Kolonel Sali Onuzi: Ushtria Kombëtare Shqiptare e vitit 1913

Nga organizimi i forcave vullnetare, që siç dihet iu përgjigjën të parat situatës së shpalljes së Pavarësisë e pas saj, Qeveria kaloi në organizimin  e xhandarmërisë  si një forcë  e armatosur ende e pa diferencuar. Xhandari i vitit 1913 ishte edhe ruajtës i rendit edhe ushtar i luftës

Shkruan: Kolonel Sali Onuzi 

Fotografia që shoqëron këtë shkrim, ndonëse e rrallë, nuk botohet për herë të parë. Deri në fillim të viteve 1990, mendohej se paraqiste një kompani xhandarësh të vitit 1913. Mbishkrimi:“Organizimi i parë i ushtrisë kombëtare”. Komp.Modele.Vlorë1913.1.Haki Korca,Komdt.Komp.2.Salih Ohri,3.Bexhet Manastiri” që dikush ka vënë me shkrim dore, nuk ka qenë marrë në konsideratë. Nuk dihet se kush dhe kur e ka vënë atë mbishkrim në fotografi. Kjo mbetet të shihet. Kryesore është saktësia e tij. Autori ose ka qenë një njohës  i mirë i ngjarjeve të vitit 1913,ose pjesëmarrës në veprimtaritë ushtarake të kohës. Duke qenë e vetmja fotografi e kompanisë model që njohim deri tani,vlera e saj historike shtohet. Një kompani , (bylyk) ose trumbë, siç quhej  në fjalorin ushtarak të Kamber Sejdinit atë vit, mendohej të kishte 100 ushtarë.

Dokumente të kohës që gjenden në Arkivin  Qendror  të  Shtetit e vërtetojnë plotësisht përmbajtjen e fotografisë dhe mbishkrimin e saj. Në njërin prej tyre ( 11239. Nr 108). të datës 31 maj 1913 ( 18 maj 1329) drejtuar Ministrisë së Luftës nga Kryetari i Shtabit Madhor, major Ali Shevqeti (Shkupi) shkruhet kështu : ”Njerëzit që kanë ardhur gjer tani për t’u rreshtuar në bylykun model të këmbësorisë që jemi duke formuar janë tepër pak.

S’afërmi do të vihet në zbatim detyrimi i shërbimit ushtarak dhe natyrisht tërë djelmoshat do të mirren ushtarë. Prandaj me anën e nëpunësve civil, ashtu dhe me anën e parisë së vendit,duhet që çështja t’ju njoftohet popullit në çdo prak dhe të këshillohet vendi që dhe djelmoshat të cilët dëshirojnë të përfitojnë nga dobit që u siguron bylyku në fjalë,duhet të vijnë një orë e më parë që të rregjistrohen si më sipër”

Mbi këtë dokument ka bërë shënime edhe Ministri i Luftës Mehmet Pashë Deralla.

Tre  ditë më pas, më 3 qershor  1913, Shtabi Madhor  përcillte për diskutim në Qeveri projektin e Rregullores mbi formimin e Milicisë shqiptare si një formë organizimi e përkohshme “deri sa të arrinte shkallën e mjaftueshme organizimi i ushtrisë së rregulltë”.

Pra del qartë se organizmi i ushtrisë së rregullt ishte objektiv i Qeverisë, i Ministrisë dhe i Shtabit Madhor. Kjo punë, siç e pamë në dokumentin e datës 31 maj kishte nisur me organizimin e  kompanisë (bylykut) model të këmbësorisë dhe do të shkonte përpara. Fotografia dëshmon për organizimin e kompanisë në fjalë.

31 maj na del kështu përpara si një datë  me rëndësi në krijimin e forcave të këmbësorisë  dhe të ushtrisë së rregullt. Deri më sot, Këmbësoria jonë nuk ka pasur  një datë historike për të përkujtuar krijimin e saj. Ndofta ky moment  mund të bëhet objekt studimesh, por, çfarë ka më tepër rëndësi, edhe moment përkujtimi nga forcat e repartet e Këmbësorisë së Ushtrisë sonë.

Ky proces i kalimit në ndërtimin e Ushtrisë së rregullt kombëtare nga Qeveria e Përkohshme  e Vlorës  është një moment i ri, me rëndësi historike.

Nga organizimi i forcave vullnetare, që siç dihet iu përgjigjën të parat situatës së shpalljes së Pavarësisë e pas saj, Qeveria kaloi në organizimin  e xhandarmërisë  si një forcë  e armatosur ende e pa diferencuar. Xhandari i vitit 1913 ishte edhe ruajtës i rendit edhe ushtar i luftës.

Më pas, në mes të vitit 1913 u kalua në fazën e tretë, në ndërtimin e ushtrisë së rregullt. Po kufizohemi me paraqitjen e faktit. Shkaqet që e bënë të domosdoshme dhe të pamundur asokohe  kërkojnë një trajtim të gjërë.

Për repartet e kësaj ushtrie të rregullt, Qeveria porositi në Evropë armë, uniformë, bile edhe literaturë ushtarake. Vetë kryetari, Ismail Bej Vlora,interesohej drejtpërdrejt. Kjo veprimtari pati jehonë deri në diasporën shqiptare  në SHBA ku gazeta “ Dielli” informonte me entuziazëm për të.

Për rrethana të njohura historike ky proces i ndërtimit të Ushtrisë së rregullt shqiptare u ndesh me vështirësi të mëdha,deri sa u ndërpre më 1914. Por kjo nuk e zbeh rëndësinë e madhe historike të fillimit. Ai është dëshmi e kulturës dhe aftësive ushtarake të shqiptarëve.

Shperndaje ne
Updated: 8 Dhjetor, 2017 — 05:45

The Author

Sali Onuzi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.