MASKAT E “LUFTËS” DHE “LUFTA” ME MASKA!

TafaShkruan: Tafil Duraku

 

Ajo që duhet ta dinë pashmangshëm dhe përfundimisht shqiptarët, është gjendja e tyre reale, skandaloze dhe poshtëruese, në çdo fushë të jetës së tyre “shoqërore”, “patriotike” e “kombëtare”, edhe gjashtëmbëdhjetë vjetë pas luftës së UÇK-së. Pyetjet në të cilat duhet të përgjigjen shqiptarët, para vetvetes së tyre shqiptare, janë: A ranë, ende, maskat e “luftës” së UÇK-së dhe “lufta” me maska e “veteranëve”, “komandantëve” dhe “luftëtarëve” të paepur të “saj”? Apo, po vazhdon “lufta” me maska në kurriz të luftës së lavdishme të UÇK-së dhe në kurriz të veteranëve të saj, në përmasa e dimensione të (pa)para sa e sa herë deri me tash? A po dalin, përfundimisht, në shesh maskat e “luftës”, të “komandantëve”, “luftëtarëve” dhe “veteranëve” të “radhëve të para” të saj, duke filluar nga dega “shkencore” e Beogradit, e ashtuquajtura ASHAK, nga mediat e tij të shkruara, elektronike e (tele)vizive në “Republikën e Kosovës”? Çfarë qiti në shesh shpallja e parë publike e atyre që kishin fituar statutin e “veteranit” të UÇK-së, në dy zonat e fundit të “luftës”, në ZOLL dhe në ZOK, dhe çfarë do të dalë në shesh nga zonat e tjera të “luftës”?…

Drenica_joneSa u panë dhe sa u hetuan, në fillim të luftës shqiptare për liri e bashkim kombëtar, sipas betimit të dhënë, maskat e “luftës” dhe “lufta” me maska në kurriz të UÇK-së, realisht, u pa në vazhdimësi, që nga dalja publike e UÇK-së e deri në ditët e sotme, sidomos, nga debati publik, i organizuar më 12 shkurt 2015, në ZONA-B të TV Klan-Kosova. Të ftuarit në debat, me ndonjë përjashtim, shiheshin nga anonin dhe kë maskonin për t’u dukur tamam “UÇK” dhe tamam “veteran”, sikurse edhe udhëheqësi i debatit, i cili, pa pikë turpi e shpalli veten, publikisht, veteran të UÇK-së, së toku me shokët e tij të idealit “patriotik” e “kombëtar”, serbo-jugosllav.

Nuk ka rastësi këtu, në Kosovën e trepushtuar shqiptare, “kosovaro”-serbo-ndërkombëtarisht. A po u duket ende rastësi kur një e ashtuquajtur ASHAK, prej më të madhit e deri te më i vogli, e shajnë luftën e lavdishme të UÇK-së, luftën për liri shqiptare dhe për bashkim kombëtar? A po u duket ende rastësi dhe pak kur këlyshët e stanishiçëve, millosheviçëve, fadilhoxhiçëve, azemvllasiçëve, mahmutbakallieviçëve e içërve e viçërve të tjerë, sot, pa pikë turpi as fytyre, po e shpallin veten veteranë të UÇK-së. A ende po u dduket pak kur, sot, prej 80-90% e “profesorëve” dhe “doktorëve” të “shkencës” e shajnë luftën e lavdishme shqiptare të popullit shqiptar për liri e bashkim kombëtar? Apo, ende po u duket pak kur “Presidenti shqiptar”, Bujar Nishani dekoron tradhtarët e popullit shqiptar dhe të luftës së tij për liri e bashkim kombëtar? A po u duket pak?… Madje, pyetja që duhet t’i përgjigjen anëtarët e SHP të UÇK-së, komandantët dhe veteranët, para të cilës pyetje kanë edhe përgjegjësi të mëdha e të pashmangshme politike, morale, penale dhe kombëtare, është: Çfarë mbolli UDB-a dhe KOS-i shqiptaro-titist në Tiranë dhe në radhët e UÇK-së, duke filluar me kosistin “akademik” Mehmet Kraja, i cili, edhe sot, del dhe shanë UÇK-në dhe veteranët e saj, me shkrim-shkarravinën e tij “akademike”, “Ku ishe ti, Adam?”… Çfarë mbolli UDB-a dhe KOS-i shqiptaro-titist në radhët e UÇK-së, madje, edhe në SHP të saj, nëpër të gjitha zonat e “luftës”?(Sic!)…

Pyetja tjetër që më vjen vetvetiu t’ua bëj publikisht shqiptarëve, është: A është Baton Haxhiu, ai, që tok me shokët e tij të idealit serbo-jugosllav e shqiptaro-titist, Veton Surroin dhe Ylber Hysën&Co, ata që nuk i botonin shkrimet e mia në gazetën e tyre “patriotike” e “kombëtare” KOHA DITORE, të cilat janë ndër shkrimet e para dhe të hapta në mbrojtje të hapur të luftës së drejtë shqiptare të UÇK-së, atëherë kur mëse shumti e sulmonte Beogradi tok me Ibrahim Rugovën e LDK-në e tij skandaloze, alias, ish-LKJ-në sllavokomuniste të “shqiptarëve” në pushtetin e Beogradit. Nga një kopje të atyre shkrimeve (pasi që nuk i botonin “Bujku”, “Koha ditore” dhe “Kosova sot”), atëherë (1997-1999), ia kam dorëzuar personalisht një njeriu të Shtabit të UÇK-së. Që të mos e lodhim lexuesin e nderuar, këto të vërteta i kam shkruar edhe në shkrimet tjera, të publikuara tek portalet e njohura shqiptare, si www.dervina.com, www.albaniapress.com, e shumë të tjera.

Duke i parë rrjedhat vërtetë skandaloze të “luftës” (1997-1999), “komandantët” dhe “luftëtarët” e paepur të “radhëve të para”, “zëdhënësit” dhe “reporterët” e UÇK-së, një kategori të të “burgosurve politikë shqiptarë” etj., madje, ata e këta që u bënë “politikanë” sot, që po bëhen sot edhe veteranë të UÇK-së, na është gërditur edhe atdheu, edhe politika “patriotike” e “shqiptare” e “shqiptarëve” në pushtet, dje e sot. Për mediat e shkruara, (tele)vizive dhe elektronike, “patriotike” e “kombëtare” nuk kemi çka të flasim e çka të themi më shumë, vetëm shikojini me vëmendje ato(Sic!)…

Del këlyshi i Stanishiçit, Baton Haxhiu, në fund të emisionit të tij “ZONA-B” e Klan-Kosova, e shpallë veten dhe shokët e tij, publikisht, veteran(ë) të UÇK-së! Madje, deklaron, parafrazojmë: “Kur kam shkruar unë për UÇK-në, dikush nuk ka ditur se ka UÇK” (Sic!) Madje, nuk e kurseu veten ta lëvdonte një elitë të tërë antishqiptare shokësh të tij “patriotë” e “shqiptarë”, duke thënë publikisht, afërsisht kështu, citojmë: “Veteranë të UÇK-së”, gjithnjë, sipas Baton Haxhiut, janë “Baton Haxhiu dhe kolëgët e tij Dukagjin Gorani, Ylber Hysa, Halil Matoshi, Blerim Shala, etj.” Ku jeni, tash, ju, komandantë dhe luftëtarë të UÇK-së, anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, përgjegjës për luftën, mos, vallë, edhe ju keni qenë të (tele)dirigjuar prej tyre?…

Opinioni publik shqiptar duhet ta dijë se po aifarë Baton Haxhiu, që vetëquhet veteran, nuk i ka publikuar në gazetën ku punonte shkrimet e mia autoriale në mbrojtje të luftës së drejtë të UÇK-së, nuk i ka publikuar as shkrimet e mia autoriale, me pseudonimin “Ripress”, kur disa gazeta nisën t’i botonin ato, sepse, vërtetë, isha reporteri i parë, i ftuar, (edhe për zëdhënës) i UÇK-së (Kam prova reale, të pakontestueshme, edhe pse, vullnetarisht kam hequr dorë nga lufta e UÇK-së dhe tradhëtia që i është bërë dhe po i bëhet vazhdimisht BETIMIT për Liri e për Shqipëri, vullnetarisht kam hequr dorë nga të qenunit veteran i saj, sepse, unë nuk kam luftuar për ta tradhëtuar betimin për bashkimin e Shqipërisë së copëtuar në një SHQIPËRI Etnike, ngase nuk dua të jam me shqiptaro-titistët kundër të cilëve punova tërë jetën time shqiptare), për çka, duke e parë shtrembërimin e historisë që ndodhte e po ndodhë para syve të mi dhe të shqiptarëve, dola me shkrimin autorial “Kush fshihej pas nofkës ‘RIPRESS’, gjatë luftës së lavdishme të UÇK-së”, publikuar tek albaniapress dhe portale të tjera shqiptare, sepse, ato shqiptaro-titiste nuk i publikojnë shkrimet reale për të vërtetën historike që ka ndodhur, para, gjatë dhe pas luftës së lavdishme të UÇK-së.

Në emisionin ZONA-B të Klan-Kosova, pamë me sytë tanë dhe dëgjuam po me veshët tanë, kur mercenari i Serbisë dhe Jugosllavisë, këlyshi i Stanishiqit, Baton Haxhiu, i quante “mercenarë” luftëtarët e UÇK-së, për çka iu kundërvu vetëm Muharrem Xhemaili, i cili, siç u pa, ka edhe mungesë informacioni të saktë e të nevojshëm për shumçka e për shumkë.

Unë, personalisht, e them publikisht dhe me përgjegjësi morale e kombëtare, se jam shantazhuar nga bashkëvendasit e mi dhe nga familjarët (dajët), të cilët kanë penguar (me maska e pa to) strukturimin tim profesional e kombëtar në strukturat e luftës për liri shqiptare dhe për SHQIPËRI SHQIPTARE. Prandaj, e gjithë kjo le të mbetët në ndërgjegjen e tyre, nëse u ka mbetur sadopak ndërgjegje, nëse u ka mbetur sadopak njerëzi e fisnikëri njerëzore e shqiptare, sepse, unë (tok me shokët e mi të idealit shqiptar) jam ai që ua kam mësuar shqiptarizmën shumë breznive të reja shqiptare dhe kam luftuar edhe dhjetë vjetë përpara se të këtë dalur UÇK. Këtë e kanë dëshmuar edhe historian si Ibrahim Çitaku, Dr. Osman Sejfia dhe të tjerë, e, me shumë vonesë, edhe daja im Vesel Selimi, pjesërisht.

Jam prej atyre shqiptarëve që tërë jetën time kam punuar e luftuar, tok me familjen time, kundër renegatëve shqiptaro-titistë dhe kundër këlyshëve të tyre të dytë e të tretë, të cilët e tradhëtuan dhe shantazhuan luftën, e shkelën betimin e UÇK-së dhe e sollën luftën në këtë shkallë përçmimi e poshtërimi, sa po qeshë një botë e tërë me ne. Prandaj, as i gjallë dhe as i vdekur nuk dua të jam pjesë e tyre, as nën tutelën e shqiptaro-titistëve dhe këlyshëve të tyre puro “shqiptarë”… Tërë jetën e tyre antishqiptare provuan të më bëjnë për vete, por, atë qëllim antishqiptar nuk e arrijtën kurrë te unë, as te shokët e mi të idealit puroshqiptar… Kjo është ajo që më bën tepër të veçantë në fisnikërinë time shqiptare dhe të familjes sime gjithmonë shqiptare!…

Prandaj, po të pranoja të isha pjesë e skenarit shqiptaro-titist të “UÇK-së” dhe “Shtabit të saj”, natyrshëm, se, do aplikoja për veteran të saj. Ndërsa, unë, hoqa dorë publikisht, menjëherë pas formimit të të ashtuquajturit Komision për verifikimin e veteranëve të UÇK-së, me të cilin komision, më veteran do të bëheshin sharësit dhe shantazhuesit e UÇK-së dhe të luftës së saj, sesa veteranët e saj të vërtetë. Na mbaj tokë! Veteranë të UÇK-së shpallen Azem Vllas(t)i dhe Mahmuat Bakalli, ndërsa, renegati Fadil Hoxha varroset me nderime të “UÇK-së”(Sic!)… Kemi raste sa të duam dhe mund t’i zëmë ngoje e t’i numërojmë ato veç e veç, ose, siç ndodhi rasti i moslejimit të pjesëmarrjes së Gardës së Nderit të TMK-së, në krye të të cilës ishte një komandant e burrë si Nuredin Lushtaku, në varrimin e “Presidenit” histo(e)rik të “Republikës së Kosovës”, Dr. Ibrahim Rugova(!)…

Ndaj dhe është koha e fundit të dimë se pjesë e ç‘skenari qenë dhe mbetën maskat e “luftës” dhe “lufta” me maska e “UÇK-së”, madje, deri në ditët e sotme? E, do të vazhdojnë edhe më tej, nëse ne nuk i hapim sytë dhe nuk e kthjellojmë mendjen tonë kolektive e kombëtare për të mirën e Shqipërisë tonë dhe të popullit shqiptar, autokton në trojet e veta etnike. Nuk duhet të kejojmë, me asnjë kusht, që këlyshët e stanishiçëve e millosheviçëve të jenë më nëpër institucionet tona mediale, qoftë në mediat e shkruara, ato elektronike apo edhe ato vizive e radiodifuzive. Përfshirë në një fjali të vetme, të gjitha këto janë pjesë integrale e shantazhit dhe poshtërimit që i është bërë dhe po i bëhet në vazhdimësi luftës së lavdishme shqiptare të UÇK-së, veteranëve dhe disa udhëheqësve të SHP të UÇK-së.

Praktikave të tilla, sa më parë që t’u themi STOP, do të jetë më mirë për ne, për popullin dhe shtetin shqiptar, për të cilin kemi punuar e luftuar brez pas brezi, pa shqiptaro-titistët dhe pa “të burgosurit politikë shqiptarë”, prandaj, ç‘janë këto maska të “luftës” dhe kjo “luftë” me maska, në kurriz të UÇK-së dhe të veteranëve të saj?… Heu! Prekeni kokën njëherë, ku keni shkuar!?! Këshilltar në Prishtinë, Azem Vllas(t)i, ndërsa, këshilltar tjetër i Kryeministrit shqiptar, Shkëlzen Maliqi!…

Burojë, më 17 janar 2015

Shperndaje ne
Updated: 21 Shkurt, 2015 — 19:42

The Author

Tafil Duraku

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.