Rehatia e militantëve partiakë

Shkruan: Flamur Kuçi

Qytetarët janë ata që përfundimisht duhet t’ua tregojnë vendin e merituar këtyre politikanëve të papërgjegjshëm, që po luajnë me fatin e tyre dhe të vendit.

 

varferia_kosoveImprovizimet në sheshet e kryeqytetit ishin të pamjaftueshme për ta mbuluar një shkrehje organizative të institucioneve, mungesë interesimi të qytetarëve, zhgënjim të shoqërisë në përgjithësi. Kësisoj, përvjetori i shtatë i pavarësisë, ashtu siç pritej, kaloi pa zhurmë, pa entuziazëm, me pak fjalë pa kurrfarë shije.

Njerëzit nuk ngurruan, as këtë të martë, t’ia mësynin rrugës së mundimshme të emigracionit, edhe pse përditë dhjetëra po kthehen, pasi me procedura të përshpejtuara u është refuzuar azili.

 

Shpërngulja masive e kosovarëve dhe fati i tyre e kanë lënë në hije festën e Pavarësisë. 16 vjet pas luftës dhe shtatë vjet pas deklarimit të Republikës figurat e njëjta politike dominojnë jetën publike dhe institucionale.

 

Në fakt, ndikimi i tyre shtrihet edhe përtej pozitës që mbajnë, përtej autorizimeve që ua jep ligji, duke përfshirë biznese të caktuara, të dyshimta, interesa të ngushta klanore e korruptive, ndërhyrje në institucione e agjenci të pavarura, emërime të pamerituara dhe pengim i drejtësisë, ligjit dhe Kushtetutës.

 

Politika sot është përgjegjësja kryesore për rrënimin e shpresës së qytetarëve, por asnjëherë nuk është ballafaquar me llogaridhënie. Prej më shumë se një dekadë e gjysmë, politikanët tanë kanë arritur të krijojnë një ndarje të rrezikshme mes shumicës dërrmuese të shoqërisë që mbështet demokracinë, ligjin, Kushtetutën dhe vlerat në njërën anë, ndërsa në anën tjetër një grusht pushtetarësh, me bandat e tyre të instaluara në pikat kyçe, nëpër institucione shtetërore që mbajnë peng zhvillimin e vendit.

 

Ky hendek socio-politik po reflektohet çdo ditë e më shumë në eksodin e dytë, në largimin masiv dramatik të shtetasve kosovarë, të cilët me të drejtë kërkojnë shpëtim, një jetë më të mirë për familjet e tyre.

Pas shtatë vjetësh, rritja ekonomike dhe standardi i qytetarëve kanë rënë ndjeshëm, investitorët e huaj janë larguar nga bllokimi i pushtetarëve hipokritë, nga korrupsioni dhe burokracia, ndërkaq sundimi i ligjit ka dështuar plotësisht, ndërsa qëllimi kryesor i partive në pushtet ishte dhe është të sigurojnë përfitime marramendëse për veten dhe grupet e tyre, sikur edhe rehatia e një numri të madh të militantëve partiakë.

 

Është më se e qartë tashmë dhe jorastësisht mediat prestigjioze ndërkombëtare po e kritikojnë hapur udhëheqjen politike në Kosovë, se me këtë garniturë në pushtet ndryshimi është i pamundur.

Shperndaje ne
Updated: 2 Mars, 2015 — 14:43

The Author

Flamur Kuci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.