Urgjentisht e bisedova me Kadarenë

Të ulërish ende se në Shqipëri ka patriotizëm të tepruar, se letërsia shqipe është nacionaliste etj. është me të vërtetë thirrje e hapur për tradhti të hapur tashmë ndaj atdheut. A janë shqiptarët patriotë më shumë se ç‘duhet, apo përkundrazi janë ftohur me vendin e vet?
 
Amos përkundrazi e përçmojnë pa të drejtë veten dhe atdheun, me fjalë të tjera: a e duan këtë vend që u ka dhënë emrin qysh prej mijëra vjetësh, apo ëndërrojnë ta këmbejnë me një tjetër vend, ëndërr e mbrapshtë kjo që ka ngritur krye aty-këtu në kohën tonë?
 
Sot, pas 600 vjetësh, Skënderbeu mbetet personazhi numër një, më aktual se kurrë, i lidhur drejtpërdrejt me problemin themelor të kohës: rikthimin e Shqipërisë në Europë. Ai është programuesi i parë i këtij projekti. Ka 600 vjet që himnizohet për këtë projekt dhe po aq vite që sulmohet pikërisht për të. Në këtë pikë ai është i pamposhtur dhe do të dilte i pamposhtur, qoftë edhe kundër vetë Shqipërisë, në rast se ajo do ta humbte përkohësisht orientimin, siç i ndodhi gjatë komunizmit. Duke e pranuar Skënderbeun si një personazh të madh të saj, Europa ka pranuar në të vërtetë thelbin shqiptar, atë që rastis të jetë më i fortë se Shqipëria fizike. Nuk ishte as pjellë e ndonjë miti, e as e ndonjë besimi fetar. U gjend në qendër të historisë dhe kjo s’është aspak një metaforë. Ideja e mbrojtjes së Europës nga mësymja osmane ishte ideja e parë e kohës.
 
Para ca kohe u përhap, jo vetëm djepi por dhe kurora e Serbisë është Kosova, por edhe heroi ynë, Skënderbeu është serb. Doli më vonë nje sulm mbi Skënderbeun. Nga mund të jetë sllav ai?
 
Nuk është as shpikje poetësh, as propagandë nacionaliste, e aq më pak komuniste, të thuhet se vendi ynë, Shqipëria, ka qenë disa herë në zgrip të humnerës. Traktatet për ta ndarë atë midis fqinjëve, programet e doktrinat për ta shpërbërë kombin shqiptar janë aty, në arkivat e shumë shteteve, me data, me vula, me emra. Dhe shumë prej tyre nuk janë aspak të vjetra. Ato kanë në fund vitet 1913, 1918, 1938 e disa janë fare të reja.
 
Kuptohet pra, që të jesh antishqiptar është fare e lehtë, madje është shpesh fitimprurëse. Kështu dhe kurrsesi ndryshe mund të kuptohet vala antishqiptare që shpërtheu rrotull Shqipërisë dhe brenda në Shqipëri kohët e fundit. Kështu shpjegohet përse një grusht intelektualë renegatë shqiptarë u bënë befas të përkëdhelurit e medias botërore, të përkëdhelurit e disa forumeve ndërkombëtare dhe, ç‘është më e keqja, zëdhënësit për problemet shqiptare.
 
Le ta pranojmë me trishtim se në krejt gadishullin Ballkanik, në kohën kur shumica e vendeve u përfshinë nga valët e egra nacionaliste, te shqiptarët ndodhi e kundërta. Kjo ishte një rënie në kurth nga më të turpshmet për një komb. Ishte e thënë që, pasi u përpoqën t’i japin botës shembullin grotesk të popullit të parë pa fe në botë, majmunët e vendit tonë u joshën nga mbrapshtësia tjetër: të japin shembullin e popullit pa atdhe.
 
Shqipëria s’ka nevojë për ekzaltime vulgare, por aq më pak ka nevojë për përçmim. Mendimi se Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë tepër të himnizuar nga kultura shqiptare, ndaj tani duhet t’i rrëzojmë në baltë për t’i sjellë në vete, është doktrinë e antishqiptarizmit. Kultura dhe mendimi i një populli qëndron gjithmonë në një lashtësi të shquar për ku përpiqet ta tërheqë e ta ngrejë gjithë kombin.
 
Kombi shqiptar në këtë fund shekulli vazhdon të përjetojë orën e ligë të tij. Ai është i goditur rëndë në trupin e vet, ngaqë është ndarë e i shpërndarë në tre shtete. Por ai ka marrë goditje psiqike po aq të rënda, në mos më tepër: ai është i thyer moralisht.
 
Në qoftë se populli shqiptar do të vazhdojë ta përçmojë e ta përbaltë vetveten, ne qoftë se ai në mënyrë iracionale do të synojë drejt shpërnguljes, qoftë nga trojet e tij ne Kosovë, qofte nga trojet e shtetit shqiptar, në qofte se ai do të vazhdojë të ngrejë dorën kundër strukturave shtetërore të tij, të çfarëdolloj ngjyre politike të jenë ato, ai do të ecë drejt greminës.
Disa pyetje të thjeshta, por themelore e bazike çohen sot përpara tij: ç’popull jemi? Domethënë, a jemi si të tjerët, a meritojmë një fat normal e një jetë normale si të tjerët? A kemi mëkate për të larë, a kemi borxhe për të paguar? A jemi vërtet fatkëqij ?
 
Shqiptarët janë krijuesit e bartësit e një prej gjuhëve themelore të njerëzimit, një gjuhë që ka vendin e saj të paluajtshëm midis dhjetë-dymbëdhjetë gjuhëve kryesore të botës. Një nga vendet e para të krishtera të Europës, Shqipëria ka qenë rrjedhimisht truall fillestar i qytetërimit perëndimor europian. Nga himni i madh i krishterimit “Te Deum”, i shkruar nga një peshkop shqiptar mbi njëmijë e pesëqind vjet më parë, te mbrojtësi i qytetërimit perëndimor, Gjergj Kastrioti, përsonazhi më sublim e më i njohur në botë, jo vetëm i shqiptarëve, por i krejt popujve të Ballkanit, i cilësuar si “aleat i Krishtit”, e gjer te murgesha shqiptare Nënë Teresa, gruaja shqiptare më e famshme e botës së sotme, kalon si një fill i ndritur dëshmia e këtij qytetërimi, kaq shumë e kaq me këmbëngulje të mohuar nga dashakeqësit e kombit shqiptar.
 
E dini se ku është çelsi ? “Ringritja morale e popullit shqiptar është aksioni më i ngutshëm në këtë kohë të rëndë. Ai është çelësi, pa të cilin nuk mund të ndërmerret asnjë veprim tjetër shpëtues.
 
( të gjitha nga https://topkadare.com/ )
 

Fahri Xharra,19.07.17
Gjakovë  

Shperndaje ne
Updated: 19 Korrik, 2017 — 18:08

The Author

Fahri Xharra

1 Comment

Add a Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.