Origjina ime nga një familje me traditë, eksperienca në botë dhe përkushtimi tek historia e kombit

Për ata që nuk e njohin, cili është Fahri Xharra? Çfarë studimesh keni kryer? Kur vendosët t’i përkushtoheshit historisë së shqiptarëve? Pse?

Fahri  Xharra

– Kam lindur në Gjakovë në vitin 1951, në vitet kur Kosova e përjetonte holakaustin e dëbimit për Turqi, ishte koha kur ende planprogrami i Çubrilovoçit për debim ishte më aktual se kurrë. Por edhe ishin kohërat kur shqiptarët bënin përpjekjen e tyre të madhe për mbijetesë. Ishte koha kur Esad Mekuli shkruante “Turk Elhamdylih” dhe mundohej të mashtruarve t’u ndërronte mendje dhe mos t`i besojnë njerëzve të Serbisë – hoxhallarëve te shitur, por edhe të kërcënuar.
Ishte një kohë interesante, kur prindërit e mi u martuan, nëna ime shkoi nuse me çarçaf dhe kur linda unë ajo i ishte përgjigjur thirrjes së shëndoshë; “Femra shqiptare pa havale”.
Kreva gjimnazin në Gjakovë, flitja frëngjishten dhe serbishten. Shkova në Lubjanë të Sllovenisë dhe atje kreva  fakultetin në Universitetin e Lubjanës të rangut evropian dhe e mora me vete edhe sllovenishten.
Punësimi në një firmë zvicerane, që në atë kohë e kishte buxhetin 25 miliardë SFr , më dha shansin jetësor që të jetoj dhe punoj në tri kontinente: Afrikën Veriore, në Azinë Qendrore dhe në Evropën Juglindore me seli në Selanik. Gjatë punës u ballafaqova me tri kultura  të tri kontinenteve dhe tri religjionet kryesore. Përfitova shumë nga studimet e mia private në ato vise. E kam shëtitur Arabinë nga Magrebi në Mashkrek, e kam shëtitur Rrugën e Mëndafshit nga Kina në Evropë, dhe e kam  arritur pikën më veriore të pushtimit të Aleksandrit të Madh, në (tani) qytetësen Istarafshan. E kam shijuar edhe ujin e Liqenit të Aleksandrit të madh në lartësi mbidetare 2525 m, Iskandarkul (Taxhikistan).
Historia ishte një provokim i madh për mua gjatë gjithë kohës, e dija që na e kanë vjedhur dhe ja që iu lëshova studimeve dhe publikimeve historike për shqiptarët.

A mund ta thoni si në një përrallë të bukur, cila është linja e jetës në këto vise ku banojnë sot shqiptarët? Domethënë, kush ka qenë para nesh, para tyre, që prej kur këtu ka patur jetë njerëzore? Dhe sa e besueshme është teza juaj, apo konstruksioni juaj?

– Historia e të parëve tanë nuk është  ëndërr e bukur, por është një tragjedi se kush ishim dhe kush jemi. E lexuat: “Ç’t’i bësh, nuk është faji im që zotat kanë folur shqip dhe ne sot trashëgojmë gjuhën e tyre. Në filimet (ne+të parët) ata që zbritën nga planet tjetër kanë folur gjuhën arkaike shqipe dhe ne sot kemi gjuhën e tyre. Nuk jemi ne zota, por kemi nderin të kuptojmë gjuhën e tyre”.
Historisë nuk i besohet, ajo duhet provokuar në shumë mënyra, vetëm duhet ditur se çka dhe në cilin burim të marrësh të vërtetën. Të gjitha shkrimet e mia publicistike historike bazohen në burime të mirëkonfirmuara dhe prej 7 vjetësh që shkruaj, ende nuk janë përgënjeshtruar.
Profesor Domenico Razo ka një vërejtje të madhe: “Kur Pellazgët unë i gjej në Kalabri, Siçili e Toskanë, si ka mundësi të mos i njohin shkencëtaret shqiptarë? Nuk është i tyre Mali i perëndive pellazgjike Tomorr?
Tani, pyetja ime: Po Akademikët e Kosovës, i njohin pellazgët? Edhe kjo “E pabesueshme! Pellazgët në Shqipëri, disa dr.prof. të Akademisë së Akademuar tek Akademizimi nuk i njohin! E njihni tërbimin e Myzafer  Korkutit ndaj studiuesve të pellazgjishtes dhe pellazgëve.

Duket sikur shumë përfundime tuajat janë kategorike, ndërsa mbeteni në fushë të hipotezave, pa prova autentike. Për shembull hipoteza e prejardhjes pellazgjike. Një studiuese amerikane po më thoshte se shqiptarët ndoshta janë si pasojë e takimit të ilirëve antikë me pellazgët, por pellazgët nuk janë paraardhësit tuaj, pse këtu nuk ka gjurmë të shkrimit si ka të grekëve të lashtë…

– Shkrimi pellazg, po. E njihni kulturën e Vinçes me 5000 -7000 vjet para Krishtit, e njihni sumerishten me alfabetin kunjor?  Por e njihni edhe  arrogancën shkatërruese të Romës, Bizantit dhe   Otomanizmit, e cila për dy mijë vjet zhduki çdo gjë të shkruar. E njihni 300-vjetorin e parë pas Krishtit në përhapjen e Krishterimit dhe vazhdimësinë e shkatërrimit të çdo gjëje nga të parët tanë me dëshirën e krijimit të njeriut të ri.
Po grekët, nga kush e morën shkrimin? Etruskët lexonin e shkruanin nga e djathta në të majtë. Ilirët e shkruanin shkrimin e ashtuquajtur latin. Lexoni Plinin e Ri.
“Gjuha shqipe do të ishte pra kështu në analizë të fundit ajo Gjuhë e Parë (lingua primeva), ose Gjuhë Mëmë ose së paku e afërmja e saj më e ngushtë e më përfaqësuese nga copëzimi i të cilës, si ai në Sakrificën e Madhe Kozmogonike, të nje Qenieje Hyjnore, të gjitha gjuhët e tjera erdhën dhe u ndërtuan mënjanë”- e thotë De Rada. Kush e demantoi Thotin e Katapanos që fliste shqip?
Sa e lezetshme është fjala greke “Thallassa” që kuptohe Deti. Kjo fjalë nuk ishte me origjinë greke. Ajo vjen nga fjala e gjuhës vendore (indigjene), nga e cila kur dikur erdhën grekët, së pari në bregun e detit i pyesin vendorët: “Çka është kjo? Në gjuhën indigjene (vendore) “ thallassa” i thuhej “ujit me kryp“ (Mayani – Etrsukët filluan të flasin).
E njihni Mathieu Arefin, Dhimitër Pilikën, Lutfulla Pezën, Elena Kocaçin , Altin Kocaçin?

Ju e teproni ndonjëherë, kur nuk diferenconi pjesën nga e tëra. Për shembull nuk ndani mirë islamin radikal, apo politik, nga ai zyrtar.
– Shikoni, në Shqipëri dhe në Kosovë juridikisht jemi shtete laike, kurse praktikisht islami është aq prezent se edhe po bëhet i dëmshëm.
Për shembull, ku është problem në ngritjen e një xhamie të madhe në Prishtinë, duke shmangur kështu lutjen në qiell të hapur? A nuk i takon shumicës së popullsisë të ketë një objekt kulti?

– Për këtë e kam një poezi timen:

Mos na e shponi qiellin!

Të shpuar dhe të mrrolur,

qiellin na kishin qitur pas dere.

Gjyshi mundohej që me gjilpërën e tij,

t`i ngjiste pjesët e retinës së syrit,

të shkulur nga vampirët djepthatë.

I mori kërrabën të mbante kujtesën,

dhe e humbi vetëdijen nga goditja e çekanit.

 

Qielli vazhdimisht shpohej,

E ne bënim sehir,

Mos na e shponi qiellin se na ikë ozoni,

Mos ne shponi qiellin,

se na mori e pikës së zezë.

Vështirë të njihemi ndër grumbuj plehu,

Mos na e shponi qiellin,

Mos na e zini diellin,

Cili ka qenë momenti që sipas jush ka përcaktuar ekstremizimin e strukturave fetare islame në Kosovë? A e keni lexuar Veton Surroin, që e lidh këtë me hedhjen në kosh të disa mijëra kopjeve të përkthyera të Kuranit…dhe interpretimit të tij tradicional?
Thjesht, të papërgatitur për jetën e re, Në Kosovë me pavarësi ( 1999 ),

në Shqipëri me Demokraci ( 1990).

Nëse ju lexon ju, shqiptarët ngjajnë si të parët që kanë populluar universin, që kanë folur, që kanë shkruar, etj., etj. Ngjajnë sikur gjenden kudo, deri në Sardenja, etj., etj., kur dihet që popujt atëherë kanë qenë krejt të vegjël. A nuk ju duket pak e tepruar të besosh se fara jonë qenkësh e përhapur në gjithë këto vise njëherësh, apo qoftë dhe në distancë kohore të shkëputur?

_ “Burri i parë që ka lindur në botë ka qenë Pellazgu, një burrë i dalluar për përmasat dhe bukurinë e figurës së tij që i kalonte të gjithë të vdekshmit e tjerë për kualitetet e shpirtit. Pellazgu ishte i pari që u mësoi njerëzve që të ndërtonin shtëpi dhe të mbroheshin nga të ftohtit, ai u mësoi njerëzve që të bënin rroba nga lëkura e deles. Pellazgu ka lindur nga dheu për të qenë filluesi i gjenit të vdekshëm” Pausanias (110 prK –180 prK:), (Pausania lib.VIII. 1.4).

Vazhdojmë: “Po cila ishte gjuha e pellazgëve? Dimë se ishte një popull shumë i madh në numër që u përhap në gjithë Pellazgjinë, në Itali, në Azinë e Vogël, në Afrikën e Veriut dhe në gadishullin Iberik. E dimë gjithashtu që e krijuan sistemin fetar dhe u dhanë emrat perëndive dhe i caktuan rregullat e adhurimit. Shumë shkencëtarë i kanë identifikuar pellazgët me arvanitasit e sotshëm” (Gjuha e Perëndive, Aristidh Kola, 2003).

Vazhdojmë ”Gjaku shqiptar që rrjedh në venat tuja më bëri të të përkushtoj këtë libër, bija ime,që ta kesh gjithmonë afër që mos të harrosh kurrë mëmëdheun tënd dhe gjuhën tënde amtare, vlerat e së cilës do t´ia njohë e ardhmja. Në shekullin që ti do të jetosh, do t’i takosh si burrit ashtu edhe gruas, dhe nëse mundesh të bësh atë që e bëri yt at që nuk ishte shqiptar. Puno sa të mundesh për të rigjallëruar gjuhën e paraardhësve tanë të përbashkët, sepse edhe unë si evropian që jam, rrjedh nga pellazgët e rrënjës (autokton) që e populluan Evropën, këtë kontinent të madh ishullor që jeton në tokë dhe që ishte rrugë e kalimit dhe vendosjes e familjes së madhe dhe inteligjente të njerëzimit”. (Konstainipojë, 31.12 .1893, Edourd Schneider); (Letra e autorit Edourd Schneider dërguar bijës së tij në librin: “Pellazgët, dhe pasardhësit e tyre”, Paris 1894).
“Cila është gjuha shqipe? Gjuha e perëndive është cilësuar gjuha shqipe, çelësi i deshifrimit të gjurmëve pellazgjike e hyjnive. Lulëzimi i pellazgëve, siç nënvizon Jeronim De Rada, ka qenë 7-8 shekuj para Homerit. Gjuha shqipe është po aq e vjetër, sa raca “e bardhë njerëzore”), ka nënvizuar Robert D`Anzheli”.

Nëse është kështu, pse ne atëherë jemi kaq të prapambetur në raport me popujt a kombet e tjerë, më të vegjël a më të mëdhenj se ne, që mbase nuk kanë prejardhje kaq të lavdishme?
Ka shumë faktorë, por regjimet qofshin me ne apo me të huaj i kanë fajet.

 

Shkëputur nga: Konica.al

Shperndaje ne
Updated: 9 Shtator, 2017 — 17:36

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.