Cektësi dhe shkelje e disiplinës shkencore

NGA: Prof. Dr. LUFTULLA PEZA 

Është bërë e zakonshme nga historianët tanë, që kur shkruajnë për praninë e popullsisë shqiptare
në Greqi, Peloponez, Athinë, Atikë, ishuj etj. dhe për arvanitasit, të gjithë i paraqesin të ardhur nga veriu, nga viset shqiptare dhe jo autoktonë. Kjo përbën një rrenë të madhe dhe përputhet me atë çka shkruajnë edhe historianët dhe politikanët nacionalistë grekë.

Këtë problem e mbështet fuqishëm edhe profesor Pëllumb Xhufi në disa intervista dhe në atë të fundit, dhënë gazetarit Hila. P. Xhufi shkruan: “Korinthi ka qenë i mbushur [me shqiptarë].Fshatrat e Korinthit kanë qënë Teba, Korinthi, Atika, Livadhja nga gjiri i Volosit. Dhe ishujt që rrethojnë Peloponezin kanë qenë me një prani shumë të madhe shqiptare”. Dhe më pas shton:
“Ata janë padyshim pasardhës të këtyre shqiptarëve të cilët në fund të shek 14-të nga 1390 –ta pati një dyndje të madhe, për të krijuar imazhin e asaj dyndjeje duhet të kujtojmë dyndjet e viteve ‘90 të shekullit të kaluar.
Pra ka pasur vërtet [dyndje], që ka lënë gjurmë në dokumentacion”.  Gazetari Hila shton:
“Këtë e thotë dhe prof. Kristo Frashëri. Dhe Shqiptarët e Kosovës kanë bërë dyndje shumë të mëdhaja në zonën e asaj që thonë Maqedoni e epërme me Maqedoni e poshtme”.

Dhe Xhufi i jep lustrën e fundit: “Ky ka qenë drejtimi i dyndjeve jo vetëm në trevat tona ballkanike, por po them edhe në Europë. Po them nga veriu drejt jugut. Drejt Mesdheut. Mesdheu ishte vatra, po themi, i qytetërimeve. Aty gjithë qytetërimet e vjetra kanë lindur rrotull Mesdhet,  Fenilasit, Grekët, Romakët….Kështu që këto dyndje që në kohën parahistorike”.  

Ja ç’thonë edhe kolegët e tij maqedonë për shqiptarët e Maqedonisë, në Enciklopedinë Maqedone: “Shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur nga Shqipëria veriore. Ata kanë kolonizuar viset në Maqedoni në shekullin e XVI, duke dëbuar maqedonasit nga shtëpitë e tyre. Vërshimin e tyre drejt Maqedonisë e ka mundësuar Ali Pashë Tepelena. Shteti i parë shqiptar është formuar nga Gjermania fashiste, e cila kufijtë e këtij shteti i zgjeroi në rajonet e Maqedonisë Perëndimore. Shqiptarët, veç të tjerash, njihen edhe si malokë, primitivë”.

Këto shpifje për shqiptarët i kanë thënë më përpara historianët serb, që përpiqen të argumentojnë se shqiptarët në Kosovë, Preshevë, Sanxhak etj., kanë ardhur nga Shqipëria.

Ky është një litar i gjatë i thurur me kujdes dhe përkushtim nga e njëjta ideologji dhe  qëllim: që shqiptarët rreth Shqipërisë të mos i pranojnë autoktonë në trojet e tyre, ku jetojnë që nga kohërat më të lashta, por të ardhur nga Shqipëria: qoftë në Greqi, Maqedoni, Kosovë,  Serbi dhe gjetkë. Pranimi i kësaj teze nga disa studiues vërteton cektësi në parashtrimin e problemit, mos njohjen e dokumentacionit përkatës. Për këtë temë dokumentet janë të plota, por duhen studiuar. Këto dokumente vërtetojnë se arvanitët, që jetojnë në Greqi, janë mbetje nga popullata autoktone pellazge, që ka banuar Greqinë në kohrat parahistorike.
Përse puqen në këtë pikë  historianët shqiptarë me historianët serbë, malazez dhe grekë?  Të dytët e mbështesin fuqimisht këtë tezë për qëllime pastrimesh etnike, për largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre të lashta. Bazuar në këtë tezë veprojë edhe regjimi i Milosheviçit, në luftën e Kosovës dhe ju vuri fshesën shqiptarëve, për ti përzënë masivisht nga trojet e tyre etnike dardane. Ndërsa të parët, historianët shqiptarë, e mbështesin këtë tezë absurde nga padija ose korrupsioni, të paguar nga qarqet nacionaliste antishqiptare. Ky është niveli i njohurive në historiografinë shqiptare, që i sjell dëme të madha kombit shqiptar. Si është e vërteta?
Gjatë punës sime shumë vjeçare me paleohistorinë dhe historinë e lashtë të Ballkanit dhe të rajonit të Egjeut dhe Mesdheut, kam mbledhur shumë prova bindëse, që dëshmojnë se shqiptarët e lashtë, që kanë qenë quajtur ilirë, dardanë, maqedonë, epirotë, arvanitas, thrakë, dakë, hititë, jonë etj., kanë qenë përhapur në të gjithë Ballkanin, ishujt e mesdheut, Azinë e Vogël, Itali dhe më gjerë. Këta “arbanë” (shqiptarë) të lashtë, që të huajt i thirën “albanë”, me emra të ndryshëm kanë folur dialekte të ndryshme, që njihen si gjuhët ilire, maqedone, dardane, epirote, arvanite, thrake, dake, hitite etj., që përputhen plotësisht me gjuhën e sotme shqipe. Këto gjuhë, megjithse përmenden nga studiues të huaj dhe vendas, që janë të afërta me gjuhën shqipe, fatkeqësisht asnjë herë nuk u studiuan nga  gjuhëtarët shqiptar, nga mungesa e vullnetit. Ata kanë rendur pas problemeve anësore, që nuk kërkonin shumë punë si huazimet greke, sllave, turke, italiane, persiane etj. në gjuhën shqipe. Këta gjuhëtarë të përgjumur, që kanë zënë institutet dhe katedrat në Shqipëri ende nuk e dinë, që gjuha pellazge/shqipe është gjuha e parë e folur dhe e shkruar në botë. Ç’gjuhë ka folur dhe shkruar Peloponezi gjatë shekujve 16-12 p.e.s.?

Ka folur gjuhën pellazge/shqipe, e cila vërtetohet e shkruar në  “shkrimi Linear B i Mikenës”. Në këtë shkrim të famshëm është zbuluar shprehja “ZIAZI” (=ZI ASHT ZI) dhe në një pllakë graniti në Norvegji është shprehja  “SOT QA”, shkruar nga mineanët e Kretës. Këto shprehje janë pa asnjë dyshim të gjuhës pellazge/shqipe. Këtë gjuhë kanë folur dhe shkruar gjyshërit e arvanitasve të sotëm në Peloponez gjatë kohës së bronzit, kur grekët ende nuk kishin ardhur në Pellazgji (sipas Herodotit etj.), të cilët erdhën aty gjatë shekullit V p.e.s.
Po Athina, Korinthi dhe Theba ç’gjuhë kanë folur gjatë shekullit 8 p.e.s.?
Është vërtetuar saktësisht se në Athinë, Korinth dhe Thebë është folur dhe shkruar gjuha pellazge-arvanite-shqipe, vërtetuar nga mbishkrimet përkatëse, që ruhen në Muzeun e Athinës (shih L.& L.Peza 2013. “Dritë e re mbi pellazgët”, M.Butka 2017. “Kodi i gjuhës shqipe”).
Si mund të shkruajmë, që arvanitët e Atikës, Athinës, Peloponezit etj. kanë ardhur nga veriu i Shqipërisë, duke mohuar dokumentet, siç bën Xhufi. Këtë mund ta bëjë vetëm një profesionist ende i pa pjekur plotësisht, jeshil.
 Por të gjithë këta popuj: ilirë, maqedonë, epirotë, thrakë, arvanitë etj. njihen në  histori gjatë mijëvjeçarit të fundit p.e.s. Por nga erdhën dhe si u formuan këta popuj? Për historianët shqiptarë kjo është një çështje fare e errët dhe e panjohur, ata historinë e vendit të tyre e njohin deri në mesjetë. Ata janë shprehur vetëm për ilirët, që i quajnë   autoktonë, por nuk njohin prova për këtë. Edhe gjuhën ilire e mendojnë si gjuhë, ku e ka origjinën gjuha shqipe, por edhe këtë nuk e kanë vërtetuar shkencërisht, sepse gjithmonë e neglizhuan dhe asnjë herë nuk e studiuan. Ata i qëndrojnë besnikë postulatit të gabuar të Eqrem Çabejt, se ilirët kanë qenë analfabetë dhe nuk kanë lënë pas dokumente shkrimore, tezë e huazuar nga mësuesit e tij austriakë?!…
Kështu shqiptarët kanë ngelur në udhëkryq historik për origjinën e tyre dhe të gjuhës amtare, për fajin e historianëve dhe gjuhëtarëve të tyre: këta ende nuk e kanë vërtetuar origjinën e popullit shqiptar, që vetëm e mendojnë nga ilirët, por nuk kanë dhënë prova bindëse. Edhe autoktonia e ilirëve ka ngelur e diskutueshme dhe e pa provuar ashtu si dhe origjina e shqipes nga ilirishtja. Por dokumente janë të plota, që vërtetojnë origjinën pellazge/ilire të gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar, por ata nuk duan ti studiojnë, sepse janë në dialektin gegë dhe nuk i kanë gjetur vetë, por të tjerët, që ata paturpësisht i quajnë “diletantë dhe të paformuar”.
Këto pasaktësi vërtetojnë një prapambetje të madhe të historisë dhe gjuhësisë shqiptare në krahasim me nivelin në vendet fqinj, ku prej vitesh është vërtetuar me prova bindëse origjina e popullit të vet dhe e gjuhëve të tyre amtare
Nga erdhën ilirët?

Të gjithë studiuesit janë të një mendje se ilirët janë vendas, autoktonë dhe nuk ka asnjë të dhënë në histori, që ata të kenë ardhur në territorin ku jetuan. Kjo lidhet me të gjithë ilirët, nga malet Jule në veri deri në kufi me Epirin e lashtë në malet Akrokeraune (mali i Kanalit) në jugë. Ky përfundim mjaft i drejtë dhe i rëndësishëm i shkencës, të çon të mendosh, se ilirët, që  shfaqen në histori gjatë mijëvjeçarit të fundit p.e.s., e kanë origjinën e tyre tek popullata më e lashtë, që ka banuar Ballkanin, rajonin e Egjeut, Azinë e Vogël etj. gjatë kohëve më të hershme, kohës së bronzit. Populli i vetëm i identifikuar, që ka banuar këto rajone gjatë kohës së bronzit, historia njeh vetëm pellazgët, siç e dëshmojnë Homeri, Hesiodi, Herodoti, Eskili etj. Herodoti, shekulli i IV p.e.s., bile na njofton se i gjithë rajoni i Ballkanit dhe Egjeut në lashtësi quhej “Pellazgjia”, sepse banohej vetëm nga pellazgët. Atëherë, me qenë që ilirët janë autoktonë, siç i pranojnë të gjithë dijetarët, duhet pa tjetër ta kenë origjinë tek pellazgët, që kanë banuar para tyre truallin ballkanik. Ky është një ekuacion mjaft i thjeshtë matematik:
Për deri sa pranohet nga shkenca pa asnjë dyshim, që ilirët kanë qenë autoktonë në truallin ku kanë jetuar, duhet të pranohet pa asnjë mëdyshje edhe prejardhjen e tyre pellazgjike, popullata para ilire, që ka banuar truallin  ilir. Mënyrë tjetër shpjegimi shkencor nuk ka. Kush nuk i bindet këtë, është larg arsyes shkencore dhe vepron qëllimisht kundra kombi shqiptar.

Në kohën moderne këta pellazgë të lavdishëm, që i prishin gjumin  historianëve dhe gjuhtarëve shqiptarë, janë vlerësuar nga mjaft dijetarë: N.Keta, Xh. Krispi, J.G.Hahn, V.Dorza, Xh.Finlay, De Rada, Dh. Kamarda, E.Shnaider, L.Benlow, J.Greene, I. Thomopoulo, F.Adamidi, S.Konda, R.Angely, Z.Majani, E.Xhak, N.Vlora-Falaski, Dh.Pilika, që ndiqen nga shumë studiues të sotëm: A.Shuke, Ç.Hoxha, L.Prifti, R.Doçi, L.Peza, A.Aredu, S.Bavore Mele (Itali), M.Carabregu, I.Mati, M.Butka, F.Shiko, K.Marku, S.Hushi, F.Xhara etj.  

Këta studiues të talentuar e avancuan ndjeshëm studimin e problemit pellazgjik, sepse vërtetuan që gjuha pellazge nuk është e vdekur, siç mendohej më parë, por mbijeton  në gjuhën shqipe dhe shqiptarët njihen pasardhësit e tyre të vetëm në botë. Ky është një kontribut i madh, që në radhë të parë shkenca shqiptare i ka dhënë njerëzimit, që mundohen ta mbysin disa historianë jeshil shqiptarë. Këto teza mbështeten edhe nga studiuesit serioz grekë, që shkruajnë:
“ Pellazgët janë stërgjyshër të shqiptarëve  të lashtë, të cilët banonin në pjesën më të madhe të botës, që njihej asokohe. Ata ndërtuan vepra me vlera kolosale, që ja kanë lënë trashëgim njerëzimit”. (Enciklopedia e Madhe Greke, 1932, vëll. 19, faqe 873, që ndodhet në Bibliotekën Publike “Sh. Musaraj, Vlorë, cit. nga Ç.Hoxha). 
Studiuesi italian i kohës sonë Domenico Raso në librin e tij “La cereali cultura nella Calabria Pelasgica, 2011, shkruan:
“Kur pellazgët unë i gjej në Kalabri, Sicili e Toskanë, si ka mundësi të mos i njohin shkencëtarët shqiptarë? Nuk është i tyre mali i perëndive pellazgjike Tomori? Mirë ata grekë nuk i njohin, pasi u rrëzojnë të pangriturën ndonjëherë Greqi, por paska edhe shqipoçtarë”.

Edhe studimi i mbishkrimeve të lashta nga Kultura Pellazge Vinkë-Turdas ( neolit, mijëvjeçari VI p.e.s.), shkrimi Linear B (shek. 16-12 p.e.s.), Stela e Lemnit (shek.9-8 p.e.s.), mbishkrimet Dipylon i Athinës, i Korinthit, Iliada dhe Odisea e Homerit (shek.8 p.e.s.) etj., që shpjegohen vetëm me ndihmën e gjuhës shqipe, përbëjnë prova të rëndësishme në mbështetje të origjinës pellazgjike të ilirëve dhe shqiptarëve (shih: Peza & Peza 2013: Dritë e re …). 
Por ja si i vlerëson këta studiues P. Xhufi: “Gjithsesi dihet që Dorët kanë ardhur nga veriu por më shumë jemi në para histori ,nuk mund të hyjmë në detaje. Këtë e bëjnë me shumë guxim disa historian diletantë edhe tek neve që s’kanë as formimin minimal si historian që rreken të zgjidhin problema të vështira duke filluar që nga ai Pellazgjik por këtu nuk është vendi”.
Pra Xhufi quan “diletantë” dhe “pa formim minimal si historianë” të gjitha ata autorë, që mbështesin tezën pellazgjike dhe shqiptarët dhe gjuhën shqipe i  pranojnë me origjinë pellazgjike. Në këtë grup përfshihen studiuesit e parë të historisë dhe të gjuhës sonë: Keta, Krispi, Hahn, De Rada, Kamarda etj., që të parët e ngritën tezën pellazgjike dhe shqiptarët dhe gjuhën shqipe e renditën me origjinë prej tyre.   Në këtë grup përfshihen edhe studiuesit e sotëm, që po sjellin çdo ditë prova të reja në mbështetje të këtij problemi mjaft të rëndësishëm. Këta studiues kanë sjellë prova të pakundërshtueshme lidhur me këtë problem:

Dokumenti më i vjetër i shkruar i gjuhës pellazge/shqipe ndodhet në Kulturën Pellazge Vinkë-Turdas, ku ndodhen të shkruara në poçeri fjalët: UJI dhe DORA, mijëvjeçari VI p.e.s., të gjuhës pellazge/shqipe, – shkrimi linear B i Mikenës i përket gjuhës pellazge-shqipe, shek. 16-12 p.e.s., – gjuha pellazge, ilire, thrake, maqedone e lashtë, hitite, koptike janë dialekte të lashta të gjuhës shqipe, – mbishkrimet e Athinës, Korinthit, Kupa e Nestorit, shek. 8 p.e.s., i Thebës, shek. 7 p.e.s., të Kretës, shek. 6-3 p.e.s., i përkasin gjuhës pellazge/shqipe (studiues L.& L.Peza, Sh.Berisha, F.Shiko), – gjuha e shumerëve të lashtë është dialekt i gjuhës pellazge, përputhet plotësisht me gjuhën e sotme shqipe (A.Shuke), -gjuha sanskrite përputhet me gjuhën shqipe ( F.Adamidi, P.Zheji), – mjaft emra nëpër botë kanë origjinë pellazgo-ilire (S:Hushi), -në Itali qendrore ruhen monumente të rëndësishme të Qytetërimit Pellazg (K.Marku),-në Sardenjë mjaft toponime dhe dokumente të tjera vërtetojnë, se banorët e hershëm, para latinë të ishullit kanë qenë pellazgo/ilirët (studiuesi italian Areddu), -gjuha e lashtë sarde, folur në Sardenjë para ardhjes së latinëve, është një dialekt i gjuhës pellazge/ilire (studiuesi italian S.Bavore Mele) etj.

Këto zbulime të rëndësishme janë kontribut me vlerë të madhe jo vetëm për historinë dhe gjuhën shqipe, por edhe botërore. Mos pranimi i tyre pa analizë shkencore, siç vepron P.Xhufi, M.Korkuti dhe disa historianë dhe gjuhëtarë jeshilë shqiptarë, përbën shkelje të rëndë të disiplinës shkencore dhe dëmton seriozisht dhe padrejtësisht kombin shqiptar  dhe kulturën tonë.

Asnjë recensë publike nuk është bërë deri tani nga P.Xhufi dhe shokët e tij për studimet, që i quajnë me thashetheme “diletante” dhe ti hedhin poshtë me prova bindëse. Asnjë studim nuk është ndërmarrë nga P.Xhufi dhe shokët e tij për Qytetërimin Pellazg dhe origjinës pellazgjike të gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar. Gjithçka që ai thotë për këtë problem janë thashetheme antishkencore, që i përdorin vetëm njerëzit me pak njohuri. 

Mohimi i Qytetërimit Pellazg dhe i lidhjes së tij me gjuhën shqipe dhe shqiptarët, duke shkelur rëndë disiplinën shkencore, përbën një krim të madh në shkencë. Është keq të themi, por ky krim antishqiptarë, kundra gjuhës, historisë dhe kulturës sonë, zhvillohet nga disa jeshilë në Qendrën Albanologjike dhe në Akademinë e Shkencave. Në këto qendra historia e shqiptarëve studiohet mjaft e cunguar, që arrin deri në mesjetë dhe brenda 28 mijë km2,  aq sa e zvogëluan truallin shqiptar fuqitë e mëdha më 1913, duke lënë jashtë tij më tepër se gjysmën e territorit dhe më tepër se gjysmën e popullsisë shqiptare, që kishte fituar pavarësinë më 1912. Por historia e shqiptarëve fillon që në paleolitin e vonë, kur njeriu doli nga  shpellat dhe ndërtoi qendrat e para të banimit dhe shtëpitë, ngriti arat dhe fermat bujqësore.
Studioni Kulturën Dardane të Vinkës dhe do bindeni, që shqiptarët e lashtë, pellazgët, i dhanë njerëzimit arat e para, farmat (bujqësinë), shtëpitë dhe qendrat e banuar të para, përpunimin e baltës, gurit, kockës, lëkurëve, qumështit, minierat e para dhe shkrirjen e metalit (bakrin) dhe shkrimin e parë që kemi edhe sot.

Stërgjyshit tanë pellazgët kanë lënë pas dokumente të rëndësishme, që vërtetojnë praninë e tyre gjatë kohës së gurit, bronzit dhe hekurit në Europën jugore, Mesdhe.

Të gjithë këtë periudhë të gjatë të historisë sonë dhe të territorit ku është zhvilluar, historianët tanë e kanë braktisur padrejtësisht, sepse është periudha e lulëzimit e Qytetërimit Pellazg. Të gjitha qendrat  kulturore të lashtësisë: Troja, Mikena, Akropoli i Athinës, Knosi, Butrinti, Roma, Apollonia, Rozafa, Lisi, Piramidat e Bosnjës dhe të Egjiptit e shumë të tjera., janë ngritur nga pellazgët, ato në Iliri u mirëmbajtën më pas nga ilirët, në Greqi nga arvanitët, në Epir nga epirotët etj.   Mosnjohja e kësaj pjese të historisë sonë e çon Xhufin në konkluzionin e gabuar, që arvanitët kanë ardhur nga veriu dhe ju mohon atyre autoktoninë. Ky cungim i gabuar i historisë sonë, ka lënë jasht fushës studimore Maqedoninë, Dardaninë, Ilirinë e veriut, Thrakë, Anadollin, Greqinë, Italinë etj., që në lashtësi kanë qenë banuar nga shqiptarët e lashtë. Me këtë cungim antikombëtarë janë përjashtuar nga përkatësia jonë etnike shqiptaro/maqedonët e mëdhenj Filipi, Aleksandri i Madh, Aristoteli, Homeri, Hesiodi etj., të gjitha nga gabimet e historianëve tanë.
P. Xhufit i është dhënë ndihma e nevojshme për të thelluar studimet shkencore si gjatë regjimit komunist ashtu dhe tani dhe prej tij presim studime të thelluara shkencore, formuluar me zbatim rigoroz të disiplinës shkencore, me provat përkatëse. Nuk e nderojnë atë studimet gjysmake të ndërmarra vitet e fundit, ku spikat shkelja e disiplinës shkencore në vlerësimin e të dhënave shkencore dhe autorëve të tyre. Nuk e nderon atë mos njohja e studiuesve të famshëm Keta, Krispi, Hahn, De Rada, Kamarda etj. dhe përbuzja e tezave të tyre brilante mbi Qytetërimin Pellazg dhe lidhjen e tij me shqiptarët. Ne ju përulemi këtyre gjenive, që na mbushin me nder, duke na gjetur vendin përkatës në histori si trashëgimtarë të pellazgëve të lashtë dhe stërnipër të Zeusit, Shqipes, Dardanit, Ilit, Akilit, Hektorit, Aleksandrit të Madh, Pirros dhe qindra heronjve të tjerë në histori.

Shkolla nuk e formon specialistin, siç e mendon Xhufi. Ajo vetëm i tregon rrugën e drejtë. Specialisti profesionist formohet në punë e sipër, duke studiuar dhe punuar me vullnet dhe ndërgjegje të lartë dhe duke respektuar në maksimumin të gjitha rregullat shkencore. Duke i shkelur këto rregulla mbi bazën e interesave të ngushta apo të padijes, pa tjetër do të arrihet në përfundime të gabuara. Prandaj në studimet e P.Xhufit vihen re të meta serioze, siç është rasti i mohimit të autoktonisë së arvanitëve, kundërshtimi pa baza i problemit pellazgjik dhe i origjinës pellazgjike të kombit shqiptar dhe të gjuhës shqipe, duke manipuluar me provat e paraqitura, mosnjohja e historisë së lashtë të popullit shqiptar, mosnjohja e themeluesve të Albanologjisë, vlerësimi i padrejtë, mbi bazën e thashethemeve të mjaft studiuesve, që mbështesin me prova bindëse tezën pellazgjike dhe të origjinës pellazgjike së shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, ngatërrimi i qytetërimeve të lashta, vlerësimi i udhëheqësve komunist; megjithëse kanë kryer pushkatime masive gjatë luftës e pas saj etj.  Edhe çështjet e tjera, që trajtohen nga Xhufi duhen parë me rezervë, sepse ai nuk është studiues serioz dhe mund të ketë shkarje nga rruga shkencore dhe mohim dokumentesh nga interesa personale.

Nga ana tjetër  gjuhëtarët e Qendrës Albanologjike asnjë herë nuk i studiuan gjuhët e lashta: pellazge, ilire, dardane, maqedone, epirote, thrake, arvanite, hitite, shumer etj., sepse studimi i tyre do të vërtetonte, që ato të gjitha janë dialekte të gjuhës shqipe.

Unë bashkë me studiuesen Liljana Peza paraqitëm në konferencën gjuhësore të këtij instituti vitin e kaluar studimin: “Vazhdimësia e gjuhës pellazge dhe ilire në gjuhën shqipe”, studim i denjë me plot të dhëna të reja. Drejtuesja e seancës, pas referimit tonë, në vend të na falënderonte, na u drejtua harbutëshe: “kush ju ka lejuar ju të vini në konferencën tonë”, “mbishkrimet që paraqisni janë mbishkrime greke”, “kjo është konferenca jonë dhe s’keni të drejtë të vini”, “ne nuk mohojmë punën tonë shumë vjeçare” etj., sikur ky të ishte instituti privat i saj. Referatin tonë nuk e botuan në materialet e konferencës, duke  e quajtur “të pa denjë për Qendrën Albanologjike”.  Mbishkrimet e paraqitura i përkasin gjuhës pellazge, ilire dhe epirote,  kuptohen mjaft lehtë me gjuhës shqipe. Por analfabetët e këtij instituti nuk dinë t’i lexojnë ato. Ja me sa urrejtje sillen me gjuhën tonë amtare jeshilët e albanologjisë, që paguhen nga shteti.

Ka shumë të drejtë albanologu i shquar, i ndjeri Robert Elsie, kur shkruan se “historinë e shqiptarëve e kanë shkruar të huajt, historianët shqiptar kanë ndejtë në hije”. Prandaj në këtë qendër duhet një analizë e thellë, për një orientim të ri të punëve.

Për të gjitha këto çështje duhet ndërhyrja e Ministrisë së Arsimit, për të rregulluar gjendjen e sëmurë dhe për të hapur  rrugën për ndërmarrje të studimeve të gjithanshme të historisë dhe të gjuhës sonë. Ringritja e Komitetit të Shkencës është domosdoshmëri urgjente për të ndihmuar zhvillimin e shkencës dhe kontrolluar atë në ecuri.

Shperndaje ne
Updated: 24 Tetor, 2017 — 18:06

The Author

PROF.DR.LUFTULLA PEZA

1 Comment

Add a Comment
  1. DARDANIA
    Gjurmët flasin vetë
    Jemi më të vjetrit
    Nga Pellazgët
    Dardanisë Antike.
    Trashëgimi e lashtë
    Dyndje popujsh babarë
    Nga lufta e Trojës
    E di bota mbarë
    Se Homeri ishte pellazg,
    Troja e dytë Butrinti
    Eneu ishte Dardan.
    Alfabetin latin
    Gjuhën tonë të lashtë
    E folën profetët
    Zeusi – zoti i zotëve.

    Nga Halil Preniqi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.