Na e ban hallall, Kosovë!

Të përulemi deri mbi shpinë t’kaut t’zi! Ke mëshirë, të lutemi, na i fal mëkatet, gabimet, o djep dardan, dhe:

(Na i fal mëkatet, gabimet, humbëm nderin, moralin, dinjitetin, jemi bërë horr, Kosovë!)

 

riza_greqevciShkruan: Riza GREIÇEVCI

 

Lirinë e fituam me gjak, në paqe humbëm luftën me vetveten!

 

Pse je kaq e pamëshirshme, e çmendur, luftë gjithandej globit tek frymon njeriu? Kush të polli? Kush të solli? Kush ta zgjati dorën e pajtimit? Pse erdhe? Kush të ftoi mbi rruzullin e tokës? Kush të do? Kush shoqërohet me ty qefinin e bart me vete. Ti ke dalë nga zjarri. Ç’iu deshe o ç’i duhesh njerëzimit, luftë? Ti nënë e babë nuk ke. Ti motër e vëlla s’ke. Por, interesant, luftë, me ty Kosova fitoi lirinë! Toka e qielli u gëzuan. Si një tërmet dridhi Kosovën zëri i popullit: Bac u kry! Por, bëftë, drodhi pas shpine të popullit një luftë tjetër: Lufta me vetveten!Heu, bre! E humbëm! Kë e humbëm, bre? Lirinë e fituam me gjak, por në paqe  humbëm luftën me vetveten! U dorëzuam! Para vetvetes! Boll marre! Keq, s’ka ku shkon ma keq! Zor, e kemi, tepër zor, sepse, dreqi udhëheq  me shpirtin e njeriut! E, krejt një luftë tjetër po zhvillohet sot në Kosovë. Luftë? Po, po luftë, bile një Luftë e Trete Botërore. Lufta me vetveten! Bac u kry! E humbëm! Marre, boll marre! Të përulemi nga toka në qiell, ke mëshirë, ti djep dardan: Na e ban hallall, Kosovë!

 

Kurrë!

 

Kurrë! Mos kërkoni mëshirë nga unë. Unë, Kosova, Nëna juaj, ç’faj ju kam, o bijtë e mi? Ju kujtohen sa net e stinë e shekuj ju pata lutur të përzini nga vetvetja juaj dreqin dhe të birin e dreqit. Shtyni, shtypni dreqin, lugatin, hasmin, pushtuesin, shtypni, sepse shtypja mbi shtypësin është drejtësi! E pata zor, tepër zor të përkëdhelë bijtë e mi kosovarë! E provova 100 herë! 200 herë! 1000 herë! Jo, bre, s’arrita t’i bind kosovarët të mos  rrejnë! Të mos vjedhin! Të mos shkelin bukën e nderin e gjakun e dëshmorëve! S’arrita t’ua shkrijë nga truri e morali bindjen se me rrenë, me hajni, me dhunë, me shpifje e me përgojime, me sundim të egër, me mashtrime, me pangopësi, as nderohet Zoti, as toka as qielli, as buka, as populli, as gjaku i derdhur për liri… E luta secilin zemër, secilin shpirt, secili kosovar, të jetojë e të vdes njeri! Ashtu siç e lanë amanet të parët tanë ilirë, dardanë, malësorë…Të mos e vrasë vëllain, ligjin, shtetin, Kushtetutën…Të mos ia hajë edhe lëkurën e mishin e eshtrat popullit, atdheut, sepse ai që ha mishin e lëkurën e atdheut, ai ha edhe mishin e fëmijëve të vet…

 

Dhe, pasi keni fytyrë, tradita e të parëve e kërkon, për gabime të skuqeni, të pendoheni te Zoti, njeriu, buka, besa…

 

E pata zor, tepër zor, t’ia mbush mendjen trutharit kosovar, mos, bre, s’ka kuptim jeta! S’ka shije buka! Nuk ka rrit të bardhe as fëmija në djepe tuaja! S’arrita t’ia mbush mendjen kosovarit se dreqi, lakmia, pabesia, pangopësia, rrena, hajnia, krimi, korrupsioni, po udhëheqin  me shpirtin e me jetën tuaj! Me Qeverinë dhe me shtetin tuaj po udhëheq lakmia, pangopësia, tyxharët që po u erdh ndore shesin edhe dheun e gurët e lëkurën e gjymtyrët e lirinë e demokracinë e shesin për bythë një pushtet! Ata tregtojnë me fenë dhe të sotmen e tyre. Me të djeshmen dhe me të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe timen! E, ç’kërkoni sot nga Ama juaj, Kosova? Hë? Flisni, çka heshtni? Pse jeni strukur? Keni turp? Keni edhe fytyrë! Dhe pasi keni fytyrë, tradita e të parëve e kërkon që për gabime e sherre të skuqeni, të pendoheni te Zoti, Njeriu, Buka, besa…Rrallë ju kam pa se jeni penduar, o bijtë e miu, kosovarë! Dhe, sot, kur jeni rrëzuar në kokërr shpinë, kërkoni mëshirë, kërkoni ndihmë, kërkoni t’ua bëj hallall?

 

 Jo, jo, unë, Kosova, s’ua bëj kurrë hallall!  

 

I luta bijtë e mi, siç e lut nëna të birin të mos ia nxijë jetën e punën e dashurinë e saj! I luta kosovarët të mos shpallen krijesë prej njeriu që të mos u duhen gjëje liria, shteti i lirë, të mos u duhet morali, as ndërgjegjja, as Atdheu, as kënga, buzëqeshja, as Zoti, madje të mos i duhen gjë prej gjëje as fëmijët… E, sot? Çka doni prej meje? Me keni bërë horr! Me keni rrëzuar në kokërr shpinë. Me keni pështy dhe ligështua. Ma keni pi nderin, bukurinë, traditën ma keni vra…Çka kërkoni sot prej meje? Edhe kur bijtë e mi atdhetarë dolën në male dhe nisën luftën çlirimtare, shumë prej jush, o bijtë e mi kosovarë, u fshihet, u struket në bir të miut…mallkuat e shatë e përgojuat e fyet luftëtarët çlirimtarë. Hë? Ju kujtohet ky trup që keni bërë? Ju kujtohet si i quanit kriminelë, vëllavrasës, hajna çlirimtarët! I quajtët serbë, argatë të Serbisë, u tallet me pushkët, me gjakun, me plagët , me krim at për liri! E, çka tash pas ardhjes së lirisë? Keni ngrehur kokën dhe veten e shpallni ushtarë e çlirimtarë.

Disa bij të mi, pak para se të përfundojë Lufta Çlirimtare, me dorën e Serbisë, Rusisë, armiqve të shqiptarisë, formuar njëfarë sallate me emrin: FARK! Kurrë një fishek s’e shkrehi ky far FARK-u, as s’dihet kush e themeloi, as pse, por dihen synimet e tij: me ia kthyer pushkën UÇK-së! Me keni bërë horr në sy bote! Veten e quani patriotë, formues të shtetit të lirë, veten e quani çlirimtar, veten e quani dhe hiç s’u vjen marre nga fëmijët tuaj: Veteranë të Luftës Çlirimtare! E, sot. Në listën e veteranëve janë edhe disa syresh që kurrë pushkën s’e kanë rrokur, as në Kosovë gjatë luftës nuk ishin…Me ka bërë horr në sy bote lakmia juaj, pangopësia juaj, pafytyrësia juaj, prandaj:

 

 Dhe, ju mendoni, o kosovarë  trutharë, unë, Kosova, i kam harruar të mirat e të këqijat tuaja…?

 

Je Kosova? Po jam! Mëshirë, ne kosovarët tjetër nënë s’kemi! As tjetër djep! As tjetër atdhe e fe! Mirë e nisëm dje, keq jemi sot. Ju njoh unë, të gjithëve, ju njoh! Bijtë e bijat e mia jeni. Zoti ua fali frymën e shpirtit, unë u fala rritën, gjuhën, fatin, shkollën, dijen, krenarinë, besën, emrin Njeri. Dhe ju mendoni, o kosovarë se unë, Kosova, i kam harruar të mirat e të këqijat tuaj? Po, po, unë kujtoj dhe nderoj plagët e sakrificën a gjakun që keni derdhur për mua! Unë s’i harroj netët pa gjumë që bëtë në Ilegale…S’i harroj dhe çmoj shekujt me burgje që bëtë për mua, për lirinë time, për jetën dhe krenarinë time, për dashurinë e Nënës! Sa di Zoti për ju, di edhe unë. Sa dinë malet për ju, di edhe unë, Kosova! Kujtoj dhe nderoj eshtrat e varret e trimëritë dhe luftën çlirimtare me besa-besë që bëtë për lirinë time.

O nënë, o Kosovë, o djepi o varri ynë! Mëshirë! Pendohemi para teje, përulemi deri mbi shpinë t’kaut t’zi, pendohemi: Na e ban hallall! Me ua bërë hallall atyre që i japin popullit miell nga gruri i skaduar – nga mielli i grurit ushqim për kafshë?! Dje Serbia vrau e dogji e poqi e dhunoi e përdhunoi popullin tim, kurse, miliarderët sot, ashiqare shesin miell nga gruri ushqim për kafshë, e shteti e Qeveria, e Presidenca i kanë futur veshët në lesh! Marre! S’ka ku shkon ma marre! Dhe ju mendoni, o kosovarë  trutharë , të pangopur, lakmitarë për pushtet, unë, Kosova,  i kam harruar të mirat e të këqijat tuaja…? Jo, jo! Gabim e keni! Të gjitha të këqijat tuaja kam me i hedhur para Gjyqit të Popullit! Këtë ua them sy me sy, botërisht! Dhe mos t’u mbetet hatri: ai që ka hëngër hudhër, i vjen aromë hudhre! Kurse, unë, Kosova, s’ e meritova këtë marre e ligështi  që ma keni hedhur mbi qafë! Me bëhet ( me nder me thanë!) disa syresh kosovar  s’janë pjella ime, janë pjellë e dreqit!

 Po vjen, po vjen dita kur do të rrëzohen nga froni të pangopurit, hileqarët, lakmitarët për pushtet e hyqymet…

 

Mirë boll. Por, jo edhe bash krejt mirë! Kujtoj dhe dot s’i harroj lakmitë e disave prej jush…pangopësinë, dyfytyrësinë, luftën e ndytë për pushtet e hyqymet…Kujtoj edhe rrenat e mashtrimet e hajnitë tuaja…Ju, jeni ata, për ju e kam fjalën: rrenacakë, mashtrues, hajdutë, shkelës, gllabërues të pasurisë së popullit, që sot, dreqi e martë vesh qysh e si e pse, qe besa keni hipur edhe në frone të Qeverisë, të shtetit, të Parlamentit, ju, që mua ma rropët edhe lëkurën, ju që shpesh thirrni qytetarët me u çua në protesta të dhunshme, ju që disa herë i keni gjakosur rrugët, sheshet, keni djegur e rrënuar pasurinë e popullit, ju që keni plagosur me gur e hekur e rrasa e zjarr policë të shtetit, ju që keni fye e pështy e gjuajtur me gur lirinë e popullit tuaj, ju që jenë bërë milionerë dhe pesë para s’i jepni pse fëmijët skamnorë sot s’kanë as një gotë qumësht për buzët e thara… Juve, kërkoni sot, unë, Kosova, juve, me ua bërë hallall? Kurrë! Hallall! Haram! Haram! Ju vraftë buka ime! Ju vraftë fjala e dashuria ime! Me keni bërë horr! M’i keni zbrazur konakët e shtëpive! I keni lënë djepet e bunaret e sofrat e arat e livadhet qyqe vetëm!  Haram! Edhe rritën! Edhe bukën!Edhe emrin shqiptar! Edhe fe e atdhe: Haram u qofshin, juve, o të pangopur, hijeçi, mashtrues, hajdutë, milionerë! Ju betohem, unë, Kosova, sot o nesër: Vjen dita e do të rrëzohen sundimtarët, të pangopurit, lakmitarët, do të rrëzohen hundë e buzë nga froni, dhe gjithë pasurinë që e kanë vjedhur nga populli, kanë me ia kthye popullit!

Shperndaje ne
Updated: 25 Shkurt, 2015 — 19:25

The Author

Riza GREICEVCI

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.