Letërsi Kombëtare: VARGJET E POETËVE ZYMER MEHANI DHE LUMTURIJE S. DRENICA – KËNGË VEÇ PËR NJË ATDHE…

Shkruan Rrahman Hyseni, shkrimta

Tanimë, emrat e poetëve Zymer Mehani e Lumturije S. Drenica sigurisht se janë të njohur për lexuesit tanë. Për deri sa poeti Zymer Mehani jeton e vepron në atdhe (Kosovë), poetja Lumturije S. Drenica (Shqipëri) në horizontet e letërsisë sonë shqipe erdhi dhe u fut nga diaspora jonë.
Pikërisht kjo poete vjen nga Athina e Greqisë fqinje. Ajo nuk e pati fatin që të lindet e jetojë në trojet e gjyshit të saj në Drenicë, Rexhep Drenica…i biri i Tafil e Sadije Drenica, që lindi më 18 mars 1907 në fshatin Lubinje të Drenicës së Kosovës, i cili që në moshën 12- vjeçare, për të shpëtuar nga duart e shkaut, i drejtohet nënës Shqipëri, ku punon dhe jeton e krijon familje të përkryer në Fshatin Borje të rrethit të Kukësit, duke marrë për grua mbesën e dëshmorit Zahim Hamza nga Topojani i Kukësit…Ashtu fillon dhe zgjerimi i familjes duke u mbushur plot me nipa e mbesa. Familje e madhe me besë e mikëpritje dhe duke u edukuar me dashuri të madhe për atdheun.
Lumturije S. Drenica kryesisht shkruan vargje për të rritur me tematikë atdhetare. Poetët Mehani e Drenica kësaj radhe vendosën që para lexuesve të dalin me një vëllim të përbashkët si bashkautorë. Këtë vëllim e kanë emërtuar me titullin “Veç një atdhe”.
Kryemotiv i poezive të poetëve Zymer Mehani e Lumturije S. Drenica, të përfshira në vëllimin “Veç një atdhe” janë qëndresa dhe atdhedashuria. Por, poetët preokupohen edhe me problemet tjera, si plagët e luftës së fundit, të kurbetit, problemet e ndryshme shoqërore etj., prandaj edhe do t’i quajmë poetë shpirtërorë të popullit, e që me penën e tyre po e ndërtojnë mjeshtërisht fortesën enigmatike të shprehjes dhe të fjalës artistike.
Poetët Mehani e Drenica me vargjet e tyre lexuesve po u ofrojnë ngjyrosje emocionale të fjalës dhe të mendimit. Disa prej poezive të tyre shëmbëllejnë si fragmente ditari të shkruar me vargje dhe mendime të skalitura bukur, që lënë impresione të forta te lexuesit. E veçanta e poezive të këtij vëllimi poetik është gjuha dhe stili, përdorimi i figurave të ndryshme letrare, siç janë epitetet, metaforat, krahasimet dhe metri e rimimi i vargjeve. Pra, vargu, fjala, fryma dhe të shprehurit poetik janë veçoritë kryesore që veprës ia shtojnë vlerën. Dhe ne përmes këtyre vargjeve do të mund të futemi brenda botës krijuese, duke e deshifruar si botën poetike, ashtu edhe atë njerëzore të bashkautorëve të kësaj përmbledhjeje. Këta poetë të talentuar shquhen për poezi të bukura, me mesazhe të qarta që na përcjellin dhe mendimet e tyre i mbështjellin dhe i përmbledhin me pak fjalë, çka edhe ia arrijnë kësaj pune me sukses. Zotësia dhe talenti i tyre është pikërisht fakti, që me pak vargje të thonë shumë, madje edhe të shprehen bukur. Gjithashtu, poetët Zymer Mehani dhe Lumturije S. Drenica i kanë përdorur për mrekulli edhe figurat e ndryshme letrare, po ashtu kanë përdorur edhe fjalë e shprehje të bukura, pa e rënduar vargun, por edhe pa rënë në thjeshtëzime. Vargjet e tyre janë kuptimplota. Ato i shquan mendimi, ritmi dhe rima, elemente të mjaftueshme që ua shtojnë vlerën artistike. Poetët Mehani dhe Drenica janë humanë dhe gjithmonë gjërat i shohin me syrin e humanistit e të atdhetarit duke depërtuar thellë në shpirtin e lexuesve.
Marrë në tërësi, vëllimi poetik i bashkautorëve Zymer Mehani dhe Lumturije Drenica, është një thesar letrar me vlerë shumë të çmuar për kulturën tonë. Poezitë e vëllimit “Veç një atdhe” kryesisht janë të frymëzuara nga jeta dhe historia jonë kombëtare dhe janë dëshmitare për kohën, për fatet e atdheut dhe për dëshmorët e atdheut. Këto poezi sjellin frymë atdhedashurie, duke e thënë vetëm të vërtetën dhe si të tilla shpresojmë se do t’ju lënë mbresa gjatë leximit tuaj.

Medvegjë, më 21 shtator 2017, Rrahman Hyseni, shkrimtar

Shperndaje ne
Updated: 21 Nëntor, 2017 — 16:01

The Author

Rrahman Hyseni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.