Modeli shurdh dhe qorr, për të vërtetën!?

besi_bekteshiNga Besi BEKTESHI 

Nuk ka gjë më të keqe, se kur njerëzve që e kanë seriozisht dhe sinqerisht, as nuk do t’ju dëgjosh as t’ju shikosh të vërtetën që deklarojnë ose demostrojnë. Për më tepër, kur je në administrim, zyrë apo nëpunësi ku ke diçka në dorë, dhe fillon “narçizizmi” më idiot që bota ka parë ndonjëherë. Nuk e do pothuaj askush të vërtetën, ju dhëmbin sytë, ju dëmtohen veshët, dhe ju prishet fytyra edhe kur ti, ju bën qoftë dhe një sugjerim.

 

Nuk do aspak as ti largosh nga zyra, nuk do aspak ti dëmtosh, kërkon vetëm që të marrin parasysh dhe të ndalen pak minuta përpara fakteve të vërteta. Por jo, nuk duan. Kjo është më e vogla, sepse pastaj fillojnë dhe të marrin inat. Dikush prej tyre thotë se “filani e paska seriozisht” dhe shkon puna të bëhet problem personal. Nuk ndodh vetëm te origjinat rurale dhe jo mirë të arsimuara apo instruktuara ky fenomen! Kjo, do të ishte më e pakta dhe do të kishte shumë shpresë për të ardhmen. Problemi është se ky fenomen ka ndodhur dhe po ndodh, me njerëzit e arsimuar, që kanë lexuar më shumë se dy libra përveç atyre të shkollës, me njerëzit që kanë një biografi intelektuale në përgjithësi. Kjo është një fatkeqësi madhore. Është një model ky, tashmë i futur edhe në pjesën e superstrukturës intelektuale. 

 

mbyllja_gojes_vesheveE para, kjo pjesë e intelektualizmit është bërë pre e pasanikëve të dalë nga hiçi, nga rojet e lakrave ose lopçarëve dhe horrave, që pasurinë e kanë bërë ose me drogë ose kontrabandë ose korrupsion, dhe tani zotërojnë edhe asete të intelektualizmit. 

 

E dyta, të katapultuar pa asnjë meritë intelektualisht deri në poste të larta, pa pasur një emër të gërmëzuar dhe dalë në publik në mënyrë të qartë, nuk dinë të ndalen në “narçizizmin” e tyre deri në absurd, për të mos dëgjuar asnjë zë të së vërtetës. Qëllojnë që janë edhe femra dhe është shpeshherë shumë keq, sepse formojnë dhe “matriarkatin” qorr e shurdhërinë më idiote që bën vaki në këtë të shkretin vend tonin. 

 

Jo vetëm kritika dhe vërejtja, por konstatimi dhe ligji i lëkundshëm apo afera e ditur dhe e qartë në saj të verbërisë dhe shurdhërisë akute, i bëjnë të tillë individë të vazhdojnë të keqen deri në infinit. Kjo është një fatkeqësi e madhe në politikë, qeverisje, opozitë dhe shoqërinë intelektuale në kohën e sotme. 

 

Ka disa kohë që është bërë një polemikë e kësaj natyre dhe është e qatë se nga njëra anë nuk ka asnjë dëshirë të kuptohet sensi i të vërtetës, e cila tashmë është kapur dhe përqafuar nga shumë e shumë të tjerë. Dakord, por nuk duket se aty ku adresohet, kuptohet dëshira e mirë për të ndrequr dhe bërë që e vërteta të kuptohet dhe mbi bazën e saj të vijohet puna më e mirë. Jo, tashmë është më e kollajtë të bëhet problem personal. Në fakt, është një turp. Turp që ka verbëri dhe shurdhëri si modele që duan të bëjnë shoqërinë tonë “handikapate” në themel të saj si në politikë, opozitë dhe qeverisje. Të tillë njerëz përmbysin skema politike që seriozisht duan të bëjnë më mirë diçka. Një model i tillë, të bën të humbësh edhe shpresën se ky vend mund të dalë nga një e keqe që po zgjat shumë dhe që disa ish komunistë dhe po ashtu maskarenj politikë, kanë dy dekada që i imponojnë shoqërisë në tërësinë e saj. 

 

Në fund të fundit, këtu është dhe problemi i madh i kohës. Ne nuk gjenerojmë dot një klasë, shtresë apo elitë që duke qenë pjesë e intelektualizmit të lindë ndryshim. Deri tani jo. Ka dhe diçka negative, sepse disa syresh po i prishin shumë punë dhe atij që ka marrë përsipër të ndryshojë këtë mentalitet retro apo dhe idiot, nëqoftëse mund të shprehem kështu. Nuk flasin lirshëm as në intervista dhe as në televizione. Nuk lejojnë as bashkëpunëtorë dhe deri miqtë e tyre të jenë të drejtpërdrejtë. Nuk duan që dikush qoftë dhe miqësisht të shprehet lirshëm. Jo ta marrin për ters dhe për keq. E ka “hangër dreqi këtë punë” dhe nuk ka shanse të ndryshojë kjo gjendje. Në këtë mënyrë, as elitat nuk lejohen të ripërtërihen, sepse edhe të rinjtë që merren ose edukohen me këtë sëmundje verbërie dhe shurdhërie akute, ose tentojnë të ikin, kur marrin vesh se paska qenë e kotë të përkushtohesh në punë për të mirën dhe të vërtetën. Po e përsëris, se është një turp.

 

Nga ana tjetër, përfitojnë rrugaçët dhe tenderistët e zakonshëm, mashtruesit dhe ato të jetës klandestine me të vërtetën. Ato bëjnë lekët dhe pastaj vazhdojnë “investimet” e tyre kudo në çdo sektor politik dhe administrativ, duke i bërë akoma më keq shoqërisë. Kjo shoqëri, në saj të tyre molepset akoma më shumë, nxjerr vetëm veset, dhe i shet ato për virtyte të mëdha. E individët medemek intelektual krihen, rrokullisin sytë, llastohen përpara kamerave, bëjnë të ndershmin dhe po ashtu dhe të zotin apo zonjën, biles duke u shtirë të pazëvendësueshëm. Deri kur? Po, deri sa të bëjnë ndonjë idiotizëm, që mos të durohet më, ose deri kur “Zeusi” ti shikojë se tashmë janë bërë figura të djegura. Pastaj?! Pastaj nuk e di, mbase nuk e kanë problem të ikin, sepse punën e tyre e kanë bërë. Mbase, prandaj janë treguar “qorra dhe shurdhë”, nga që e kanë ditur se janë për shkurt. Ndoshta them..?!

 

Shperndaje ne
Updated: 16 Shkurt, 2015 — 17:21

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.