Letërsi Shqiptare: NGADHNJIM MBI VDEKJEN

Recension për vëllimin poetik “Shpirti i trazuar” të poetit Halil Preniqi.

Shkruar nga Milaim BERISHA

Libri i dytë i Halil Preniqit, me titull “Shpirti i trazuar”, që ka dy kaptina:”Liria është si sytë” dhe “Dashuri e zjarrtë”, është një vepër mbi jetën në robëri dhe luftën kundër saj, është një kronikë mbi dramën dhe rezistencën, mbi dashurinë dhe urrejtjen, flijimin dhe ngadhnjimin mbi të keqen.

Në këtë kohë, në Kosovë-jeta nuk jetohej. Në realitet jeta-këndohej, jeta-gjakosej, jeta ëndërrohej. Jeta në Kosovë ishte ëndërr. Madje, ëndërr e tmerrshme. Megjithatë, poeti gjatë kësaj kohe nuk ka heshtur. Përkundrazi, ai me pasion e ka ushtruar zejen e shkrimit. Në këtë kontekst, pavarësisht nga burimi i frymëzimit dhe ndërlikueshmëria e procesit krijues, poezia e tij si tërësi nuk është abstrakte, por në shumicën e rasteve është poezi e hapur, komunikative, e afërt emocionalisht dhe e kuptueshme edhe për lexuesin e rëndomtë.

Në rastin konkret, autori është filiz i ndërdijes kombëtare dhe embrion i këtij trualli të shumëvuajtur. Poeti ka pasur rastin të kalojë nëpër labirinthet dhe unazat jetësore, andaj ai është venerues i mirë i pasqyrimit të jetës shqiptare. Me botimin e këtij libri, autori është liruar nga akumulimi i fakteve të mbledhura nga jeta e rëndë e bashkëkombasve të tij në Kosovë dhe atyre në mërgim në fund të këtij shekulli.

Ky relacion, ky qëndrim determinon shkrimin autentik, sepse është frymëzuar nga ngjarja që ndodh: nga lufta. Dhe në këtë luftë, në saje të ndihmës së ndërkombëtarëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, populli del ngadhnjimtar. Libri i tij është antitezë e së keqes dhe metaforë e dashurisë…

Në veprën e Preniqit, arti nuk është prehje, por vuajtje (dramë) dhe si e tillë, nxit, dridh, prek, shqetëson. Në këtë kuadër, urat, brigjet, dhembjet, dëbimet, mërgimet, mallëngjimet, ëndrrat, pikëllimet, plagët, vrragët dhe preokupimet shpirtërore- në vepër janë materializuar përmes një strukture të veçantë poetike dhe me një gjuhë adekuate liriko-meditative. Nëpër faqet e librit si në shirit filmi parakalojnë snobët, satanët, hordhitë barbare, që bëjnë bastisjen e ëndrrave dhe bastisjen e historisë.

Së këndejmi, përkundër terrorit e dhunës martirët e kësaj kohe, në krye me komandantin legjendar Adem Jasharin- nuk u gjunjëzuan, por u bënë pararojë, ndërgjegje e kohës dhe kujtesë historike. Në përmbledhjen poetike të halil Preniqit forma dhe përmbajtja janë në harmoni të plotë. Ato korrespondojnë dhe pulësojnë si tërësi unike.

Shperndaje ne
Updated: 22 Korrik, 2017 — 11:54

The Author

Admin

2 Comments

Add a Comment
  1. KOHA DRIDHET E PERDRIDHET, DO VIE DITA Që DO ZGJIDHET

    Vargje emocionuese që i ngjajn aktualitetit të sotshëm nga ALI ASLLANI

    Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
    dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
    Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi
    që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!

    Nga Tirana e Prishtina gjer në Shkup mbretëron një errësirë,
    nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
    Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
    Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!

    Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
    të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
    Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
    gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

    Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
    ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
    Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
    dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!

    Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
    hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve;
    Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
    ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!

    Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,
    ju shkëlqen në kraharuar dekorata “Grand Cordon”!
    Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’
    gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes’
    dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,
    në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!

    Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,
    ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;
    dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,
    ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
    Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,
    kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

    E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
    mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.
    Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,
    të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!

    Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
    dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
    Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
    nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!

    Mirpo ju që s’keni pasur as nevoj’ as gjë të keqe,
    më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”
    Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
    sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
    As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet…
    Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!

    Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
    ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!
    Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:
    te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

    Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
    dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
    Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi
    që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!

    Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
    dylli bëhet si të duash, kukuvajk’ dhe dallëndyshe…
    kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,
    nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!

    Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
    kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
    Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
    koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

    Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,
    fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!
    Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri,
    mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri,
    dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,
    kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

    Vendi qenka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,
    bëni sikur veni vetull’, shoku-shokut kreni sytë…
    Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.
    Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

    Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,
    ky i sotmi zër’ i errët, bëhet vetëtimë
    dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,
    nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!

    A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor’
    nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,
    ësht’ i syrit në lot mëkuar, ësht’ i vendit djegur, pjekur,
    Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!

    Nga Halil Preniqi

Lini një Përgjigje te Halil Preniqi Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.