Shpërdorimi i të drejtës së fjalës

Shkruan:  Panajot ZOTO 

 

Fjala, si mjet për shprehjen e mendimit dhe qëndrimeve që mban çdo njeri për çështje të caktuara, është një e drejtë e pakontestueshme në demokraci. Pas rrëzimit të sistemit komunist, liria e fjalës dhe e shprehjes kanë qenë promotori i lëvizjeve dhe ecjes përpara, duke çliruar energjitë pozitive të njerëzve në interes të ndryshimit dhe progresit. Vetë politika dhe politikanët, në veçanti liderët politikë, janë inspiruar në sensin pozitiv nga forca e fjalës, që siç thoshte Vasllav Havel “…janë në gjendje të tundin krejt strukturën e një qeverie…”. Veç fjala nuk ka qenë gjithnjë produkt i ideve, mendimeve dhe qëndrimeve të mira e të sinqerta, dhe as është përdorur, fjala vjen nga politikanët sot, çdo herë brenda sensit të masës. Sot, më shumë se dje politika abuzon mbi të drejtën e fjalës dhe për më keq ndodh që kjo e drejtë të shpërdorohet.

 

PolicijaNjë prej deputetëve të opozitës parlamentare, në panelin e një debati televiziv të para disa ditëve, ku debatohej për problemet e pasojave të përmbytjeve në disa rajone të vendit dhe mbi punën e strukturave shtetërore dhe qeverisë për përballimin e situatës, qëndrimin e saj kritik e shprehu me fjalë të ashpra dhe me të pavërteta të shumta. Kur iu tha nga bashkëbiseduesi se përballimi i situatave të tilla nuk mund të bëhet me fjalë, ajo u përgjigj çuditshëm: “Opozita fjalën ka”.

 

Në një kuptim kjo qëndron. Shprehja “opozita fjalën ka” nuk është se u tha për herë të parë nga deputetja në fjalë. Në jetën tonë parlamentare ka përbërë një vijë demarkacioni mbi kuptimin e fjalës, veç për pozitën dhe veç për opozitën. Ndërsa fjala për pozitën nënkupton përgjegjësi qeverisëse, punë të evidentueshme, për opozitën fjala është thjesht kritike. Ndërkohë që fjala duhet të ketë një barazpeshë përgjegjësie, pasi si pozita dhe opozita janë aty të votuara, secila, për të luajtur rolin që zgjedhësit u kanë caktuar. Në demokraci nuk qeveris vetëm pozita, por dhe opozita, ndaj dhe fjala ka të njëjtën forcë dhe peshë për të dyja krahët e politikës. Por opozita e sotme duket se nuk e kupton kështu rolin e vet. Ajo i ka dhënë yrysh fjalëve aq sa përmes tyre po deformon realitetin. Ajo është duke folur e folur deri në shpërdorim të së drejtës për të folur. Madje flet edhe kur duhet të heshtë. Ka me dhjetra e qindra shembuj që flasin për shpërdorim të së drejtës së fjalës nga politikanë të ndryshëm dhe sidomos përfaqësues e liderë të opozitës.

 

Më pranë vëmendjes e kujtesës së opinionit publik janë qëndrimet e mbajtura për përballimin e situatës së përmbytjes së fundit, ku u arrit deri në qëndrimin grotesk të kryetarit të PD, që të derdhi lumin e fjalëve boshe për gjoja moskujdesje të qeverisë për të përmbyturit nga fshati Shtyllas i Fierit, vendosur në kodër, ku natyrshëm pasojat nga përmbytjet ishin tepër anësore. Të drejtën e fjalës e shpërdoroi opozita edhe në qëndrimin që mbajti në ngjarjet tronditëse të shpërthimeve ditë më parë në kryeqytet, kur krimi me anën e tritolit kërcënonte hapur shtetin. Jo një herë përfaqësues të opozitës e kanë përdorur fjalën si qëllim për nxitje të rebelimit. Sekretari i përgjithshëm i partisë kryesore opozitare, zoti Ristani, në një takim me banorët që kundërshtonin prishjen e banesave në segmentin ku parashikohet ndërtimi i autostradës, në Vlorë, duke shfrytëzuar revoltën e tyre ndaj qeverisë u tha se duhet të qëndronin. Ngrihuni, dhe ne do na kini në krahë. Do ngremë në këmbë gjithë Vlorën, u tha ai. Dhe shumëkush sot mund të bëjë një lidhje mes asaj thirrjeje dhe thirrjes që bëhet në një trakt të lëshuar nga një “Organizatë” po në Vlorë, ku hapur flitet për revoltë, për t’u ngritur kundër diktaturës (cilës diktaturë? Kuptohet, bëhet fjalë për diktaturën e kësaj qeverie të cilësuar të tillë nga Berisha dhe Basha), për dinjitetin dhe të ardhmen…

 

Nëse e drejta e fjalës, pra liria e fjalës dhe e shprehjes, po keqpërdoret jo rrallë sot në këtë vend, dhe jo vetëm nga politika, (kjo si abuzim më të drejtën), kjo po ndodh për meritë të atij që ia ka atribuar vetes meritën e sjelljes së lirisë. Saliut të partisë në opozitë. Saliu është tipiku i njeriut politikan që shkel mbi të drejtën e fjalës, që e shpërdoron këtë të drejtë gjithhere që i duhet të abuzojë mbi të vërtetën, Saliu e përdor fjalën për të sharë, për të fyer, për të ngritur akuza e tymnaja në Parlament. Dhe më keq se aq. Ai nga foltorja e Parlamentit përmes fjalës nxit ndasinë, ushqen urrejtjen për ata që qeverisin vendin, përhap panik, fjala vjen, duke thënë se ilaçet e fëmijëve janë të skaduara, shpreh synimin dhe qëllimin e misionit që i ka vënë vetes për rrëzimin e qeverisë. Sali Berisha është bërë idhull i shkelësve të ligjit, udhërrëfyesi i rrugëve të destruktivitetit.

 

Shembulli i politikanit që flet kur nuk duhet të flasë dhe thotë atë që nuk duhet ta thotë. Natyrisht që këshilla e Ciceronit se njeriu “duhet të ketë kujdes çka flet, në çfarë vendi flet dhe në çfarë mënyre flet” nuk i hyn në punë Sali Berishës dhe të gjithë atyre politikanëve që kanë zgjedhur rrugën e destruktivitetit në të bërit opozitë, duke i dhënë fjalës jo forcën e ideve drejt progresit shoqëror, por forcën e qëndrimit që të çon në konflikt. Parlamenti është pasqyrë e këtij realiteti të hidhur, ku e drejta e fjalës shpërdorohet dhe me të drejtën e fjalës abuzohet deri në ekstreme të papranueshme, madje të ndëshkueshme.

 

Shperndaje ne
Updated: 16 Shkurt, 2015 — 17:33

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.