APOLOGJIA DHE CINIZMI I NJË AMBASADORI 

APOLOGJIA DHE CINIZMI I NJË AMBASADORI 

Autor: Besnik Imeri

Duhej të dilte çështja e Krimesë që ambasadori rus në Tiranë (Leonid Abramov-2014) të kujtohej dhe të fliste për shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës. Pak a shumë ai u shpreh, se ju shqiptarët e kuptoni shumë mirë çështjen e Krimesë ku ka rus, dhe që ne jemi të ndieshëm ndaj tyre; ashtu siç jeni ju të ndieshëm si shqiptarë për shqiptarët e Kosovës. Me këte ai vendosi paralele historike midis Krimesë dhe Kosovës.  

        Nuk e dimë në se z.ambasador e njeh mirë historinë, apo bën sikur e njeh. Mbase profesioni fillestar i tij nuk ka lidhje me historinë. Por një ambasador kur vjen në një vend, gjëja e parë që duhet të bëjë është të mësojë mirë historinë, zakonet dhe traditat e banorëve të atij vendi. Atëhere duhet t’i kujtojmë atij ambasadori; se nëqoftëse Krimeja është bërë ruse para rreth 160 vjetësh, dhe kjo si rezultat i një pushtimi dhe aneksimi të realizuar nga Rusia Cariste nëpërmjet luftës kundrejt Perandorisë Otomane; Kosova ka qënë shqiptare që në kohën kur Krimeja banohej nga popujt pellazgë, Skithët Albanë; Ndërsa Kosova banohej nga Dardanët, zotërit e dy kontinenteve, Europës dhe Azisë, ku ky zotërim ndahej nga një ngushticë, që qysh atëhere dhe deri më sot quhet Ngushtica e Dardanëve.  

        Por vijmë në kohë më të reja, ku ambasadori besojmë se do të na kuptojë më mirë. Në vitin 1878, përsëri si rezultat i një lufte të Rusisë kundrejt Turqisë, pa dritën e diellit Traktati  famëkeq i Shën Stefanit, ku trojet shqiptare i jepeshin dhuratë prej Rusisë, ortodoksëve të Ballkanit, Grekëve dhe sllavëve sërbë, malazezë dhe bullgarë. Pra zoti ambasador trojet shqiptare copëtoheshin nga vendi juaj, Rusia. Në atë kohë Sanxhaku dhe Nishi ju shkeputën trungut mëmë dhe ju dhanë Serbisë. Nishi, vëndlindja e dardanasit të madh, Kostandinit (i cili ka folur shqip), perandorit që i dha krishterimit lirinë, atë liri që gëzon sot edhe patriarkana ruse, serbe, greke, bullgare etj etj.  

        Vazhdojmë më tej, në vitin 1913, Fuqitë e  Mëdha, ku bënte pjesë edhe Rusia juaj dhe me kerkesën ngulmuese të kësaj të fundit, ja shkëputën Kosovën trungut mëmë dhe ja dhanë Serbisë. Ajo Kosovë që ju sot po na i kujtoni, duke u hequr se ju vjen keq për ne shqiptarët, dhe duke na treguar se çfare ndiejmë ne shqiptarët për njeri tjetrin, pas asaj kasaphane që shkaktoi vendi juaj para 100 vjetësh. Ku fatkeqesisht, jo vetëm nuk na kërkoni falje për atë tragjedi, por me cinizëm talleni me ndjenjat tona duke na treguar edhe se çfarë ndiejmë. Mirë që nuk kerkoni falje, por të paktën, për të mbuluar të keqen që na keni bërë, njiheni Kosovën si shtet të pavarur. Kjo edhe për diplomaci, qe t’u tregoni të tjerëve, se ja, ne e njohëm Kosovën, pasi problemi i saj është njësoj si Krimeja. Atëhere do të kishit justifikimin formal për të hequr paralele midis Kosovës dhe Krimesë. Them formal, pasi midis tyre asnjëherë nuk mund te hiqen paralele; pasi Kosova është nje tokë e shkëputur nga trungu mëmë; Ndërsa Krimeja është një tokë e shtuar nepërmjet aneksimit me një trung jo mëmë. 

        Kur këtij ambasadori gazetarët shqiptarë i kërkojnë të shprehet lidhur me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga Rusia. Ai thotë se nuk është i autorizuar të shprehet për këtë problem. Por për të hequr paralele pa vend, është i autorizuar?! Po për t’i treguar  qeverisë shqiptare se çfarë duhet të bëjë dhe çfarë duhet të thotë lidhur me Krimenë, është i autorizuar?! Kjo na kujton kohën e viteve 57-60 të shekullit të kaluar, ku kolegët e tij rusë perpiqeshin t’i tregonin qeverisë shqiptare, se si duhej të sillej, çfarë duhej të bënte dhe çfarë duhej të thoshte. Ndërkohë që qeveria shqiptare e asaj kohe, nuk e hodhi vallen sipas avazit rus, pavarësisht se nuk kishte asnjë mbështetje nga perëndimi. Këtë qeverinë e sotme shqiptare, që ka mbështetjen absolute nga perëndimi dhe NATO, nuk po e kuptojmë, pasi ka rënë “sklluf” dhe nuk i ndihet zëri.      

20 mars 2014 

(botuar tek gazeta “Sot” datë 22.mars 2014)      

     

Shperndaje ne
Updated: 21 Qershor, 2020 — 17:20

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.