin dhe Gjon Muzaka që sunduan Oparin, Beratin, Këlcyrën, Tomorricën, Korçën, Kolonjën, Leskovikun, Kosturin etj etj, nga veriu kishin ardhur?!

       Dakort. Po nuk ka asnjëherë mundësi që popullsia ardhëse të jetë në numër po aq sa popullsia pritëse. Më tej. Po pse nga kjo popullsi e ardhur nuk del asnjë me emrin Zef, Fran, Pjetër dhe Frang?!.  Si ka mundësi që Gjonët, Gjokët, Gjinët, Palët ishin frikacakë dhe erdhën në Himarë, ndërsa Zefët, Franët, Pjetërit dhe Frangët ishin trima dhe qëndruan në malësi?!?   

       Në thellim të kësaj Prof.Shaban Demiraj thotë: “Për sa i takon trajtës Gjikë, kjo për fshatrat e Himarës dëshmohet relativisht herët. Kështu në një letër, që i është dërguar papës Gregori XIII më 12 korrik 1577 “nga Himara, d.m.th. nga Epiri i Shqiptarëve”, thuhet, ndër të tjera, se ata (Himariotët) po dërgojnë pranë shënjtërisë së tij si pëfaqësues të tyre dy bashkëqytetarë, njeri nga të cilët quhet GJIKË Nikolla…Ndërsa në një letër që i dërgohet në vitin 1759 careshës së Rusisë Elisabeta Petrovna nga përfaqësuesit e krahinës së Himarës, midis të cilëve edhe himarioti  GJIKA Nestor Spiro dhe dhërmiasi GJIKA Vreto, ku midis të tjerash i thoshin: “…FLASIM  SHQIP, atë gjuhë që flitet në Shqipërinë e afërme dhe në Bosnje, po në vënde të ndryshme të gjithë të mësuarit flasin greqisht, e familjet më të shquara përdorin edhe italishten…”[17]

     Pra emri Gjikë, një emër i lashtë mbarëshqiptar, emërton për  rreth 200  vjet (1577-1759) edhe përfaqësuesit dhe drejtuesit e shqiptarëve të Himarës. Por edhe sot e kësaj dite në fshatin Qeparo dhe në fshatin Dhërmi, persona të moshatarë mbajnë emrin Gjikë. Por emri dhe mbiemri; Gjikë, Gjika janë mjaft të përhapur edhe në fshatrat Tragjas dhe Tërbaç të rrethit të Vlorës.

        Gjuhëtari Rami Memushaj lidhur me gjuhën amtare të Himariotëve thotë: Për të dëgjuar për herë të parë nga goja e vetë banorëve të Himarës, se cila është gjuha e tyre amtare, duhet të presim vitin 1759, kur himariotët i shkruajnë careshës Elisabeta se “flasim shqip, atë gjuhë që flitet në Shqipërinë e afërme dhe në Bosnje, po në vende të ndryshme të gjithë të mësuarit flasin greqisht e familjet më të shquara përdorin edhe italishten[18]

       Por nga letra e fundit vërtetohet se në vitin 1759 në Himarë nuk flitej greqisht nga populli, por del fakti se greqishtja si gjuhë nuk është gjuhë amtare, por një gjuhë e MËSUAR. “Flasim shqip” thonë himariotët, “të mësuarit flasin greqisht”. Kjo letër, ky dokument është i jashtëzakonshëm, brilant. Vetë himariotët me gojën e tyre vërtetojnë se janë shqiptarë dhe gjuhën greke e kanë mësuar. As më pak dhe as më shumë se ajo që ka thënë Herodoti për jonianët pellazgë: “…pellazgët flisnin një gjuhë johelene…popullsia atike (duke qënë pellazge) duhet të ketë mësuar një gjuhë të re kur u helenizua…”[19] 

        Pra edhe himariotët… mësuan një gjuhë të re kur u helenizuan…Mësuan greqishten. Pra greqishtja që flitet në Himarë, nuk ka qënë gjuhë amtare. Dhe çfarë është më e rëndësishme është fakti se greqishtja nuk preferohej nga paria e Himarës, pra nga fisnikët e krahinës, të cilët quanin si gjuhë të kulturës italishten, ashtu si fisnikët e Rusisë, që quanin gjuhë të kulturës frengjishten. Pra greqishtja ka qënë një gjuhë e rëndomtë, thjesht për tregti ose ndonjë interes tjetër material.

       Konstatimi objektiv dhe i paanshëm i Uilliam Martin Leake (rreth 2 breza më pas nga koha, kur vetëm të mësuarit nga burrat flisnin greqisht në Himarë); “Gjuha greke flitet pothuajse nga të gjithë burrat në Himarë, italishtja nga ata që kanë jetuar përjashta (në Itali), por gratë në përgjithësi dinë pak nga ndonjë gjuhë tjetër përveç SHQIPES” është një argument brilant, që u mbyll gojën atyre që thonë sot, se greqishtja ka qënë dhe është gjuhë amtare e banorëve të Himarës, Dhërmiut dhe Palasës. Ajo vërteton atë që është thënë më lart, se këta greqishtfolës janë fabrikuar edhe nëpërmjet shkollave greke të inicuara qysh në vitin 1777 nga Kozma Etoliani.

        Studiusi Irakli Koçollari lidhur me të folmen shqipe të Himariotëve që morën pjesë në kryengritjen greke, pohon se, Në vitin 1824 Milingeni shkruan: “Pak ditë mbas mbrritjes sonë në Hrisavica, u paraqitën tek Mavrokordhatua…200 himariotë të cilët kishin një paraqitje tepër luftarake nga tërë radhët e ushtrisë. Himariotët nuk dallohen fare nga arvanitët sepse veshja e tyre dhe gjuha e tyre është komplet e njëjtë, plus faktin që edhe fenë e kanë të njëjtë, me të vetmin ndryshim që ata himarjotët nuk dinë asnjë fjalë greqisht[20]

        Lexojini me vëmendje këto rreshta ju që pretendoni sot, se himariotët janë grekë… Himariotët nuk dallohen fare nga arvanitët sepse veshja e tyre dhe gjuha e tyre është komplet e njëjtë…(Gjuha shqipe)…himarjotët nuk dinë asnjë fjalë greqisht . Dhe këto i thotë një helen i atyre viteve, 1824, i cili nuk e dinte, që do të vinte një ditë, që bashkëatdhetarët dhe bashkëklerikët e tij, do të thoshin të kundërtën.

        Fakti që greqishtja nuk ishte gjuhë amtare në Himarë vërtetohej edhe nga fakti se ajo flitej në mënyrë të bastarduar, pra siç mund të flitet nga një i huaj. Kujtojmë këtu se si i tha Louis Beonleut arvanitasi nga Eleusa: Unë jam një helen-bastard. Ja se si e shpjegon këtë gjuhëtari Rami Memushaj:

        “Përsa i përket shkallës së përdorimit të shqipes dhe të greqishtes në fshatrat greqishtfolëse, duhet thënë se aty kemi të bëjmë me një zonë tipike të kontakteve gjuhësore, ku dukuria e ndërimit të kodeve (language shift) gjatë ligjerimit është gjë tepër normale. Por kontaktet gjuhësore në zonën e Himarës, deri më sot kanë mbetur të pastudiura. I vetmi konstatim lidhur me këtë dukuri, lidhet me emrin e studiusit Kolë Kamsi, i cili, duke bërë fjalë për gjëndjen më 1925-1926, shkruan se këto tri fshatra “flasin një greqishte kaq të bastardhueme, sa 40 % të fjalëve i kanë shqype[21]

 

Argumente të pakundërshtueshëm lidhur me etninë dhe gjuhën e folur nga himariotët dalin edhe nga libri i Nilo Borxhias “Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri” (Shënime nga misionet në Himarë: shek.XVI-XVIII):

“…për njerin prej tyre, meshtar vendas (nga Dhërmiu), shprehet hapur se e kishte ngarkuar me detyrën e përkthimit të katekizmit në gjuhën shqipe…Ai është një meshtar i quajtur Demetrio (Dhimitër), i cili e njeh mjaft mirë gjuhën shqipe meqënëse është vendës e njëkohësisht një katolik i vërtetë…”[22]

        Konstatim brilant për çështjen që ndjekim… e njeh mjaft mirë gjuhën shqipe meqënëse është vendës…Pra, të paktën Dhërmiasit në vitin 1637 flisnin shqip, pasi si vendës e kishin gjuhë amtare. Më saktë dhe më qartë nuk ka.

Vazhdojmë me të dhëna të tjera nga Nilo Borxhia:

“…të sillnin në Romë dy të rinj nga zonat kryesore të krahinës (së Himarës) me qëllim që të mësojnë në Kolegjin Grek virtytet dhe shkrim…me qëllim që kur të kthehen në vendin e tyre, gjithësecili mund të jetë më i vlefshëm se ne të huajt, qoftë se e njohin mirë gjuhën shqipe me të cilën mund të merren vesh në të gjithë zonën dhe që ne të tjerët (priftërinjtë katolikë), ashtu si edhe grekët (priftërinjtë ortodoksë) nuk e dimë…”[23]

      Pra, gjuha shqipe flitej në të gjithë zonën e Himarës nga populli, dhe duke e ditur këtë gjuhë priftërinjtë e rinj mund të merreshin vesh me popullin, gjë që nuk e bënin dot priftërinjtë e huaj, qoftë ata italianë, qoftë ata grekë. Më “shqip” se kaq nuk ka se si të flitet.

        Vazhdojmë më tej. At Nilo Katalano para se të vinte në Himarë në vitin 1693…zuri të mësonte më shumë dashuri dhe këmbëngulje gjuhën shqipe…At Filoteo Zassi…shkoi në Pilur fshat me 500 frymë, ku e ftuan banorët që të meshonte me rastin e ditrës së Shën Thanasit dhe ku predikoi në gjuhën shqipenë vitin 1699 At Filoteo Zassi në një relacion shprehet se…gjuha e nevojshme për këta popuj është greqishtja dhe shqipja…të gjithë janë katolikë…Në titullimin që mori arbëreshi nga Sicilia Zef Skiroi për vitet 1721-1729 u quajt : “Arqipeshkv i Durrësit dhe vikar apostolik i Himarës dhe i Arbënit”…Zef Skiroi në Dhërmi i mësonte fëmijët, por edhe popullin që ta mësonin Doktrinën e Krishterë përmendësh në sheshet publike në gjuhën greke ose shqipe…”[24]

        Duhet të sqarojmë se priftërinjtë ose murgjit katolikë që Kongregacioni i Shenjtë i Propagandes Fides i dërgonin në territore të kishës lindore, mësonin, në atë që quhej Kolegji Grek (Kolegji i ritit bizantin grek), përveç latinishtes edhe gjuhën greke, e cila ishte gjuha e kishës në këto territore. Prandaj edhe ritet fetare i kryenin në greqisht ose thjesht në shqip.

        Po ju jap një shëmbull sa të thjeshtë, por në të njëjtën kohë dhe mjaft domethënës, që vërteton se greqishtja nuk ka qënë dhe nuk është gjuhë amtare e banorëve të Himarës e Dhërmiut. Dy nga gazetarët dhe folësit më të mirë televizivë të gjuhës shqipe, që njihen deri më sot në Shqipëri janë: I ndjeri Kiço FOTIADHI dhe Dhimitër GJOKA (shikoni mbiemrin Gjoka që ruhet akoma në Himarë), të cilët pa frikë mund të quhen ikonat  e gazetarisë televizive, ose në gjuhën popullore “bilbilejtë e gjuhës shqipe”; Dhe a e dini se nga janë ata? I pari është nga Dhërmiu, dhe i dyti nga Himara! Po të kishin pasur greqishten gjuhë amtare, ata do ta kishin shumë të vështirë ta flisnin mirë gjuhën shqipe, dhe as që bëhet fjalë që ta flisnin shkëlqyeshëm. Pasi si çdo i huaj, do ta flisnin me akcent

     Tjetër fakt. Neço MUKA, bilbili i këngës popullore himariote, këngët e të cilit janë maja brilante e këngës himariote në veçanti dhe këngës labe në përgjithësi, këndoheshin SHQIP.

     Por jo vetëm kaq, është një hollësi e vogël, por që është një argument i madh dhe i pathyeshëm; Shqipja e teksteve të këngës himariote, nuk është shqipja e teksteve të librave shqip të kohës, madje nuk është shqipja që mësohej në shkollat shqipe në Himarë, kur janë bërë këto këngë, në vitet 30 të shekullit të kaluar. Ajo është shqipja që flitet në Labëri, madje në veçanti, shqipja e krahinës së Kurveleshit; madje, madje, si për çudi, është edhe shqipja e çamërishtes. Shikoni akcentin e përdorur në këto këngë dhe menjëherë do të konstatoni akcentin e të folmes së Kurveleshit dhe të çamërishtes. Pra ajo është shqipja e Kaonisë dhe e Epirit, epirotishtja.

        Poeti popullor nga Piluri i Himarës, Lefter Çipa, në një intervistë është shprehur, se kënga himariote, këngët e Neço Mukës, nuk mund të këndohen greqisht, por as nuk mund të këndohen nga greqishtfolës. Përktheje në greqisht këngën “Vajza e valave”,  humbet tingujt fonetikë që e bëjnë magjepëse në gjuhën shqipe, zhvlerësohet. Ato këngë janë bërë për tu kënduar shqip dhe të kënduara nga shqipfolës. Kjo vërteton se himariotët kanë si gjuhë amtare shqipen, ndërsa greqishtja, siç thotë edhe Shaban Demiraj, është një gjuhë e dytë e huaj.

Studiuesi Dhërmias Foto BIXHILI në librin e vet “Jipet e Iperit-Himariotët” thotë:

“ E folmja tradicionale, historikisht e pandërprerë, që e ka shoqëruar Himariotin në Luftë dhe në Punë, në dasma dhe në vdekje, strumbullari i unitetit dhe i bashkimit, ajo që i jipte forcë dhe moral, ishte gjuha amtare shqipe dhënë dhe mësuar mëmë pas mëme, bijve të Himarës, me timbracionet fonetike himariote të labërishtes, që Maksimilian Lamberc e quan “dialekti himariot”,(Emil Lafe, “Maksimilian Lamberci–studiusi i gjuhës shqipe”, ST.Fil.nr.4, Tiranë 1982, f,180)….Gjuha greke ju është ngjitur trupit arbëror të këtyre tri fshatrave (Himarës, Dhërmiut dhe Palasës) si MISH I HUAJ që kërkon t’i vdesë…”[25]

    Prandaj për këta himariotë, është e vlefshme thënia e Louis Beonleu për arbanitasit që: “Ata janë shqiptarë, por SHTIREN si GREK”.     

        Por ka gazetarë të medias së shkruar dhe asaj vizive këtu në Shqipërinë Londineze, që kur flasin për Himarën dhe banorët e saj, si pa të keq, sikur flasin për prodhime bujqësore dhe blegtorale, dhe jo për çështje që kanë të bëjnë me sovranitetin dhe sigurinë kombëtare të vendit të tyre, flasin si “e ëma e Zeqos në majë të thanës” për “minoritetin grek të Himarës”. Këta gazetarë të papërgjegjshëm flasin kështu, pasi prokuroria shqiptare është në gjumë të thellë, dhe nuk ka marrë të pandehur ndonjë nga këta gazetarë për shkelje të ligjit dhe të kushtetutës, pasi tek ne minoriteti grek dihet kush është, ai është i përcaktuar me ligj.

Marrë nga libri “Epiri nga lashtësia e deri në ditët e sotme”

Epiri nga lashtësia deri në ditët e sotme - Librat.al

[1] N.A.Kun.Mitologjia Greke, Gojëdhëna dhe rrëfenja Bot.TOENA-2005,Përkth.Shpëtim Çuçka, f, 105

[2]  Herodoti, Historitë, Bot.IDK-2015, Përkth.Gr.Aleko Minga, L.IV,1-12, f, 230-234

[3] Louis Beonleu, Greqia përpara grekëve, Bot.PLEJAD-2008, Përkth.Frëngj.Iliriana Angoni, f, 90

[4] Louis Beonleu, Greqia përpara grekëve, Bot.PLEJAD-2008, Përkth.Frëngj.Iliriana Angoni , f, 128, 136-138

[5] Herodoti, Historitë,Bot.IDK-2015, Përkth.Gr.Aleko Minga, L.VII, 165, f, 435

[6] Nilo Borgia, “Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri” (Shënime nga misionet në Himarë: shek.XVI-XVIII), Bot.Shqip. “Naimi” 2014, Përkth.It.Mimoza Hysa, f, 234

 

[7] Nermin Vlora Falaschi,”Lashtesia e Gjuhës Shqipe”, Bot.Bardi Editore,Roma-1991,f,117

[8] Louis Beonleu, Greqia përpara grekëve, Bot.PLEJAD-2008, Përkth.Frëngj.I.Angoni, f, 145

[9] Jacob Phlipp Fallmerayer, Elementi Shqiptar në Greqi, Bot.Saraçi-2003, f, 86,104

[10] Mathieu Aref,  Mikenët = Pellazgët, Bot.PLEJAD-2008, Përkth.Frëngj.Iliriana Angoni, f,134

[11] Homeri, Odiseja,Onufri-2006, Përkth.Gr.Pashko Gjeçi, K.X,v. 628-633, 695-698, K.XI, v.16-20

[12]  Mehdi Frashëri, “Historia e lashtë e Shqipërisë dhe e Shqiptarëve”, Bot. I-rë 1928, PHOENIX-2000, f, 107

[13] Jacob Philipp Fallmerayer, Elementi Shqiptar në Greqi, Bot.SARAçI-2003, Përkth.Gjerm.Nestor Nepravishta, f, 94-95

[14] Rami Memushaj, “Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike”, Botim i Toenës 2004, faqe 169-182

[15] Shaban Demiraj, “Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët”, Bot.INFBOTUES-2008, f,132

[16]Shaban Demiraj, “Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët”, Bot.INFBOTUES-2008, f,133-134

[17] Shaban Demiraj, “Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët”,Bot.INFBOTUES-2008, f,137,144

[18] Rami Memushaj,“Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike”, Botim i Toenës 2004, faqe 169

[19] Herodoti, Historitë,Bot.IDK-2015, Përkth.Gr.Aleko Minga, L.I. 57, f, 41

[20] Irakli Koçollari, “Arvanitët”, Bot.”Naimi”-2012, f, 307

[21] Rami Memushaj,“Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike”, Botim i Toenës 2004, faqe 181

[22] Nilo Borgia, “Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri” (Shënime nga misionet në Himarë: shek.XVI-XVIII), Bot.Shqip. “Naimi” 2014, Përkth.It.Mimoza Hysa, f, 72

[23] Nilo Borgia, “Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri” (Shënime nga misionet në Himarë: shek.XVI-XVIII), Bot.Shqip.”Naimi” 2014,Përkth.it.Mimoza Hysa, f, 174

[24] Nilo Borgia, “Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri” (Shënime nga misionet në Himarë: shek.XVI-XVIII),Bot.Shqip.”Naimi” 2014,Përkth.It.Mimoza Hysa, f, 233, 256-257, 265, 316, 326

[25] Foto Bixhili, “Jipet e Iperit-Himariotët”, Bot.Toena-2004,  f, 146, 154

Shperndaje ne
Updated: 12 Prill, 2020 — 04:42

The Author

Besnik Imeri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.