Dayrell Oakley-Hill: “…vetëm me bashkim një popull mund të kryejë veprime që kanë vlerë të përhershme. …”

Dayrell Oakley-Hill
SHQIPËRIA PËR MUA ËSHTË ATDHEU I DYTË

Shqiptarë,

Sot është përvjetori i tridhjetenjëti i pavarësisë së Shqipërisë. Është për mua një kënaqësi shumë e madhe që t’ju flas juve në këtë ditë historike. Disa prej jush më mbani në mend. Unë jetova 10 vjet midis jush si një nga organizatorët e Xhandarmërisë Mbretërore të Shqipërisë.

Mora pjesë në jetën tuaj dhe Shqipëria për mua u bë një atdhe i dytë.

Më 1939 u dëbova nga vendi juaj, jo nga ju, por nga fashistët.

Më 1941 mora pjesë në veprimet e maleve të veriut për të çliruar Shqipërinë nga sundimi fashist. Ato veprime dështuan e unë u bëra rob lufte në Gjermani, ku qëndrova dy vjet e gjysmë. Tashti jam liruar dhe jam kthyer përsëri në Atdheun tim, ku kam marrë vesh me hidhërim të thellë mbi vuajtjet dhe përpjekjet tuaja gjatë katër vjetëve të kaluara. Jam njoftuar se ju, një popull me liri në gjak, nuk e keni harruar kurrë miqësinë dhe simpatinë që keni patur për popujt tjerë të Anglisë dhe të Amerikës, të cilët vërejnë se ju tashti po vazhdoni luftën kundër agresorit gjerman, i cili ka shkelur nën thundër pothuaj çdo vend të Evropës, nën thundër të çeliktë të një tiranie që s’është parë kurrë në botë.

Disa javë më parë i keni dëgjuar fjalët e z. Winston Churchill, kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, kur ai tha se Britania dëshiron pavarësinë e Shqipërisë dhe shikon me admirim kurajon e shqiptarëve të cilët tash po luftojnë për liri. Tashti e dini se kulmi i kësaj lufte gjaksore po afrohet. Çdo grusht që i jepni armikut afron lirinë. Jam i sigurt se çdo shqiptar i vërtetë tash do të dyfishojë ato grushte dhe do t’i drejtojë, kurdo dhe kudo që të mundet, kundër armikut të qytetërimit të të gjithëve dhe kundër lirisë gjermanëve nazistë.

Sot po ju bëj këtë thirrje për një gjë: t’i pushoni të gjitha grindjet dhe mosmarrëveshjet midis jush. Vetëm bashkimi mund të mbajë gjallë një popull; vetëm me bashkim një popull mund të kryejë veprime që kanë vlerë të përhershme. Këtë mund ta arrini vetëm me një front kombëtar të përbashkët, vetëm me një front të vetëm, në të cilin do bashkohen të rinj e të vjetër, malësorë e qytetarë, gegë dhe toskë.

Atëherë do të jeni të sigurt se jo vetëm që veprimi juaj do t’ju sjellë lirinë më shpejt, lirinë të cilën ju e dëshironi me gjithë shpirt, por edhe kur do të vijë dita e çlirimit dhe sigurisht që ajo ditë po agon, nuk do të jetë ditë e vërejtur prej një mosbesimi dhe vëllavrasjeje. Në atë ditë të lumtur ju do të filloni së bashku rindërtimin e vendit tuaj të rrënuar dhe këtë do ta bëni me një bashkëpunim vëllazëror, kështu që ato cilësi të trimërisë dhe të nderit, për të cilat cilësi ju jeni të çmuar, do të mund ta ngrenë Shqipërinë e lirë në një vend nderi dhe të vlerësuar nga kombet në një botë të lirë dhe të lumtur.

Do të dëshiroja që edhe unë të mund të luftoja krah për krah me ju, por si një rob lufte një rrugë e tillë m’u ndalua. Por, jam me ju në shpirt dhe lus që kurajo dhe durimi juaj të vazhdojë deri në fund, në atë fund i cili tashti po afrohet. Ju keni shumë miq këtu në Angli. Ne nuk ju harrojmë.

Rroftë Shqipëria e Lirë! 

Shperndaje ne
Updated: 22 Shtator, 2017 — 22:36

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.