Arti dhe Kultura Kombëtare: Duart e arta të Frederik Stamatit

 
 
 
 
Mjeshtër i konservimit të objekteve historike. 

                     

 
 
 
 
 
Sa e njofim Frederik Stamati, mjeshtrin e konservimit të objekteve historike  ? Frederik Stamati i cili ka restauruar mbi 20 mijë objekte muzeale thotë : “ 28 Nëntori për mua është njësoj si edhe për të gjithë shqiptarët, Pavarësia. Por fati e ka dashur që të kem edhe disa lidhje familjare me këtë datë. Për shembull gjyshi im, Kol Stamati, ka qenë dy herë i internuar në Ulqin nga turqit për veprimtari patriotike. Ai së bashku me njërin prej xhajave të mi, Arkilenë, shkoi në Vlorë ditën e shpalljes së Pavarësisë, në përbërje të delegacionit të Durrësit, por që nuk e dimë detyrën. Unë nuk e kam arritur gjyshin, por xhaja më ka treguar për rrugën që bënë me kuaj nga Durrësi në Vlorë, në ditë me shi, nëpër këneta, njëlloj sikurse e kemi parë në filma. Kur u ngrit flamuri nga Ismail Qemali ai ka qenë në shesh. “
 
Duararti Frederik Stamati e tregon edhe këtë :” Një tjetër lidhje është se daja i nënës time, Kristo Meksi, ka shoqëruar Ismail Qemalin në udhëtimin nga Bukureshti në Vlorë, duke mbajtur “thesarin”, që kishte marre me vete për shtetin shqiptar, që do të krijohej. Pas shpalljes së Pavarësisë ai ka punuar si sekretar në qeverinë e Ismail Qemalit. Por ka edhe një lidhje tjetër. Kur ishte në Tiranë, Marigoja ka banuar në të njëjtën shtëpi me nënën time. Ajo, ndonëse e vogël, e mbante mend Marigonë dhe ma ka përshkruar. Gjithashtu më ka treguar, se babai i saj, Nikoja, i thoshte së shoqes, pra gjyshes time: “Kjo grua qëndis flamuj”. Edhe kjo përbën një të dhënë interesante: Marigoja kishte nam në të gjithë Shqipërinë, si qëndistare flamujsh.”
 
Sa shumë ka për të folur për këtë maestro të restaurimit ; “Studiuesi Frederik Stamati nuk resht së kërkuari për identifikimin e objekteve të çmuara. Së fundmi pas një pune intensive ka mundur të identifikojë dhe një flamur të rrallë. Bëhet fjalë për flamurin e forcave vullnetare shqiptare pjesëmarrëse në ushtrinë e Austrisë gjatë Luftës së Parë Botërore. Flamuri ka shkabën me dy krerë dhe numrin 6 të Regjimentit të shqiptarëve “

 

Më tej Stamati kujton se ndonja 40 vjet më parë arkeologu Vangjel Toçi më tregoi se si rreth vitit 1908, tek po hapej një rrugë në Durrës, u gjet ky sarkofag, me i bukuri i zbuluar në Shqipëri.Së bashku më sarkofagun u gjet edhe një thesar me monedha të arta. Si sarkofagu, ashtu edhe monedhat prej ari u çuan në Stamboll, si qendër e Perandorisë dhe u ekspozuan në muze.

Një thesar prej 127 copë monedha argjendi, i zbuluar në Durrës disa vjet më parë, u gjet 4 metra nën tokë, njofton restauruesi më i madh shqiptar Prof. As.Dr. Frederik Stamati.
I lidhur me qytetin bregdetar edhe me fije sentimentale, Stamati, njeriu i famshëm i arkeologjisë shqiptare, thotë se radiografitë treguan që monedhat ishin futur në një kuti prej dërrase, mbi të cilën ishte vendosur një rrasë guri. Puna për ndarjen e monedhave nga blloku “konglomerat” zgjati dy javë. I gjithë trajtimi mori afërsisht pesë muaj. Vetëm për t’i stabilizuar nga përsëritja e korrodimit (ndryshkja), monedhat u zien 280 herë në ujë të distiluar, duke u shoqëruar me analizat përkatëse. 

Stamati thotë se në thesar u gjetën edhe dy copë monedha të prera nga Aleksandri i Madh për nder të babait të tij, Filipit. Datohet i shek. IV per. Sot të gjitha monedhat e thesarit ruhen në një gjendje shumë të mirë.

Më tej ai vijon duke treguar se emrin Antigone ia ka vënë Pirroja i Epirit në vitin 270, për nder të së shoqes, që quhej Antigona, pasi ajo ishte thesprote. Antigoneja ka qenë një qendër e rëndësishme në Ilirinë e Jugut. Nuk dihet mirë se kur është themeluar, por dihet mirë se u dogj në vitin 167 para erës së re nga konsulli romak Pal Emili, i cili si mundi ushtritë e Gentit dogji 70 qytete të Ilirisë së Jugut, midis të cilëve edhe Antigonenë, e cila nuk e mori më veten kurrë. Monedhat e gjetura në Antigone bëjnë pjesë kryesisht në ato të Koinonit të Epirit, të prera rreth viteve 234-168 per.

Restauratori Frederik Stamati ka publikuar skica nga tekstilet e tipit damask më të vjetër të zbuluar në Shqipëri. Këto lloj tekstilesh thotë restauratori janë zbuluar në vitin 1983 nga arkeologia Hëna Spahiu në varrezën e kalasë së Dalmacës, që i takojnë shek. VI-VIII.

Objektet që janë në fondet muzeale në vendin tonë në mungesën e kushteve janë të rrezikuara jo pak. Objekte të ndryshme të trashëgimisë, edhe pse janë cilësuar me vlera për kulturën tonë, kur flitet për konservimin e tyre, kjo është dhe një nga problemet më të mëdha. Prej më shumë se 6 vitesh nuk funksionon më laboratori i konservimit dhe i arkeometrisë në vend, dhe sipas restauratorit të njohur Frederik Stamati kjo ka sjellë shumë probleme për konservimin e objekteve, që ruhen në fonde.

Që nga viti 1972 që merret me konservimin e objekteve të ndryshme, specialisti Stamati njëkohësisht dhe Kryetar i Shoqatës së Restauratorëve Shqiptarë thekson se Shqipëria është në emergjencë për një strategji kombëtare të konservimit muzeal, që do të thotë futjen e shkencës dhe jo amatorizmin. Ai pohon se këtë ia sygjeron edhe Ministrisë së Kulturës, duke cilësuar faktin se ku flitet për konservimin kjo është çështje e kimisë dhe fizikës dhe jo e profesioneve të tjera.

Kërkesa e tij si specialist është, që duhet të kemi një strategji kombëtare konservimi.

Fahri Xharra, 17.06.17
Gjakovë

Shperndaje ne

The Author

Fahri Xharra

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.