POLEMIKA ELEGANTE E FAHRI XHARRËS PËR ÇËSHTJEN KOMBËTARE

Shqiptarët nuk e njohin Turqinë si shtet. Sulltanin e njohin vetëm si kryetar të fesë islame, por jo si autoritet shtetëror. Nuk i paguajnë taksa Turqisë sepse ajo nuk u jep gjë dhe as ata nuk i japin asgjë, shkruan për banorët e Lumës akademiku francez Gabriel Louis Jaray në librin e tij
“Shqipëria e Panjohur”, botuar në Francë, vitin 1913.
 
Mu kujtuan këto thënie të lumjanëve në fillim të shekullit të njëzetë,sapo mbarova së lexuari librin e Fahri Xharrës dhe po tentoj të shkruaj  pak fjalë mbi këtë libër. Mbi këtë libër plot me polemika grishëse e të nxehta, që kthjellojnë çdo mendje të mjegullt dhe ta shtojnë krenarinë
për rracën të cilës i përkasim, për historinë e sakrificave që kemi hequr si komb, për luftrat për mbijetesë në kushtet e trysnisë për të na zhbërë  me dhunë, zjarr e hekur.
 
Në shumë mënyra të thëni, atë që lumjanët i deklaronin akademikut francez, Jaray, na e pohon dhe verteton Fahri Xharra për gjithë shqiptarët në librin e tij. Fahri Xharra në të shumtën e librit, përmes fakteve, argumenteve shkencore që ai i ka qëmtuar me vemendje të shtuar e skrupulozitet studiuesi patriot, e vë veten plot dinjitet e me kulturë përballë çdo antishqiptarifiloturk, serboturk a grekoturk, sado i kamufluar të shfaqet. Këtë vemendje ta mprehin shkrimet e Fahri Xharres, i cili është aq mbrojtës i çeshtjes shqiptare saqë edhe flutura po të ulet ai e sheh me vemendje a mos po e lëndon apo rëndon këtë çeshtje.
 
“Unë dhe Oliver Shmiti” do të thotë shqiptarët dhe Oliverat e Shmitët që duan, në mos t’i zhbëjnë, t’i rrafshojnë vlerat e virtytet e  shqiptarëve dhe të bëjnë male me veset e tyre. Fahri Xharra ka marrë përsipër barrë të rëndë. Ka zënë një llogorendaj të cilës s’pushojnë gjylet e topave të armikut. Dhe ai, shpesh duke u ndjerë, edhe i vetem trim në luftë, nuk resht së luftuari për çeshtjen kombëtare shqiptare, të cilën nga shumë pikëvështrime ai e konsideron
si nyje të fatit të shumë çeshtjeve e problematikave historike e aktuale në rajonin ballkanik e më gjërë në këtë pjesë të kontinentit europian.
 
Ai na bind se asgjë nuk është rastësi. Edhe frika prej shqiptarëve është e “përligjur” pasi ata me vitalitetin e tyre të madh, me epërsitë e gjithanshme ndaj rracave të tjera, janë parë si kërcënues për popujt e  kombet e tjerë.
 
Duhen zhdukë shqiptarët që të mos na zhdukin. Ky ka qenë e duket është lajtmotiv i historisë, mënyrë të menduari e të vepruari i të tjerëve ndaj shqiptarëve, të cilët luftrat e panumërta i sosën e zvogëluan në njerëz e teritore, sepse rrallë në historinë e tyre të vjetër e të re gjetën miq përballë aleancave të forta të armiqëve të tyre, që bëheshin gjithmonë bashkë, kur vinte puna, kundër shqiptarëve.
 
Kur lexon Fahri Xharrën bëhesh esëll për shumë deformime e shumë të paverteta që edhe me naivitetin tonë si popull i kemi pranuar shpesh. Bindesh se Turqia ka patur gjithmonë mike të saj të madhe e të preferuar Serbinë në këtë rajon dhe Shqipëria mund të ketë zënë ndonjëherë
një skutë të papërfillshme në odën e miqësisë. Serbia dhe Turqia bënë marrëveshje që të shprazen tokat shqiptare prej shqiptarëve, të dëbohen shqiptarët në Anadoll dhe trojet e tyre ti fitonte Serbia. Çfarëdo  mirësie të bëjë sot Turqia, dëmi që u ka bërë shqiptarëve nuk zhbëhet
kurrë pasi është e shkruar në kujtesën e tokës e të qiellit. I gëlltiti shqiptarët Turqia për llogari të Serbisë dhe i detyroi të zhbënin çdo identitet e të konvertoheshin në turq. Nuk lahet apo harrohet kurrë kjo, edhe pse shpesh shitet në pazar teza se shqiptaret kane drejtuar perandorinë osmane, apo kanë përmirësuar rracën turke si rracat e tjera…
 
Gjëja që është më e vogël dhe me pakicë në këtë planet ku jetojmë është toka dhe trojet ku jetojnë njerzit. Dhe Turqia ka ndihmuar Serbinë të marrë tokat e trojet shqiptare.
Fahri Xharra e ka të shenjtë dhe nuk bën kompromis sa i përket kryeheroit kombëtar shqiptar Skënderbeut. Ai na kujton se me asnjë lloj kazme apo çape shmidiane nuk gërryhet, nuk shëmtohet e as nuk mendohet të shembet Skënderbeu, ky kryemal i historisë së shqiptarëve
dhe europianëve. 
 
Rreth 600 vepra janë shkruar për Skënderbeun. Duhen 6 mijë vepra nga përsonalitete më të fuqishme se ato që  kanë shkruar 600 të parat që të mund të fillojë të cënohet Skënderbeu.
Por duhen edhe 5 mijë vjet ama të fillojë të lëkundet ky 500 vjetësh i “sundimit” të Skënderbeut në historinë kombëtare shqiptare dhe europiane.
 
Fahri Xharra e kupton se Shmiti po bën si Bernard Shou që shante Shekspirin deri sa bëri emër vetë dhe pastaj nuk e shante më duke thënë se tani u bëra i madh vetë. Por Oliver Shmiti nuk ka shanse të mund të këpusë një fije floku nga bishti i kalit të Skënderbeut, pasi ai
është kalorës që nuk mbërrihet më se është 500 vjet para në kalërim si kalorës i lirisë dhe, pse jo, edhe atlet i krishtërimit dhe vlerave të civilizimit perendimor.
 
Fahri Xharra ka punuar si arkeolog në këtë libër. Heq me kujdes shtresat e trasha të baltës së gurëzuar që janë hedhë mbi të vërtetat e historisë së shqiptarëve. Polemika e Fahri Xharrës është elegante. Ai nuk bërtet të thotë, jo, nuk është kështu si thoni ju, thjeshtë për kokëfortësi. Nuk thotë se nuk është kështu se nuk më pëlqen mua kështu. Por ka durim e vullnet të hekurt të na bindë e të na i shkoklojë shkaqet dhe arsyet që na bindin. Dhe në sajë të një pune të madhe, të rëndë, kërkuese e hulumtuese, krahasuese e ballafaquese, ai jep të dhëna e fakte, shkaqe e arsye, si është e si ka qenë. Kështu agrumentet flasin vetë dhe Fahri Xharra ka fuqinë ta djegë me akull kundërshtarin me të cilin ai polemizon.
 
Ne kemi detyrë thjeshtë ta lexojmë me vemendje Fahri Xharrën, i cili është i thellë por i drejtëpërdrejtë. Ka meritën se nuk të lodh me spërdredhje për të kuptuar se çfarë ka dashtë të thotë me këtë apo fjalë a fjali, ndonëse ka dëndësi e thellësi informacioni e argumenti.
Shqiptarit që nuk bën sehir por që është i interesuar e shqetësuar për fatet e tij e të trojeve të tij, ky libër i vjen shumë në ndihmë për të  parë udhën nga vijmë e ku shkojmë si komb.
Shkruan REXHEP SHAHU – Shkrimtar
Shperndaje ne
Updated: 24 Korrik, 2017 — 19:18

The Author

Rexhep Shahu

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.