Shkruan: Flamur Kuçi
Nuk duhet të jesh jurist i rryer për të kuptuar se Gjykata Speciale është përmbi sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës, mbi gjykatat dhe KGJK-në, mbi Kushtetutën dhe ajo që vlen të theksohet, mbi çdo pushtetar apo ish-pushtetar, mbi komandantët e secilin “të fortë” të këtij vendi .
Ky mekanizëm i drejtësisë ndërkombëtare, që do të merret ekskluzivisht me akuzat e parashtruara në raportin e Dik Martit, ish-kryeprokuror i Zvicrës, është rrjedhojë e dështimit skandaloz të sundimit të rendit e të ligjit në Republikën tonë. Bashkëpërgjegjësi mbajnë edhe ata që e iniciuan Gjykatën Speciale – ndërkombëtarët. Që prej kohës së misionit të OKB-së, UNMIK-ut, e deri në ditët e EULEX-it, gjykatës e prokurorë të huaj, policë e hetues, nga vende të ndryshme, nuk kanë arritur të nxjerrin para drejtësisë “peshqit e mëdhenj”.
Por, nuk kemi arsye që t’i fajësojmë ata për dështimin e përbashkët kosovar, në forcimin e sistemit gjyqësor e prokurorial, pavarësinë e tij nga politika, profesionalizmin dhe guximin, integritetin dhe respektimin e ligjit. Gjatë këtyre ditëve, kur vendorët lehtësojnë përgatitjet për themelimin e Dhomave Speciale, është mirë që t’u rikthehemi akuzave famëkëqija të raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti. Akuzat e tij për trafikun e supozuar të organeve të serbëve nuk janë provuar kurrë nga Tribunali i Hagës, ndërsa nuk ka mundur t’ vërtetojë as prokurori i Task- Forcës Speciale amerikane, Uilliamson.