Dosja sekrete e Mihanes

Fadil_LepajaShkruan: Fadil Lepaja

 

Shërbimet sekrete të shteteve evropiane, kanë ra në hall! Pyetja njëmilionëshe e cila po i çmendë është: Kush është Mihanja? Nuk ka të dhëna për personin, veç fjalë e thashetheme! Tipike, ballkanike, po shfrynte me vete Hansi! Emrin e saj e kanë shpërndarë nëpër krejt “spy-der” rrjetin e (ç)thurur anembanë trojeve shqiptare, e madje dhe nëpër trojet e tjera joshqiptare, kudo që u intereson “çështja”! Çështja shqiptare, de! Ajo e madhja, e cila u fry e u fry, e u fry aq shumë sa nën frikën e saj u realizuan edhe mega “çështje” të tjera, pra shumë më të mëdha. Shtetomëdha! Si të dy ish-jugosllavitë, për shembull!

 

Nejse, pasi e shpallën të fajshme për çdo problem në Ballkan, edhe pasi e përsëritën aq shumë, jo vetëm e frikësuan kontinentin e vjetër, prej nesh, por na frikësuan edhe ne prej përmasave tona kaq të frikshme. Kështu, jo veç ata, por edhe ne, pas çdo ngjarje pak a shumë të pazakontë shohim konspiracion! Vet gjenerata e dytë dhe e tretë e atyre që e lansuan idenë, harruan se këtë frikë e kishin ngjallur vet, kështu që edhe… frikësohen. Ata shprehen se krejt krimet e kryera në Kosovë, përpara dhe gjatë luftës i kishin bërë nga frika dhe… për të shpëtuar Evropën! Prej nesh!

 

Tash, Evropa e frikësuar, më falni desha të them Evropa e Bashkuar, na futi në karantinë, na izoloi sikur të ishim me ebola. E dini pse? E dini se si i bindën? Krejt prej përkthimit të keq të këngëve tona popullore, përmes të cilave po përpiqen të na kuptojnë antropologët dhe parapsikologët nëpër zyrat analitike të kontinentit… ! Pse po ikin nga vendi i tyre, e përse po vijnë këndej? Kush e zgjidhi nyjën e tyre me tokën? Këtu ka diçka!

 

I shfletuan “hartat” e trurit për shqiptarët, me gjithë alarmet e rrejshme të koduara nëpër to! Ruajuni! Kafshojnë!

 

“Njëzet krena i ke pre…oe, oe, oe”, përkthehet kënga e moçme! “Frika” u përhap aq shumë nga sa nuk mbeti më “çështje” kombëtare, por u bë ndërkombëtare! Kështu, edhe emri i Mihanes ka marrë karakter ndërkombëtar! Është më i përmenduri jo vetëm nëpër kontejnerët e kategorisë “A”, si po i kategorizojnë tashmë ekipet virtuale të vlerësimit! Krejt ky hetim po zhvillohet përmes kanaleve konspirative, pa e lënë në harresë as emrin e… “Micit”! Kush janë? Arkivat historike nuk thonë asgjë për Mic Sokolin! Historianët dyshojnë në ekzistimin e tij, apo edhe të vet topit!

 

Është analizë për atë këngën e moçme, me të cilën e krejt shqiptarët jemi vu në gjumë! Ah gjyshet tona luftënxitëse! Na thoshin se të gjithë jemi Mica dhe ne… lageshim në pelena prej kënaqësisë! Qysh atëherë, në djep e dinim që për trimëri nuk na e kalon kush! E dinim se liria do të vijë vet, e do të na gjejë “në mesin tonë”!

 

Pra, aksioni i koduar “Mihanja” u zhvillua me agjentët sekretë, të maskuar si amerikanë! Si kaubojë ose si Rambo! Ata janë infiltruar në mes azilkërkuesve të shumtë kosovarë, të cilët kanë vërshuar qendrat e përqendruara të pranimit. Janë të pikëlluar vërtetë? Aktrojnë? Kënga e kurbetit dhe Mihanja duken të jenë pjesë e skenarit?!

 

Nga të dhënat nga terreni ata e kanë kuptuar profilin e kosovarit mesatar, që u rrit me këngë për Evropën dhe moralin e saj! Asaj Evrope për të cilin dikur prifti i famshëm me emrin Gjergj, e quante… lere tash si e quante! S’ma zë goja o burrë! Tingëllon si incest! Sot mëmë, e dje…?

 

Do na e “futin” edhe Edipin në storjen shqiptare?! Edipi ishte grek, mor! Jo se po përgjithësojë, por le të dihet pasaportën e kujt e kishte Edipi!

 

Por, Evropa të cilës i këndonte prifti dhe poeti i famshëm, ishte tjetër! Ai i turpëruar dhe i pakuptuar kishte klithur: “Le ta dijë bota mbarë…”! Nejse! Ende nuk ishte arritur marrëveshja për çelikun atëherë! Nuk i kishte balancuar interesat! Kishin qymyr Evropa… dhe nuk vareshin nga gazi!

 

Pra, nuk u maskuan si evropianë, se Evropës nuk i besojnë shqiptarët! Në nëndije kanë frikë se i tradhtojmë! Ah, Evropë….! Nuk u maskuan as si shqiptarë! Ku i beson shqipja shqipes?

Pra, amerikan! E kuptoni nga e morën idenë? Nga politikanët tanë të cilët edhe para një postieri amerikan e përsërisin refrenin patriotik: You know, you know! We know, you know!

 

Nejse, tash me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të agitpropit serb për të përkthyer të gjitha këngët tona të moçme ku përflitet morali politik i Evropës “plakë”, pas përgjimeve të shumta nëpër kampet e qëndrimit prej kontejnerësh, analitika e inteligjencia evropiane thjeshtë nuk ka bërë asnjë hap përpara. Është para kapitullimit! Nuk gjetën asnjë gjurmë të “Rrezikut shqiptar”! Ose janë tepër të trajnuar shqiptarët ose janë vërtetë pro-evropianë! Na duan! E pamundur, thonë serbët! Shqiptarët janë artistë! E patë çfarë bënë me dronin?

 

Teksti, ku përmendej Mihanja, ishte gjithsesi krejt I turbullt, metaforik dhe apokaliptik! Irracional! Dosja sekrete dridhej në duart e agjentit special, i cili përkundër shumë dietave me birrë tradicionale, mbeti se mbeti po aq i trashë dhe po aq gjerman. Veçse nuk ishte gjerman! Kush ma deshifron këtë konspiracion, po klithnin bebëzat e tij derisa po kërcenin prej refrenit në refren.

 

“Mihane, u tranova për ty”!

Kështu, plot dëshpërim dhe pasion, fillon e përfundon kënga e famshme për Mihanen! Më kot shërbimet armiqësore sllave po përpiqen me e paketua si metaforë, gjuhë të koduar e mobilizuese të terrorizmit islamik, dhe me e ndërlidhë me kërcënimet më të reja që vijnë nga shkretëtira.

 

“Plaç, ishalla tranohesh”, nemin rëndë qytetarët e bregdetit, që përpiqen të flenë, të lodhur nga plazhi, dielli si saç dhe rëra e valë e qyteteve bregdetare të atdheut. Çka ka Mihanja për me u tranue…! Na tranoi ky eksodi veror i kosovarëve! Mihane…!

 

E, mërgimtarët tanë nëpër kampe qajnë! Këndojnë de! Vaji i burrave është kënga! Edhe i grave tona burrnesha! Ah, Mihane! Kurbeti! Mihanja ua kujton atdheun, kujton folk-politikën tonë, kujton një mendësi që vajton vazhdimisht për gjithçka! Në fakt Mihanja duket si metaforë për Evropën e paarritshme! Një dashuri e njëanshme! Por, Mihanja nuk zë besë! Nuk intrigohet as nga tuli I bukës…! Evropë, të kishim majtë me tul të bukës, për Zotin!

 

Pra, cila është rëndësia “histerike” e këngës së Mihanës? Akademia e Shkencave dhe Arteve hesht! I ka zënë gjumi në ndërtesën e re! Ata e dinë kuptimin e kësaj kënge! Në fund të fundit, a nuk është institucion folklorik Akademia? Përplot ambicie politike!

 

Ne nuk kemi Kodin e Da Vinçit, por kemi Kodin e Mihanes…!

 

Dosja Sekrete e Mihanës teksa është hapur…!

Shperndaje ne
Updated: 25 Shkurt, 2015 — 10:25

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.